Albspirit

Media/News/Publishing

Dollenberg: Federata e mjekëve shqiptarë, një realitet i ri në Europë

 

Intervistë me Aurora Dollenberg, kryetare e Federatës “Mjekët shqiptarë në Europë”

 

Juli Veizi

 

Përse e patë të domosdoshme krijimin e një federate të tillë?

Domosdoshmëria e krijimit të federatës ‘Mjekët shqiptarë në Europë” lindi nga nevoja për rrjetëzimin e mjekëve shqiptarë të shpërndarë në gjithë Europën. Janë rreth 3 mijë mjekë që punojnë dhe jetojnë në 25 vende të ndryshme rë Europës dhe kanë përfaqësimin e tyre brenda federatës.

Kush bën pjesë në këtë shoqatë dhe a keni filiale në vende të tjera perëndimore?

Në këtë shoqatë bëjnë pjesë mjekë dhe specialist të fushave të ndryhsme që kanë bërë karrierë të madhe ndërkombëtare në shtete të ndryshme të Europës por edhe shumë bluza të bardha, infermierët, fizioterapistët, logopedistët, etj. Gjithashtu çdo atdhetar dhe akademik që identifikohet me synimet e federatës mund të bëhet pjesë e saj dhe të kontribuojë vullnetarisht.

Në mënyrë të përmbledhur, cilat janë disa nga veprimtaritë e kësaj shoqate profesionale?

Federata e mjekëve shqiptarë në Europë ka për qëlim në radhë të parë të rrjetëzojë mjekët dhe bluzat e bardha në gjithë Europën, me qëllim që ata të kenë mundësi të zhvillojnë konferenca, trajnime dhe simpoziume shkencore për të rritur aftësitë e tyre profesionale, por edhe për të ndihmuar me njohuritë e tyre vendet shqipfolëse. Njëkohësisht fedarata lobon në institucionet europiane për t’i bërë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut si pjesë të Bashkimit Europian.

Cili është bashkëpunimi i kësaj shoqate me institucione shtetërore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut?

Federata e Mjekëve Shqiptarë ka bashkëpunuar me sukses, sidomos me institucionet shëndetësore në Shqipëri, në Kosovë dhe po ashtu pjesërisht me Maqedoninë e Veriut. Një ndër sukseset më të mëdha ka qenë marrja e një donacioni prej shtetit norvegjez, rreth me 100 mijë doza të vaksinës ‘Astra Zeneca” që u dërgua në Kosovë. Me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë kemi hartuar protokollet më të fundit të trajtimit të Covid-19, të cilat janë transmetuar edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Përfudnimet e konferencave e ndryshme mbi studimin e fundit të vaksinimit dhe përdorimin e saj gjithashtu janë bërë të njohura në tri vendet shqipfolëse.

Po me institucionet europiane, a keni patur bashkëpunime?

Takimi i fundit që kemi pasur në Bruksel, në qershor të këtij vitit ka pasur efekte shumë pozitive në lidhjen e marrëdhënieve bashkëpunuese në Europë dhe me institucionin e kontrollit të barnave, EMA. Me të dyja këto struktura europiane kemi pasur mundësi të diskutojmë idetë dhe të hartojmë protokolllet se si mund të ndihmojmë vendet shqipfolëse në muajt dhe vitet në vazhdim.

Kështu që jemi të lumtur që kemi një kontakt të drejtpërdrejtë me këto institucione europiane.

Të punosh mjek në një vend perëndimor, natyrisht se kërkon edhe një shkallë të lartë profesionalizmi, si keni arritur ju personalisht?

Të punosh si mjek në Bashkimin Europian kërkon jo vetëm një shkallë të lartë profesionalizmi, por gjithashtu integritet si njeri dhe si mjek pasi vlerat njerëzore transmetohen edhe te pacienti duke u vlerësuar ato si njerëz, duke pasur parasysh gjithë historinë e tyre familjare e mjekësore sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund të jemi të besueshëm.

Ekspertiza juaj a është marrë ndonjëherë nga institucionet shqiptare?

Ekspertiza e federatës së mjekëve shqiptarë në Europë fillimisht nuk është marrë parasysh na institucionet shqiptare, por më pas me këmbënguljen dhe profesionalizmin tonë është pranuar duke punuar së bashku me institucionet shëndetësore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Kështu mund të themi se kemi një bashkëpunim të frytshëm me institucionet e tri shteteve sepse janë identifikuar qëllimi dhe mjetet e përbashkta në në dobi të shëndetit të pacientit dhe në përballimin e pandemisë.

Në këndvështrimin tuaj: çfarë duhet të ndryshojë në sistemin shëndetësor shqiptar?

Në sistemin shëndetësor shqiptar ka ende shumë deficite, të cilat nuk mund t’i realizojmë brenda një periudhe të shkurtër, është një proces i gjatë që do të shkojë edhe përtej pandemisë. Mjekët e federatës do të kenë një rol kyç në sistemin shëndetësor shqiptar. Në si mjekë që kemi profesionalizëm dhe pavarësi ekonomike nga shteti shqiptar do të jemi kontributorë vullnetarë në përmirësimin e sistemit shëndetësor shqiptar.

Po për universitetin e Mjekësisë, çfarë do të sugjeronit të ndryshonte?

Në universitetin e Mjekësisë në Shqipëri, sikundër në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut ka po ashtu shumë hapësira për përmirësim duke filluar nga fakti që studentët e mjekësisë akoma nuk kanë mundësi të bëjnë praktika të mirëfillta te pacientët, të ushtrohen për teknikat dhe të kualifikohen në laboratore mjekësore. Në këtë drejtim jemi duke hartuar disa plan-projekte për të bashkëpunuar me universitetin e Mjekësisë dhe studentët e mjekësisë në të tri shtetet në mënyrë që nga muaji në muaj këto deficite të plotësohen dhe që të ndihmojmë në rritjen e profesionalizmit të mjekëve shqiptarë dhe për ta bërë atë një mjekësi sa më europiane. Kërkohet shumë punë dhe vullnetarizëm për të rritur profesonalizmin e mjekësisë shqiptare.

Dollenberg: Diaspora mjekësore, një shtyllë kryesore për mjekësinë shqiptare

 

Please follow and like us: