Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: In memoriam, Teodor Laço!

Pesë vjet më parë, më 15 Tetor 2016 u shua personaliteti i shquar shqiptar në fushën e letërsisë, politikës, shtetarisë dhe aktivitetit qytetar, Teodor Laço
Ai u lind në Dardhë të Korçës në një familje emigrantësh më 29 Shtaor 1936. Pasi kreu studimet universitare në Institutin e Lartë Bujqësor, Tiranë, gjatë viteve 1958-’70, punoi si specialist në disa institucione bujqësore të Korçës e Bilishtit. Më pas, me debutimin e denjë në fushën letrare ai u caktua të punojë në sektorin e letërsisë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në Tiranë. Gjatë viteve 1975 – ’82 qarkulloi në Teatrin “Bylis” të Fierit. Si përgjegjës i redaksisë së filmit dhe drejtor i Kinostudios “Shqipëria e Re” ai punoi gjatë periudhës 1986-’92. Gjatë kësaj kohe është një nga kritikët konsekuentë e antikonformistë të politikave kulturore e artistike respektive.
Që në rininë e hershme është marrë me krijimtari letrare. Konsiderohet si një nga shkrimtarët më prodhimtarë e më cilësorë shqiptarë, i cili ka shkruar në shumë gjini e zhanre letrare si tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash artistikë, si dhe publicistikë politike e social-kulturore, të cilat e kalojnë numërin 50.
Prodhimtaria e lartë, mjeshtëria dhe niveli vetiak origjinal artistik mbeten tiparet kryesore të krijimtarisë së tij artistike. Ai mbetet një talent autentik qysh me tregimet e tij të hershme të sprovës që do ta angazhonin më tej në një prej gjinive më “konkuruese” të asaj periudhe, por edhe gjatë gjithë jetës së tij.
Tregimi e novela e shkurtër, kryesisht klasike, apo neorealiste shpërfaqin intuitën dhe finesën e rikrijimit të situatës apo ngjarjes spontane e të zakonshme në një zgjidhje letrare befasuse, të gdhendjes së personazheve e sidomos të momentit të tyre psikologjik, të lakonizmit, lirizmit e stilit të admirueshëm narrativ. Midis tyre vëllimet me prozë të shkurtër si “Rruga e Bardhë”, “Një natë shiu”, “Ajri i Ftohtë i Mesnatës”, “Portat e Dashurisë”, “Pylli në Vjeshtë”, “Vdekja e Nëpunësit X”, etj., mbeten modele krahasuese e referuse në prozën e shkurtër shqiptare.
Romanet, si një prej impenjimeve dhe prurjeve të shumta në krijimtarinë e tij letrare mbeten pjesa më përfaqësuese e prozatorit të kultivuar tashmë me kulturë e veti të thella artistike e estetike. Janë tablo të mëdha e të rëndësishme të jetës shqiptare në periudha e sfonde specifike historike, ekonomike e sociale me një konotacion të spikatur rikrijues të një mesazheri artistik me vetëdijë, qartësi, thellësi analize, fantazie e meditimi profesional, si dhe i stilit elokuent narrativ e gjuhës së bukur letrare. “Tokë e Ashpër”(1971), “Pëballimi”(1975), “Lëndina e Lotëve”, “Të gjithë lumenjtë rrjedhin” (1985), “Pushimet e Kolonelit” (1990), “Një vit i hidhur” (1995), “Gropas 67”, “Mjegull” (2009), etj., pasqyrojnë jo vetëm “rendimentin” dhe rrëshqitjen e shfrenuar të penës së tij në prozë, por po ashtu edhe popullaritetin e tyre artistik tek audienca intelektuale dhe lexuesit.
Pjesë integrale e krijimtarisë letrare të tij janë dramat dhe komeditë e shumta dhe po aq të suksesshme. Krahas të tjerash, veçori e tyre mbetet krijimi artistik i intrigës dramatike jo horizontale, por progresive e kulmore, i situatës së zhdërvjellët të mizansenës, i zgidhjeve artistike jo artificiale dhe larmisë së pafundme të karaktereve e personazheve të këndshëm, disa prej të cilëve kanë ngelur emblematikë. Të tilla drama e komedi si “Shtëpia në rrugicë”, “Një nuse për Stasin”, “Gjëmimi i atij dimri”, “Qyteti i akuzuar”, “Shi në plazh”, “etj. kanë lënë gjurmët e tyre në repertorin klasik të spektakleve dramaturgjke shqiptare.
Në lëmin e kinematografisë, Teodor Laço cilësohet si një prurës autoritar i disa prej skenarëve artistikë, mbi të cilët u realizuan një sërë filma me prirje të reja regjisoriale e artistike. Ato i dallon imagjinata, aksioni i rrjedhshëm dhe intensiteti dramaturgjik, aftësia e përzgjedhjes dhe origjinalitetit e shumëllojshmërisë së personazheve, psikoanaliza e tyre, gjuha e shkathët dhe e larme e, si rrjedhim, uniteti i tyre artistik me preferencat e suksesshme regjisoriale. Duke veçuar filmat “Përballimi”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time”, “Vitet e pritjes” mund të konstatosh se suksesi i tyre në publik u garantua së pari nga skenarët e tyre me vlera potenciale.
Gjithashtu, ai ka shkruar e botuar (pas vdekjes) edhe poezi.
Nuk mund ta konsiderosh të ezauruar veprimtarinë krijuese të T. Laços pa përmendur edhe publicistikën e tij kulturore, politike e sociale. Përveç dhjetra e dhjetra artikujve të këtyre gjinive, disa libra voluminozë me publicistikë reflektive social-politike e diplomatike e cilësojnë atë si një vëzhgues, përjetues dhe analizues të mprehtë të realiteteve historike kombëtare e ndërkombëtare. Mids tyre libriat voluminozë “Një dritare në Kremlin” dhe “Bashkëjetesë me Kohën” janë pa dyshim pasqyrë e angazhimit të tij serioz në realitete të reja të zhvillimeve politike të Shqipërisë postkomuniste.
Shumë prej veprave të tij kanë fituar çmime e vlerësime të rëndësishme kombëtare letrare, ndërkohë që një pjesë e tyre janë përkthyer e botuar në antologji në Francë, Britani, Itali, Rusi, SHBA, Turqi, Greqi, Bullgari, Rumani, Kosovë, etj
Një kapitull të rëndësishëm të veprimtarisë intelektuale të T. Laços përbën angazhimimi i tij në politikë e shtetari në kuadrin e shpërbërjes të sistemit politik të Shqipërisë gjatë dhe pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Si një prej intelektualëve antikonformistë, që paraprinë me krijimtarinë e tyre vizionin për nevojën e ndryshimeve politike e shoqërore kah demokratizimit të vendit, ai u përfshi në proceset e krijimit të pluripartitizmit në krahun liberal demokrat, fillimisht si një prej themeluesve e drejtuesve të partisë Social-Demokrate dhe më pas si krijues e drejtues për 10 vjet i partisë Bashkimi Liberal Demokrat. Gjatë kësaj kohe (1997-2005) ai zgjidhet deputet i parlamentit shqiptar. Midis viteve 1994-1997 emërohet ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe më pas, 2006-2008 e gjejmë si ambasador të Shqipërisë në Federatën Ruse.
Si politikan, ministër dhe diplomat T. Laço dallohet për pjekurinë, kapacitetin, përvojën e pasur jetësore, përkushtimin, konsekuencën, përfaqësimin, largpamësinë pasionin dhe punën e përpjekjet e palodhura për kontribut ndaj shoqërisë shqiptare, urtësinë dhe përqasjen progresive ndaj fenomeve shqiptare. Ai u largua nga politika me vullnet dhe i suksesshëm, kontribues dhe sidomos i vetëdijshëm se qarkullimi i brezave dhe elitave intelektuale e politike është e vetmja mendësi e mundësi për të shpejtuar ritmin e zhvillimit dhe progresit të vendit drejt integrimit evropian.
Ai vijoi të shkruajë me intensitet dhe të marrë pjesë aktivisht në jetën shoqërore e artistike shqiptare deri në fund të jetës së tij.
Në rafshin human natyra dhe jeta janë treguar tepër bujare ndaj tij. Ai mbetet njeriu me veti të rralla shpirtërore; mençuria, dashuria, zemërmirësia, thjeshtësia, humori, dëlirësia, çiltërsia, mbështetja, solidariteti, toleranca, bujaria e mbi të gjitha fisnikëria e tij ishin atribute të një vetëdijeje e kapaciteti të rrallë njerëzor e intelektual të rrahur me përvojat më ekstreme të jetës së gjatë personale, familjare e shoqërore.
Për kontributin e tij intelektual, krijues e veprimtar Teodor Laço mban “Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Parë”, “Çmimin e Republikës” si dhe emblemën “Qytetar Nderi” i Qarkut të Korçës.
Me këtë rast, qytetarët korçarë, të gjithë miqtë, kolegët, dardharët brenda dhe jashtë Shqipërisë, gjithë admiruesit e tij, duke e konsideruar shuarjen e Teodorit si humbjen e një kalorësi të sprovuar të letërsisë, politikës dhe humanizmit shqiptar do të ruajnë me respekt në memorje kujtimin dhe veprën e tij të vlerë e shumëdimensionale.
Please follow and like us: