Albspirit

Media/News/Publishing

Agron Hasanaj: Arti vizual, traditë e përcjellë ndër vite nga një brez tek tjetri

Përgatiti për Gazeta Dielli, E.B. Nju Jork

 

Pedagogu i shquar z. Agron Hasanaj, nëpërmjet studios së tij të mirënjohur “Art Studio Kavalet” ka fuqizuar ndër vite breza të artdashësve. Veprimtaria e tij artistike dhe edukative ka tërhequr vëmendjen e publikut artdashës shqiptar dhe të huaj, për idetë, tematikën dhe mesazhet e larmishme në pikturën e tij. E veçantë e veprave të tij personale si dhe në grup nga studentetët e studios së tij, janë pasqyrimi i mitologjisë shqiptare dhe bukuritë natyrore të trevave shqiptare, të interpretuara me nivel të lartë artistik, koloristik dhe tipik të tij.

Agron Hasanaj është artist i talentuar në artet e fotografisë, pikturës, dhe skulpturës si dhe pedagog i studios së famshme “Art Studio Kavalet”. Ka lindur më 1967 në Tiranë. Në 1985 kryen studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dega pikturë. Në vitin 1991 zhvendoset në Berlin.

Në 2009 Agron Hasanaj diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, dega pikturë kavaleti, me prof. Edi Hilën. Më pas studion për një vit në Akademinë e Arteve në Dusseldorf, Gjermani me prof. Reinhold Braun dhe Arnim Tölke.

Në 2005 Agron Hasanaj krijon Art Studio Kavalet, një atelie arti profesionale me prioritet edukimin artistik në zhanret: Vizatim, Pikturë, Skulpturë dhe Fotografi. Me qasjen e saj integruese ndaj artit Studio Kavalet u ofron studentëve mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar aftësinë e tyre krijuese (www.artkavalet.com).

Ekspozita të përzgjedhura

2003 – “Marubi”, Ekspozita e fotografisë, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

2004 – “Marubi”, Ekspozita e fotografisë, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

2005 – “Marubi”, Ekspozita e fotografisë, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

2009 – “I muri dopo Berlino”, Ekspozitë në grup, Spazio Tadini, Milano, Itali.

2017 – “Watercolor Rhapsody”, Ekspozitë personale, Galeria FAB, Tiranë.

2018 – “Ksamil 2018”, Ekspozitë në grup, Qendra Dea, Sarandë, Shqipëri

2018 – “Small Canvas”, Ekspozitë personale, Galeria e Artit, Sarandë, Shqipëri

2021 – “Festivali Frankofon”, Ekspozitë në grup, Sozopol, Bullgari.

Gazeta Dielli: Kur filluat të merreni më zanafillën krijuese si piktor, fotograf dhe skulptor?

Agron Hasanaj: Fillimet e mia datojnë shumë herët, qysh në fëmijëri. Vizatimet e para datojnë rreth moshës 6 vjeç. Me kalimin e viteve këto eksperienca u rritën dhe u kultivuan më shumëˇ, sidomos në Liceun Artistik Jordan Misja Tiranë dhe më pas në Akademinë e Arteve Tiranë dhe Akademinë e Artit Dusseldorf.  Përveç pikturës, kam qenë gjithmonë i interesuar për zhanret e tjera artistike si skulptura dhe fotografia të cilat i kam lëvruar shpesh, veçanërisht gjatë periudhës që kam jetuar në Gjermani si dhe tani që kam studion time të Artit.

Gazeta Dielli: Krahas studimeve në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, jeni diplomuar në Akademinë e Artit në Tiranë, dhe më pas keni studiuar një vit në Akademinë e Arteve në Dusedorf. Na flisni pak rreth kësaj përvoje?

Agron Hasanaj: Që kur jetoja në Gjermani, dhe u njoha me kulturën dhe Artin e atij vendi aspiroja të studioja në një nga shkollat e artit atje. Pas mbarimit të Akademisë në Tiranë, mu dha mundësia të aplikoja dhe të pranohesha në Akademinë e Artit në Duseldorf, një nga shkollat më të mira të Artit në Gjermani. Ishte një përvojë shumë mbresëlënëse dhe me shumë risi për mua si artist, siç është liria në përzgjedhjen e tematikave, realizimi i tyre duke ndërthurur teknika të ndryshme si instalacion, fotografi etj dhe fryma e kritikës dhe bashkëpunimit me studentë dhe pedagogë nga kombësi të ndryshme.

Gazeta Dielli: Na flisni pak më tepër për përvojën tuaj si pedagog? 

Agron Hasanaj: Puna me studentët është shumë emocionuese pasi secili student është unik me historinë dhe motivimin e tij për t’u ushtruar në artet vizuale. Unë përpiqem të krijoj atmosferën e duhur ku çdokush që dëshiron të marrë edukim artistik mund të realizojë potencialin e tij të plotë në lartësinë që dëshiron. Është kënaqësi dhe shumë motivuese për mua si pedagog kur shikoj studentët e mi që realizojnë aspiratat e tyre artistike duke marrë pjesë në ekspozita të ndryshme ose duke u pranuar në shkolla të ndryshme të artit si në Shqipëri edhe jashtë saj.

Gazeta Dielli: Keni jetuar në Shqipëri dhe Gjermani. Çfarë ju ra në sy nga bota artistike e dy vendeve?

Agron Hasanaj: Bota artistike Gjermane është shumë dinamike, e mbushur me aktivitete ekspozita, galeri dhe panaire arti, kombëtare dhe ndërkombëtare që i japin mundësi artistëve të prezantojnë punimet e tyre denjësisht. Këto aktivitete në Shqipëri janë më të pakta.

Gazeta Dielli: Si përkrahen artistët piktorët dhe skulptorët nga institucionet shqiptare dhe ato gjermane?

Agron Hasanaj: Shteti Gjermani ndihmon përmes sponsorizimeve dhe aktiviteteve që organizon, dhënien e hapësirave për studio dhe ekspozime. Gjermania ka traditë artistike dhe fuqi ekonomike më të madhe dhe sigurisht edhe mbeshtetja për artin është më e madhe. Në Shqipëri bëhen përpjekje në krijimin e hapësirave për ekspozim. Studio Kavalet organizon çdo fund sezoni ekspozita me punimet e studentëve që organizohen pranë Institucioneve të ndryshme siç është Muzeu Historik Kombëtar, Qendra rinore ose Galeria pranë Akademisë së Arteve etj.

Gazeta Dielli: Sa vleresohen veprat e artit në Shqipëri? 

Agron Hasanaj: Interesi ka ardhur në rritje nga viti në vit. Organizohen konkurse për dekorimin e hapësirave publike përmes veprave të ndryshme të artit veçanërisht skulpture. Gjithashtu ka galeri dhe koleksionistë të cilët blejnë vepra arti.

Gazeta Dielli: Si lindi ideja për hapjen e studios Art Studio Kavalet?

Agron Hasanaj: Ideaj lindi duke venë re interesimin qe kishin miq dhe të njohur të mi për të marre mesime arti. Me kohë kjo kërkesë u rrit, numri i studentëve u shtua dhe u diversifikuan grupet e studentëve në zhanre të ndryshme aristike.

Gazeta Dielli: Në Shqipëri keni hapur disa ekspozita të suksesshme të fotografisë, pikturës dhe skulpturës. Na flisni pak për temne e ekspozitave “Mite & Legjenda” dhe “Muza e një Qyteti”?

Agron Hasanaj: Ekspozita “Mite & Legjenda” organizuar nga studentët e Studio Kavalet kishte si motiv dhe subjekt nderthurjen e artit me mitologjinë, veçanërisht asaj shqiptare. Arti dhe mitologjia mund të mendohen si një e vetme. Pa artin nuk do të ishte e mundur të njihnim ndonjë mit, ose tek e fundit njohja jonë do të ishte shumë e limituar. Në ditët tona shumë vepra arti që shihen në muze në një mënyrë apo një tjetër kanë lidhje me mitologjinë. Ekspozita “Muza e një Qyteti” me punimet e studentëve të Studio Kavalet ka si temë muzën apo frymëzimin që të ofrohet e që e gjen shpesh tek qytetet muze në Shqipëri si Berati, Gjirokastra dhe Butrinti. Vjetërsia si relika e tyre më e rrallë tundon artistët e çdo kohe të eksplorojnë nëpër hapësira e shtigje të pashkelura. Eshtë pikërisht modestia e këtyre peizazheve, rrugicave e portave me sokak që mbartin emocionin dhe nostalgjinë e kohës të cilat frymëzojnë gjithmonë.

Gazeta Dielli: Në Nju Jork dhe Teksas ka qendra kulturore shqiptare dhe shkolla shqipe me të rinj me origjinë shqiptare të lindur në Amerikë. A keni menduar për bashkëpunime me institucione të tilla edukative dhe kulturore? 

Agron Hasanaj: Prej vitesh në studio kavalet ka patuar studentë shqiptarë që jetonin në vende të ndryshme si Amerikë, Angli, Itali të cilët frekuentonin studion për periudha të shkurtëra sipas kohës që gjendeshin në Shqipëri. Interesimi i tyre ishte i madh sidmos për tema që lidhen me kulturën dhe traditën shqiptare, peizazhe të qyteteve, apo veshjeve tradicionale Duke parë këtë interesim kam menduar gjithmonë për gjetjen e mundësive për organizimin e projekteve të ndryshme të mësimdhënies apo workshop-eve artistike në vendet ku banojnë shqiptarë në Amerikë dhe Europë. Kjo do të krijonte mundësi për prezantimin dhe njohjen e kulturës dhe traditës shqiptare përmes artit tek brezat e rinj qe po rriten jashtë Atdheut, si dhe japin mundësi për të tërhequr një publik sa më të gjerë shqiptar dhe jo vetëm.

Këto workshop-e mund të përmbyllen me një ekspozitë gjithpërfshirëse me punimet e studentëve pjesmarrës.

Të interesuarit për të organizuar evente dhe bashkëpunime kulturore-artistike-edukative në Sh.B.A dhe Europë mund të lidhen me studion me Tel, +355 684 067 771, me e-mail artkavalet@gmail.com ose në webfaqen www.artkavalet.com.

Please follow and like us: