Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Shtëpani: 74 vite me parë, “Grupi i deputetëve”, zbardhet dënimi i Ali Shtëpanit,  ja raporti i CIA-s

????
74 vite me parë, në maj 1947 arrestohen deputetët, bashkë me ta dhe një grup intelektualësh dhe pronarësh. Ndërsa më 5 shtator 1947 në ish -Kinema “17 nëntori” në Tiranë  u zhvillua gjyqi i deputetëve. Po në ish- Kinema “17 nëntori” vetëm disa muaj nga gjyqi i deputetëve, do të bëhej një gjyq tjetër. Për gjyqet është shkruar dhe komentuar gjatë, pavarësisht këndvështrimeve. Për hir të transparencës dhe të vërtetës së dokumentuar, me ose pa dashje janë anashkaluar shumë personalitete, të cilët megjithëse të pafajshëm vuajtën në burgje që në orët e para të lirisë. Kështu ka ndodhur dhe me Ali Shtëpanin. Më 16 maj 1947, Ali Shtëpani do të arrestohej në mënyrë të beftë dhe të bujshme. Akuza për të do të ishte shumë e rëndë. Prokuroria Ushtarake e Garnizonit të Tiranës e akuzonte “se në pozicionin e zv/Kryetarit të Komitetit Qarkor të deputetëve tradhëtarë për Tiranën ka punuar në rrethin e tij kundra pushtetit popullor. Ka qenë në lidhje me krimimelët e luftës të arratisur, të cilëve ju ka dhënë dhe ndihma në të holla nga ana e Komitetit”.  Kjo akuzë siç do të rezultonte më pas ishte e pavërtetë, dhe dashakeqe. Më 18 shkurt 1948 në orën 11.30 paradite, Aliu do të merrej në pyetje për një orë nga hetuesi. Pyetjeve provokuese, do t’i përgjigjet saktë dhe prerë, duke treguar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
 Pyetjet e hetuesit
 Pyetje: Ke qenë ndonjëherë te Shefqet Beja (shtëpi)?
Përgjigje: Po kam qenë njëherë, kur i ka vdekur nëna.
Pyetje: Me cilët ke qenë dhe ç’keni biseduar?
Përgjigje: Nuk di se me cilët kam qenë dhe biseduar nuk kemi, vetëm e kemi ngushëlluar.
Pyetje: Irafan Majuni ka qenë ndonjëherë tek shtëpia jote?
Përgjigje: Po ka qenë më 1945 dhe më kërkoi një zgju bletësh po i thashë se nuk vjen në kalë nga Shëngjergji e këtu.
Pyetje: Më përpara ke pas biseduar me Irfanin?
Përgjigje: Po kur kemi shkuar në Berat, kur na thirri qeveria kam shkuar me të.
Pyetje: Selaudin Toton e njeh dhe ç’keni biseduar?
Përgjigje: Po e njoh mirë. Ka qenë në Front, shkoja atje megjithëse isha i pushuar. Njëherë i kam qenë në shtëpi për ta ngushëlluar kur i vdiq kushëriri në Prishtinë.
Pyetje:Ç’keni biseduar me Selaudin Toton dhe Kostë Boshnjakun në rrugën 28 nëntori ?
Përgjigje: Jam takuar me ta në udhë, jemi futur në një ëmbëltore kemi qëndruar nja 10 minuta dhe kemi biseduar për çeshtjen e armëve, të cilat thanë se është mirë me i dorëzuar, sepse kush ka nevojë u a jep Qeveria. Këtë bisedë kemi bërë në fund të 1946 ose prill i 1947.
 Pyetje: Me Kostë Boshnjakun sa herë jeni takuar më përpara dhe ç’keni biseduar?
Përgjigje: E kam takuar shpeshherë, vinte për festa tek unë dhe unë i shkoja, kemi biseduar vetëm për çështje familjare.
Pyetje: Po me Ramazan Tabakun çfrarë marrëdhëniesh ke patur?
Përgjigje: Atij i kam shkuar në Durrës më 1945 kur hapi mortjen e djalit. Kam qenë për ta ngushëlluar, tjerër gjë nuk kam pasë.
Pyetje: Kol Kuqalin ku e njeh dhe ç’lidhje ke patur me të?
Përgjigje: E kam parë kur ishte deputet, kur shkoja aty, gjë me të nuk kam biseduar.
Pyetje: Ç’keni biseduar me të naltpërmendurit kundra pushtetit?
Përgjigje Nuk kam folë se ata nuk më kanë folë kurrë…..
Pyetje: Të ka folur Shefqeti kundër pushtetit?
Përgjigje: Jo kurrë……..
23 marsi i 1948-ës për Ali Shtëpanin dhe të pandehurit e tjerë do të ishte dita e gjyqit. Gjykata do të shprehej se të pandehurit qysh në çlirimin e Shqipërisë kanë filluar aktivitetin e tyre kundra pushtetit popullor. Kanë axhitur dhe propoganduar kundra pushtetit popullor, duke qenë në lidhje qysh në fillim me Shefqet Bejën etj. Në fillim janë munduar të sabotojnë zgjedhjet e 2 dhjetorit. Në korrik të vitit 1945 kanë formuar Komitetin Qarkor për Tiranën, ku Shefqet Beja u ka dhënë direktivat e Komitetit Qendror të organizatës tradhëtare të deputetëve. Më tej thuhet, se ata e ndanë punën sipas kapaciteteve të tyre dhe sektorët e punës për seicilin. Sipas gjykatës, Aliu do të punonte me fshatarët dhe me kriminelët e arratisur. Puna e parë e të pandehurve ishte të sabotonin zgjedhjet e 2 dhjetorit, të krijonin shanse dhe incidente për të treguar në botën e jashtme se nuk ishin të lira zgjedhjet dhe të bëhej e mundshme ndërhyrja e të huajve e reaksionit anglo-amerikan me qëllim që të përmbysnin pushtetin popullor me anën e forcës dhe të merrnin frenat e shtetit në dorë. Më 1946, të pandehurit në mbledhjen e tyre vendosën për të bërë kryengritje lokale me anë të bandave kriminale, për të gjetur preteks reaksioni anglo-amerikan të ndërhynte dhe të ndryshonin situatën. Të pandehurit kanë patur dieni të plotë mbi lëvizjen e 9 shtatorit që u bë në Shkodër e cila ishte shpresa mbështetëse për reaksionin e brendshëm dhe për ndërhyrje të anglo- amerikanëve. Me arrestimin e Shefqet Bejës, lidhje me Komitetin Qëndror me anë të Kostë Boshnjakut.
Ali Shtëpani (gjithnjë sipas trupit gjykues) tregon se kishte rënë ne lidhje me kriminelët e arratisur, kishte biseduar me fshatarë kulakë dhe se kishte marrë 5000 Fr nga ana e Komiteti Qëndror dhe ja kishte dorëzuar Osman Memës. Në gjyq Aliu do të shprehej se akuzat ndaj tij ishin të pavërteta dhe se ai nuk kishte patur lidhje me asnjë person. I bindur në pafajësi, ai do të deklaronte para trupit gjykues se po të dalë ndonjëri që të thotë të kundërtën, do ta pranonte akuzën që i bëhej. E megjithatë, situata do të rëndohej dhe më shumë për Aliun i cili do të përballej në gjyq me dëshmitarin e instuktuar mirë, që ta bënin të besueshme se ai kishte qënë aktiv për të përmbysur pushtetin popullor. Dëshmitari do të deklaronte se Ali Shtëpani kishte qenë pjesëmarrës në një mbledhje në shtëpinë e Shefqet Bejës dhe se ishin bërë mbledhje në shtëpinë e tij në rrugën e Elbasanit duke treguar se ishte në anën e majtë, pa e përcaktuar ekzaktësisht, me justifikimin se ishte natën, gjë që tregon se deklarimet ishin jo të vërteta, pra të imponuara nga të tjerët. I ndodhur përballë këtyre akuzave pa baza, Aliu i qetë do të pohonte se shtëpinë e kishte vërtetë në rrugën e Elbasanit, por që nuk ishte e vërtetë se aty ishin bërë mbledhje. Dëshimtë do të binin shumë shpejt poshtë, për faktin se të pandehur të tjerë do deklaronin se nuk kishin marrë pjesë në asnjë mbledhje në shtëpinë e Aliut ku kishte dhe nga ata që pohuan se as që e kishin idenë se ku e kishte shtëpinë. Ndërsa për mbledhje në shtëpinë e Shefqet Bejës, Aliu do të pohonte se i kishte shkuar vetëm një herë në shtëpi për vizitë kur i kishte vdekur nëna. Teksa hulumton në atë që është shkruajtur dhe nga dëshmitë e të pandehurve të tjerë, bindesh që në fillim se edhe dënimet do të ishin të rënda.
Vendimi i Gjykatës Ushtarake
 Gjykata Ushtarake e Tiranës në bazë të nenit 3 parafrafi 6,8,10 dhe nenit 15 të ligjeve 372 e 373 dt 12 12.1946 akti i gjykimit nr. 212 dt. 30 mars 1948, vendosi qe të dënojë me 10 vjet heqje lirie Ali Shtëpanin, ku për 4 persona u dhanë dënime me vdekje, të tjerët me 20 dhe 15 vjet. Për të gjithë të dënuarit, humbje të të drejtës civile dhe politike për 5 vjet, konfiskimin e pasurisë së tyre të luajtëshme dhe të paluajtëshme.
Me vdekje, pushkatim, të shtetasve: Haki Karapici, Irfan Pustina, Ali Bakiu, Ymer Keçi.
Me 20 vjet burgim: Vasil Xhaji.
Me 15 vjet burgim: Kadri Kërçiku, Baltazar Benusi.
Me 10 vjet burgim: Ali Shtëpani, Enver Topulli, Gjergj Ashta, Adem Xhepa, Kel Koçobashi.
 Aliu do të tregonte se në kohën ku po largohej trupi gjykues në ballafaqimin me dëshmitarin (dhe ai i arrestuar) do të merrte vesh të vërtetën, por jo organizatorin, megjithëse diçka kishte kuptuar.
“Përse më akuzoni, me ty nuk jam njohur asnjëherë. T’i nuk ishe në gjendje t’i përgjigjeshe pyetjeve të mija se ku ishte shtëpia dhe dhoma që u bë mbledhja, dritaret e saj etj”- i thashë dëshmitarit. Ai u prek nga afrimi im, mori në duart që i dridheshin një cigare, dhe iu drejtua të burgosurve: dëgjoni- këtij burri i kam hyrë në hak, por duhet ta dini, unë zbatova porosinë. Unë nuk mund të veproja ndryshe, etj”. Po qe kështu- unë të kam falur i kishte thënë Aliu, i cili do t’i drejtohej Gjykatës së Lartë për ta parë vendimin absurd të Gjykatës Ushtarake të Tiranës. Kërkon lehtësim të dënimit për shkak të moshës së tij të thyer, duke treguar njëkohëshisht se nuk kishte punuar në asnjë rast dhe për asnjë rrethanë kundër pushtetit popullor.
 Vendimi i Gjykatës së Lartë Ushtarake
Gjykata e Lartë Ushtarake mori në shqyrtim akt- gjykimin e gjykatës së Tiranës. Sipas dokumentit, për të dënuarit me vdekje u dha vendimi për privim lirie përjetë, ndërsa për të tjerët ulje mes tyre dhe për Aliun me 5 vjet. U dha dhe pafajësi për të dënuarit, po ashtu u ndryshua dhe masa për konfiskimin e pasurisë.
Me burgim të përjetshëm: Haki Karapici, Irfan Pustina, Ali Bakiu, Ymer Keçi.
Me 7 vjet burgim: Baltazar Benusi
Me 5 vjet burgim: Ali Shtëpani
Me 2 vjet burgim: Kadri Kërçiku
Me paraburgimin e kryer: Vasil Xhaji, Adem Xhepa, Enver Topulli
Pafajësi: Gjergj Ashta, Kel Koçobashi
 Mbetej në fuqi vetëm konfiskimi i pasurisë i të dënuarve me burgim të përjetshëm. Ky vendim mban datën 21 prill 1948. Për ketë vendim, njoftohet dhe Drejtoria e Burgut “Armiqt e Popullit”.
Ali Shtëpani, një figurë e nderuar në Tiranë dhe më gjërë, së bashku me pjestarë të tjerë të familjes së tij, do të ishin protagonistë të shumë ngjarje të mëdha për vendin. Familja Shtëpani do të kontribuonte në kryengritjen e madhe kundër pushtuesve turq, për të vazhduar më pas me fillesat e shkollës së parë shqipe në rrethin e Tiranës në këtë familje. Besnike ndaj qeverisë së Vlorës dhe përkrahëse e Qeverisë së Lushnjes. Mbështetëse e fuqishme e Nolit dhe rezistencë ndaj Mbretërisë e cila i kushtoi shtrenjtë. Liria për Shtëpanët do të ishte një kushtrim për të luftuar pushtuesit e huaj. Në shtëpinë e madhe të Shtëpanëve, në Shëngjergj të Tiranës, ka qëndruar me ditë e netë të tëra Shtabi i Përgjithshëm i UNÇL. Ali Shtëpani anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar i zgjedhur nga Kongresi i Përmetit udhëhoqi gjithë njerëzit e familjes për liri. Në atë kohë britanikët e shquajnë familjen Shtëpani ndër familjet më të rëndësishme të Shqipërisë së Mesme, Pjesëtari i misionit anglez në Shqipëri, David Smajli shkruan : “… Janë tre familje, moskutjere të lirisë që përbëjnë një trekëndësh të madh të shpirtit antifashist e liridashës shqiptar: E këto janë familja Peza, familja Xhani nga Luzi i Madh i Kavajës, por që morën me të drejtë mbiemrin Martaneshi, dhe familja Shtëpani nga Shëngjergji…”
Çlirimi i vendit do të pritej me entuziazëm nga familja Shtëpani. Por, jo gjithçka do të shkonte sipas parashikimeve, sepse njërëz me pozitë të pamerituar, kërkonin me çdo kusht që Ali Shtëpani të gjendej prapa hekurave pa bërë asgjë, sepse vetëm kështu familja e tij do të ulte kokën, pavarësisht se nuk kishte demonstuar kokëlartësi për atë që bënë gjatë luftës.
Ja raporti i CIA për Ali Shtëpanin
Sipas raportimeve që janë bërë pranë  CIA-s, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur më 1947-ën nē Shqipēri. Për Ali Shtëpanin ndërmjet të tjerave thuhej: “Ali Shtepani, i lindur në Shëngjergj. Ashtu si Ali Aga edhe ky kishte influencë në Çermenikë, Elbasan e përgjithësisht në Shqipërinë e Mesme.
Fisi i tij i madh e i fortë ka qenë mbështetje kryesore e komunistëve në Shqipërinë e Mesme, ku elementi bajraktar ishte kundër komunistëve. Gjatë luftës kishte qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të FNÇ. Në vitin 1947 u dënua me burgim…”.
Pas daljes nga burgu, i bindur në pafajësinë e tij Aliu nuk do të dorëzohej. Tashmë në kushte dhe rrethana krejt të tjera, çështja do të rishikohej, ku përfundimisht ai do të merrte pafajësinë, megjithëse u burgos padrejtësisht dhe në moshë të thyer. Për kontributin e jashtëzakonshëm të Aliut dhe familjes në luftë për liri dhe pavarësi, është shkruar dhe komentuar gjatë. Në botimet e kohës (përfshi dhe ato të udhëheqjes )do të shkruhej me superlativa për patriotin Ali Shtëpani, i cili me kurajo, mençuri dhe zgjuasi diti të përballojë sfidat e kohës.
Please follow and like us: