Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Indiferenca

“Indiferenca ëshë reziku më i fshehtë
për të gjithë”. Elie Wiesel, Nobelist
Sa herë që edhe vitet shkojnë, kjo fjalë “e huaj”, si më duket mua, mbetet gjithashtu e papëlqyer, e huaj për njeriun, kur ai përballet me të gjatë punës reale, jetës së secilit, marrëdhënieve me njeri- tjetrin, me shoqërinë, si edhe me shtetin e ligjet që harton vet shteti për normalizimin e jetës. Kjo fjalë, mandej, është kaq shumë e fiksuar në jetën e përditshme, në punë, shoqëri e familje, saqë kur merr shkarazi ose edhe ndodh, krijon edhe shqetësim, bile keqkuptime e pasoja të trishta!
Duke e menduar së është një fjalë e huazuar, sikundër ndodh rëndom edhe me huazime të mbetura nga turqishtja, greqishtja, italishtja apo edhe nga gjuhë te tjera, shfletoj Fjalorin Drejtëshkrimor të Gjuhës Shqipe, i cili e pranon termin(!?), po me anë të një shtese spjeguese, ku thuhet: “Moskokëçarje dhe mosinteresim për punën, për jetën, për çështje shoqërore etj…”. Dhe, po t’i referohemi të folurës popullore, do të gjejmë edhe shumë frazeologji të tjera, metafora, slogane e fjalë zëvendësuese, të papërshtatshme, deri edhe fyese e nga ato bile që “nuk i ngrë as kandari”!
Në jetën shoqërore, në marrëdhënien e përditshme me njeri-tjetrin, kur nuk na pëlqen ajo që thua ti, o do të mbetemi indiferentë, pa folur fare, duke të kthyer kurizin, o do të zgjedhim njerën nga ato “thënie” që nuk shkruhen as në letër! Në punën krijuese intelektuale, kur marrëdhëniet janë më të moderuara, ky fenomen është edhe më i mprehtë, po ama më i stërholluar, me takt e kulturë qytetare, ndofta edhe më i ashpër, fyes, po edhe ndarës. Ndërsa në marrëdhënie me shtetin e me vet ligjin që ka vendosur shteti, për ecurinë normale të çdo aspekti të jetës e të veprimtarive të ndërsjella, nganjëhere bëhen më delikate, më të kujdesshme, po edhe më të kamufluara. Deri në ato “të ndaluarat!”, pa i respektuar ligjet në fuqi!
Dhe kurdoherë, në të gjitha rastet është në mes figura e njeriut, si mjet e subjekt, apo si “instrument ekuilibrues” në normalizimin e jetës, të veprimtarive e marrëdhënieve konkrete, gjatë të gjitha kohrave, ngjarjeve e sistemeve shoqërore. Në të kundërtën, zhgënjimi do të pasohet nga negacioni, mospajtimet, bllokimet, mohimet e fyerjet e të gjitha llojeve, me etiketë e pa etiketë fare!
Po, kur jemi përball shtetit, që ka në dorë edhe ligjin, indiferenca për njeriun që kërkon “diçka të funksionojë” në të gjithë gamën e veprimtarive e të talentit të tij dhe nuk i garantohet me ligj, nuk i potësohet, bëhet dërmuese. Ështe e njëllojtë me kthimin e krahëve,-për të mos thënë “me prerjen e tyre”! Dhe, shembujt janë kaq të shumtë, saqë nuk di kujt t’i referohesh më parë, në çfardolloj kohe që të duash e ta marrësh. Po më mirë, le t’i referohem shembujve vetiakë, edhe pse ato i ke përdorur më së shumti!
Bie fjala, në një legjislaturë pushteti tek ne, u hartua nga Kuvendi i parë Pluralist një ligj, për t’i siguruar me shtëpi FALAS, të gjithë ish të burgosurit politikë që s’kishin nga ia mbanin, mbetur rrugëve. Më mbrapa sikur u harruan ata, po edhe ligji për ta! Po, me rotacionin e pushtetit,-kur nuk e prisnim fare,-nisën të na paguanin “paratë e vuajtjes”, të papaguara asnjëherë dhe me to bëj strehën time në fshatin tim… Hedh edhe letrat për t’a legalizuar… Mirëpo, për 10 vjet dosja ime mbeti në “sirtaret” e Aluizmit të Sarandës, derisa dikush mu afrua afër veshit e më tha: “Po nuk pagove, byrazer, vështirë e ke! Nuk del dosja jote nga sirtari i tyre, njëlloj si në atë komedinë e Koço Devoles,-sikundër i ndodhi edhe për 10 vite të tjera, derisa dha shpirt personazhi i tij e i vajtën edhe ata të Aluizmit me kurorë”! Dhe çështja vete më përtej “indiferencës” së asaj zyre ku punojnë akoma goxha personazhe reale e ireale, “për të ta rrjepur lëkurën”, pa e njohur as Ligjin e as Maliqin, -sikundër e thotë fare bukur Birçe Hasko në një film!
Pra, nuk është më një “moskokëçarje”. Shumë më tepër! Ndërkohë, shteti i së drejtës ka ngritur institucionet e veta të Drejtësisë. Janë hedhur tashmë “rrjetat për peshqit e mëdhenj që, deri më tani, zënë vetëm cironka”! Po “zhvatësit” e mëdhenj janë gjithandej! Pastaj vijnë ata, më të vegjëlit fare, me të cilët merremi edhe ne që shkruajmë… A nuk janë të tilla ca “Fole Mediatike”, të shkruara e folëse, që botojnë e shpërndajnë gazeta, revista, libra, reklama, filma, emisione dhe që nuk paguajnë kurrfarë gjëje e të kthejnë kurizin, kur ua kujton se ka edhe një ligj për të “Drejtat e Autorit” që i detyron të të shpërblejnë, sipas një “Fletoreje Zyrtare”, nga Këshilli i Ministrave , ku parashikohen që të gjitha krijimet, me të cilat mbahet “makineria” e shtypit, e televizionit, e librit dhe e propogandës. Indiferenca e njohjes së ligjeve,”mosnjohja”, moszbatimi, injorimi bile, kthehen kështu në një “Teatër absurd” me “mbyllje të perdes”, për ne që rropatemi t’i “ushqejmë në ditënatën” tonë, gratis… gratis… fare gratis!
E humbas durimin dhe, megjithë moshën e thyer e qetësinë time, e padis hapur një “pronar gazete”, i cili nuk e përfilli fare ankesën time (për indiferencën e tij ekstreme!), që e bëra publike, për rastin e tij skandaloz dhe ua dërgova shkrimin tim, të gjitha gazetave që mbijetonin akoma (!). Po askush nuk e botoi (përveç tre portaleve mediatike), sepse, pak a shumë, janë që të gjithë, po ashtu, mospërfillës e mosmirënjohës ndaj autorëve krijues, “rrjepës” profesionistë, si për ligjin, po edhe “për Maliqin”, edhe pse pretendojnë të jenë protogonistë të opinionit dhe të kulturës qytetare! Dhe Moskokëçarja vete deri aty , sa që ndiqet “metoda e heshtjes”, sikur asgjë nuk ka ndodhur, pa qenë nevoja fare e një etike mirësjellëse për kësi refuzimesh. Pronari i asaj gazete, si duket e dinte “ortakllëkun” me ta, kur nuk iu bë fare vonë që unë e bëra publike denoncimin tim! “Bjeri, bjeri daulles”,-thoshte ai, duke fërkuar pëllëmbët e duarve të tij të fuqishme e muskuloze, duke mos i’u bërë vonë nga asnjë lloj ligji!
Më është dhënë rasti, gjatë këtyre 30 viteve të tranzicionit të gjatë, t’u drejtohem të gjithë ministrave të kulturës, ndërkohë që duhej të kuptoja se, shumica prej tyre, nuk ishte në vendin e ligjshëm, po persona partiakë, të cilët punonin me intuitë e “partishmëri”, jo në thelbin kombëtar të kulturës si shkencë, që vepronin e aplikonin pagesa vetëm mbi bazë njohjesh e rrallë herë, sipas projekteve reale e veprave që duhen mbështetur. Saqë, kur një herë, me të drejtë, vlerësohet me çmimin e parë një romam i një shkrimtari me origjine vllahe, i Thanas Medit (me banim në Athinë), u dëgjuan”britma” se, si ka mundësi të dalë befas një “emër krejt i padëgjuar”! Kjo meritë i takonte, mesa di unë, Ministres Kumbaro që ndryshoi emrat e jurisë vlerësuese, që “prishi tabunë” e vjetër. Por, një ministër tjetër kulture, fare “profan”, që nuk dinte se eshtrat e Ismail Qemalit prehen këtu e ai “krenohej” se do t’i sillte ato “nga Hëna”, nuk dinte gjithashtu që në Athine, ku ndodhemi për hallet tona, botonim edhe një revistë me emrin e kalit mitologjikë “Pegasi” (revistë e poetit, shkrimtarit e publiçistit Grigor Jovani, me “Stallier” autorin e këtyre radhëve, që mezi e “shtynim”, me paratë që i nxirnim nga puna e rëndë e krahut)! Dhe që vajtëm deri në Tiranë e i kërkuam ndihmë këtij Ministri! Ai mezi na priti te shkallët e, pasi na dëgjoi ashtu shkarazi, na drejtoi te sekretarja e tij, e cila qe akoma më e paditur nga Ministri i saj dhe na tha se nuk mund të ndihmonin një “revistë greke”! Ne vështruam njeri-tjetrin të habitur, sepse kjo revistë letraro- artistike, nuk kishte asgjë “greke” përveç emrit të “Kalit Fluturues” nga Mitologjia, që ne e “pagëzuam” kështu, për hirë të “flatrave”, duke e menduar se revista do të “kishte fluturuar” deri këtu… Po Jo! Qe pikërisht koha që këtë minister e ndërrojnë dhe vendosin një tjetër, po të një profili partiak! Dhe, meqënëse deri atëhere pata shkruar tre monografi për artistët tanë të mëdhenj, pa snjë mbështetje e po shkruaja librin “Diva shqiptare” për Artisten e Popullit Margarite Xhapa (shpallur qysh atëhere “Nder i Kombit”), i’u luta asaj për të “trokitur” në derën e Ministrit Kulturor Bumçi e të Kryetarit të Bashkisë Basha… Po, “Jo”! Asgjë nuk pati, përveç premtimeve, edhe pse kaluan edhe katër vite në pritje (!?), derisa ata të ndryshonin vendet prej rotacionit të rradhës! Ja se si, indiferenca politike, kësaj rradhe, nuk e përfilli as një artiste të madhe, e cila ka dhënë kontrbute të madhërishme për kombin e saj, në të gjitha skenat e teatrove, si edhe të shesheve të xhirimit të filmave, ku edhe është “ngjirur” duke interpretuar poezi për arrdhjen e demokracisë në Shqiperi!
Kaluan vite dhe në një simpozium shkrimtarësh, organizuar nga Ministria e Diasporës, flitej se edhe “Diaspora jonë duhet të ketë revistat e saj”, bile servirej edhe një e tillë (si model, akoma e pabotuar!), se si duhej të ishte… Mirëpo, këtu ku ndodhemi të mërguar, me shpirtin në vendin tënë, ata nuk e dinin se, deri atëhere kishim nxjerrë tre revista të tilla e botonim edhe tre-katër gazeta në gjuhën shqipe(!), bile kishim krijuar edhe Lidhjen e Shkrimtarëve e të Artistëve Shqiptarë në Greqi (“Liter Art”), kur porsa i ishte vënë dryni lidhjes analoge në Shqipëri, edhe pse klima fillimisht nuk ishte aq e favorshme!… Në këtë simpozium, sikundër quhej, ishin “ftuar” edhe katër persona prej nesh, që mbetëm në sallë të habitur nga mosditja, apo nga indiferenca e zyrtarëve që vërtiteshin aty me defterë nëpër duar! Sepse, kishim mbi 20 vite që merreshim me to (që nga i pari, Piro Loli me revistën “Afërdita”, Thanas Jani me revistën “Pelegrini”, Grigor Jovani me revistën “Pegasi”, Andrea Petromilo e Thodhori Baba, që nisën të botojnë edhe revistën e tyre për fëmijë, Lefter Simoni me shfaqjen e parë teatrore në shqip, Lorenc Koka me çeljen e parë të “Shkollës Shqipe”, në afërsi të sheshit “Omonia”, Robert Goro me gazetat e tij ( “Gazeta e Athinës” e “Tribuna”) e me vonë me kanalin televiziv vetiak “Tribuna”, pa përmendur edhe përpjekjet e para publicistike të Kolec Traboinit, të Artan Kristos, Albert Xholit, Shpëtim Zinxhirisë etj… si edhe të ngritjes së shkollava të mëtejshme shqipe, po këtu! Kishte perënduar kështu, edhe koha qesharake e “Klubit të Selanikut” të Çajupit! Doli në skenë pra, Mosditja, po edhe Indiferenca, si një fenomen i harruar, sikundër mund të thuhej edhe për një “Vendim te Parlamentit Shqiptar” për hapjen e një “Qëndre Kulturore” në Athinë e në Romë, miratuar qysh para afro 20 vitesh e plotësisht i harruar nga kjo që thamë: Indiferenca e deputetëve që vazhdimisht ndërrohen e vijnë të rrinj që nuk e dinë se ç’është bërë më përpara(!).
U ngroha kur pashë në presidiumin e atij simpoziumi edhe dy ministra: Zonjën Eva Margariti në presidium e Zotin Pandeli Majko të ulur në sallë… Ministria e Kulturës, e pa informuar mirë, foli sa dinte ajo e pastaj iku, sepse “kishte të tjera punë”,-sikundër tha, kur sa kishte nisur aty të flitej për “punën e kulturës”, me të ftuar nga mëse 20 vende, prej nesh “Fluturakëve”! Fort bukur! Por, që pa ikur ajo aq befasisht, matesha të ngrija dorën përpjetë e të kërkoja të thoshja dy fjalë, me shumë terezi, që ne e kishim një eksperiencë të tillë, sidomos për revista e gazeta shqip… por jjo u ngre dhe iku! Dramaturgu Çapaliku, që kishte edhe ai “të tijat për të thënë”, s’dinte ç’të bënte, turfulloi në shënjë proteste e nuk foli fare, ngaqë qenë enkas “ca probleme” e ankesa të grumbulluara, për atë që u largua! Po ashtu, edhe mua m’u “dogj” e drejta e fjalës. Ministri Majko, pontual e i thjesht si gjithmonë, më thotë në pushim: “Çke ti, m’i thuaj mua”. “Kisha merak t’ia thoshja asaj që ka “kulturën” e nuk di se ç’bëhet, siç e ka merakun edhe Çapaliku- thashë unë, që ajo e ka tek dera e atij i ngeci fjala në grykë, pa e filluar “simpoziumin”!… Ndërkohë m’u kujtua edhe “simpoziumi” që u bë në Manastirin e Pojanit, me nje projekt kulture midis Shqipërisë, Italisë e Malit të Zi, që u thirrëm për të folur, nga ana e anës, me referenca shkencore dha askush nuk na i “vërshëlleu”, po edhe të na paguante, si referimin, ashtu edhe ato mijëra kilometra rrugë  (për të vajtur e u kthyer), për një të ashtuquajtur “projekt” që nuk e organizonte vetëm një bashki apo një shtet, po tre shtete bashkë! Atëhere indiferenca e projekt-zbatuesve bëhet edhe me shqetësuese! Po njëlloj, si edhe për drejtimin e një tryeze shkencore të një Festivli Teatror Kombëtar në Tiranë, i cili hapet nga një Ministre Kulture e nga Drejtori i Festivalit dhe mbyllet nga pastruesja e sallës, e cila më përcjell edhe mua, me nje qeskë plastmasi, ku ishte futur fanella e festivalit! Çoç ka në këtë mes! -thashë me veten time dhe ika, nga sytë këmbët…
Dhe, për të dalë përsëri, po tek kjo ministre e re e kulturës, provova t’i dërgoje gjatë vitit që shkoi, përmes internetit (në emailin e saj), dy kërkesa te reja, (në kohë të ndryshme) për kësi mbështetjesh të krijimtarisë letrare e artistike, po jooo, asnjë përgjigje nuk m’u kthye, deri tani që po shkruaj këto rradhë për “indiferecën”. Aq më tepër që, në 33 botime, mjerisht, nuk kam asnjë të shkruar, sikundër vihet në frontespicin e shumicës së librave “Mbështetur nga Ministria e Kulturës”! Oh, të më falni! Kam vetëm një të tillë: Guidën Turistike për Bregdetin e Jugut (“Piqerasi”), ku shkruhen këto fjalë të arta “Mbështetur nga Bashkia e Himarës”, me miratimin e vet kryetarit të saj aktual, që ende nuk e ka paguar, edhe pse kanë kaluar 4 vite e po “hyn i pesti” dhe më duhej t’i veja tek dera me dhjetra herë, kur është po ajo që themi përsëri: Indiferenca! Nuk di, a ka fjalë tjetër, përveç saj?!
Po. Ka! Është fjala “pirateri”, sikundër e përdornin hajdutët e Detit, që grabisnin anijet e të tjerëve në detrat e hapura! Sepse, tek ne, janë me qindra krijime kinematografike që nuk janë paguar as regjisorët, as skenaristët, as aktorët. Për të mos e përmendur edhe një here atë dialogun e heshtur midis artistëve tanë të mëdhenj, Sandër Prosi e Robert Ndrenika se, tek ne, ka patur e ka vetëm “Ndërmarrje” e jo “Ndërdhënie”! Pra, “të japësh” e jo “të marrësh” hakun, shpërblimin e punës e të vlerës tënde… Si një trashëgim i “vullnetarëve të Enverit”! As pas daljes së premierës e as kur shfrytëzohen metrazhe të tëra filmash për ilustrime. Sidomos sot, në një shtet ligjor, ku duhet të gjobitet e të ndëshkohet rëndshëm ai që e bënë në praktikë këtë “punë piraterie”. E kam thëne se, në Athinë kishim dy raste të kundërta: Nga njera anë, publicistin e ndershëm shqiptar Robert Goro, ish-gazetar i BBC-Londër, i cili hapi me rrogën e tij modeste edhe dy gazeta në kohë të ndryshme, tani edhe kanalin televiziv “Tribuna”, ndërkohë kur doli edhe një gazetë tjetër “Albanien Press”, që e botonte një qytetar grek, me ca para që “vinin” (!?) nga Brukseli, kur ai nuk dinte asnjë fjalë shqip, po përdori gazetarë shqiptarë të papunë, asnjëherë të paguar si gazetarë, si edhe me një “pirateri” plus, shoqëruar me kaseta të filmave shqiptarë, të riprodhuar fshehtazi, që emigrantët t’i blinin gazetën e të shihnin gratis, edhe filmin! Pirateri e pastër, që e shtyu të vijë në Athinë i alarmuar, kineastin Viktor Gjika! Proteston, doemos! Pronari grek e mbyll gazetën, që të mos bridhte gjyqeve, duke i nxjerre në rrugë gazetarët tanë që i shërbyen, ndersa kyeredaktorin e shushatur nga kjo punë pirateske e shtyp një makinë në rrugë e “ikën” në “botën tjetër”! E atij pronarit grekënuk i “hyri gjëmb në këmbë”, sukundër edhe atij pronarit shqiptar me inicialet L.S., i cili as më pagoi për afro një mijë krijime letrare-artistike e publicistike, gjatë 10 viteve, as të më falenderonte një ditë prej dite (!) apo të më kërkonte ndjesë për këtë gjest piraterie, kur e bëra publike atë, duke kujtuar se, tek njeriu, sido që eshte edhe ai, vepron edhe “vrarja e ndërgjegjes”, mirënjohja, pendesa, për të mos e quajtur “Mirësia kristjane”! Po ç’flas edhe unë! E ku pyet “pirati”, pasi i ka rrëmbyer të zotit “anijen”, producentit filmin, kompozitorit këngën, shkrimtarit librin e gazetarit shkrimin që bëre ti “debil”, duke “thartuar trurin”, për atë tjetrin e për “hiçmosgjë”. Duke bërë, më së fundi edhe “proçkën” tjetër, kur “anija mbytet”, duke e mbyllur në internet, “me dryn” gjithë krijimtarinë tënde, sikundër ma bëri edhe mua personi me iniciale L. S. që e besova aq shumë, si ish-nxënësin tim të dikurshëm! A nuk e dinë akoma këta tipa që, kanë të bëjnë më një “pronë private të paprekshme” që nuk mundesh as ta tjetërsosh e as ta përvetësosh!? Po ka ca me keq akoma! Kineasti i njohur Mevlan Shanaj, Artist i Merituar e “Mjeshtër i Madh”, i cili është prezantuar për publikun edhe si aktor në kinema e televizion, edhe si regjisor, edhe si producent,- thotë se: “filmat shqiptarë janë ‘pre e piraterisë’ dhe as Ministria e Kulturës nuk mundet ta ndalojë këtë pirateri! Sepse nuk ka as kontrata ligjore për shfrytëzimin e filmave e asnjë institucion tjetër, të rreptë, që të zbatohet “Ligji i hekurt”! Vetë Ministria e Kultërës, me të cilën kam bërë shumë diskutime e debate, rradhazi, e sheh si të pazgjidhshëm këte problem të madh! E kjo ndodh, ngaqë ligjet bëhen pët t’iu servirur në ‘tavolinën europiane’ dhe jo për t’u zbatuar këtu”, përfundon ai intervistën e tij para gazetares Julia Vrapi, një vit më parë… I njëllojtë edhe me “Ligjin e Teatrit”, i cili ka vite e vite që ka ngecur në “Kalendat Greke” e nuk dihet se kur do rifillojë rrishtazi të ribëhet…
“Mos e boto këtë shkrim!,-më thotë “Arëza” e trembur, kur i’a lexova… Se do të gjeshë belanë, si e ke gjetur edhe dikur! E, jo vetëm që do humbasësh edhe ndonjë gjë, nga ato që ke për të marrë, (me të drejtën që të jep ligji!), po edhe mund të të hedhin ndonjë “dru” nëpër këmbë që të “thyesh qafën”! Na le edhe ne “fukara”, ore njeri, me ato 33 libra që bëre e me ato qindra-mijëra shkrime kritike që s’t’i lexon kush”, -përfundon ajo… Nuk është se unë nuk e di këtë që më thotë njeriu më i afërt, po përpara syve, më del edhe një herë, fytyra e hequr dhe e brazduar nga vuajtet e tmerrshme, e atij Elie Wiesel, i cili ka hequr “torturat e Krishtit” në Kampet e Përqëndrimit nazist të Luftës së Dytë Botërore, i cili më thotë me zë të lartë se: “Indiferenca ndihmon gjithmonë agresorin, kurrë viktimat e tij”. Prandaj edhe unë e them fjalën time, me kurajo, sepse “kështu jam gatuar” dhe vajta e zgjodha si profesionin tim, atë më të “keqin”, të kritikut. “Mallkuar qofsha!”-kam thënë dikur, kur e pashë veten shumë poshtë, nga goditja e egër.. Flas edhe tani! Bëjë edhe kritika, që më duken të drejta, poshtë edhe lartë, sepse kam besim në ligjet e sotme, tek e “drejta e autorëve” që “mbrohet me ligj” dhe kur vetëm “një çap” na ndanë nga Europa! Kështu shkruhet e thuhet “Mbrohet me ligjë”! Po kush vallë do t’a ndjekë nga pas, se si zbatohet ky ligjë mëtëposhtë? Qofsha i gabuar, po kam shumë shpresë se, Parlamenti i ri i sapo zgjedhur, do ta studjojë përsëmbari këtë “ligjë gjysmak”, ku të përfshihen që të gjithë krijuesit e artit e të letërsisë, bile edhe “ekzekutuesit” që janë parë kurdoherë “si të njerkës”. Sepse edhe ata krijues janë… Se, pa një violinë nuk bëhet e nuk tingëllon orkestra sinfonike, pa piktorin ekzekutues të Skenografit e Piktorit të filmit nuk krijohet as teatri e as filmi. Pa ligje të forta e “të ngrohta” nuk krijohet e bukura e as shteti nuk ngrihet kurrë…
(Shkruar në Athinë, në javën e dytë të majit 2021).
Please follow and like us: