Albspirit

Media/News/Publishing

“Brenga e Parisit” e Bodler vjen në shqip nga Besiana Kadare

 

Sot kam dëshirë të ndaj me miqtë e mi shqipfolës tregimin “Një hemisferë në një floknajë”, marrë nga përmbledhja e prozave poetike të Baudelaire titulluar “Brenga e Parisit”, që kam përkthyer nga frëngjishtja në 2005.

Jua kushtoj të gjithë atyre që ëndërrojnë për det dhe diell, por nuk kanë mundësi të udhëtojne aktualisht…

NJË HEMISFERË NË NJË FLOKNAJË
Lërmë të thith gjatë, shumë gjatë, erën e flokëve të tu, të kredh fytyrën në to si një i etur që kridhet në ujin e burimit dhe t’i trazoj me dorë si të ishin një shami e parfumuar, për të shkundur kujtime nëpër ajër.
Sikur ti dije të gjitha ato që shoh! Të gjitha ato që ndiej! Të gjitha ato që dëgjoj në flokët e tu! Shpirti im fluturon mbi parfum si shpirti i të tjerëve mbi muzikë.
Flokët e tu mbajnë një ëndërr plot vela e direkë; ata mbajnë detra të gjerë, musonet e të cilëve më shpien drejt klimave të mrekullueshme, ku hapësira është më blu e më e thellë, dhe ku ajri është i parfumuar nga frutat, gjethet dhe lëkura njerëzore.
Në oqeanin e floknajës tënde, shikoj një port që gëlon nga këngët melankolike, burrat e fuqishëm të të gjitha kombeve dhe anijet me trajta nga më të ndryshmet, spikamat delikate dhe të ndërlikuara të të cilave ravijëzohen në sfondin e një qielli të pafund, ku prehet zhegu i përjetshëm.
Në përkëdheljet e floknajës tënde rigjej kapitjet e orëve të gjata të kaluara mbi një divan, në kthinën e një anijeje të bukur, të lëkundur nga troshitjet e lehta të portit, midis vazove me lule dhe brokeve me pije freskuese.
Në vatrën plot afsh të floknajës tënde thith erën e duhanit të përzier me atë të opiumit dhe të sheqerit; në terrin e floknajës tënde shoh të shndrisë pafundësia e kaltërsisë tropikale; mbi brigjet e floknajës tënde dehem me aromat e përziera të serës, myshkut dhe vajit të kokosit.
Lërmë të kafshoj gjatë gërshetat e tua të rënda dhe të zeza. Kur kafshoj lehtas flokët e tu të epshëm e rebelë, më duket sikur jam duke ngrënë kujtime.
(Përktheu nga origjinali Besiana Kadare, marrë libri “Brenga e Parisit”, Onufri, Tiranë,2005).
Please follow and like us: