Albspirit

Media/News/Publishing

Haris Vongli: Përballë idhujve të rremë e të djallëzuar

 

Mungesa e taktit përkufizon nivelin e intelektit, por nuk përcakton nivelin shoqëror, aq më tepër nëse i referohemi shtresëzimit të shoqërisë shqiptare, sidomos gjatë viteve të tejzgjatura të tranzicionit, larg të cilit ka tentuar të largohet truri dhe kush rrallë do të bënte kompromis me integritetin e tij.

Përveçse të qenurit ballkanas, ne ulërasim se nuk dimë të bindim, vjedhim se nuk dimë të shesim, gënjejmë se s’dimë të shpikim, abuzojmë se nuk mund të respektojmë, braktisim se s’kemi mësuar të dashurojmë, harrojmë sepse nuk kemi instikt mirënjohjen, frikësohemi se nuk justifikojmë dot guximin. Ne marrim për të mirëqenë heshtjen apo insistimin e të mirit në një botë ku e zeza trajtohet si e bardhë, dhe kur bëjmë gëzuar me ‘miq’ ende nuk dimë se kryqëzimi i shikimeve është respekt ndaj ekzistencës së tjetrit dhe tavolinës ku ulemi për të ndarë vlera të përbashkëta.

Rafinimi dhe edukata janë një përbërje stofi elegant, në formë e përmbajtje, që jo të gjithë përballojnë ta mbajnë veshur, sepse sado të majmur ta kenë portofilin, në fund rëndësi ka si duket malli mbi konsumatorin. E shoqëria shqiptare konsumon shumë, ama prodhon pak.

Modestia dhe përulësia nuk i shkon për shtat hipokritit, matrapazit, inaçorit e as parazitit. Virtutet e intelektualit, inteligjentit e të mençurit më së shumti lindin me të dhe kultivohen më tej në zhvillimin edhe më të bukur të individit, të të urtit, punëtorit, pasionantit, bashkëpuntorit, vlerësuesit e vizionarit.

Thagmat e pasthirrmat, shtrembërimet e shtirjet, ulërimat, protagonizmat e propagandat janë kaq folklorike sa ende në 2021, në epokën e IA, ndërsa bota e zhvilluar përqaset nëpërmjet robotikës e zbulimeve të jetës në planete të tjera, pavarësisht ‘Gucci’-t dhe luksit të shfrenuar, ‘elita’ e vendit tim sa vjen e kontribuon në shpopullimin masiv të kombit.

Dua të them që shoqëria e individë të saj kanë humbur ndjeshmërinë ndaj dijes dhe kohezionit shpirtëror, përgjegjësisë ndaj njerëzimit, në një botë ku shteron për nga vlerat duke nxjerrë në pah pjesën më të shëmtuar të saj, zëvendësimin e të diturit me injorantin… Sot nuk ka rëndësi edhe aq se kush je por me kë rri, jo se çfarë bën, por mënyrën se si performon e ndërsa një pjesë e të ngjashmerve tanë është zhytur në krizë identiteti; ne nga një anë vëmë maskat, nga tjetra lahemi e ngrohemi me qirinj, jo sepse jemi romantikë, e sigurtë, por sepse shtresat e shoqërisë kanë harruar prejardhjen duke i shërbyer idhujve të rremë e të djallëzuar.

Please follow and like us: