Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho Golemi: BAJO KAZO, KAPEDANI LAB QË MBROJTI ME JETË TRUALLIN ARBËROR

 

Kushtuar kapedanit dhe luftëtarit Bajo Arif Kazo, (1820–1854), nga Fushëbardha e Gjirokastrës, i cili ka rënë për mbrojtjen e truallit shqiptar në Mecovë të Vilajetit të Janinës në luftën e parë të vitit 1854, në përballje me junanët andartë. Për herë të parë pas 167 vjetësh të dhënat e trashëgimisë gojore, të këngëve dhe të dokumenteve vijnë në këtë shkrim në nderim të gjakut të derdhur për vendin, për trimin e mençur Bajo
Kazo edhe në kuadrin e 201 vjetorit të lindjes…

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Flamuri arbëror i ngjyer me gjak dëshmorësh shekujve
Të rënët janë përjetësia e një kombi. Ata janë zëri i lirisë, trimërisë vetmohuese, besa e sakrificave sublime, modele të bësniokërisë frymëzuese, ikona e kombeve, që mbartin epope luftarake e trimërore, besë, shpresë e krenari, mbi të gjitha dinjiteti kombëtar.
Shembuj të tillë ka me bollëk historia e popullit tonë në çdo qelizë të ekzistencës së saj. Duke hulumtuar të djeshmen historike të luftëtarëve të Fushëbardhës, por dhe mbarë Labërisë ndeshim në emrin Bajo Arif Kazo (i parë), një identitetet i trupëzuar njësh me kapedanin lab që para tetë brezash, që gjakun nuk e kurseu për atdheun, për truallin arbëror. Brezat nëpër shekuj “takohen” e “shmallen”, i flasin njeri-tjetrit përmes gjakut në vena, gjuhës e kulturës, flamurit në valë, historisë të së shkuarës dhe të ardhmes. Toka arbërore përcjell jehonën në breza së pari të kënduar e më tej të shkruar e treguar për mençurinë, trimërinë, heroizmin në luftë në mbrojtje të tokës sonë. “Jemi këtu në vendin tënë,/që pa lerë diell e hënë…” gjëmon historia në këngë, u tregon brezave rrugëtimin historik, shekujt e së shkuarës, vuajtjet e brengat, luftrat, gjakun që çimenton lirinë në beteja dhe mbi të gjitha ndërgjegjen kombëtare.
Çeta e burrave të shquar të Fushëbardhës është e njohur për trimëritë dhe besën për të shporrur armikun nga trualli arbëror i Vilajetit. Gjaku i tetëqind shehitëve/dëshmorëve që ranë në betejën e Mecovës janë një copëz e flamurit arbëror të ngjyer shekujve me gjak dëshmorësh. Pjesë e trupave lavdiplotë që ranë në Mecovë dhe ngelën lapidar kënge ka qenë edhe Bajo Kazo, dëshmori i parë i Fushëbardhës në krahinën e Kardhiqit, si dhe bashkëfshatari i tij Habil Xhuvani. Ndërgjegjia kombëtare i thirri ajkën e djalërisë labe në
mejdan betejash. Ata se bëjnë fjalën dysh dhe nuk e kursejnë gjakun, i dalin ballas shpatës e jataganit. Ky ka qenë amaneti i trashëguar nga të parët. Lufta e parë për Vilajetin e Janinës më 1853-1854, ka dëshmorët e vet sikurse ka dëshmorë çdo periudhë e luftrave dhe
qëndresës shqiptare. Piedestali dhe panteoni i kombit shqiptar është çimentuar me gjakun e pastër arbëror të të rënëve, që kanë shkruar epope trimërie, që nuk mund të harrohen.

 

Prijës luftarak i çetës së Fushëbardhës
Të dhënat biografike të Bajo Kazo (i parë), martirit që ra për Vilajetin shqiptar të Janinës në pranverë të vitit 1854 është transmetuar treguar e përcjellë si legjendë luftarake brez pas brezi, është kënduar në këngë, jeton në tregimet e të moçmëve të Fushëbardhës, krahinës së Kardhiqit, Rrëzomës, mbarë Labërisë. Ai e donte shkollën, por koha ishte e mbrapshtë dhe shkolla ishte e ndaluar për shqiptarët. Dhe këtë e flasin faktet edhe pse në Labëri shqipja jetonte e lirë, por statistikat europiane të kohës janë tmerruese. Këtu po sjellim një shembull statistike të tre dekadave pas rënies së dëshmorit të parë të Fushëbardhës Bajo Kazo. (sipas Serge Metais “Historia e shqiptarëve”, Paris, 2006), tabloja e shkollimit është e pabesueshme, pra tre dekada pas rënies në fushën e nderit të Bajo Kazos dhe Habil Xhuvani.

Kështu në vitin 1887, Shqipëria kishte: 3000 shkolla, nga të cilat 1200 shkolla publike turko-osmane, 1200 shkolla private greke, 300 shkolla bullgare, serbe e vllahe, dhe vetëm një shkollë shqipe, që drejtohej nga Pandeli Sotiri! Çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, të Babë Ali dovletit, përveç gjuhës shqipe! Katër vite më pas, Pandeli Sotiri eleminohet, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që shqiptarët duhet ta dinë, ndërkohë që bijtë e shqipes si Bajo Kazo ishin të etur për kulturë, dije e arsim, ndërkohë që zanatin e luftëtarit e kishin trashigim në breza.

Bajo Kazo ishte lindur në Fushëbardhë të Gjirokastrës, që për disa kohë ka qenë edhe në vartësi të nahijes së Delvinës, për shkak se zotërimet e fshatit Fushëbardhë kanë qenë këtej dhe matanë Qafës së Skërficës. Fisi “Kazo” shquhej si një ndër fiset me njerëz të pushkës, të punës, të trimërisë dhe urtësisë. Ai u rrit në një rreth familjar atdhetare, luftëtare e me tradita patriotike. Të parët e tij qenë ndeshur me vështirësitë e shumta të pushtimit, por dhe me rreptësinë e kanunore të kohës kur jetonin si familje e madhe në Shalë të Bajgores. Pas ardhjes në trevat “e ngrohta” shqiptare në zonën e Delvinës, që mendohet rreth vitit 1790-1800, vëllezëria e tyre u nda fiset: “Kazo”, “Shalari” dhe “Shkurti”, por pati edhe mjaft humbje jetësh njerëzore si rrezultat i sëmundjes së malarjes, tifos e turbekulozit.
Dëshmitë vijnë nga “Dëshmimtarët e gojëdhënës” ose “arkivi” lëvizës i trashëgimisë, që e ka lënë “të shkruar” jetën si trashëgimi brezash e këngësh. Ndër tregimet më të spikatura të fisit Kazo dhe të mbarë bashkëfshatarëve është ajo e treguar për trimëritë dhe papërkulshmërinë e kapedanit Arf Kazos së parë dhe birit të tij Bajos. Kështu kishte ndodhur gjithmonë. Hasimi në çdo anë të vilajeteve shqiptare ishte pritur me qëndresë dhe rebelim deri në kryengritje. Edhe këtë herë një hasm nga Gjiriti u gjend në portat e Vilajetit. Por ushtritë osmane në pamundësi të përballjes thirrën në ndihmë redifët/rezervistët e vullnetarët. Ishte koha për të mbrojtur truallin, që për shqiptarët ishte arbëror, ndërsa për osmanët, truall i sulltanatit.
Ndërgjegjia kombëtare i thirri në skenë bijtë e Labërisë 167 vjet më parë dhe ata ju përgjigjën duke vënë gjithçka në shërbim të atdheut, të tokës dhe nderit të të parëve. Vepra e prijësit luftarak të çetës së Fushëbardhës nuk kërkon dafina, sepse kush bie për atdhe mbetet
përjetësisht i pavdekshëm.
Burri që e shkroi historinë me gjak trimi në këngë trimash
Bajo Kazo lindi në Fushëbardhë të Gjirokastrës në pranverë të vitit 1820. Ishte koha kur vendlindja e tij sikurse gjithë treva e Labërisë e më gjerë vuante sundimin osman. Emrin ia vuri tradita, që e pasonte nga gjyshi tek nipi. E quajtën “Bajo”. Nëna do t’i këndonte: “Rritu
bir i nënës,/Të pret istikami,/Ngjishe jataganin,/Ta ndjekësh dushmanin..”. Kënga i mëkoi dashurinë për vendin, farefisin, fshatin si dhe urrejtjen për armikun edhe pse fëmijëria e tij ishte e vështirë. Arsimimi ishte i pamundur si “mollë e ndaluar”. Arsimi i përkiste vetëm
fëmijëve të administratës civile e ushtarake osmane, që zhvillohej në mejtepet në osmanllisht.
Bajua kur ishte fëmijë e mësoi gjuhën e nënës, të mëkuar me ndershmëri dhe trimëri, me sakrifica edhe osmanllisht. Ai u burrërua para kohe si gjithë bashkëmoshatarët. Lëndinat e fshatit, kodrat dhe malet si kurorë u bënë dashuria e jetës, të jetës me blegtori dhe bujqësi ku
ndihmonte familjen për të siguruar jetesën minimale. Në mbrëmje rreth vatrës ushqehej me tregimet e të parëve, me trimëritë dhe heroizmat, por dhe me fukarallëkun e kohës. Fryma dhe tradita atdhetare trashëgonte tek Bajua i ri betejat e të parëve në Shalën e Bajgores, por dhe të trevës ku ishin vendosur në Labëri, ku besën, trimërinë dhe zakonet e mira i trashëgonin shekujve. Kur hodhi shtat të lartë dhe trupin e kishte të lidhur si një thupër, por mjaft të fuqishëm konsolidoi vetitë e një karakteri të fortë të duruar, me temperament të zhvilluar dhe djalë i hedhur, por që në vetvete kishte fituar veti të një luftëtari të papërkulur, besnik dhe trim dhe që besa ishte trashëgimia e shenjtë e çdo familjeje labe. Nuk mund t’i shpëtonte nizamëllëkut që kosharet osmanë mobilizonin çdo vit qindra e mijëra djelmosha të gjithë sanxhaqeve/ prefekturave dhe Vilajeteve shqiptare në gadishullin e Rumelisë. Pa mëdyshje ju përgjigj thirrjes dhe me qindra të tjerë u gjend në vaporrin “Daut” që nga brigjet e skelave shqiptare qe mbushur me djem nizamë e që fillimisht i ndalën në kazermat e Stambollit. Prej andej i shpërndanë sipas destinacioneve të sulltanatit jo pak por për shtatë vjet. Fati e deshi t’i mbijetonte. Trimëria, durimi, mirësia dhe fisnikëria e shoqëroi që ta kapërcente jetën anadoliane dhe të sosej në Fushëbardhën e dashur, që edhe pse jetonte hallet e kohëpushtimit ishte e lirë sipas mënyrës së vet të të punuarit dhe të mbijetesës.
Bashkëfshatarët dhe mbarë Labëria dinin që jetën ta mbronin me jetë. Shquheshin për kanunllinj fisnikë në rrugën që u’a kishin lënë trashëgim të parët. Në kujtesën e Bajos kishin ngelur dy kuvende të mëdhenj: Kuvendet e Besës në Senicë më 1770 dhe Kuvendi i Rrepeve
të Agait më 1773 të organizuar ligjvënësi i madh popullor Idriz Sulli. Këto ngjarje ishin vetë jeta e njerëzve të rinj dhe të moçëm të Fushëbardhës. Përgatitja për luftë me jatagan e pushkë ishte zanati që trashëgohej brez pas brezi, ndërkohë që sulltanati e shfrytëzoi jo pak herë trimërinë e shqiptarëve për të mbrojtur tokat nën pushtim edhe pse ato vetë ishin toka shqiptare. Fushatat e luftrave rëndonin dhe mbi redifët e Labërisë. Fushëbardha brez pas brezi kishte rritur një brez djemsh të mençur e trima, që e ruanin si çmuar besën e kuvendeve dhe që në rastet kur cënohej trualli i të parëve jo si detyrim shteti, por si detyrim kanuni i vendosnin gjoksin rrezikut, për mbrojtjen e truallit arbëror. Bijtë që derdhnin gjakun u këndohej këngë trimash. Bajo Kazo dhe Habil Xhuvani dhe bashkëfshatarë të tjerë ju përgjigjën thirrjes si redif/rezervist në mbrojtje të truallit arbëror të vilajetit të Janinës nën thirrjen: “Vilayet tehlikede”/vilajeti në rrezik!. Ndërgjegjja kombëtare ishte praktikisht në zbatim, sa herë fshatrave u kërkohej që të ngrinin çetën e gatshme për luftë, ndërkohë që për luftë shqiptarët ishin gjithmonë të gatshëm. Të tillë i kishte përgatitur historia. Me thirrjen që Mahmud pashë Vlora u bëri ridifëve në vjeshtë të vitit 1853, si viti i mobilizimit të rezervistëve nga Labëria. Bajo Kazo dhe Habil Xhuvani nga Fushëbardha u nisën për luftë
bashkë me luftëtarë të tjerë të fiseve Yzeiri, Bineri, Çarçani, Golemi, Veliu, Onjea, Shalari, Shkurti, Kazo, Xhuvani, Poçi, Shehu, etj. Ishin rreth tridhjetë luftëtarë, burra e djem që “luftën ua hante syri” pjesëmarrës dy tabore/batalione me rreth njëmijë e pesëqind luftëtarë
redifë e vullnetarë. Djemtë e Labërisë ishin të shquar për luftë e qëndresë, një rracë arbërore që luftën e kishin zanat, ndërkohë që gjakun nuk e kurrsenin kurrë për një çështje të drejtë.
Eshtrat e dëshmorëve ishin barikada e lirisë dhe e tillë vlerësohej në breza. Gjaku i mbi tetëqind shqiptarëve që ranë për Mecovën dhe rrethinat e saj, është gjaku i dëshmorëve që mbronin jetën përballë mercenarizmit junan, që kërkonin të zaptonin tokat, fshatrat, shtëpitë,
dhe që merrnin nderin, dinjitetin dhe krenarinë. Mbijetesa e kombit tonë përballë çdo pabesie edhe pse ka kaluar më shumë se një shekull e gjysmë, historia dhe kombi i dokumenton dhe nuk harron gjakun e derdhur për truallin dhe kombin shqiptar. Burimet dokumentare dhe
këngët bënë që historia të mbijetojë deri në ditët tona dhe të publikohet në kuadër të 201 vjetorit të lindjes së luftëtarit Bajo Kazo, si histori brezash.
Djemtë shqiptarë kur shkonin “nizamë” dhe luftonin për Dovletin
Fakt është se djemtë e Fushëbardhës i merrnin “nizamë”,/rregull, rrend, ligj, dhe i çonin në Delvinë, dhe nga garnizoni i Delvinës ku grumbulloheshin djemtë që do bëheshin “asker” i çonin në skelën e Sarandës, ku vinte vaporri me emrin “Daut”, që mbushej me djem shqiptarë për të bërë askerllikun shtatë vjeçar. E kishte edhe kjo “të mirën” e vet dhe kjo e mirë ishte arti më i vështirë në botë që ishte lufta si art shkatërrimi. Fakt është se nizamllëku i kishte mësuar dhe burrëruar, në kufijtë ekstremë të jetës, u kishte mësuar artin luftarak osman, përdorimin e armëve, kamës, thikës, pushkës që e kishin profesion të trashëguar në breza nga tradita luftarake liridashëse. Të parët e djemëve të Fushëbardhës kishin luftuar historikisht me pushtuesit, dhe me tradhëtarët e brendshëm. Gemia “Daut”, ishte bërë një emër i njohur për skelat bregdetare shqiptare sepse çonte në kazermat ushtarake/askeri këshllasënda, të Portës së Lartë “ajkën e djalërisë” shqiptare, në zbatim të fermanëve famëkeqë, që Sulltanati mbushte radhët ushtarake për të mbajtur pushtetin e pushtimit me gjak, me zjarr e hekur.
Njerëzit në brigjet shqiptare e quanin pampori i zemrave të dhimbshurisë, të dhimjes dhe dashurisë, të mallëngjimit e shpresës, sepse ndër vendet ku shërbenin arnautët/shqiptarët ishte Anadolli e Jemeni sikurse çdo pikë e sulltanatit në tëtë milionë km² në tre kontinente. Jemeni njihej shumë prej këngëve popullore: “Ah more Jemen,/trëndafil prej bari,/vallë kush shkon,/pse nuk kthehet më për së gjalli?!.”. Porta e Lartë dhe Këshilli i Luftës. Në Arnavutlluk ishte “depozita” e djalërisë dhe e trimërisë njëherazi, ndërkohë që Vilajetet
shqiptare që prej rënies së pushtetit të Gjergj Kastriotit kishin rënë në “qetësi” ose në një farë mënyre ishin “pajtuar” me gjendjen. Por me shqiptarët e vërtetë nuk kishte kurrë pajtim.
Popullin nuk e përfaqësonin një grusht njerëzish të administratës ushtarake dhe civile sepse shtypja për shqiptarët dhe mohimi i të drejtave vazhdoi gjatë. Acarimet dhe revoltat ishin të natyrshme sa herë tagarmbledhësit dhe kosharet vinin për të vjelë taksat dhe për të kërkuar askerë. Bashkë bëheshin vetëm në kohë rreziku kur rrezikohej trualli i pushtimit ose toka e pushtuar, që në fakt ishte tokë shqiptare. Çështja shqiptare ka qenë gjithmonë e shenjtë, por luftrat dhe të rënët në tokën tonë nuk rreshtën kurrë, si ushtarë, redifë, vullnetarë, por edhe si rebelë dhe kryengritës kundër çdo lloj pushtuesi. Ndërkohë që nizamllëku ishte kthyer në një farë mënyre si plaga më e rëndë e shoqërisë shqiptare, që nuk mjaftohej me kaq por edhe sa herë kishte luftra mbrojtja e truallit amëtar ishte detyrim brezash, detyrim që jo rrallë paguhej me gjak të djemurisë shqiptare.
Kënga që lindi në luftën e Mecovës dhe u këndua në gjithë Labërinë
Ndër bijtë e Fushëbardhës që luftoi dhe ra trimërisht për Vilajetin e Janinës në Mecovë ishte edhe Bajo Kazo 34 vjeçar, në pranverën e 1854-tës, 167 vite më parë. Trupat nuk u sollën në vendlindjen në Fushëbardhë, por ngelën përjetësisht në Mecovë. Në vendlindje erdhi “fermani-mandatë”, me një rresht në osmanllisht: “şehit, vatan için düşmüş/Shehit, rënë për vatanin”. Megjithatë bashkëluftëtarët përpara se të vinte mandati sollën këngën për të rënët.
Biografia më e mirë e të rënëve është shkruar me gjakun e tyre dhe është rregjistruar në kujtesën e popullit në fondin dokumentar: “arkivi-këngë e popullit”. Trimat fushëbardhas që mbetën gjallë mbuluan shokët në Mecovë dhe sollën këngën që kapërcen shekujt dhe jeton dhe sot e kësaj dite si dëshmi trimëri e shkruar dhe e dokumentuar në piedestalin e lavdisë së shqiptarëve. Kënga u këndua brez pas brezi për birin e Fushëbardhës Bajo Kazo dhe Habil Xhuvani që ranë në rrethinat e Vilajetit të Janinës në Mecovë dhe mbetën atje “ku i zuri balta”, një praktikë kjo e kohës për shekujt e kaluar. Mbeti në fakt kapedani luftëtar memorial lirie, lapidar për brezat, përjetësisht në memorien kombëtare në vargjet popullore: “Mecova larë me gjak,/Luftojnë bijtë nën një bajrak,/Dy tabor të Labërisë,/Bëjnë harb/luftë me junanë,/Flakë e ndezën vatanë,/U vranë ca trima të rrallë,/ Labëri ç׳i bëre lotë,/I derdha për ca luanë,/Për Bajon (Kazo) dhe për Xhuvanë (Habil Xhuvani)…” dhe “…Në Fushëbardhë dy nishanë,/Bënë harb me junanë,/E dhanë xhanin për vatanë,/Habili me Bajo Kazë, (Kazo)”.
Kënga e trimërisë së të rënëve u këndua gjithmonë në Fushëbardhë dhe në të gjithë Labërinë, nga beteja, ende pa përfunduar lufta, kënga që jetoi dhe jeton gjatë për të shkruar në kujtesën historike të kombit trimëritë shqiptare, trimëri që janë shkruar me gjakun e derdhur për këtë truall nëpër shekuj. Kjo është kënga që që lindi në luftë, u dokumentua në “arkivin-këngë” të historisë dhe u këndua në gjithë Labërinë, prandaj ka merituar pavdekësinë dhe meriton nderim në altarin e burrave të kombit. Bajo Kazo e dha jetën për truallin shqiptar dhe meriton nderimin e respektin e brezave sikurse e meriton çdo luftëtar që gjakun e derdhi për Mëmëdhenë në të gjitha frontet e luftës. Ky ishte “fati” i shqiptarëve deri në shpalljen e mëvetësisë, duke dhënë jetën për shërbim të Perandorisë, në mbrojtje të Arbërisë. Djemtë e
Fushëbardhës dhe të të gjithë Labërisë që shkonin në roje të Vilajetit të Janinës, në Mecovë dhe në të gjithë Çamërinë shkonin të luftonin me bindje të plotë në mbrojtje të së drejtës së tyre kombëtare, në mbrojtje të familjes, fshatit, krahinës, gjuhës, kulturës e territorit shqiptar.
Djelmoshat shqiptarë që pavarësisht uniformës, formacioneve ku bënin pjesë, armatimit dhe kundërshtarit përballë kishin ideal Shqipërinë e lirë, truallin e tyre amëtar të trashëguar amanet në breza. Fushëbardha është quajtur me të drejtë “Porta e Madhe e hyrjes në Labëri dhe e luftërave të pandërprera në këtë drejtim”. Nga ky drejtim niseshin dhe priteshin trimat dhe ai besonte në maksimën popullore që të parët ja kishin rrënjosur thellë në shpirtin e tij se, “kush s’lufton për liri, robërinë e ka në shpi”, edhe pse i pajisur me vetëbesim për t’ia dalë në luftë me inisiativë dhe përballje burrërore. Për këtë arsye gjykonte se: “trimëria e kthen
plumbin mbrapsht”. Bajo Kazo që u vra në Mecovë u nis bashkë me luftëtarët e tjerë pikërisht nga Porta e parë labe. Skërfica ose Qafa e Erës ishte dhe mbeti një kala natyrore, që ka njohur miq dhe armiq, lakmi pushtuesish të shumë formave e kallëpeve. Në këtë qafë kanë
provuar të shkojnë, të luftojnë dhe të përgjunjen vetëm duke “rregjistruar emrin”, udhëtarë, miq e armiq. Porta e parë e Labërisë ka pasur zotëruesit e saj në të gjitha epokat, i ka vëzhguar të gjithë me krenari, i ka detyruar të ecin poshtë këmbëve të maleve hijerëndë, ka
ndezur edhe frontin e luftës dhe fitimtarë si gjithmonë kanë qenë kaonët/lebërit e sotëm.
Këtej nga kjo anë u nisën për beteja kapedanë e trima dhe kudo ku shkuan në shërbim të Arbërit, edhe kur derdhën gjak erdhën më të fuqishëm, më krenarë dhe më dinjitozë sepse ju sollën brezave krenarinë e fitimtarit. Jo rrallë herë të rënët kanë përcaktuar fatet e kombit, duke u shndruar në flamur brezash. Ata u bënë barikadë gjaku në portat e shqiptarizmës dhe derdhën gjak për vilajetin duke përfaqësuar luftëtarët kaonë në portat e Mecovës, në luftën e parë për Vilajetin e Janinës. Bota e qytetëruar ndëron dhe respekton vlerat luftarake me mirënjohje. Lapidarë, memoriale, emra rrugësh e sheshesh mbushin sheshet e rrugët e europës e më gjerë, që është njëherësh një respektim i vlerave të kombit, respektimi i historisë. Heronjtë, kapedanët, luftëtarët e dëshmorët, të rënët në beteja për atdheun, për kombin nuk kanë moshë. Ata ngelen përherë të rinj edhe kur të kalojnë shekuj, dhe për këtë bota ka përzgjedhur përkujtimin me forma nga më të larmishmet si: “Dita e Heronjve”, “Dita e Heronjve Kombëtarë”, “Dita e Martirëve”, “Dita e Dëshmorëve të Atdheut”, “Dita e Dëshmorëve të Kombit”. Që të gjitha kanë një funksion dhe mision madhor, përjetësimi i të rënëve për lirinë. Për këtë arsye, kapedanit dhe luftëtarit trim Bajo Kazo, që gjakun e derdhi në rrethinat e Mecovës bazuar në Ligjin nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i Atdheut”; i takon akordimi i dhënies së statusit “Dëshmor i Atdheut”. Në këtë mënyrë do të nderohet jo vetëm
vepra dhe gjaku i tij, por edhe gjaku i tetëqind të rënëve në një betejë, i bijëve të shqiptarëve dhe do të respektohet e vërteta e arkivuar në sepetet e historisë.

Please follow and like us: