Albspirit

Media/News/Publishing

Vjen në shqip autorja suedeze Helena Henschen me romanin “Në hije të krimit”

Vjen në shqip autorja suedeze Helena Henschen me romanin “Në hije të krimit”.

Fituese e Çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë (2009).

 “Kam shkruar për pesë njerëz që vdiqën, për historinë e një vrasjeje, por njëkohësisht një libër për jetën dhe për dhimbjen. E ndjeva se duhej ta shkruaja këtë libër, sepse isha rritur nën hijen e një krimi i cili vazhdonte të na prekte ne që kishim mbetur nga ajo familje.”

Romani bazohet në historinë e një prej krimeve më të famshme të ndodhur në Suedi gjatë shekullit të XX-të. Në mars të vitit 1932, studenti 23 vjeçar Fredrik fon Sidou vrau në apartamentin e familjes në Stokholm, të atin, Jalmar fon Sidoun, një prej biznesmenëve më të njohur të vendit, e bashkë me të dy shërbyeset e familjes. Pas kësaj, bashkë me të shoqen, shkoi me taksi në Upsala, ku u ul të hante darkë në një prej hoteleve më luksoze, dhe më pas vrau të shoqen, pastaj dhe veten. Për vetë personazhet e famshëm të përfshirë në të, por dhe për faktin që asnjëherë s’u mor vesh ç’e kishte shtyrë të riun Fredrik fon Sidou të kryente një krim të tillë, ngjarja bëri shumë bujë.

Për vite me radhë autorja e librit kishte jetuar nën hijen e këtij krimi, që lidhej me familjen e saj. Jalmar fon Sidoun ajo e kishte gjysh. E megjithatë, askush në familje nuk fliste kurrë për këtë tragjedi, deri ditën kur Helena Henschen vendosi të hetonte të shkuarën e familjes së saj. Por ky roman s’duhet parë kurrsesi thjesht si historia e një familjeje, apo e një krimi. Aftësia e autores është që ajo ia del të japë mjeshtërisht portretin e asaj shoqërie në të cilën ndodhi ai krim.

 Helena Henschen, e lindur dhe e rritur në Stokholm, një personazh i njohur i jetës kulturore si ilustruese librash për fëmijë, e para së gjithash si krijuesja e kompanisë së mirënjohur të dizajnit ‘Mah-Jong’, u bë e famshme në vitin 2004 me romanin e saj “Në hije të krimit”, për të cilin u nderua me një sërë çmimesh letrare, ndër të cilët atë të Akademisë Suedeze të Arteve, si dhe Çmimin e Bashkimit Europian për Letërsinë (2009).

Helena Henschen: Në hije të krimit

 

Përktheu Virgjil Muçi

 

 

Parathënie

 

“Në hije të krimit” është një roman i bazuar në një ngjarje të vërtetë në familjen e sime mëje. Libri, me aq sa ishte e mundur, bazohet në të dhëna të nxjerra nga arkivat publike dhe bibliotekat dhe, me nja dy përjashtime në të nuk gjen kurrfarë materiali personal, fjala vjen letra, ditarë ose sende të ngjashme, duke qenë se nuk është ruajtur. Kur faktet e dokumentuara nuk mjaftonin, atëherë shtija fantazinë në punë dhe historia është përforcuar me biseda me persona që e mbajnë mend atë ç’ka ndodhur.

Hija e krimit ra mbi ata që mbijetuan dhe, pavarësisht faktit se i përket të kaluarës së largët, kjo ngjarje vijon të dhembë edhe sot e kësaj dite. Për këtë arsye kam bërë kujdes me emrat dhe disa persona në libër i kam thirrur ndryshe nga ç’quhen në jetën e vërtetë. Motrat e mia Mari Henschen, Dagmar Ulson dhe Isabell Schmidt e kanë ndjekur punën time me mjaft kujdes. Ky libër është një interpretim vetjak i asaj që ka ngjarë, por edhe ato morën pjesë në kërkimet për të dhënë një përgjigje se çfarë ndodhi dhe sesi ndikoi mbi pjesëtarët e tjerë të familjes.

Dëshiroj të falenderoj Els Aleksanderson, Loti Dolk, Helen Freeman, Jan Haldin, Kristin Henschen, Aksel Heiman, Anders Isakson, Saski Lagerbjelke, Inger Liljefosch, Monika Schwarz, Tuli von Sydow, Anji Tregor dhe Birgitte Vadstrem që, në një mënyrë ose një tjetër, u përfshinë në lindjen e këtij libri. Pjesëtarët e familjes Von Sydow më mbështetën me synimin e mirë të zbuloj atë çka në rrjedhën e viteve kishte pasë qenë e vështirë për t’u prekur, më ofruan ndihmë dhe më ofruan qasje në arkivin e dokumenteve familjare. Në fund falenderimet e mia shkojnë për Lenart Strem për përkrahjen e dhënë përgjatë gjithë procesit të gjatë të punës.

Helena Henschen, Stokholm, maj 2004.

 

——————————

UPSALA, 7 mars 1932

Studenti i drejtësisë Kristian Fredrik Viktor Albert fon Sidou, 23 vjeç, i lindur më 4 qershor 1908, rreth 1.78 cm i lartë, i hajthshëm, i gjatë, pak i mufatur në fytyrë, flokët të përhime, të ndara në anën e djathtë, sytë ngjyrë gri në blu, të mëdhenj, hundën me pak kurriz me një shenjë të zhdrejtë mu në mes, buzë mesatare dhe po ashtu edhe mjekra, si dhe një vrajë më të vogël, por të thellë në nofullën e poshtme nga ana e djathtë, me gjasë ka veshur një setër të zezë, pantallona me vija, qafore të bardhë, kravatë të zezë, pallto ngjyrë gri të hapur dhe kapelë të zezë.

Zonja Sofia fon Sidou, 23 vjeç, e lindur më 6 mars 1909, afro 1.75 cm e gjatë, shtathedhur, leshra në ngjyrë kashte, mjaft e hijshme në pamje, veshur një fustan në ngjyrë të errët, pallto të gjatë deri në fund të këmbëve me një vilar astragani në fund dhe te mëngët, kapelkë të zezë dhe këpucë të sheshta të zeza.

Shpallet mandat arresti për të dy këta persona të dyshuar për vrasje.

 

Drejtoria e policisë Stokholm

Mandati i arrestit i mbërriti policisë së Upsalës në orën dhjetë të mbrëmjes, të hënën më 7 mars 1932, disa orë mbasi gjykatësi i qarkut Jalmar fon Sidou dhe dy shërbyese u gjetën të vrarë në banesë në rrugën Nor Melarstrand[1] në Stokholm. Fill pas kësaj ngjarjeje i dyshuar për vrasjen është i biri i viktimës, Fredrik fon Sidou.

Fredriku dhe e shoqja, Sofia, mbërritën me taksi në Upsalë po atë mbrëmje, në orën tetë e njëzetë. Automobili u ndal para hotelit Stadshotel. Të nesërmen kur lexoi në gazeta për vrasjen dhe pa fotografinë e çiftit, taksisti Erik Oskar Valdemar Nordkuist ishte i sigurtë se kish pasur në taksinë e vet Fredrik fon Sidoun dhe të shoqen. Ai i ra në të se në realitet zonja fon Sidou ngjante shumë më e bukur nga ç’e tregonin fotot e gazetave.

Ata të dy kërkuan një dhomë të lirë në Stadshotel, ndërkohë që dhomat, të gjitha, ishin të zëna. Dihet se çifti e la hotelin dhe shkoi në restorantin Jilet pranë sheshit Firis[2] në Upsalë diku para tetë orësh. Garderobisti Ernst Gustav Norman i njohu bashkëshortët fon Sidou dhe shënoi kohën e mbërritjes së tyre.

Po ia mbathnin nga vdekja për të mbërritur te vdekja. Dëshironin vetëm ta shtynin edhe cazë, edhe një grimë jetë më shumë. Udhëtimi i tyre përfundonte në kohën e mbylljes së restorantit Jilet diku aty nga mesnata.

Të hënën e këtij muaji, më datë 7, mes orës 10.25 dhe 10.30 në mbrëmje, zonja Sofia fon Sidou u vra me një të shtënë revolveri që ia drejtoi në kokë i shoqi, Kristian Fredrik Viktor Albert fon Sidou, ndërkohë që bashkëshortët fon Sidou gjendeshin në fuaje, në mes të shkallëve, në hotelin Upsala Jilet, në Upsalë. Fill paskëtaj dhe në të njëjtin vend zoti fon Sidou ia hoqi vetes, duke shtënë me të njëjtin revolver në kokë.

 

 

Drejtoria e policisë Upsala, Policia kriminalistike

Orët e fundit të Sofisë dhe të Fredrikut u rindërtuan nga policia mbasi u dëgjuan dëshmitarët. Rrjedha e ngjarjeve ishte përnjëmend emocionuese, jo vetëm për faktin që Fredriku e shkrehu revolen vrasëse në brendësi të restorantit, por edhe të rekuizitës provokuese: shampanjë, gocave të detit, trëndafilave dhe muzikës që porositën orkestrën të luante enkas për ta – një dalje e denjë nga një skenë teatri. E vërteta mbetet e paqartë, ngjarja u rrethua me të përfolura dhe gënjeshtra, teksa vrasjet u bënë tema qendrore e të gjitha bisedave, jo vetëm në Upsalë, por në mbarë vendin.

Askush nuk ka mundur të shpjegojë se për ç’arsye Fredrik fon Sidou i mori jetën të atit dhe dy shërbyeseve të familjes. Askush nuk dinte gjë, dhe në rrjedhën e hetimit të krimit nuk u pikas kurrkund kurrfarë motivi. Gjë prej gjëje nuk dihet se çfarë ndodhi në kokën e Fredrikut dhe çfarë e shtyu të ndërmerrte një akt aq të dhunshëm atë mbrëmje marsi. Kanë kaluar shtatëdhjetë vjet dhe kjo histori vazhdon të mbetet po aq enigmatike sa edhe asokohe. Mes pjesëtarëve të mbijetuar të familjes është e ndaluar që kjo ngjarje të zihet ngoje. Bëhet fjalë për një të fshehtë që s’duhet prekur. Ngjarja nuk ekziston sikur të mos ketë ndodhur kurrë. Ndoshta bash për këtë ekzistenca e saj bie kaq shumë në sy.

 

[1]Norr Mälarstrand, rrugë në qendër të Stokholmit, në breg të liqenit Kungsholmen. (Shën. i përkthyesit. Të gjitha shënimet këtu e më pas janë të përkthyesit).

[2]Fyristorget, shesh në Upsalë, i quajtur sipas fjalës Fyris që rrjedh prej qytet.

Please follow and like us: