Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro FOTIADHI: In memoriam, Aleksandër Babe!

 

ALEKSANDËR BABE, JETA DHE KRIJIMTARIA E SHKRIMTARIT DHE INTELEKTUALIT POTENCIAL!

 

Portret i paautorizuar në përkujtimin e 6-vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit, shkrimtarit e piktorit, fisnikut Aleksandër Babe.

 

Në vend të prologut…

 

Ardhja në jetë e cilitdo individi, lidhet ngushtë me faktin, se gjithsecili starton heshturazi të ravijëzojë dhe shkruaj grimcat e librit të jetës së tij. Madje me kalimin e kohës dhe i vetëndërgjegjësuar përfshihet në dilemat jetësore, nëse ato copëzat të realitetit, të lartësuara në art, do të mund të jenë pjesëza të një libri të thjeshtë apo lipset vallë të pasurohen me nuancat e imazheve dhe vizatimeve respektive, për ta bërë gjithsesi sa më intrigues dhe tërheqës leximin e tij.

Parë në një këndvështrim disi më realist, letërsia dhe misionarët e saj, në thelbin e tyre ekzistencial, nuk mund të jenë gjë tjetër, përveçse mënyra më ideale dhe e përkryer për të rrëfyer me frymëzim, mjeshtëri artistike edhe me bindje, se vetë jeta, gjithsesi është krejt e pamjaftueshme pa ekzistencën e saj.

Ekzistenca dhe përkatësia e një individi si krijues dhe shkrimtar, kurrsesi nuk mund të jetë asfare një lloj privilegji, përkundrazi përbën një mision dhe sfidë reale jetësore.

Ndodh shpesh në jetën e përditshme, të ndeshesh apo përballesh me emra apo figura, të cilat mundet vallë të mos jenë të afirmuar apo të njohur, gjithandej. Por nëse përmendet apo referohet në mjediset intelektuale dhe letrare vlonjate, emri dhe personaliteti i Aleksandër Babes, atëhere menjëherë do përballesh me vlerësimin dhe admirimin për të, si njeri, si intelektual, si krijues apo si piktor, një figurë realisht poliedrike dhe vizionare.

Mishërimi i talentit, zellit të jashtëzakonshëm, erudicionit dhe përkushtimit, që ndonëse u privua, u viktimizua, u linçua, u përndoq me egërsi dhe barbari, me urtësinë, fisnikërinë dhe aftësitë e tij, me ngulmimin e tij sistematik, ai mundi të sfidojë dhe spikasë, të rezistojë dhe shkruaj e njëherazi me atë thjeshtësinë e tij krejt të papërsëritshme, të lartësohet në një histori suksesi.

Lekoja, siç e thërrisnin të gjithë miqtë e shokët e tij vlonjatë, ishte simbioza e një krijuesi me shpirt njerëzor dhe një frymëzim origjinal, duke u shndërruar në një mit real për atë periudhë kohore.

Dita e sotme përkon me ditën e ndarjes nga jeta të poetit, intelektualit, krijuesit, shkrimtarit, piktorit vlonjat, Aleksandër Babe.

 

Rrugëtimi jetësor dhe ai letrar…

 

I talentuari fisnik, qëndrestari rrebel, i papërkuluri vigan Aleksandër Babe, erdhi në jetë një ditë të ftohti me ngrica dimri, pikërisht më 30 Janar 1943, në qytetin e Vlorës, si pinjoll në familjen e bashkëshortëve palasikotë Thanas dhe Maria Babes, si vëllai i vetëm i 3 motrave. Fatkeqësia në sytë e njomzakut të porsalindur Aleksandër, ishte se nuk mundi të përballej dhe njihte atin e tij, pasi ende ishte 7 muajsh teksa të atin e tij e ekzekutojnë barbarisht në kampin e përqëndrimit në Mathauzen, ku mbahej si i internuar nga ana e gjermanëve, në ato vitet e stuhishme të terrorit e Luftës Antifashiste. Kjo brengë dhe vuajtje shpirtërore për vrasjen e pafajshme të të atit, e bashkëshoqëroi në çdo hap të jetës së tij, krijuesin dhe shkrimtarin Aleksandër Babe.

Ndonëse rrethanat dhe kushtet jetësore asnjëherë nuk e përkëdhelën, duke u përballur me vështirësi dhe fëmijëri jashtëzakonisht të vështirë, Aleksandër Babe vijon shkollimin fillestar e mandej atë të mesëm në qytetin e tij të lindjes, duke përfunduar shkollën Industriale në degën e mekanikës me rezultate të larta. Qysh në këtë periudhë kohore, ai shquhet për një mendjemprehtësi dhe inteligjencë të veçantë ashtu sikundër edhe për një pasion për të mësuar si edhe për të lexuar. Përpos me shkollimin Aleksandri, përkundër bashkërrugëtimit me peripecitë e jetës së një jetimi, ravijëzon profilin e tij njerëzor, duke qenë një lexues fanatik i poetëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë klasike botërore dhe duke u shndërruar në një mik i heshtur librave dhe rafteve të bibliotekave.

Nuk ishte asfare rastësor fakti, që talenti i tij si krijues, nisi të shfaqej në adoleshencë teksa ai ishte ende në bankat e shkollës. Kësisoj letërsia dhe arti nisi ta tërhiqte si një magnet, duke u shndërruar në pjesë e pashkëputur e gjithë jetës së tij ekzistenciale.

Pas përfundimit të shkollës Industriale, Aleksandri fiton bursën për të ndjekur studimet e larta universitare në degën e Matematikës. Por që me një mënyrë krejt brutale e të paturpshme, kulisat e regjimit dictatorial i refuzojnë diplomimin duke e dëbuar dhe përjashtuar nga shkolla, me pretekste dhe pretendime krejt absurde, duke e cilësuar si të rrezikshëm «konformist» dhe «frojdist».

Ndonëse, kurthet dhe alibitë ishin thelbi i përditshmërisë në goditjen e paskrupullt ndaj intelektualëve dhe artistëve, represioni dhe eleminimi ishte triumfi i makabritetit të tyre totalitar. Por çuditërisht dhe krejt pa e kuptuar, Aleksandër Babe, ndonëse tepër i thjeshtë, komunikues dhe fjalëpak në jetën e tij të përditshme, klasifikohet e përfshihet në rrethin vicioz të të dyshuarve. Që intelektualët dhe qeniet liridashëse, për hir të bonsensit dhe ideve të tyre krijuese, do të përballeshin me goditje dhe drama, në përjetimin e terrorit dhe ferrit në rrugëtimin e tyre jetësor. E kishin damkosur dhe përfshirë në aradhën e individëve dhe intelektualëve të rrezikshëm për rregjimin dhe diktaturën enveriane.

Aleksandër Babe, gradualisht startoi të shfaqej dhe bëhej i njohur në rrethet letrare dhe talenti i tij kryesisht spikati në gjininë e prozës së shkurtër, duke u prezantuar përpara lexuesit dhe botuar për herë të parë,në dekadn e viteve 70-të, tri novela për fëmijë të titulluara «Kali», «Bijtë» dhe «Vesveseliu».

Kësisoj, duke iu referuar titujt e veprave të Aleksandër Babes, pa mëdyshje do të ravijëzonim shpalosjen e një imagjinate admiruese si edhe të një lloj narracioni të ekuilibruar në brendinë e faqeve të librave, ku frymëzimi nëpërmjet mendimeve e shprehjeve origjinale, të strukturuara me mjeshtëri, përballin lexuesin me sfida tepër të këndshme.

Aleksandër Babe, si një shkrimtar me prerrogativa dhe kërkesa të larta ndaj vetes, me bagazhin dhe thesarin e pasur të vlerave krijuese, befason dhe është mëse e natyrshme, që lexuesit nuk i përball me histori normale të natyrës dhe botës letrare, por me shpërthime të fuqishme, nëpërmjet një hulumtimi të plotë, tepër të kujdesshëm dhe të thelluar të tematikave të saj, duke kërkuar natyrisht të vërtetën e secilës histori, e nëpërmjet një loje mjeshtërore të rrëfimit përmes fjalëve dhe shprehjeve të gjetura, duke i trajtuar me natyrshmëri dhe i veshur me velin e miteve bashkëkohore.

Si një krijues i mirëfilltë me potencial dhe individualitet artistik, me dëshira dhe pasione të jashtëzakonshme, për të promovuar artistikisht vokacionin dhe fjalën e vet, me muzën e krijimit dhe origjinalitetin e spikatur stilistik, Aleksandër Babe shpallet si fitues i çmimit respektiv në Konkursin Kombëtar të letërsisë për fëmijë, me novelën e tij,«Kali».

Ndonëse potenciali letrar dhe krijimtaria e Aleksandër Babes shquhej për pjekurinë letrare, për natyrën kurajoze për t’u përballur me realitetin dhe depërtuar në thelbin e tyre filozofik, ndonëse fryma e gjallë dhe realiste e jetës, ishte e pranishme, vrazhdësia dhe qarqet militante partiake jashtëletrare, e kufizojnë deri në kufijtë e makabritetit përçudnues. Lejfenistët të veshur me autoritetin partiak, e shënjestrojnë dhe e konsiderojnë si të rrezikshëm dhe me gabime ideologjike të ndikuara nga filozofia dhe pikpamjet frojdiste. Me rrjedhoja, të startonte kalvari i përndjekjeve dhe terrorizimeve për martirin idealist Aleksandër Babe, si edhe të ndalohej rreptësisht qarkullimi i novelës «Vesveseliu» dhe të shndërrohej në karton e letër pa kurrfarë vlere.

Persekucioni neveritës, paranoja dhe absurditeti i regjimit totalitar, krejt padrejtësisht rëndonte mbi shpatullat e krijuesit artist Aleksandër Babe, duke e viktimizuar dhe duke e paralizuar krejtësisht në veprimtarinë e tij intelektuale dhe qytetare dhe duke i refuzuar tanimë të drejtën e botimit. Me akuza dhe falsitete të sajuara, duke u akuzuar si përkrahës i rrymave «moderniste», Aleksandër Babes i ndalohet rreptësisht botimi i një përmbledhjeje me tregime si dhe të dramës historike me protagoniste Teutën e Ilirisë.

Maniakët partiakë të kohës, duke mos u mjaftuar me këto privime, ndonëse ishte angazhuar me shumë sukses si mësues dhe misionar i përkushtuar në gjimnazin «Ali Demi», ku jepte lëndën e vizatimit teknik si edhe atë të diturisë së makinave, Aleksandër Baben e pezullojnë dhe dëbojnë nga arsimi, si të padëshirueshëm, për t’u edukuar në gjirin e klasës punëtore.

Por si një intelektual i formuar, si një personalitet i mbisunduar prej durimit dhe vullnetit, vendosmërisë dhe largpamësisë, urtësisë dhe dashurisë, Aleksandër Babe asnjëherë nuk u thye dhe kurrë nuk u ligështua.

Pas shembjes së sistemit totalitar, në dekadën e viteve 90-të, intelektuali Aleksandër Babe mbështeti fuqimisht ndryshimet jetike e krejt të domosdoshme, por paralelisht, ndonëse në një moshë 46-vjeçare, vendos së bashku me bashkëshorten e tij, intelektualen dhërmiase dhe ekonomisten Eli Leka, si edhe dy fëmijët e tij, të emigrojnë në Greqi, për një jetë dhe të ardhme më të mirë.

Me largimin e tij nga Vlora, Lekoja pëson një shok të vërtetë shpirtëror, pasi «dashamirësit e civilizuar» bashkëqytetarë të tij, në vend të mirënjohjes, i bastisin dhe grabisin gjithë shtëpinë së bashku me bibliotëkën e tij potenciale mjaft të pasur.

Gjithsesi, mbas viteve 90-të, Aleksandër Babe, me stilin e tij krejt të veçantë, me befasimet origjinale strukturore, ia del mbanë të shpalos bagazhin e pasur të vlerave krijuese të individualitetit të tij, si edhe modelin e një shkrimtari të përkushtuar, duke botuar përmbledhje me novela e tregime, si 4 romancat, «Hija», «Luleshqera», «Qyteti i Mallkuar» si edhe «Portat e Hekurta», krijime autentike dhe tepër origjinale, me vlera dhe mesazhe gjithëkohore, mjaft të arrira artistikisht.

Aleksandër Babe,si një krijues me guxim dhe dhunti respektive, me një profil të vetin, si simboli i një fryme realiste dhe shkolle letrare të konsoliduar, me një aftësi krijuese sugjestive dhe admiruese, përçoi me mjeshtëri ritmet e jetës të shoqërisë shqiptare. Ai dëshmoi një një frymë novatore krejt të re, krejt të zhdërvjellët dhe atipike në konjukturat kohore, duke eleminuar dhe përmbysur të gjitha skemat dhe klishetë e vjetra dogmatike e tepër të ngurta.

I pabujë dhe fjalëpak, në ato kohra të kolerës komuniste, kur shpura e lëpirësprapanicave dhe krijuesve servilë, thurte hymne dhe lavde për udhëheqësin «e pagabueshëm» si edhe për sukseset imagjinare të rrymës socrealizmit, Aleksandër Babe me stoicizmin e tij, konfirmohej si një krijues rebel dhe besnik tipik në bindjet e tij të postmodernizmit.

Si një penë e spikatur në letërsi, përpos pasionit me fjalën e shkruar dhe letërsinë, Aleksandri fliste e shprehej artistikisht edhe përmes penelit dhe ngjyrave të ndezura të telajos së piktorit. Me pasionin që e karakterizonte,si piktor por edhe si skulptor autodidakt, ai ofroi një sërë punimesh në artet pamore, si peisazhe, portrete, vizatime me karbon, kompozime në vaj, gdhendje në dru etj, të cilat u ekspozuan në qytetin e Vlorës duke ngjallur kureshtjen dhe interesin e artdashësve vlonjatë e më gjerë. Madje në Athinë, krijuesi Aleksandër Babe, nëpërmjet shtëpisë botuese «Thyamis» boton në gjuhën greke «50 skica pikture» duke bashkëshoqëruar me skica dhe vizatime, krijimet e tij poetike.

 

Në vend të epilogut…

 

Të përsiatesh me sfidën e portretizimit të një figure krijuese dhe intelektuale, tepër modeste të letërsisë dhe e kulturës shqiptare, me një kontribut të çmuar në krejt hapësirat e kulturës kombëtare, siç ishte dhe do të mbetet përjetësisht Aleksandër Babe, kurrsesi nuk mund të jetë asfare e lehtë.

Performanca, talenti dhe vokacioni krijues i krijuesit dhe artistit Aleksandër Babe, ndofta është shpërfillur dhe anashkaluar krejt padrejtësisht. Duke kaluar në absurditetin dhe harresën e plotë nga ana e autoriteteve zyrtare mëndjecekët, që nuk janë në gjendje të gjykojnë dhe vlerësojë, individët, shëmbëlltyrën krijuese potenciale si edhe vlerat e vërteta e të spikatura të shoqërisë tonë. Por ama kontributdhënia dhe personaliteti brilant i Aleksandër Babes nuk harrohet asnjëherë nga miqtë e tij të panumërt, nga gjithë ata që e çmonin dhe e adhuronin për atë ç’ka ai përfaqësonte. Por njëherazi edhe për virtytet dhe cilësitë e tij njerëzore, si edhe për talentin dhe krijimtarinë e dlirë që ofroi me bujari dhe zemërgjerësi.

Aleksandër Babe, një emër i nderuar dhe tepër i dashur si intelektual dhe krijues pasionant, një emër i spikatur, si simboli i njeriut antikonformist, modeli i një shkrimtari dhe piktori koherent, që ndonëse u munduan ta denigrojnë dhe eleminojnë, me përulësinë e tij qëndrestare dhe heshtjen e tij, ai mundi të rrezatonte modelin e një njeriu të virtytshëm dhe modest, me seriozitet, me përkushtim në aspektin e tij krijues, ashtu sikundër edhe në jetën e përditshme.

I mungon tej mase bashkëshortes së tij Eli, birit dhe vajzave të tij, mbesave dhe nipërve,gjithë të afërmve të tij.

I mungon gjithë shokëve dhe miqve të tij të afërt, gjithë krijuesve, kolegëve dhe intelektualëve vlonjatë.

Faleminderit për gjithçka ofrove dhe kontribuove, intelektuali, shkrimtari, krijuesi, piktori, miku ynë i paharruar, Aleksandër Babe.

Aleksandër Babe i përket atij brezi krijuesish të talentuar, që me aftësitë e tyre krijuese, ravijëzuan dhe pasuruan traditën e shquar krijuese dhe poetike të vendit.

Duke bashkëjetuar me kontributin dhe krijimtarinë e vyer të Aleksandër Babes, me mirënjohje dhe respekt si bashkëkohës, do ta përkujtojmë përjetësisht, duke u përulur dhe nderuar përkushtimin e tij pasionant në shërbim të letërsisë,artit dhe kulturës.

I paharruar për të gjithë neve si bashkëkohës, emri dhe kujtimi i krijuesit Aleksandër Babe, për gjithë mirësinë, fisnikërinë, integritetin, për madhështinë e veprës së tij potenciale!

Athinë, 06. 05. 2021.

 

Please follow and like us: