Albspirit

Media/News/Publishing

Dashnor Kokonozi: Koha që ikën dhe dhimbja që mbetet

Në një shënim të tijin për një status që ndera në linjë pak ditë më parë, Marko Shipcka, një nga krerët kryesorë të sindikatave të kohës, më kujtoi denoncimin që u detyrova t’i bëj vjedhjes së ndihmave të qeverisë italiane duke filluar aty nga mesi i vitit 1991. Eshtë procesi i Levante Co, një shoqëri italo-jugosllave të cilës i qe besuar një shumë e rëndësishme nga Qeveria italiane, shumë me të cilën ajo do të blinte mallra të ndryshme ushqimore dhe ilaçe për Shqipërinë. Jo vetëm që me të u blenë veç bizele të krimbura, kuti ushqimore me një lëndë xhelatinoze që të shtinte frikën, pluhur qumësht i skaduar ilaçe të skaduara etj., që u faturuan me çmim tê dhjetëfishuar, por së fundi rezultonte e zhdukur edhe një shumë aty te 8-9 milionë dollarët.
Kurrsesi nuk do ta hapja historinë e një serie artikujsh që i kushtova këtij problemi dhe që rezultuan të jenë dramatikë si për jetën politike shqiptare ashtu edhe për jetën time, por të mos më vinin ndërmend vështrimi i syve të një gruaje.
Ato të Rexhina Nanos.
Kjo ndodhi tani vitet e fundit, në një pritje në Ambasadën shqiptare në Paris, ku isha ftuar me rastin e largimit të ambasadorit Y. Aliçka. Po lëvizja me një gotë shampanje në dorë (krahu na hante të gjithëve andej nga fundi i një salle, ku qe vendosur një tepsi me bakllava), kur ndjeva një lloj parehatie. Ktheva kokën dhe ndesha sytë e Rexhina Nanos.
Nuk është se pashë urrejtje në sytë e saj, por ndjeva ngritjen deri pas retinës të një pikëllimi a vuajtje të vjetër, sikur në sytë e saj larvonte pyetja: pse e gjitha kjo ? Të paktën kështu m’u bë mua.
Eshtë rasti t’i them se nuk jam unë në origjinë të fatkeqësive të saj, nuk jam unë ai që i burgosa të shoqin asokohe, nuk jam unë ai që i shkaktoi gjithë ato shqetësime.
E di edhe origjinën. Një koleg i asaj kohe, gazetari Gjergj Pilika më thotë, këtu e 24 vjet më parë se dikush me emrin Spartak Braho nxjerr flakë nga goja kundër teje dhe këmbëngul t’i mbushë mendjen Rexhinës se në prokurorinë italiane i kanë dhënë emrin tënd si shkaktar i procesit të Fatos Nanos.
Por edhe krahu tjetër ka ndikuar. Deri vonë ishte në linjë fragmenti i një libri të Blerim Çelës, ku ky përshkruan se si një ditë e thirri presidenti dhe kur hyri në zyrë pa në tavolinën e tij një artikull të D. Kokonozit mbi procesin e Levant Co, që ia zgjati atij. (Tani ky episod duhet të gjendet te kapitulli i LevanteCo, i një libri të Çelës rreth problemeve të PD-së).
Në shkrime të tjera shoh të thuhet se vetë Berisha nuk kishte qenë për arrestimin e tij dhe eksponentë të lartë të PD-së i kanë shkuar në zyrë dhe i kanë thënë: ta arrestuam atë mikun… Mua kjo punë nuk më ka interesuar kurrë.
Gjithsesi, shtrëngohem të pranoj se me atë seri artikujsh, që janë puna më e rëndësishme dhe më e rrezikshme e jetës sime, u abuzua egërsisht nga politika. Nuk dua të flas për gjëra që nuk i provoj dot, por personalisht kurrë nuk pranova të dal dëshmitar kundër tij dhe mbi të gjitha ditën që u hap procesi gjyqësor i Nanos, i dhashë një intervistë Karlo Bolinos, ku pa asnjë ekuivok thuhet se nuk është Nano ai që ka përfituar nga vjedhja e ndihmave italiane.
Ndihem i kënaqur që e paskam ruajtur këtë intervistë te Gazeta Shqiptare.
Ndokush mund të thotë se tashmë Nanon e zbardhi një proces gjyqësor. Të gjithë e dimë se ta zbardhësh një çështje në letër nuk do të thotë se e ke zbardhur në mendjen e njerëzve. Di tashmë që vetë Nano është kapitull i mbyllur i jetës së Rexhinës, por ajo nuk mundet të divorcohet dot nga vuajtjet e asaj kohe, përveç faktit se janë edhe fëmijët që kanë nevojë për versionin jo zyrtar të shfajësimit, atë të vërtetin. Edhe pse jam i sigurtë se ata kurrë nuk kanë besuar se i ati i tyre ishte fajtor.
Fatos Nano u tregua i pakujdesshëm, i pavëmendshëm, por ai personalisht nuk përfitoi prej tyre.
Por hije mbetet, sidomos kur shfajësime të tilla në kontekste të acaruara politike mbajnë edhe erë Braho. Dhe në botë nuk shoh asnjë njeri tjetër të pozicionuar më mirë se unë për të thënë një gjë të tillë. Flas edhe sepse pasojë e atyre artikujve ishte burgosja e mjaft njerëzve të tjerë, me pasojat e hidhura dhe dhimbjen që u shkaktohet familjarve.
Fatkeqësisht atëbotë, politika kishte hyrë në një akselerator çmendurie dhe nuk e di a ka dalë ende.
Ishte edhe për mua po aq e vështirë ajo ngjarje. Madje në ditët e procesit të shfajësimit të Nanos u bë dramatike.
Shik- do të jetë gjithnjë thjesht një polici politike si Sigurimi, Kgb, Gestapo… I mbaj mend fytyrat e gorillave të tij si më ndiqnin dhe kurthet që më ngrinin, sharjet e ndyrësitë në telefon. Gjithnjë do të ketë në atë shërbim që do të duan t’i tregojnë zellin krerëve të politikës. Kur flas për ta, nuk flas për vete, nuk i kam frikë. Por nuk kam si të mos kujtoj lemerinë e një gruaje dhe dy vajzave të parritura, të vetme e pa askënd që t’i mbrojë, tek shohin që po u shqyejnë derën e shtëpisë. Dy mijë km. larg, ti mban telefonin në dorë dhe lutesh të të mos pushojë zemra, se në botë ka të paktên tre vetë që kanë ende nevojë për ty.
Terrorin që vazhdonin mbi njerezit e mi pasi u ika unë nuk mund ta interpretoja veçse si kërcënim se mos trazoja procesin e “zbardhjes” së Nanos që mora vesh që kishte nisur.
Por jeta të ofron edhe gjëra të tjera, që atë vend të mos e identifikosh me tmerret e policisë së tij politike.
Me këtë rast kujtoj fqinjët e mi, familjen e S. Doçit, një funksionar i lartë i Flotës Detare. Kur morën vesh se çfarë kishte ndodhur, dy djemtë e tij Ardi, ai që ka qenë basketbollist dhe Bledi, të nesërmen, u thanë njerëzve të mi se do të flinin te dhoma e shtëpisë së tyre, të cilën e ndante vetëm një mur me dhomën time. Dhe nëse «ata» vinin përsëri për të shqyer derën e shtëpisë, u kërkuan njerëzve të mi t’i njoftonin duke goditur në murin ndarës. Dhe ata do të dilnin menjëherë te dera.
Nuk i kam takuar që atëherë, por sot gjej rastin t’u them: Faleminderit, çuna!
Ishte një kohë që kur e bëje këtë për mua, ishte njësoj si të strehoje hebrej në kohën e luftës. Por jo në Shqipëri.
Gratë e pleqtë e organizatës ishin gjallëruar dhe i prisnin me sharje e ulërima njerzit e mi që nxitonin të futeshin shtëpi, një oficer në lirim, merrte kovën me ujë të ndotur me të cilin kishte larë shtëpinë e tij dhe e hidhte poshtë derës së apartamentit tim… Dhe kur vetë e shoqja i tha si nuk ke turp që po i tmerron kështu kalamajtë, ai iu përgjegj se kishte porosi nga sekretari i Partisë…
Shoh se kam edhe një peng tjetër, i vjetër edhe ky.
Kur me këmbënguljen e shumë miqve më së fundi u binda se duhej të ikja (një këshillë të tillë e kisha edhe nga persona të ambasadës franceze), ndodhi që ditën që qëndroja para personit që kontrollonte dokumentet në aeroportin e Rinasit, më duhej të paguaja edhe një shumë prej pesë dollarësh, me sa kujtoj, si taksë dogane.
Futa duart ne xhep dhe pashë se nuk kisha asnjë lek a dollar. Me të mbërritur në Paris, ishin të tjerë që do të më merrnin në ngarkim. Mendova se ishte kjo grimca e rërës që do prishte mekanizmin të ndërtuar me aq kujdes.
Kur po flisja me veten, doganieri iu kthye pasaportës sime dhe nisi ta këqyrë me kujdes. E kujtoj tani se si u zbeh. Vështroi rrotull dhe me zë të ulët më tha: do t’i paguaj unë, por ik. Ik shpejt. Dhe mos lëviz shumë në sallë.
E kuptova menjëherë se çarku ishte mbyllur dhe unë po dilja nga vrimat e tij.
Nuk e di kush është ky njeri që në pak sekonda ndryshoi fatin e jetës sime. U kam kërkuar mjaft njerëzve të ma gjejnë, por më kot.
E megjithatë… Sa kohë që shtrëngimi i dorës midis dy burrave është ende shprehje e një vlerësimi moral, vërtet që do të desha t’i shtrëngoj dorën atij njeriu e t’i them: Faleminderit!
Please follow and like us: