Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmir Terziu: Koha, fruti i talentit të hershëm të Shefqet Mekos

Tashmë koha ka fluturuar jo vetëm në vite, por dhe në gjeografi për penën e shkrimtarit Shefqet Meko. Edhe pse ka ndodhur kështu, pena si penë mban një lidhje të fortë në filozofinë e vetë kohës, vendit dhe hapësirës. Ajo rendit të renë, me qasjen e memorjes së vjetër, përshtat vendin në pozitën e re dhe në pozicionin e ri, dhe mbush hapësirën e vet me frymëmarjen e dihatjen e gjërave që kanë si parim Njeriun e kudondodhur.

Kështu me këtë risi pena e tij para disa javësh zbriti të gjendej në mesin e emrave të njohur të letrave shqipe në ambientet e tij të mbushura me memorjen e gazetarisë, publicistikës dhe ndodhive frymëzuese shqiptare për të promovuar një libër të ri me një titull tipologjik të kësaj filozofie “Saga përtej Atlantikut”. E mes kësaj libri natyrisht i la vetveten arsyes, e fjalët përcollën sërrish atë që e bën tejet të rëndësishme për ta përcjellë tek lexuesi, edhe pse dikujt i duket gjuha sarkastike, ajo mbetet primari i saj didakt i mesazhit. Lexuesi ynë e ka njohur më parë këtë emër, që tashmë bën këndin e tij të vlerësuar letrar në mesin e vet krijimtarisë… E tashmë Meko, nuk është thjesht „ikanaku“ shqiptar, por ai që e la gjurmën e tij narative tek “Unë, ikanaku shqiptar”, që tërhoqi këmbën zvarë për të prurë dhe disa tituj të tjerë të mbarë. Por, le të sjellim sërrish kohën e tillë, atë që e bëri Mekon të frymëzohet dhe frymëzojë penën e tij të mbushur majë më majë ndër vite…
Shefqet Meko mbetet me kohën
Gazetari dhe publicisti shqiptar, Shefqet Meko vjen sërish në kohë. Vjen me kohën. Kohën e tij të fjalëzuar. Kohën e ‘transportuar nën sqetull’, tej e tutje, kohën me laps e me penë në dorë. Dhe aty nën dihatje pene shtriqet vetë koha. Koha elementi me të cilin flet për kohën, pena e hershme e Mekos. Koha si faktor, koha si element, koha si personazh, koha si një jetë e tërë e ndarë, e copëtuar në grima publicistike. Koha që nis në Pogradec, rreket në mjedisin shqiptar të intelektualit, dhe kalon nën ‘strofka’ e grimime kujtimesh studentore që pastaj përjetojnë njeriun, mikun, politikanin e madje dhe Presidentin. Koha që pikëtakon në rreth 150 faqe atë proklamacion shpirti të Mekos: “Unë, ikanaku shqiptar”.
Unë, ikanaku shqiptar” është një projekt ambicioz që çel një sërë projektesh jetike të Shefqet Mekos. Është struktura që mban investimin kohor të hershëm të Mekos, investimin që vazhdon ta përjetojë edhe sot teksa bashkon me frymë letrash kontinentet. Natyrisht më tepër se një pikëtakim që zgjat thjesht fletë librash.
Një pikëtakim që zgjat fletë librash
Dhe në kohë të qetë londineze, gri të pushtuar nga malli, gri të qetë në natyrën londineze, pikëtakimi që rizgjoi kohërat është një nyje gjigande në kaplimin mes fletëve, në mosdehjen e lotëve të qelqtë, që struken si nuse të turpshme në odën e nxehtë prush të zemrës. Një pikëtakim që zgjat fletë librash, ‘dhurata’ përshpirtjesh dhe ndjenjash njerëzore, ndjenja të hershme respekti.
Ndjenja që u zgjuan tek Meko, ndërsa kapërcente të pesëmbëdhjetat, larg mollëve të ëmbla të Pretushës së Pogradecit, për të ndjekur nga pas pasionin e tij ndaj letërsisë mes një pasoje të detyruar që të studionte veterinari. Por koha nuk la tek ai asnjë pendim. Letërsia po aq edhe profesioni i tij mbetën udhëtarë në ëndërrat plot pasion të Shefqet Mekos…
Një lexim i ndjeshëm
Unë, ikanaku shqiptar” lexohet qetazi. Një lexim i ndjeshëm. Shije plot, në tërë semantikën e qetësinë shpirtërore të Mekos. Fletë pas flete, në të njëqind e pesëdhejtat e tij, “Unë, ikanaku shqiptar” është një almanak dhimbjeje, jo thjesht nga therrja në shpirtin e njeriut me Atdhe në ikjen e tij, por me brengën e gjërave, atyre gjërave që Deleuze do t’u shtonte „anatemën literate“, ose lidhjen e dihatjes me përshpirtjen e qetë në leximin letrar. Dhe kështu parathënia e ngjarjeve nis aty nga fundi i tetorit 1999, vitin me tre nënta, diku në një nga kafenetë e shumta buzë Lanës në Tiranë.
Meko si një protagonist në një komunikim miqësor me një mikun e tij, ndërsa një bicikletë për dore, dhe një shkundje e një skuqje gjatë bisedës e bën të ngjizet me një ikje drejt Amerikës. Me një ngjizje që do të zgjonte tek protagonisti i “Unë, ikanaku shqiptar” një retorikë e cila do të bëhej më pas kryefjalë e një jete tjetër në “Atdheu-n tjetër’ nëse do të huazonim këtë nga shkrimtari Faruk Myrtaj, e që do të lakohej e lakohej si një kryeradhë vitesh: “Po kush të pret atje?”
Dhe fluturimi i Mekos drejt Amerikës erdhi në një kohë rekord. Ai ishte në destinacionin e tij, ishte atje ‘ku merrte frymë lirisht”. Por jo kaq lehtë. Jo. Meko nisi të gatuajë jetën nga e para dhe mori penën më pas të ndajë me ne fate njeriu tek “Unë, ikanaku shqiptar”…
Tjetri për Mekon
Mark Preçi teksa shkruan për mikun e tij në hyrjen e “Unë, ikanaku shqiptar” shprehet: “Në çdo faqe të këtij libri të mikut tim shoh përpjekjen për të rrokur të gjitha hapësirat e lirisë që të ofron jeta amerikane, por edhe shqetësimin për rrjedhën e jetës politike dhe shoqërore në Shqipëri”. Dhe vërtet ashtu është. “Unë, ikanaku shqiptar” dhe vetë autori janë pjesë-pjesë të ndara e të bashkuara përjetimesh, ankthesh, trishtimesh, gëzimesh e ndjesish.
Kështu “Unë, ikanaku shqiptar” merr jetën letrare në një ‘Shpjegim për ikjen..” dhe përfundon “Nën një çati në Selanik” me Dr. Luan Zykën, duke i kushtuar kohën njeriut me dhimbje madhi e vitesh, njeriut që bashkonte intelektualin me intelektualin e përmadhuar. Në brendësi te “Unë, ikanaku shqiptar” është dasma shkodrane në Minesota, baca i Minesotës, por edhe meditimi për babain dhe baballarët e tjerë, ndërsa fatet e politikës dhe sociales janë një gërvishtje jete dhe brenge në penën e Mekos. Dhe ndërsa unë do të rilidhesha në vitin 2008, pas gati dy dekadash e më shumë me gazetarin e ish “Zërit të Rinisë” dhe “gazetës “Vullnetari”, atëherë një i panjohur për mua, që shkruante për punën time me pasion e përkushtim në Suç të Burrelit, ndërsa komandoja një sektor me 1200 vetë në një moshe realtivisht të re, në atë kohë trysnish politike, do të ishte edhe një lidhje mes fjalës së artit.
Fatet tona
Në një shkrim timin me shqetësim emigracionin, ikjen e njeriut për arsye të ndryshme, Meko do citonte: “Ikja është dhimbje dhe shpresë”. Unë do të habitesha edhe pse edhe vetë isha në këtë ikje…, por më tej fjala e tij do të ishte, ndoshta si një projekt për librin e tij të mëvonshëm: “Ne “ikanakët” kemi fatet tona që duhet t’i përballojmë në mënyrën që na vijnë. Largësia dhe emigrimi janë sfidë e çdo kombi…Nëse e shohim veten në një situatë të vështirë, duhet të kërkojmë shpresë dhe të krahasojmë për të gjetur shpresë dhe kurajo…Kjo kohë ka shumë padrejtësi dhe me sa duket shqiptarët ende janë në ata që paguajnë haraç ndaj kësaj bote plot padrejtësi…. Shkrimi në fjalë evidenton një plagë që nuk e vuajnë vetëm shqiptarët por shumë njerëz të pafat…Ndaj duhet kurajo dhe vullnet për ti përballuar sfidat e ikjes dhe largësisë… Sepse kur je larg, lotët janë edhe dhimbje, edhe shpresë, edhe shkrehje, edhe ngushëllim. Shkrimi trajton këtë temë në mënyrë të mrekullueshme. Faleminderit Fatmir” (Shefqet Meko, Fjala e Lirë, e shtunë, 19 korrik, 2008).
Pra edhe në këtë fjalë të Mekos “Unë, ikanaku shqiptar” lexohet mes asaj qetësie që të fal koha dhe pasioni i penës së Shefqet Mekos. Por koha dhe pasioni i penës së Shefqet Mekos është edhe në një risi tjetër.
Kjo risi vjen tek mjeshtria e tij e përkthimit. Në përkthimin e tij profesional të “Çuditë e Amerikës” të autorit Derrik Xhonson, rrëfenjëzat befasuese nga Kontinenti i madh, Meko i kthen dhe i pikëlidh në ura kulturore mes dy fateve të njeriut.
Duke mbyllur
Kështu Meko, një njeri me kulturë dhe intelekt… mbetet një anë tjetër në lëminë e skicimit të indentitetit të riskuar shqiptar, këndej, andej dhe anasjelltas, në kohën, vendin dhe hapësirën e duhur. E ndërsa diku thuhet se ai shkrimtar erdhi në kohë, për Mekon mund të themi se ai risolli kohën në vetën e tij të parë dhe e bëri këtë kohë gjithnjë kohë për të gjithë vetat. Ai e ka ftilluar misionin e vet dhe e ka bërë kohë të qetë e ndjeshme.
 Meko nuk e ka filluar të ftillojë atë mision që të tjerët e kishin pikëtakuar e shkërmoqur më parë në lotë e dhimbje, por ai e ka ftilluar me stilin “Meko“, që natyrisht e tejçon në një kënd më të ndjeshëm e tejet të mirëpritur nga lexuesit e tij. Fundja këtë kërkon libri, shkrimi, pena dhe mendja me të cilën realizohen detyrimet e detyrat e talentit, që ka mëshuar penën e tij tashmë në disa tituj. Ndaj Koha si kohë filozofike, mbetet sfilata e stiluar mirë dhe më e avancuar, vetë fruti i talentit të hershëm të Shefqet Mekos. “Saga përtej Atlantikut” nuk mund të qëndrojë tashmë si një „mbyllëse“ e rendit të botimeve të këtij shkrimtari, tashmë me emër në bibliotekën e lexuesit, ajo pret të shoqërohet me një tjetër vepër, që natyrisht do të vijë mjaft shpejt dhe patjetër./fjala e lire
Please follow and like us: