Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: BANDA KOMBËTARE “VATRA” NË VËSHTRIMIN HISORIKO-USHTARAK

 

 

 

Objektivi strategjik i intelektualëve shqiptarë, kudo që jetonin ishte pavarësia, sovraniteti dhe shteti. Pavarësia e 1912-ës “u nis nga Stambolli”, nga zemra e Sulltanatit osman që i mbante trojet shqiptare nën pushtim. Ismail Qemali u kthye në Shqipëri në krye të një asambleje kombëtare prej 83 anëtarësh nga gjithë trojet shqiptare dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës më 28 nëntor 1912, krijoi një qeveri të përkohshme dhe i detyroi Fuqitë e Mëdha të mblidheshin më 17.12.1912 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Shqiptarët e mërguar në Amerikë, Egjypt, Stamboll, Paris, Romë, Sofje, Vjenë, Bukuresht etj., ishin gjithë ‘sy e veshë’ për lajme dhe të reja nga Shqipëria. Kishte rënë sërish “ora e Motit të Madh”. Shpresat ishin ringjallur dhe misionarët e shqiptarizmës kishin dalë në plan të parë. Edhe pionierët e artit muzikor nuk ngeleshin mbrapa në këtë ndërmarrje që i përkiste kombit, të ardhmes së tij. Djemtë e kulturës muzikore shqiptare, në mungesë të institucioneve, e kishin dhënë kontributin e tyre jashtë hapësirës administrative të katër vilajeteve. Jeta dhe muzika, formacionet muzikore, bandat lokale e deri tek bandat muzikore kombëtare kishin lindur dhe rilindur, kishin filluar regjistrimin në disqe dhe ishin në avangardë të fushave të tjera duke përqafuar modelet perëndimore. Korça, Shkodra, Elbasani dhe qytete të tjera shqiptare në fushën muzikologjike ishin me sy nga perëndimi, nga instrumentat dhe formacionet e bandave muzikore nën uniformë. Kudo fillimisht kishin lindur si frymëzuese e inkurajuese të ushtrive për fitore. Libri “Banda Kombëtare “Vatra”, një histori unike shqiptaro-amerikane i akademik Vaso Tole me 427 faqe dhe 11 kapituj është një memorial kujtesë për formacionin muzikor atdhetar të shoqatës “Vatra”, është një copëz e miqësisë shqiptaro-amerikane, është një trup plot ndjenjë. Banda Kombëtare “Vatra” ishte një Shqipëri në pentagram kur atdheu kishte nevojë, në kohë rreziku. Vlera e vlerave në një mision atdhetarie është momenti kur “Vatra” dhe “vatranët” nuk ishin vetëm me zemër, me ndjenjë, me përkrahje morale për mëmëdheun, por edhe me praninë fizike me luftëtarët në betejat për liri e pavarësi, sikurse erdhën djemtë shqiptarë të Amerikës në luftën kombëtare të Vlorës, në Dibër, në Koplik dhe kudo ku gjëmonte krisma e pushkëve për liri. Ajo që i madhi Fan Noli thoshte: “Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, u konkretizua faktikisht dy herë përgjatë një shekulli më 1920-tën dhe më 1999-ën, kur Nëna Shqipëri këtej e matanë kufirit lëshoi thirrjen për kushtrim, për liri, pavarësi dhe identitet. Federata “Vatra”, si rrallë organizime të tjera shqiptare jashtë vendit dërgoi luftëtarë, bandën muzikore “Vatra” dhe mbështetëse financiare për luftën për Pavarësinë e Dytë Shqiptare të 1920-ës.

Banda Kombëtare “Vatra”, lartësuese e moralit në llogoret e Luftës së Vlorës

Banda Kombëtare Muzikore “Vatra” ka historikun e sa tashmë të shkruar në një libër me burime të plota arkivore, nga një personalitet i fushës që e ka përshkruar librin si një obelisk vlerash nga themeluesi, dirigjenti dhe kompozitori Thoma Nasi, e deri tek veprimtaria në dobi të atdheut. Banda Kombëtare Muzikore “Vatra” edhe pse ka kaluar 101 vite nga lufta e Vlorës, veprimtaria e saj është gdhendur në kujtesën memoriale të luftës madhore kombëtare të Vlorës, luftë ku, 120 vullnetarë shqiptarë të Amerikës, të përgatitur nga federata “Vatra” në SHBA, erdhën në Shqipëri për të luftuar për çështjen kombëtare shqiptare, duke lënë Amerikën për të ndihmuar Atdheun në rrezik edhe përmes muzikës e koncerteve të saj, që u shtrinë nga Shkodra në Gjirokastër, nga Elbasani në Korçë, në Drashovicë, në llogoret e luftës në Kaninë, Kotë, Babicë ku ishte ndezur Lufta e Vlorës. Banda Muzikore “Vatra” me këngët e saj patriotike mbajti lart moralin e luftëtarëve shqiptarë të 89 çetave të ardhura në Vlorë nga e gjithë Shqipëria, që luftonin furishëm në Tepelenë, Drashovicë, Kotë, Risili, Bunavi, Bestrovë, Llogora, përreth qytetit emblem të Vlorës. Janë mjaft domethënëse hyrja në qytetin e Vlorës ditën e fitores më 3 shtator 1920 të bandës “Vatra” të shqiptarëve të Amerikës si dhe banda muzionore “Afërdita” e Elbasanit. Në cilën luftë të mëparshme kishin marrë pjesë dy banda muzikore dhe për më tepër direkt në forontin e luftës?. Detaje, fakte, argumente, burime dokumentare rreth historisë 100 vjeçare të bandës muzikore “Vatra” i gjejmë të përmbledhura nga studiuesi akademik dhe muzikologu Vaso Tole tek studimi: “Banda kombëtare “Vatra” – një histori unike shqiptaro-amerikane”, libër që është tashmë në dorën e lexuesit në kuadër të 100 vjetorit të ardhjes së tyrë në Shqipëri si dhe 100 vjetorit të Luftës kombëtare të Vlorës si dhe të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Shqiptarët në tokën e lirisë, ëndërrave dhe mundësive edhe si muzikantë

Amerika përtej Atlantikut është kthyer në ëndërr dhe që prej vitit 1884 ka shkuar shqiptari i parë, i njohur Kolë Kristofori nga fshati Katund i Korçës. Botën e Re amerikane e rrëfeu në Korçë gjashtë vjet pas kthimit. Kolë Kristofori u kthye prift në Boston më 1892, por me shtatëmbëdhjetë bashkëfshatarë, që më parë ishin kurbetçinj në Rumani e Greqi, si: Hari Take Rrapo Laska, Dhoskë Sotir Adham, Thoma Sotir Adham, Josif Sotir Adham, Sotir Lezi, Geli Goni Stevenson, At Dhosi Katundi, Dhime Pano Peterson, Fani Kosta, Thoma Kosta, Hari V. Kaçka, Argjir Peto, Fani Cico Angjel, Dhima Andrea Pano, Rrapi Fanes, Toli Dhami. Në gjithë Amerikën, më 1901 kishte rreth 200 shqiptarë, kryesisht në Xhemstoun, Boston, Neë-York dhe Bufalo. Pas rreth tre dekadash komuniteti shqiptar në amerikë erdhi duke u rritur. Një ndër ta me ëndërr muzikanti ishte djaloshi dardhar Thoma Nasi. Por larmiteti i profesioneve erdhi gjithmonë e duke u rritur dhe emigrantët dalëngadalë po “gjenin veten” edhe në punë të fisnikërisë, sipërmarrjes, të intelektualizmit dhe të muzikës. Kështu Thoma Nasi një nga djemtë emigrant në Amerikë mblodhi 35 instrumentistë dhe krijoi më 1917 Bandën Muzikore shqiptaro-amerikane “Vatra”. Veglat muzikore u blenë nga më të mirat, ashtu siç kishin blerë baballarët e gjyshërit e tyre armët më të mira, për të luftuar pushtuesit nëpër shekuj. Një shekull më vonë, bandës dhe themeluesit të saj i njihet kontributi në Luftën e Vlorës dhe në edukimin muzikor në vitin e ndezur nga luftrat, vitin 1920. Paraardhësit e muzikantëve frymorë që shërbejnë sot në ceremonialin e shtetit, paradat ushtarake dhe festat kombëtare, ishin disa emigrantë që gjashtë ditë të javës punonin fabrikave dhe fermave bujqësore amerikane, ndërsa në ditët e diela ushtroheshin me dëshirë në instrumente muzikore si dhe këndonin Himnin Kombëtar “Betimit mbi flamur”dhe Marsejezën franceze. Por ata dinin mirë edhe vargjet e Francis Scott Key “Flamuri i Larë me Yje”, dedikuar flamurit, shkruar më 14.9.1814, që e bënë flamurin simbolin kryesore kombëtare të amerikanëve.

 “The Star Spangled Banner/Flamuri i Larë me Yje” për gjithë shqiptaro-amerikanët

Historia e shtetit amerikan si një ndër shtetet më të rinj të botës edhe për Thoma Nasin u bë shtëpia e tij dhe shteti i tij i dytë. Ai sikurse gjithë shqiptarët emigrantë në Amerikë mësuan edhe historikun e këtij himni: “në mbrëmjen e 13 shtatorit 1814, britanikët bombarduan Fortesën McHenry dhe gjatë natës rrojet po përpiqeshin të kuptonin në se fortesa kishte rënë apo jo. Por kur doli dielli të nesërmen në mëngjes, pamja e flamurit amerikan duke u valëvitur mbi fortesë e nxiti poetin e avokatin Francis Scott Key, të shkruante një vjershë të cilën e titulloi “Mbrojtja e Fortesës McHenry”. Francis Scott Key ia dha këto vargje kunatit dhe mikut të tij, që ishte kapiten në fortesë gjatë betejës, duke ja dhënë si diçka personale për t’i treguar se çfarë kish shkruar. Por miku, kapiteni dhe kunati i tij filloi të shpërndante kopje të poemës dhe shpejt ajo u shfaq në gazeta: “The Star Spangled Banner”, “Flamuri i Larë me Yje”. Vargëzimit poetik të rreshtave, tingujt e një kënge të vjetër britanike dhe brenda pak javësh ajo filloi të këndohej përtej Merilendit. Poema u bë himni kombëtar i Amerikës, që nuk është imazh rreth luftës por rreth flamurit, një ngjashmëri me himnin e shqiptarëve. Vargëzimi poetik rreth betejës, flamurit, fitores ka sjellë emocion në mposhtjen e kundërshtarëve. Ideja e flamurit që valvitet mbi vendin e lirë dhe vendin e të guximshmëve është simbolika e më shumë se dy shekujve. Kënga “The Star Spangled Banner” u bë zyrtarisht himni i Shteteve të Bashkuara në vitin 1931. Për shumë amerikanë dhe ata që janë bërë të tillë dekadave, ende ka një lidhje të fortë mes flamurit dhe këngës, që sjell reagim emocional kur dëgjojnë këngën-himn. Flamuri i Stolisur me Yje, u bë hymni kombëtar zyrtar në vitin 1931. Ishte flamuri amerikan që nuk u përkul në fortesë përballë rrebeshit bombardues, por që vijonte të qëndronte krenar, dhe kjo emocionon çdo shqiptaro-amerikan, që e do me zemër kombin e lirisë dhe mbështetësin e aspiratave shqiptare edhe në periudhat më të vështira dhe komplekse. Është flamuri që valvitej mbi “Fort McHenrin”, që ju dhurua familjes së gjeneralit Xhorxh Armisted dhe kjo  familje e mbajti për një kohë të gjatë dhe më pas, në vitin 1909 ia dhuroi atë Muzeut Smithsonian. Pesëmbëdhjetë yjet fillestare të flamurit sot janë bërë pesëdhjetë dhe Fort McHenri qëndron e lartësuar për të treguar këtë ngarjen, historinë dhe lindjen e himnit kombëtar amerikan, e frymëzuar nga mbrojtja heroike e Fort McHenrit, që është aktualisht një park kombëtar pranë Uashingtonit.

Dirigjenti patriot dhe atdhetar dhe trinomi “Komb-Flamur-Himn”

Por emigrantët e parë shqiptarë në Amerikë respektonin himnin e të dy kombeve. Himni Kombëtar i shqiptarëve është himni i flamurit, me tekst të Asdrenit dhe kompozuar nga Ciprian Porumbescu. Të dhënat ekzakte dokumentohen në librin e akademik Vaso Tole, por edhe të dhëna nga: Kristo Kono, Vangjo Ilo, Arian Avrazi, Gaqo Avrazi, Eno Koço, Ilir Ikonomi, Niko Kotherja etj. Thoma Nasi ishte lindur në Dardhë të Korçës më 2.3.1892 dhe u shua më 21.12.1964 në Boston. Është mjaft i niohur si themelues, dirigjent, kompozitor, veprimtar i mërgatës shqiptare në Amerikë, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës bashkë me bandën “Vatra”. Më 1898, kur ai ishte 6 vjeç, familja e tij emigroi fillimisht në Greqi dhe më tej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 6 maj 1910 me anijen “Patris”. Në Masaçusets të Shteteve të Bashkuara, fillimisht punoi në një ndërmarrjeje letre. Në moshën 26 vjeçare përfundoi konservatorin e Neë England-it në Boston për kompozim dhe drejtues orkestre dhe punoi si flautist jo definitiv me orkestrën simfonike të Bostonit. Më 1915 themeloi formacionin orkestral me shqiptarë të Amerikës, mandolinatën “Dodona”. Në vitin 1916 organizoi korin e parë të Katedrales “Saint George”, në jug të Bostonit, Masaçusets. Në shtator të vitit 1917, ai organizoi dhe themeloi bandën parë shqiptare-amerikane “Vatra” në Ëorcester, Masaçusets. Thomai u bë zyrtarisht qytetar amerikan më 20 shtator 1919 dhe kryen edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Thomas Gregor Nasi 28 vjeçar vjen me bandën “Vatra” në Shqipëri për të mbështetur Luftën e Vlorës më 1920-ën dhe udhëton nëpër Jug në një turne koncertesh. Gjatë luftës së Vlorës lindi dhe kënga shumë e njohur “Vlora, Vlora..”, me vargje të Ali Asllanit me kompozim të tij. Pas luftës së Vlorës vitet 1920-1925 i kaloi në qytetin e Korçës duke i përdorur energjitë e tij aktivitetit muzikor, kompozoi disa këngë lirike, disa pjesë të vogla për flaut/violinë e piano, si: “Fyelli i bariut”, “Bilbili”, “E qarë”, “Katër valle” etj. Më 1925 iu ngarkua nga qeveria e kohës për organizimin e jetës muzikore dhe sistemimin e edukimit muzikor në vend. Në këtë periudhë të jetës së tij në Korçë ishte bashkë me të shoqen Olimpia, ku ai themeloi e organizoi jetën koncertore dhe edukimin muzikor në vend. Anëtarët e Vatrës kontribuan në themelimin e Orkestrës Frymore Kombëtare të Shtetit Shqiptar, sot Orkestra Frymore Kombëtare e Forcave të Armatosura.Më 1926 u largua nga vendi dhe më 1926 u rivendos sërish në ShBA, ku vazhdoi të punonte si dirigjent i orkestrave frymore të kishave ortodokse shqiptare në Masaçusets. Ndërkohë punon si pedagog në konservator. Në vitet ’30-të, familja jetoi në Masaçusets, aty ku Thoma Nasi krijoi edhe “Shkollën e Muzikës “Nassi”. Në vitin 1931, Thoma Nasi organizoi një bandë në Katham, Masaçusets dhe u bë dirigjenti i parë i saj. Nga viti 1935 dha muzikë në shkollën publike të Orleans, ku njihet edhe si themelues i Orkestrës së Filarmonisë të “Cape Cod”, por ishte gjithashtu aktiv në Shoqatën e Festivaleve të Neë England-it. Në vitet 60-të artisti Thoma Nasi gjithë krijimtarinë e tij ja dërgoi Konservatorit të Tiranës si dhe Pallatit të Kulturës në Korçë. Ai jetoi deri më 1964 në Orleans, Masaçusets ku kishte themeluar Orkestrën e Filarmonisë. Eshtrat e tij prehen në varrezat e Orleansit, pranë gruas së tij Olimbia dhe djalit Albert, që ka rënë në betejë si pjesëtarë të ushtrisë amerikane, gjatë Luftës së II-të Botërore. Thoma Nasi ka ngelur në piedestalin e nderit dhe të nderimit jo vetëm për muzikologjinë shqiptare, si instrumentist, dirigjent e kompozitor, por për atdhetarinë e vlerësuar nga gjithë shqiptarët, si një ndër të parët muzikantë që e pa të realizuar në praktikë trinomi: “Komb-Flamur-Himn”.

Një libër i munguar: “Banda kombëtare muzikore “Vatra”

Në mjedisin akademik dhe më gjerë mungonte një monografi për “Vatrën” dhe vatranët shqiptaro-amerikanë. Një boshllëk i dukshëm që e ka plotësuar më së miri Akademia e Shkencave, e cila publikoi veprën monografike “Banda kombëtare muzikore “Vatra”, një histori unike shqiptaro-amerikane”, e cila u shoqërua edhe me CD, të akademikut të apasionuar Vasil Tole. Monografia ka kapur një prej periudhave më të vrullshme të historisë së shqiptarëve dhe kështu që i kushtoi vëmëndjen e duhur historisë së ardhjes së vullnetarëve shqiptaro-amerikanë në vitin 1920, vitin kur në Shqipëri është zhvilluar Kongresi Lushnjës si dhe tre luftra me rëndësi vendimtare për kombin: Lufta e Vlorës, Lufta e Koplikut dhe Lufta e Dibrës. Djemtë e ardhur nga amerika nxitën edhe më shumë ndjenjat entuziaste besimi dhe frymë atdhetare në popull, pas rikonfirmimit të Pavarësisë me ngritjen më këmbë të popullit për t’i marrë në duar fatet e vendit, me përpjekjet e suksesshme për rikthimin e Korçës, Shkodrës, Dibrës nën sovranitetin e shtetit shqiptar dhe me luftën kombëtare të Vlorës. Banda “Vatra” u bë pjesë e historisë së luftës së Vlorës me kurajën e saj për të inkurajuar shpirtin luftarak popullor ballë për ballë me rrezikun, me repertorin e këngëve marshe që mobilizonin ndërgjegjen atdhetare. Banda “Vatra” dhe banda “Afërdita” u bënë dy banda muzikore që shqiptarët nuk i kishin parë kurrë në një luftë direkt në vijën e parë në llogore si mobilizuese të formacioneve luftarake që derdhën gjakun 172 dëshmorë dhe mbi 400 të plagosur. Kënga “Vlora-Vlora”, që u krijua nga drejtuesi i kësaj bande Thoma Nasi, u mbështet në tekstin e poetit Ali Asllani, duke i dhënë identitet të fuqishëm kësaj lufte, që fillimisht analistë ushtarakë nga më të thekurit nuk e besonin në fitoren e shqiptarëve ndaj 20 mijë italianëve tepër të modernizuar dhe që drejtoheshin nga dymbëdhjetë ushtarakë gjeneralë akademikë. Autori i studimit “Banda kombëtare muzikore “Vatra”, akademiku Vaso Tole ka marrë në vështrim lidhjet dhe dallimet midis bandës muzikore “Vatra” dhe shoqatës atdhetare “Vatra”; duke gjetur rastin të theksojë rolin e shqiptaro-amerikanëve në jetën e Shqipërisë së brishtë shtetërore, ndryshimet që solli në rrjedhat e historisë kombëtare shfaqja e interesimit amerikan për çështjen shqiptare me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe sidomos me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve në vitin 1922. Monografia është në të njëjtën kohë edhe histori e themelimit dhe e rrugëtimit të gjatë njëqindvjeçar të bandës muzikore shtetërore, krijuar mbi bazën e bandës “Vatra”, me një vendim të posaçëm të qeverisë së Sulejman Delvinës. Botimi shoqërohet edhe me një CD, ku janë regjistruar interpretime të bandës “Vatra” dhe mbart vlera të shumanëshme për specialist muzikologë, për kulturë të përgjithëshme, por është edhe një monografi e dashur dhe e pritshme për t’u lexuar nga publiku i gjerë. Aparati shkencor, fotot një shekullore, faksimilet, dokumentat arkivorë, urdhra, ligje, programe, platforma, instrumenta, uniforma të bandës në vite,dokumente arkivore shqiptare dhe amerikane e rrisin shkallën e besueshmërisë dhe përkushtimit ndaj të vërtetave të munguara rreth “Banda kombëtare muzikore “Vatra”, që realisht shkelte në llogoret e luftës dy-tre herë në ditë sikurse shkruante Thoma Nasi, Ligjerata, 1960 (faqe 99). Nëpër gjithë kapitujt e librit gjen detaje, që kërkon edhe rilexim të librit, sepse gjeografia e librit është mjaft e gjerë, kilometrazhi i atdhetarisë nuk mund të matet sikurse nuk mund të jetë shterues një libër që ka të përfshirë qindra mijëra jetë, që vunë interesin e kombit dhe të atdheut përpara interesit personal dhe hallit që i kishte çuar deri përtej Atlantikut. Ditari i Bandës muzikore të “Vatrës” dhe vargjet e poezisë së Nolit “Jepni për nënën” (fq82) është poezi-kushtrim për të gjitha kohët, edhe për kohët moderne dhe kjo në fakt u vërtetua me batalionin “Atlantik” në Luftën e Kosovës më 1999. Libri është një homazh dhe nderim për gjithë pjesëmarrësit në luftë dhe instrumentistët që vijnë të detajuar në emra që tregojnë një pjesëz mjaft të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

Vlerësimi për bandën muzikore “Vatra” është më se i përligjur

Pas një përgjumje gati një shekullore edhe institucionet shqiptare “u zgjuan”. Ato vlerësuan rreth gjysmë shekulli pas vdekjes së Thoma Nasit dhe Ministria e Mbrojtjes i ka dorëzuar trashëgimtarëve të Thomas Nasit dhe Bandës “Vatra” medaljen për “Shërbime të Shquara”, në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar. Vlerësimet për “Bandën muzikore “Vatra”, i përkasin para së gjithash strukturave të mbrojtjes sepse banda “Vatra” ka qenë bërthama embrionale nga ka lindur OFKFA-ja. Vlerësime të mëpastajme të saj: Me të drejtë themeluesi i bandës muzikore Vatra është vlerësuar me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Për sakrificat e kontributin e jashtëzakonshëm dhënë me ardhjen në Shqipëri, në pjesëmarrjen e tyre në Luftën e Vlorës në vitin 1920, për rolin që luajtën në forcimin e marrëdhënieve diplomatike e kulturore mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ndërsa Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura si e vetmja orkestër frymore profesioniste në Shqipëri, pasardhëse e bandës “Vatra”, është vlerësuar “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Si vijuese e traditës së madhe të muzikës patriotike, luftarake dhe marciale kombëtare të themeluar nga Banda Kombëtare “Vatra”, për popullarizimin me shumë sukses të krijimtarisë muzikore shqiptare dhe repertorit më të njohur ndërkombëtar në Shqipëri; si orkestra e shtetit shqiptar, që me cilësi artistike dhe disiplinë ushtarake, ka zbatuar në çdo kohë me përpikëri e përkushtim Protokollin e Shtetit Shqiptar, si formacioni muzikor unik që lartëson vlerat e Himnit dhe Flamurit tonë Kombëtar përmes interpretimeve dinjitoze e solemne”. Ka qenë “Vatra”, bërthama dhe embrioni i formacionit muzikor ku lindi Orkestra Frymore e Ushtrisë Popullore, që sot janë emërtuar e  “Forcave të Armatosura”. Aktivitetin e Thoma Nasit dhe bandës muzikore “Vatra”, e gjejmë në librin: Vaso Tole, Banda kombëtare muzikore “Vatra”, Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2020; Nedai Thëllimi, Artistët korçarë në shekuj, Vasil Ballauri, Një Dritare në Histrorinë e Muzikës së Korçës, 1800 – 1940, Kristaq Ll. Jorgji, Tempulli, nr 1, etj.

 

 

Please follow and like us: