Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: Letërsia më e mirë shqiptare erdhi në ekran

(Intervistë me zotin Mevlan Shanaj, regjisor dhe aktor i mirënjohur. Bashkëbisedoi Mark Simoni).

 

 

A mendoni se letërsia e mirë shqipe është përfaqësuar sa dhe si duhet në kinemanë tonë?

Përvoja e ekranit shqiptar, është një ndër shëmbujt e lëvduar ku letërsia ka shërbyer si bazë e filmit që prej nisjes së prodhimeve të para. Sipas letërsisë së kohës u vunë para ekranit romanet e para të metodës së realizmit socialist “Tana”, “Këneta” (Vitet e para) të Fatmir Gjatës nën regjinë e Kristaq Dhamos. Në përgjithësi thuhet që letërsia e madhe ka vështirësi në ekranizim. Janë realizuar ndër vite disa filma me motive, përshtatje apo edhe ekranizime të prozës së gjatë apo të shkurtër, midis të cilave edhe disa vepra të Ismail Kadaresë si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Nëntori i një kryeqyteti” apo edhe motive të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Nga letërsia e Dritëro Agollit u ekranizuan “Njeriu me top”, “Komisari Memo”, “Njeriu i mirë”, “Apasionata”. Unë kam realizuar një film të mirë “Të shoh në sy”, mbështetur në romanin “Të jetosh kohën”. Janë disa shembuj të filmave sipas novelave apo tregimeve. Përgjithësisht filmi shqiptar është zhvilluar në të njëjtën linjë si gjithë historia e prodhimit të kinemasë botërore. Nuk mund të bëjmë një klasifikim nëse filmi ka kapërcyer apo ka zvogëluar prozën, gjithëherët do të mbetet një temë e hapur. Sipas përvojës shqiptare në gjykimin tim, filmat më të arritur nuk kanë ardhur nga ekranizimet e letërsisë.

A mendoni se ka një harmoni që letërsia dhe kinematografia marrin dhe japin me njëra-tjetrën?
Sigurisht që janë në miqësi të mirë në disa raste edhe martesa, siç ka edhe raste që nuk krijojnë harmoni të lakmueshme. Filmi është art sintezë, ku të gjithë llojet e arteve shkrihen, duke filluar nga letërsia, drama, poezia, piktura, muzika, baleti dhe realizohet nga specialistë të disa fushave! Ndërsa letërsia është arti i vetvetes! Shkrimtari krijon botën vetëm me shkrimin, që nga lashtësia pa u ndryshuar aspak nga shekujt në zhvillimet e teknologjisë. Letërsia është tradicionale, krijim i mirëfilltë dhe nuk tjetërsohet nga zhvillimet e teknologjisë, ndërsa imazhi, kinemaja vrapojnë me zhvillimet e shkencës! Kështu që letërsia siç shkruhet me vështirësi ashtu edhe konsumohet me vështirësi. Në ditët moderne libri ka një ‘fodullëk aristokratik’ në qasje te lexuesi, kurse filmi ka një përdorim ala ‘Fast food’.

Majakovski thotë në një analizë të gjërë mbi letërsinë ruse, (një nga letërsitë më potente të botës) se, tashmë ka ardhur koha që të hedhin nga varka jonë e letërsisë për në lum një pjesë të letërsisë së traditës. A mendoni ju se ka skarcitet dhe filma të dobët që e meritojnë harresën dhe mos publikimin e tyre? Nëse po, cilat kategori dhe profile filmash tanë?

Majakovski, një ndër figurat e mëdha jo vetëm të Rusisë, me talentin e tij të gjithanshëm tronditi Parisin dhe mendimi i tij, për fat të keq gjatë gjithë kohës ka mbetur në minorancë, pasi gjatë historisë së artit jo vetëm në atë të ish-vendeve socialiste, po kudo mediokriteti është më dominues. Edhe në letërsinë tonë, talentet i kemi me gishtat e dorës. Kinemaja e një sistemi të përcaktuar te ne që kishte si okelio “Diktatura e proletariatit” padyshim ka plagët e atij e sistemi. Krijuesi i talentuar ka ditur të shpalos vlera krijuese, të cilat vazhdojnë të kenë vëmendjen e publikut! Unë mendoj se sot është e pa mençur t’i japësh publikut receta për të zgjedhur menynë artistike të filmave. Veprat e dobëta artistikisht apo të mbytura me propagandë i eleminon koha, sa më e emancipuar të jetë shoqëria aq më lehtë e kanë të harrohen ato lloj prodhimesh dhe besoj se nuk do ketë dhimbje nga askush. Unë besoj më shumë te intuita e publikut, se sa te disa grupe apo individë militantësh që tek ne nuk mungojnë, për të dhënë çdo herë shembullin më të papërshtatshëm. Publiku është si ligjet e natyrës pas rrebesheve, krijohet ylberi me gjithë ngjyrimet.

Sa mendoni se personazhi duhet të jetë nën lëkurën e aktorit dhe anasjellta dhe a është këtu magjia e suksesit të përsonazheve?
Arti i aktorit është arti i krijimiit, i transformimit. Aktori studion dhe ushtrohet për transformim po kur karakteri i qaset cilësive të ndjesive të brendëshme e lehtësojnë krijimin. Kuptohet një kostum sipas masës i përshtatet më mirë trupit. Po aktori nuk është manekin që përdor kostumin dhe maskën, për ndryshim. Aktori ka vetëm shpirtin instrumentin e tij, instrumenti më abstrakt, më të vështirin për t’u zaptuar dhe përpunuar sipas karakterit dramaturgjik. Aktorët e mirë e dinë magjinë e pushtimit të ‘xhindëve’ për t’i vënë nën udhën e shërbimit të mendjes interpretuese. Çdo profesionist i aftë, i ditur e i kulturuar ka nofkën “Është artist ai” dhe kjo nofkë nënkupton aktorin!

A mendoni se fjala nuk ka nevojë për interpretim, mbasi mendoj se ajo e ka brenda vetes si misionin e saj edhe energjinë e asaj çfarë ajo përfaqëson?

Fjala në çdo çast ka peshën dhe vret ose shëron sipas vendit, rrethanave. Fjala nga aktori ka nuancën apo emocionin e çastit, por nuk mundet kurrën e kurrës të jetë në rivalitet me çastin e fjalës se nënës për birin! Fjala e thënë, me emocion, ka forcë shumë më të madhe kur dëgjohet se sa lexohet. Aktori, teatri, filmi, muzika i japin forcë fjalës! Jo pak raste fjala e mjekut, e ligjit, e politikanit, kur dëgjohen janë tronditëse. Edhe në stadium fjala “Gooool” nuk është siç e lexojmë kudo qofshim. Syri dhe veshi janë harmonia më e bukur që ka krijuar natyra! Fjala është e para që na jep kuptimin e botës!

Çdo vepër e krijuesit është e shenjtë, por nëse do ju jepej mundësia të përmendni dy-tre role dhe dy-tri regji tuajat, cilat do të veçonit?

Udhëtimi im ka nisur herët. Erdha si aktor, po paralelisht punoja regjisor. Si aktor debutimin e kam që kur isha ende student me “I teti në bronx” ku regjisori Viktor Gjika me besoi rolin kryesor. Pra (dashuria e parë). Më pas Roli i Nebi Surrelit te filmi “Rrugicat që kërkonin diell”. Ndërsa si regjisor koha ka vërtetuar se “Plumba perandorit”, “Fletë të bardha” dhe “Lule të kuqe, lule të zeza” janë veprat e mia jo vetëm sipas meje më të arriturat. Po ashtu kam disa dokumentarë që më rrinë bukur brenda thellësisë sime. “Rrugët” do ta veçoja nga mbi 10 që kam realizuar dhe vazhdoj.

A mendoni se edhe letërsia edhe kinematografia kanë sëmundjet e tyre të rritjes në këtë periudhë dhe cili është mendimi juaj për të dalë nga kjo situatë gracke?

Vitet e këtij tranzicioni të gjatë, nuk është se kanë zbehur krijimtarinë! Është e hallakatur vëmendja, promovimi, por nuk do të isha i mendimit se nuk ka krijimtari! Në se kërkojmë një “Pallati i ëndrrave” nuk e kemi, po nëse kërkojmë mbi 10 filma artistikë nuk i kemi, nëse kërkojmë një kritikë serioze nuk e kemi. Po mendoj se jemi në një kinema që jo vetëm mbijetoi, por po reziston! Nëse kërkojmë të dukemi në artin më të mundshëm si pasaportë ndërkombëtare duhet të investohet për shtimin e mbështetjes së industrisë së filmit.

Nga historia e jetës suaj interesante si aktor dhe kineast, a mund të ndani me lexuesin tonë mikrongjarje të bukura që ia vlejnë të thyhen dhe tregohen dhe të bëhen publike?

Udhëtimi i një profesionisti në jetë është i ngjashëm me ecjen e një maratonomaku, i cili zgjat gjatë gjithë jetës. Do ishte fatkeq një krijues të ishte një atlet i sprinteve çfarëdo rezultati të kishte. Jetëgjatësia në krijimtari është arritja dhe gëzimi më i madh i një artisti! Unë si regjisor shumë herë ndihem si në ringun e boksit, ku për asnjë çast nuk duhet ta humbasësh vëmendjen pasi një grusht ose të hedh nockdown ose knockaout. Duke kuptuar proçesin e krijimit si një ring boksi, pra projektorët janë te ringu, i cili do të vihet për gjykim para ekranit, me drita të fikura. Pikërisht kjo përgjegjësi e bën kineastin të jetë non stop në lëvizje. Duke e ditur se aktori i ekranit ka një përgjegjësi pasi interpretimi para kamerës së pashpirt të fikson përjetësisht. Fiksimi në kamera nuk korigjohet. Pikërisht kjo përgjegjësi ka vulën e emocionit, që krijon individualitetin artistik. Unë gjatë githë jetës kam përjetuar vetëm emocion si para kamerës edhe pas kamerës edhe në sallën me dritat e fikura. Pas çdo shfaqje zemra ka qenë në trok!

A është zonja juaj Natasha Lako vokacion dhe frymëzim letrar për të realizuar projektet dhe ambiciet tuaja?

Natasha Lako njihet si shkrimtare, po në fakt krijimtaria e saj më e madhe është si shkrimtare e filmit. Ka 15 skenarë, një pjesë të mirë në Kinostudio që nga “Mësonjtorja”, “Muri i gjallë”, “Një emër midis njerëzve” dhe me mua “Plumba perandorit”, së bashku me Bashkim Hoxhën janë filmat “Fletë të bardha”, “Lule të kuqe, lule të zeza” dhe shumë dokumentarë. Ne vazhdojmë bashkëpunimin për ekranin. Unë ndihem bukur me grindjet krijuese të penës së Natashës!/mapo.al

Please follow and like us: