Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Librat e ideve te kolosët e letërsisë

 

Në oqeanin e trillimeve që fantazia dhe shpirti krijues i shkrimtarëve dhe artistëve ka krijuar, gjenden një pafundësi historish. Romane dhe filma nga më të ndryshmet. Dëshira për të treguar tek njeriu është aq e lashtë sa ajo humbet nëpër shekuj. Në fillim me eposin e Giglameshit, Biblat, pastaj me legjendat greke, përrallat e njëmijë e një netëve e kështu me rrallë. Edhe pse forma më e vjetër e komunikimit njerëzor, nuk është fjala, por shenja, pikturat e shpellave, gdhendja e gurit dhe vetëm më vonë erdhi edhe fjala. Mjafton të kujtojmë mitin e kullës së Babelit. Fjala si një mjet më i sofistikuar, i ka shërbyer njeriut për t’u shprehur dhe treguar. Pra në oqeanin pa fund të historive të treguara, gjendet edhe një fill lidhës. Një zhanër letrar që unë e quaj zhanri i librave me ide filozofike. Zhanër ku romani ka një ide bazë, një skelet filozofik, një bosht domethënie, nga ku ose më mirë, mbi të cilin është ndërtuar ngjarja. Edhe pse, në e, çdo histori ka domethënien e vet, filozofinë e vet idenë e vet, në disa libra kjo spikat me më shumë forcë. Brenda, këtij zhanri, të cilin unë dua ta marr në shqyrtim në formë krahasuese, historitë shquhen për alegori, simbolika dhe metafora, në skeletin e tyre filozofik. Libra të këtillë në historinë e letërsisë ka pa fund, por në pamundësi për t’i sjellë të gjithë shembujt, do të shqyrtoj vetëm disa prej tyre: ‘Don Kishotin’ e Servantesit, ‘Dorian Gray’ e Oskar Willde, ‘Shkretëtira e Tartarëve’ të Dino Buzzatit, ‘Baroni rebel’ të Kalvinos, ‘I huaji’ i Kamysë, ‘I ndjeri Matia Paskal’ i Pirandelos, ‘Verbëria’ e Saramagos, ‘Pallati i ëndrrave’ i Ismail Kadaresë dhe akoma të tjerë.

Karakteristika kryesore e këtyre historive të treguara është se ato kanë një ide, një bosht kryesor filozofik dhe mbi këtë bosht kanë ndërtuar tërë ngjarjen e tyre. Idetë e tyre filozofike arrijnë të rrokin dhe të permbledhin tematika thelbësore të jetës së njeriut.

Po nisem nga Servantesi. Don Kishoti, na jep idenë e madhe të krizës së rilindjes dhe fillimit të barrokut. Ai gjithashtu evidencon dëshirën e individit për të nxjerrë në pah individualitetin e tij, jashtë skemave të shoqërisë. Duke theksuar pra, instiktin, çmendurinë, ëndrrën, të panjohurën. Autori gjenial ka bërë pothuaj një revolucion letrar. Ai, duke u tallur me konsumuesit e romanit kalorsiak, i jep këtij zhanri grushtin vendimtar. Është e njëjta gjë, sikur sot, një shkrimtar largpamës, të shkruaj një histori ku ai të tallet me romanin policor, harmoni apo horror. Zhanre skematike ku gjithçka është studiuar në tavolinë në formë matematike, si e si për të tërhequr vëmendjen e lexuesit.

Ndërsa tek Dorian Gray, kemi një ide tjetër gjigande. Ideja që na sjell Oskar Wilde është sa themelore aq edhe e perjetshme. Ai merret me shpirtin dhe e sheh atë në prizmin kristian. Dorian Gray bën një pakt me djallin. Ky i fundit në shkëmbim të shpirtit, i premton rininë e përjetshme, luksin dhe qejfet në jetë. Metafora shumë Gëtjane dhe Bulgakovjane, na flet për diçka esenciale. Sa njerëz sot, tentojnë të ngjiten në karrierë, me mashtrime, intriga, duke përdorur mjete të pamoralshme? Nuk e humbin ato vallë fytyrën e tyre, shpirtin pra, duke arritur, pushtet dhe para?! Sa shëmtohen ato në shpirt duke u ngjitur mes intrigave dhe mashtrimeve?! Duket sikur jeta mes qejfeve dhe dëfrimeve, shkon gjithmonë nga skaji i kundërt i paqes dhe begatisë së shpirtit duke e dëmtuar njeriun në pjesën më intime të tij. Një dëmtim moral që vetë ligji i jetës, i cili bazohet mbi ekuilibrin dhe mos abuzimin, nuk e pranon. Një dëmtim të cilin Dorian Gray nuk arrin ta kuptojë në jetën e tij të përditshme mes defrimeve. Ai vetëm kur sheh portretin e tij, kupton me tmerr se shëmbëlltyra e tij është shëmtuar pa arsye. Sa më shumë ai mëkatonte, aq më shumë fytyra e portretit të tij tek piktura shëmtohej, shëmti e cila e shndërroi atë pak nga pak në një përbindësh të vërtetë. Nuk shoh asgjë të keqe tek miti njerëzor i rinisë së përjetshme, por duket sikur vetë dëshira e njeriut për të sfiduar kohën, plakjen, (me operacionet kirurgjike, silikonin e të tjera e të tjera) e bën atë të shndërrohet në karikaturë të vetvetes. Sikur njeriu të donte të sfidonte vetë rrjedhën e jetës, bukurinë dhe fisnikërinë e rrudhave.

Ndërsa tek romani “Verbëri” i nobelistit Saramago, na paraqitet jeta hipotetike, e mundshme e një shoqërie imagjinare ku të gjithë verbohen nga një sëmundje ngjitëse. Një ide, sipas mendimit tim, me të vertetë gjeniale. Asgjë nuk është më e tmerrshme se sa indiferenca njerëzore, duket sikur na thotë autori. Ky libër është një reflektim i thellë mbi frikën dhe irracionalen tek njeriu. Të gjithë jemi të verbër sot, përbal vuajtjeve të tjetrit. Të verbër që shohin, por edhe pse shohin, ato nuk shohin. Saramago i ka dhënë formën e një romani, një ideje të tmerrshme. Ideja e vetmisë së madhe njerëzore. Por nëse alegoria e verbërisë tek romani i Saramagos nxjerr në pah degradimin moral njerëzor.

Kamy, me romanin e tij “I huaji”, merret me temën e indiferencës. Personazhi i tij, është aq i ftohtë, aq i pandjeshëm, aq indiferent sa ai në fund të romanit gjykohet si individ i rezikshëm për shoqërinë dhe Meursault dënohet me vdekje. Nëse tek romani “Murtaja”, autori ishte marrë me alienimin njerëzor, këtu ai hulumton indiferencën dhe apatinë njerëzore. Dy sëmundje shumë shqetësuese të shoqërise së industrializuar. Por, nëse autorët e lartpërmendur janë ndjerë të lirë gjatë krijimtarisë së tyre.

Autorë të tjerë, si Kadare, janë shprehur me ndihmën e aludimeve dhe metaforave në librat e tyre. Kadare ka përdorur alegorinë. Romani “Pallati i ëndërrave”, në formë alegorike, synon të denoncojë atë aparat, mizor, të fshehtë komunist, që policia e fshehtë, sigurimi, kishte ngritur në këmbë për të garantuar vazhdimësinë e egzistencës së vet. Një sistem i tmerrshëm falë së cilit shteti gjurmonte dhe përgjonte qytetarët e dyshimtë duke i ndëshkuar ato. Kadare, intelektual i formuar si në Moskë ashtu edhe në Paris, na vjen me një zë tepër të fuqishëm në krijimtarinë e tij të gjërë. Sidomos ajo e periudhës nga vitet ‘60 deri në vitet ‘90, e cila, herë herë karakterizohet ne veprat e saj për velin aludues. Një tentativë dykuptimësie, ku shkrimtari, duke iu ruajtur censurës, kërkon gjithmonë forma të tërthorta shprehje. Teknikë, e cila ia ka rritur vlerën simbolike veprës së tij. Mjafton të kujtojmë romanet si ‘Piramida’, ‘Pallati i ëndrrave’, ‘Përbindëshi’ etj. Kurse tek autorët italianë si Kalvino, Buzati, Pirandelo dhe Tabucchi, duket qartë ideja e tyre simboliste dhe aksi filozofik në historitë e tyre.

Kalvino, tek romani i mrekullueshëm ‘Baroni ribel’, një përrallë intelektuale, na jep idenë e jetës së lirë dhe të mosbindjes intelektuale. Personazhi Kozimo nuk heq dorë nga jeta edhe pse vendos të jetojë mbi pemë. Ai pra, nuk heq dorë nga pjesëmarrja e tij në jetën e vendit, por në të njëjtën kohë ai dëshiron edhe lirinë, indipendencën e tij. Vendos pra ta kalojë tërë jetën e tij ngjitur mbi pemë. Ideja e refuzimit të rregullave, të paragjykimeve dhe e pranimit të larmisë, është edhe shtylla kurrizore e romanit. Kalvino, me lojën e tij intelektuale, jo vetëm tek ky libër, por edhe tek dy pjesët e tjera të trilogjisë, me stilin e tij fantastik, hulumton thellë mbi problemet ekzistencjale të epokës së tij.

Të njëjtën gjë bën edhe siçiliani Pirandello, me romanin ‘I ndjeri Matia Pascal’. Tek ky roman, autori reflekton mbi ekzistencën. Është pra një temë ekzistencjaliste. Protagonisti, kur kthehet mbas shumë vitesh, (i zhdukur në rrethana misterioze) edhe pse ai ngul këmbë përpara banorëve të qytezës, se ai është i njëjti Matia i dikurshëm. Komuniteti, i cili e dinte të vdekur, nuk e besoj më kurrë. Kjo humbje identiteti, (jemi në vitin 1904) na flet me të njëjtën gjuhë të Franc Kafkës. Jemi në vitet kur idustrializimi, rritja demografike e qyteteve të mëdha, emigrimet në masë të siçiljanëve në SHBA. Gjithçka, duket sikur flet për një tjetërsim të shoqërisë, për një humbje të konsiderueshme identiteti kombëtar. I njëjti fenomen na ndodhi edhe ne shqiptarëve pas viteve nëntëdhjetë. Ndryshe nga Kafka, i cili hulumton si tjetërsimin e njeriut, (shndërrimin e tij në insekt) ashtu edhe fajin e tij të pakuptueshëm, shih romanin ‘Procesti’. Kurse Pirandelo reflekton mbi identitetin e individit në shoqëri. Një identitet i vënë në dyshim si nga rritja demografike, ashtu edhe nga emigracjoni. Një shkrimtar tjetër italian shumë interesant është Dino Buzati. Më shumë artist se intelektual, (Buzati ishte edhe piktor) me romanin e tij të mrekullueshëm ‘Shkretëtira e Tartarëve’, ai merret me një temë tjetër universale. Merret me pritjen e njeriut në jete. Personazhi Dogo, ka një jetë të tërë që veç pret. Pret që më në fund, poshtë kështjellës që ai mbron, të arrijnë më në fund armiqtë. Dhe ai, si ushtar t’i japi kuptim jetës së tij. Pret pra, prej vitesh që t’i ndodhë diçka e madhe. Buzati, është shprehur në një intervistë se ideja e librit i erdhi nga orët pa fund të pritjes në redaksinë e gazetës ku punonte në Milano. Qindra, mijra orë pritje ku asnjëherë nuk ndodhte asgjë e madhe. Nuk ndodhte asgjë në mënyrë që të mund t’ia ndërronte jetën monotone prej gazetari. Në romanin e tij, ushtarët plaken nëpër bedena, duke pritur armikun. Por ai, nuk dukej asgjëkundi.

Një tjetër shkrimtar elegant, intelektual i kalibrit të lartë është edhe italiani tjetër Antonio Tabuchi. Autor i cili, me romanin ‘Dëshmon Pereira’, arriti edhe pjekurinë e plotë letrare dhe intelektuale. Ideja e madhe e perpjekjes që duhet të bëjë njeriu, për çeshtjen e lirisë, edhe pse ka një jetë mediokre, është edhe baza e librit. Gjesti final që ndërmorri gazetari Pereira, duke shkruar mbi vdekjen e Lorkës, tregon një pjekuri dhe kurajo intelektuale të personazhit kryesor. Jemi në Lisbonë. Nën klimën e rëndë të diktaturës së Frankos në Spanjë dhe njerezia si gjithkund jeton me shumë frikë. Pereira, i cili shkruante nekrologjitë e shkrimtarëve të vdekur tek faqja kulturore e një gazete provincjale, e dinte se do t’a humbte vendin e punës nëse do të denonconte pushkatimin absurd që i kishin bërë poetit Lorka. Ai do rrezikonte vetë jetën e tij. Çështja ishte të rrinte urtë dhe të shtirej sikur nuk kuptonte, duke ruajtur vendin e punës në gazetë. Apo ta ngrinte zërin me kurajo kundër krimeve të reja të diktatorit. Kjo kurajo intelektuale, kjo mos heshtje, kjo marrje pozicioni në shoqëri, tregon më së miri se me sa vështirësi, me sa djersë dhe gjak, Europa e ka fituar lirinë e saj. Një liri e shkelur me këmbë për shekuj me rradhë nga dogmat, nga idetë nacionaliste, fashiste, naziste apo komuniste.

Duke bërë një panoramë të shkurtër mbi këtë zhanër romani me një bosht filozofik, po e mbyll artikullin me një thënie mbi letërsinë, të shkrimtarit toskan Antonio Tabuchit: “Filosofia duket sikur merret me të Vërtetën, por ndoshta ajo thotë vetëm fantazira. Ndërsa letërsia duket sikur merret me fantazira, por ndoshta ajo thotë të vërtetën”!

 

 

 

Artur Spanjolli

Please follow and like us: