Albspirit

Media/News/Publishing

Ymer Çiraku: Shënime për përmbledhjen me tregime “Vjedhësi i librave” i Shpëtim A. Emirit

 

Kohëve të fundit u botua libri me tregime “Vjedhësi i librave”, me autor Shpëtim A. Emiri. Është libri i tetë i këtij autori, brenda një harku prej dhjetë vitesh, qysh se kur botoi librin e parë. Shfaqet në letërsinë shqipe si një shkrimtar i pabujshëm, apo siç ka shkruar për të poeti i shquar dhe i paharruar Petrit Ruka, hyn vonë në këtë letërsi, përmes një ndrojtjeje të hijshme, që është ajo ‘frika’ e bukur dhe e përgjegjshme ndaj fjalës – njerës prej mjeshtërive më të vështira të kësaj bote. Me profesionin inxhinier ndërtimi, duke punuar prej shumë vitesh nëpër kantiere të Shqipërisë, në këtë libër të ri – autori përcjell një varg kronikash të gjalla mbi fate njerëzish, që provojnë iluzione e drama, vetmohim idealist e zhgënjime të thella… Duhet theksuar se në këto tregime, ndihet një vështrim filozofik i asaj jete, me reflektime të thella e të besueshme, por edhe me buzëqeshjen, që vjen natyrshëm prej njohjes së robërimit absurd e pastaj çlirimit prej atyre paranojave ideologjike të kohës. Titulli i librit me tregime “Vjedhësi i librave” çliron metaforën me valencë të qartë kuptimore: janë aradhet e “vjedhësve“ kokëulur të dijes, dhe, përballë tyre analfabetët funksionalë e ngrehalucë, që patën rastin e vazhdojnë ta kenë, që të bëheshin e të bëhen kallauzët (dallkaukët) e së ardhmes sonë. Tregimet e këtij libri, enden pikërisht në këtë rrjet të mençur përballjesh të mentaliteteve, mes të cilave, rrjedh nëpër shtjella e travaje të egra nga jeta jonë sot. Është një libër që të vë në mendime për çka jetuam e çka po jetojmë. Natyrisht, e thënë/transmetuar kjo situatë me gjuhën e artit të rafinuar. Por ama të pa zbukuruar e të pa këndellur me dozat e një optimizmi zbukurues. Sikundër e ka edhe titull të tregimit të parë të këtij libri: “Krisje e imazhit të jetës”, autori është ndjekës konseguent i kësaj “krisjeje”, pra ndjekës i përshkrimit të jetës jo në trajtë drejtvizore, por me kundërthëniet e saj më komplekse e më të papritura.

Please follow and like us: