Albspirit

Media/News/Publishing

Lulzim Tafa: Gueorgui Konstantinov, poeti që më nuk i gjen shokët në lojë

Georgui Konstantinov është poet (disident) bullgar, autor i mbi tridhjetë librave me poezi. Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, japonisht, hindisht, rusisht, gjermanisht, frëngjisht, ukrainisht, polonisht Etj.
Ka qenë redaktor në Televizionin Bullgar. Ishte përjashtuar nga Partia Komuniste Bullgare, për shkak se kishte botuar një poemë “të papërshtatshme” për kohën në gazetën “Fronti Letrar”.
Pas rënies së Komunizmit ka qenë anëtar i Parlamentit dhe pjesë e qeverisë. Po ashtu nga viti 2000 deri në vitin 2014 ka qenë Kryetar i PEN-Qendrës Bullgare, kurse tani është kryetar nderi i PEN-it Bullgar.
Konstantinov është një poet i jashtëzakonshëm.
Ka shumë kohë që i kam premtuar se do ta “njoftoj” me lexuesit e poezisë shqipe. Më në fund gjeta kohë ta përkthej këtë poezi të shkurtër, me një titull nostalgjik për të gjithë ne që e kemi luajtur lojën HIDE-AND-SEEK apo Kukafshehtas.
Kjo lojë është luajtur nga të gjithë fëmijët edhe në vendin tone, loja ka emra të ndryshëm në regjione të ndryshme të Kosoves. Është fjala për lojën kur njëri i mbyll sytë dhe të tjetër fshihen, pastaj ai i kërkon derisa i gjenë të gjithë.
Poeti Bullgar në këtë poezi-film kthehet në vendlindje i vetmuar, i mbyll sytë, numëron pa hile deri në 10, i hap sytë por shokët më nuk i gjen askund, ata tani ishin fshehur nëpër tokë.
Poezi nga: Gueorgui Konstantinov
Përktheu: Lulzim Tafa, Botuar në KultPlus
KUKAFSHEHTAS
Një ndjenjë spontane
më kthen në vendlindje,
e heshtur është tani
kodra e fëmijërisë sime.
I mbaj sytë mbyllur
duke e shtypur fytyrën
përballë lëvores së errët
Të një mani.
Me një zë kërcitës,
E pa mashtrim,
Numëroj deri në dhjetë…
Pastaj filloj të kërkoj
Shokët e mi të fëmijërisë
I kërkoj këtu,
atje, kudo…
Por nuk i gjej më askund
Tani ata
janë fshehur nëpër tokë
Please follow and like us: