Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmir Ceci: ‘REVOLTA’ E TRE GURËVE TË MËSONJTORES NË KORÇË

‘REVOLTA’ E TRE GURËVE TË MËSONJTORES NË KORÇË

(dhe muzealizmi në diversitet me muzen)

 

Ese

1.

Kur sheh muzeun e mësimtores ‘zbukuruar’ e ‘stolisur’ me shikim të parë të kap një ndjesi e paemër midis entuziazmit dhe trishtimit. Kërshëria të mjegullohet prej hekurave që kryqezohen dhe ftohtësisë borale të mureve që fshehin një suprizë. Tashmë në ballë, në krye të këndit të nderit si nxënës shembullorë nuk janë më tre shkronjat ‘ABC’ prej guri. Madje me urdhër të një projektuesi u kanë ndryshuar jo vetëm bangën, por dhe klasën. Nuk di pse syri i miqësuar me to i kërkon me mall dhe kur i sheh që janë fshehur, zhvendosur pas hekurave i rritet tensioni. Volteri thoshte –“Një fjalë (objekt) që s’vihet në vendin e duhur mund të rrënojë dhe mendimin më të bukur”. Në këtë kontekst të duket e pashpjegueshme kjo ‘lëvizje’ e re sumuzealiste.

Për secilin korçar po dhe më gjerë ato shkronja-guri kanë fituar statusin e kultit, janë animizuar, shpirtëzuar, janë bërë gurë të gjallë e të shenjtë. Ata gurë-alfabetikë flasin, tregojnë, janë kryeciceroni i histografisë mësimore, janë dritë, prej vetëdijes sonë. Tashmë dhe para shumë vitesh ato nuk janë më prej guri të zakonshëm, por prej eshtrash që s’mplaken e që nuk vjetërohen. Sa më shumë vite që kalojnë aq më shumë vlerë mbartin. Simbolikat shpesh reflektojnë ndjesi më shumë se faktet. Muzealizmi i muzeut synon riekspozim, ridimensionizim në një këndvështrim të ri. Synon përkujdesin, mburrjen deri dhe fetishizimin e atyre relikeve apo artifakteve të pakta që posedohen.

Obelisku i shkronjave ‘ABC’ ishte përzgjedhur nga fati dhe nga projektuesit e talentuar vendas si një sintezë e përmbajtjes dhe e simbolikës. Poeti Thomas Groy tek vizitonte një muze natyre shkruante se “s’ka gur që të mos jetë i mbarsur me fe dhe poezi, madje atëhere lindi në Zvicër industria turistike. Pra këtu qëndron dhe magjia turistike, kur viziton diçka specifike qe të ngacmon ndjenjën dhe ndërgjegjen”.

Për ta konkretizuar këtë ia vlen të merret në konsideratë reaksioni qytetar që shkaktoi zhvendosja e tre gurëve ‘ABC’. Nuk ishte parë dhe dëgjuar ndonjëherë reagimi i një publiku aq të gjerë, i madh dhe i vogël, për tre gurë mali. Tre gurë mali, por që vetë njerëzit ishin përkujdesur, i kishin gdhendur e kthyer në simbole të shkronjave të alfabetit, në ikona të dijes. Më bëri përshtypje kjo revoltë. Gjithmonë kisha menduar se njerëzit tashmë ishin sëmurur nga indiferentizmi, meskiniteti privat, sidomos brezi i ri. Por ja që ndodhka dhe e kundërta. Një reagim masiv me nxënës, intelektualë e punëtorë. Në perceptim të parë shkaku është vulgar “lëvizja nga vendi i tre gurëve”. Por e vërteta që u zbulua tregoi për diçka tjetër më të thellë e me shumë vlerë që iu dhembi aq shumë. Kultura dhe ndërgjegja shoqërore ishte mekur disi, por jo shuar përgjithmonë…

Dërgimi prapa hekurave të ‘tre shkronjave’ martire i ndezi gjakrat e vetëdijes. Ky precedent u quajt si një cenim e dhunim simbolesh. Gurët -shkronja duken si të përzëna nga froni ku mbretëron i zoti i shtëpisë dhe për mëshirë i kanë lëshuar një vend në qoshe. Fronin e tij e ka zënë një trashëgimtar anonim që s’ka asnjë tipar të ngjashëm me të. Në kësi rastesh muza pëson metamorfoza absurde larg çdo logjike dhe arsyetimi.

Këto shkronja s’mund të rrinë e të vuajnë si në faj duke i parë dhe na parë nga ‘biruca’ mbrapa hekurave të ftohta pa asnjë ndjesi shpirtërore. Ky veprim ndaj ‘ABC’ do t’i ketë mërzitur dhe shkronjat e tjera, të cilat i kishin përzgjedhur si përfaqësuese të tyre në panteonin e muzeut. Mbase dhe ato si njerëzit kanë protestuar duke klithur e lotuar sipas zakonit e mënyrës së tyre prej guri.

Rasti i zhvendosjes, sorollatjes të shkronjave, të jep ndjesinë e një internimi, pavarësisht se distanca fizike është brenda një oborri. Por në skenografinë e një pjese teatri kjo distancë shumfishohet nga nënkonteksti. Në kësi rastesh detajet edhe më të vogla marrin një rëndësi të madhe. Supozojmë një çast sikur t’ia hiqnim ‘Luftëtarit të panjohur’ vetëm pushkën me gjalmë besoj se do të dukej tashmë si një valltar folklori dhe nuk do ta kish më vendin mbi piedestal.

Nëpër muzetë koha mbetet statike, e ngrirë- thotë prof. Moikom Zeqo, ndaj vështirësia qëndron te rievokimi, nxjerrja në pah e perspektivës, e emocionit të saj.

I njëjti mentalitet ‘modernist’ është ndjekur dhe në ambjentet e brendshme. Bombardimi me drita i relikeve të shenjta i verbon ato dhe i bën të vagullta. Në kësi rastesh drita duhet të burojë nga objekti drejt syrit të vizitorit e më tej. Rrezatimi i dritës vjen nga mitizimi dhe energjia ideo-emocionale e akumuluar prej objekteve të pagëzuara si artifakte. Zotësia është që ky rikrijim tabloje duhet t’i ngjajë një agimi korçar e jo atij skandinav. Qëllimi është muzealizmi i muzeut dhe jo boralizmi apo akullizmi i tij.

Në diskutim të këtyre paradokseve dikush me naivitet do të pyeste: Po shkronjat ‘ABC’ prej guri të bardhë a nxjerrin dritë!? Është një ligjësi sa fizike aq dhe poetike se këta lloj gurësh kane akumuluar jo vetëm dritë dielli, por dhe dritën e syve të mijëra e mijëra vizitorëve. Ata janë animizuar, shpirtëzuar e shenjtëruar, janë shndërruar në kulte e ikona. Unë nuk e di se përveç publikut, cila juri apo institucion ka atributin për t’i certifikuar ato si të tilla!? Kjo ka pak rëndësi. Gjithkush kur i viziton këto gërma-gurë i sheh me një adhurim pagan e dritësohet. Drita iluminuese iu buron prej trupit të tyre dhe jo nga ambazhuret e shtrenjtë vezullues. Piktori impresionist Monet thotë se “drita është personazhi kryesor në një tablo, drita që vjen prej saj ngacmon ndërgjegjen, impresionin. Kjo është mrekullia… këtu zbulojmë identitin tonë dhe ndjejmë vlerat e qenies sonë”.

2.

Është një fakt i pamohueshëm se qyteti ynë ka ndryshuar shumë infrastrukturën urbane, e cila i ka paraprirë dhe ndryshimeve të supestrukturës sociale dhe shpirtërore. Është gjithashtu normale që kundërshtia e brezave midis ‘atëhere’ dhe ‘tani’ të krijojë mosafri dhe shtresime plot konflikte. Sigurisht që ky është një antagonizëm dialektik i përhershëm i historisë së zhvillimit. Raporti mes tyre është tepër delikat për t”u mbajtur në ekulibër. Perspektiva e modernizmit ka nevojë të ushqehet me kujtesën, me të kaluarën, me historinë dhe romancën e saj. Në këtë baraspeshë plot dritë e hije po përmend si shembull teprimin apo pyllëzimin me skulptura surealiste të çdo hapësire publike. Ky është një invazion izmash në dëm të biodiversitetit natyral historik dhe estetik. Kjo ekstravagancë manieriste e ushqyen publikun me “fec… 100% të pastër artistik” të cilit data e skadencës ka kohë që i ka mbaruar. Për të sëmurët e budallallepsur nga modernizmi apo postmodernizmi, thotë esteisti Foucault, i vetmi shërim është romantizmi, jeta reale, e prekshme, e kuptueshme, inkurajuse dhe frymëzuese.

Per sa trajtuam dikush me konstrukt shpirtëror ndryshe do nënqeshë (me dhëmbë e jo me buzë) me ne, me publikun, me reagimin qytetar dhe të vetë gurëve ‘ABC’. Por s’ke ç’i bën. Kjo është lufta e përhershme brrylash midis asaj që ikën dhe asaj që vjen.

 

Please follow and like us: