Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Aleksandër Dhima: Tipare substanciale të pasurisë etno-kulturore shqiptare në Gollobordë

 

 

 Golloborda, si njësi etno-kulturore dhe gjeografike, shtrihet  në dy ndarje administrative të reja të pushtetit vendor: zona e Steblevës, në varësi të bashkisë së Librazhdit dhe zona e Trebishtit, në varësi të bashkisë së Bulqizës. Nga perëndimi dhe veriu, ajo kufizohet me Bulqizën e Shupenzën, nga jugu me Librazhdin, lumi Drin i Zi e shoqëron përgjatë Lindjes deri në kufi me Maqedoninë, ndërsa përmes përshkohet nga Zalli i Okshtunit, që buron nga malet e Steblevës dhe përfundon te ura e Shupenzës. Brenda kufirit shtetëror të Shqipërisë gjenden 37 fshatra gollobordase. Me ratifikimin e kufijve në vitin 1922, mbetën jashtë kufijve të vendit 7 fshatra të krahinës së Gollobordës.

Golloborda është një krahinë kodrinore-malore, deri në lartësi 1000-1200 m, e mbushur me kullota alpine, por në përbërje të saj ka edhe dy fusha pjellore (Klenjë, Steblevë-Studën), ku kultivohet patatja e Klenjës, e njohur nga të gjithë shqiptarët. Përveç bujqësisë dhe blegtorisë, gollobordasit dallohen në mjeshtërinë e ndërtimit të urave dhe objekteve të kultit fetar (kisha dhe xhami), gjithashtu ata përmenden për ndërtimin e tuneleve dhe oxhaqeve të fabrikave në çdo qytet të Shqipërisë. Si specialistë ndërtimesh, ata kanë lënë gjurmët e tyre nga Selaniku në Stamboll. 

Në Antikitetin ilir, Golloborda– ashtu si gjithë lugina e Drinit të Zi- banohej nga fiset dardane (ultësira Pollog/ Shkup), peneste (me kryeqendër Uskanën [Dibra e Madhe?]) dhe desarete, në fushëgropat e Ohrit dhe të Strugës. Nga periudha Romake është për t’u përmendur, në rradhë të parë, Ura e Spiles mbi lumin Drin i Zi, afër Trebishtit. Ajo bënte pjesë në trasenë e rrugës via Egnatia, u rindërtua në shek. XVII, por u shkatërrua gjatë inkursionit të ushtrisë serbe në këtë zonë. Në vitin 1966, ura u mbulua përfundimisht nga ujrat e hidrocentralit të Spiles.

Kështjella e Trebishtit shtrihet në lindje të fshatit homonim dhe njihet me emrin gradishtë nga banorët vendas. Përreth fortesës nuk ka gjurmë të ndonjë vendbanimi të hershëm, përveç rrënojave të një objekti kulti, që i përket ndoshta shek. XVIII, por- për nga elementet dhe tipologjia e ndërtimit- duket e ngjashme me fortifikimet e Antikitetit të vonë, të zbuluara në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Roli i gjuhës

Emri i kësaj krahine vjen nga bullgarishtja e vjetër dhe do të thotë në shqip “kodër (brdo) e gjatë (dullgo)”. Ky toponim gjendet i pranishëm pjesërisht në emërtime lokale vendesh, si në Trebisht (kodra përballë lagjes Kasaj të fshatit, që quhet Bërda nga banorët vendas), në Steblevë (në formën Vetarno Bërdo), në Rekë (Velebërdë) dhe në Vollnisht (Ternino Nebërdo). Por, me këtë emër, thirret edhe një fshat midis qyteteve Pleven e Svilen në Bullgari si dhe Novobërdo në Rrafshin e Dukagjinit/ Kosovë.

Atëhere kërkohet natyrshëm shpjegimi i pyetjes: pse në këto fshatra flitet bullgarishtja e vjetër, krahas shqipes? Gjuha “bullgarçe” është trashëguar brez pas brezi, me gjithë deformimet e natyrshme nga izolimi i zgjatur, pa e ditur me shkrim (me përjashtime të rralla) dhe pa e njohur alfabetin e saj, prandaj në të folmen gojore të vendasve thuhet “zbori bullgarsko”. Në kohët e vona, në krahinë ngulet këmbë për një gjuhë/ dialekt “gollobordas” (nashkinashinec), meqenëse banorët ndihen më mirë kur flasin këtë “gjuhë” në bashkëbisedim me njëri-tjetrin.

Ekziston edhe një hipotezë tjetër, sipas së cilës gjuha vendase e Gollobordës është maqedonishtja. Pa hyrë në debate mbi birërinë (afrinë) gjuhësore midis bullgarishtes dhe dialektit maqedonas të saj, unë do të vija në pah këtu instrumentalizimin politik nga struktura shtetërore (deri në qarqet më të larta) të FYROM-it që synohet t’u bëhet “myslimanëve dy-gjuhë-folës” të Gollobordës, për t’i lidhur ata gjenetikisht me banorët torbeshë të fshatrave rreth Dibrës së Madhe. Por, mos të harrojmë se në vise të ndryshme të Ballkanit ekzistojnë edhe grupe të tjera popullsie që i takojnë besimit Islam dhe flasin gjuhë sllave: pomakët në Bullgari; goranët e Dragashit në Kosovë, sanxhaklinjtë dhe bogomilët e Bosnjes etj.

Në një numër të madh të fshatrave të krahinës, banorët janë bilingë (dygjuhësh); zhargoni i vjetër bullgar përdoret në komunikimin familjar e farefisnor, ndërsa shqipja përdoret prej tyre kryesisht në qytetet ku ata janë shpërngulur. Bullgarishtja e vjetër përdoret rëndom në bashkëbisedim në zonat e larta e më të thella, si në Gjinovec, Klenjë e Steblevë; e folmja e këtyre fshatrave dallohet në nuanca nga e folmja bullgarisht e fshatrave të tjerë të zonave më të ulta, të cilët- përmes kontakteve më të shpeshta dhe hapjes relative me fshatrat e tjerë të Dibrës së Madhe– përdorin edhe huazime nga e folmja e sotme maqedonase.

Në rastin e Gollobordës kemi të bëjmë së pari me një shtresëzim gjuhësor. Në Antikitetin ilir, kjo trevë shtrihej në territorin ilir të dardanëve dhe, mbas shek. V-VI, në hapësirën arbërore. Sllavizmat në gjuhën shqipe kanë depërtuar historikisht gjatë pushtimeve të shtetit bullgar (815-1018), por s’janë për t’u përjashtuar edhe kontaktet më të hershme me botën sllave. Në kohën e mbretërimit të car Borisit (852-889) u pushtuan territore të gjera në qendër të vendit, ku bie në sy pushtmi i qytetit të dikurshëm ilir Antipatrea (Berati i sotëm), që pushtuesi e quajti Beligrad [qytet i bardhë]. Më von, gjatë sundimit të Simeonit (893-927), kufijtë e shtetit bullgar u shtrinë jo vetëm në zonat limitrofe të Arbanon-it, por edhe më në jug, deri në Vlorë, Himarë e Butrint. Ai e ktheu shtetin bullgar në një perandori dhe e shpalli veten “Car të bullgarëve”.

Megjithatë, na duket interesant fakti që, në kohën e sundimit të dy mbretërve/ carëve të fuqishëm bullgarë (Borisit dhe Simeonit), në Shqipëri vepruan “pionierët” e kulturës dhe shkrimit cirilik, Klementi dhe Naumi, të cilët ngritën kisha/ katedrale (shembull: Gllavenica/ Ballshi i sotëm) dhe manastire (shembull: Shën Naumi), por ata nuk arritën të imponojnë shkrimin dhe pjesërisht kulturën protobullgare në këto treva. Në fakt, si gjuhë, një dialekt i sotëm i bullgarishtes (me elemente të gjuhës serbo-kroate) flitet edhe në Maqedoni, por atje nuk mund të dallohen qartë variante dialektore sipas zonave etno-kulturore, sepse gjuha sllave është gjuhë zyrtare, ndërsa në Gollobordë (duke përfshirë fshatrat gollobordase përtej kufirit), bullgarishtja e vjetër vetëm flitet.

Në veprën e tij “Bullgarët në Shqipëri”, Elgerovi flet jo thjesht për bullgarisht-folës, por edhe për bullgarë etnikë në krahinën e Gollobordës, çka do të “përligjte” hapjen e konsullatave përkatëse në Shqipëri e Bullgari më 22 tetor 1922. Deri para vitit 1912, në këtë trevë ishin hapur 4 shkolla bullgare në Vërbnicë, Zhepisht, Pasinkë dhe Drenok, të cilat u mbështetën sidomos në kohën e ardhjes së ushtrisë bullgare deri në Elbasan në vitin 1915. Kërkesa për hapjen e shkollave të tjera bullgare iu drejtuan edhe qeverisë së Zogut, p.sh. nga banorët e Klenjës në vitin 1929.

Në fillim të shek. XX, nën ndikimin e patriotëve të Rilindjes shqiptare dhe, më pas, të ndikimit të shtetit të ri shqiptar, në zonën e Gollobordës rizgjohet dëshira për gjuhën shqipe, çka pasqyrohet së pari në hapjen e shkollave shqipe në Okshtun/ te Valanica e Sulajve (1902), në Trebisht (15 prill 1914, e mbyllur një vit më von, për shkak të invazionit serb më 1915 dhe e rihapur në vitin 1922), në Steblevë e në Ostrenin e Madh  (1922) dhe më pas në fshatra të tjerë: Borovë (1923), Klenjë (1 mars 1926), Steblevë (1 shtator 1926), Gjinovec (shtator 1929) etj. Në kohën e caktimit të kufijve (1913), gratë e Trebishtit janë përgjigjur shqip përpara antarëve të Komisionit Ndërkombëtar të Caktimit të Kufijve te Guri i Vogël. Kjo ngjarje bëri që një pjesë e krahinës (që fliste shqip) të mbetej brenda kufijve të shtetit të ri shqiptar. Në vitet 1912-1920, si të gjithë fshatrat e tjerë të Gollobordës, edhe Trebishti përjetoi mizoritë serbe, megjithë rezistencë e armatosur nga vendasit. Por kjo rezistencë solli që fshatrat kufitare të Trebishtit, Gjinovecit, Klenjës, Ostrenit të Vogël, Vërnicës, Zepishtit e Otishanit të mbeteshin zonë neutrale deri në pranverë të vitit 1923. 

Tiparet etnokulturore 

Pothuajse çdo fshat i Gollobordës ka veshjet e tij tradicionale (mbi 14 variante të tilla), shumica e të cilave prodhohen nga artizanet e vendit, me përjashtim të ndonjë elementi të veçantë, si jeleku, që prodhohet nga qëndistarë të specializuar.

Disa nga veshjet karakteristike janë: shamia (jepek) dhe mënyra e mbajtjes së saj në kokë; xhoka; gjerdani me flori ose me rruaza; jeleku (zobar), me sërm e gajtane të qëndisur; këmisha e bardhë (knoka anterija), me mëngët e qëndisura në pjesën e dorës; përparësja, e quajtur “boçja e kuqe”: nga përpara, me vija të bardha që përfundojnë me xhufka dhe nga pas me sfond të kuq, me vija blu e të verdha; rrathët prej bronzi në mes (çaprazi), me dy shami plot rruaza në formë trekëndëshi; çorapet e bardha me lara (kangali) dhe këpucët e zeza. Veshja e Trebishtit dhe Ostrenit të Vogël e të Madh janë shumë të ngjashme me përshkrimin e mësipërm, me përjashtim të boçes nga përpara dhe futës në pjesën e pasme, karakteristike e veshjes së grave të Trebishtit, që janë unikale në zonë dhe nuk gjenden as në Bullgari e as në Maqedoninë fqinje.

Dasmat zhvillohen më shumë në vjeshtë. Ato dallohen për ritualin e tyre të pasur shpirtëror: vallet epike (të rënda) të burrave por edhe ato të shpejta e deri te ato “të shtruara” plot delikatesë të grave. Ceremonia zgjat zakonisht një javë; ajo fillon me shoshitjen e grurit që nisej për në mulli nga gratë, ndërkohë që hapen konakët e burrave, ku “luhen filxhanët”. Kur mbaron ky ritual, gratë e kthyra nga mulliri këndojnë një këngë të vjetër, por edhe shumë të bukur në dialektin e vjetër bullgar. Ceremonia vazhdon me ritualin e “ruajtjes nga kumbari” dhe mbasdite bëhet nisja për të marrë nusen, përmes këngëve të grave. Te shtëpia e nuses, krushqit priten me nderime dhe pastaj e hipin nusen në kalë dhe e mbulojnë me duvak. Në dalje të shtëpisë, nusja me dhëndrin që e shoqëron priten nga gra, që këndojnë duke mbajtur në dorë një petës (okllai), një bukë dhe një pasqyrë, duke hedhur mbi kokën e çiftit oriz, karamele dhe duke e spërkatur rrugën me raki, që të largohet “syri i lig”. Para shtëpisë së dhëndrit, nusja lyen dorën me mjaltë dhe me ’të prek pjesën e sipërme të portës, mandej futet brenda me këmbën e djathtë, që të sjellë mbarësi nën shtëpi. Mbasi merret nusja, të gjithë dasmorët drejtohen për te “fusha e mundjes”, ku djemtë më të fuqishëm të fshatit synojnë stafetën e kampionit. Moment kulmor i dasmës është “mbyllja e dhëndrit”, shoqëruar me këngë nga të afërmit prapa derës. Në mëngjesin e së nesërmes bëhet “ngitja e dhëndrit” nën ritmin e daulleve dhe fillon vallja “Pajtushka” me nusen përpara.

Lidhur me aspekte të veçanta të folklorit të Gollobordës, është për t’u vlerësuar Korpusi “Gollobordski Folklor“, i hartuar nga një grup akademik dhe studiuesish vendas, të cilët kanë mbledhur fjalë të urta, proverba, urime, mallkime, betime, gjëagjëza, shprehje, këngë popullore etj. nga komuniteti sllavisht-folës i zonës. Do të ishte me interes të gjenin dritën e botimit edhe thesaret  folklorike të popullatës shqip-folëse të zonës, sepse personalisht  jam i mendimit se një pjesë e mirë e tyre nuk janë endemike maqedonase, siç shprehen autorët e Korpusit në fjalë, por gjejnë sinonime të përkryera dhe të përdorshme gjerësisht në gurën popullore shqiptare dhe të popujve të tjerë ballkanikë; si rast domethënës në këtë drejtim mund të shërbejë fakti se shumë këngë popullore të Gollobordës këndohen edhe në zonën e Pirinit (Blagoevgrad-Bullgari), çka dëshmon njëherazi për lidhjet tradicionale që kanë pasë ekzistuar prej kohësh midis këtyre popujve.

Një nga veçoritë dalluese të mjeshtërisë ndërtimore të gollobordasve ka qenë gdhendja e simboleve, figurinave, luleve, rozetave dhe shenjave të ndryshme mbi gurët e mureve dhe në arkitrarët e portave të shtëpive. Në ’to është gdhendur shpesh edhe gjarpri, si mbrojtës i banesës (bullg.: tollosun). Ndër banorët bullgarisht-folës të zonës, ky mit është i njejtë me ogna majka-n (shqip: nëna e zjarrit). Në shumë banesa të të moçme janë gdhendur gjithashtu thundra e kaut, dashit, dhisë e sorkadhes, patkoi i kalit, dora e gruas dhe këmba e zbathur. Të pranishme janë rozetat me pesë deri tetë rreze; vajzave të Trebishtit, kur bëheshin nuse, iu vizatoheshin figura të tilla në faqe dhe në ballë me një kryq në mes, pavarësisht nga përkatësia fetare e tyre.

Një traditë tjetër, e përdorur gjerësisht nga mjeshtrit gollobordas në ndërtimin e banesave, ka qenë skalitja dhe vendosja e gurëve kronikanë (me emrin e pronarit/ gdhendësit dhe vitin e ndërtimit), që haset në fshatra të ndryshme të zonës. Edhe në objektet e kultit dhe në varreza të të dy besimeve (musliman e orthodoks) gjenden gurë të gdhendur me simbole fetare.

Një fakt tjetër interesant në këtë drejtim lidhet me mbijetesën e toponimeve të dikurshme (të krishtera) që përdoren sot e kësaj dite nga pjesa e myslimanizuar e popullsisë së krahinës. Shembuj tipikë janë: shtëpitë e Markajve (në Trebisht), Kauri (në Ostrenin e Madh), Popoavoda (uji i priftit), Cerkov (vendi i kishës) në Çelebi, Kolovir  (ujëmbledhësi i Kolës), Kallugjer (vendi i murgeshave) etj./mapo.al

Please follow and like us: