Albspirit

Media/News/Publishing

Sheremet PROKSHI: Mbi librin eseistik të Rifat Ismailit

VËSHTRIM I SHKURTËR PËR DISA ESE TË VEPRËS “LABORATORI I FSHEHTË KRIJUES”

 

Brenda dy dekadave të fundit, në letërsinë shqipe përgjithësisht, dhe në prozën tonë diskursive në veçanti, po shfaqen disa kthesa si në gjetje e zgjedhje të temave letrare, ashtu edhe në shtjellimin e  frymës poetike . Në mesin e tyre është edhe poeti dhe prozatori i shkëlqyer Rifat Ismaili, i cili këtë radhë na vjen me njëzet ese të përmbledhura në veprën “LABORATORI I FSHEHTË KRIJUES“.

Natyrisht, kjo është e pritur dhe e arsyeshme, mbase,  imperativi i kohës së re, i këtij shekulli dhe i rrethanave të ndryshme, po kushtëzojnë t’i kapim edhe ato fije të cilat ishin të njohura si gjini letrare, por jo edhe të shfrytëzuara sa duhet nga penat e krijuesve.

Dhe ky art, është i mundshëm për t’u zotëruar, nëse paraprakisht ke arritur një nivel bukur të lartë të aftësisë gjuhësore, ke ndjekur e shfrytëzuar disa udhëzime të shumta studimore, në këtë rast, edhe të autorit Rifat Ismaili i cili, ka kohë që elaboron tema të ndryshme.

Por të ndalemi çfarë mësojmë nga eseja me titull “Kur shkruan” e radhitur në faqet e librit që e kemi në dorë:

“Njeriu kur shkruan, nuk bën gjë tjetër veçse shfrytëzon dhuntinë më të vjetër të botës; komunikon me veten. Është një komunikim i vështirë, pikërisht sepse, ti i rrëfehesh vetes…”.

Kështu, duke lexuar e analizuar studime të ndryshme, në hyrjen e paragrafit të lartshënuar vë në pah, kohën prej kur shfrytëzohet kjo dhunti, e cila jo rrallë prek qasje të drejtë ndaj problemeve që i hasim në artin e të shkruarit.

Për ta arritur përbrenda këtij laboratori krijues, autori thekson vështirësitë që kishte gjatë rrugëtimit:

“Duke stërvitur veten papushim, në fillimet e mia letrare kam shkruar tonelata me shkrime dhe pastaj i kam grisur. Tani është ndryshe; vetvetiu nëpërmjet punës, njeriu pasurohet, rritet dhe i zhvillon teknikat. Me zhvillimin e teknikave, me vonë krijohet edhe stili yt që të shoqëron deri në fund dhe të veçon nga të tjerët”.

Por jo të gjithë, apo gjithëherë, futemi në valët e konstrukteve përsonale të objektivit.

Prandaj, në një këndvështrim metaforik, thotë autori, shpesh shtrohet pyetja nëse poetin mund ta konsiderojmë të humbur apo të përndritur, si Judë tradhtarin apo si Budën e ringjallur.  Këtë se kuptoi dot Borgesi, as Pablo Neruda që mplakej brenda dashurisë dhe kripës detare të Kilit, dhe s’ ka se si ta kuptojë asnjë poet!

Bazuar në këto të dhëna, eseisti ynë jep këtë shjegim:

“Rendja e poetit është bredhje e gjatë, një maratonë për të kthyer një borxh, për të çuar në vend diçka të fshehtë, që komunikon mes tij dhe shpirtit dhe asgjësë, që hap pas hapi përpiqet ta gllabërojë atë. Kjo sepse jeta e njeriut është dramë, dhe secili, herët apo vonë, do të hyjë të jetojë brenda dramës se tij”.

(Eseja “POETI, PËRMES  POETIKËS DHE IDENTITETIT“)

Pra të jesh krijues, do të thotë të vuash dhe ta mundosh veten, por pas kësaj, si një ëndërr e re dhe e pashpallur, të lëvrish nëpër një gjithësi pa hapësirë dhe kohë.

Mendime të përafërta me këtë realitet gjejmë edhe të vështrimi i Sh. Aliut, një kritik i njohur letrar, i cili duke analizuar poezinë si art i të shkruarit, na sqaron se autori përmes vargjeve ka mundësinë, që me guxim të shprehë totalitetin e qenies së njeriut, atë ku nuk ka më kufij në mes asaj që është realizuar dhe asaj që nuk është realizuar, në mes të mundshmes dhe të pamundshmes: poezia pra, është e vetmja që merr guxim për të zgjidhur qoftë edhe çështjet më të komplikuara të njeriut dhe ekzistencës së tij dhe nëse këtë nuk e marrim me apriorizëm,  natyrisht, jo në kuptimin e fjalës, por në frymën e një lufte të veçantë dhe krijuese kundër mistifikimit, e në frymën e besimit, kemi për të vërejtur se poezia nuk është ndonjë fshehtësi e parealizueshme, por një art dhe fakt krijues i cili na vë para shumëndershmërisë së bëmave të ekzistimit, të aktiviteteve të domosdoshme, që përkojnë me botën e njeriut, me atë të vetëdijes, por edhe me atë të ndërdijes. Poezia pra, i ka fshehtësitë e veta, ato që s’janë tjetër veç fshehtësitë tona. Për to mund të heshtim, por edhe mund të flasim në mënyra të ndryshme.

Kjo që u tha me lart, e për ta shfrytëzuar si të mirëqenë, varet nga arsimimi që kemi, nga prirjet që të kridhemi në këto sekrete, nga aftësia t’i kuptojmë kontraditat e një vargu ndaj një vargu tjetër,  në këtë rast edhe të esesë për çka na udhëzon autori i librit, e të cilat pa dyshim janë shumë të dobishme, edhe për një arsye: Të mësojmë t’iu ikim kurtheve të estetizmit të tepruar, dhe sidomos t’i shmangemi idesë së absurdit, çështje kjo dhe problem, që prozatori ynë tregon pjekuri të madhe.

Pra esetë të cilat i kemi si prioritet të këtij vështrimi, më parë do t’i analizoja në shumësinë e fakteve e mundësive për të konkretizuar momente e mënyra të ndryshme SI NJË MORI UDHËZIMESH, kur dihet se në asnjë lloj të letërsisë, nuk do jemi të qetë, nëse çdo gjë që shkruajmë duhet kalojë nëpër vrimë gjilpëre,  përkundrazi,  liria e të shprehurit është njëra nga të drejtat më të domosdoshme njerëzore. Ndryshe,  shumë prej shkrimtarëve, do bëheshin objekt i derdëllitjeve, i gjykimeve të pakapshme nga logjika e shëndoshë.

Kjo sepse, tashmë dihet:

“Letërsia është ballafaqim i përhershëm me veten.

Është si ilaç për shpirtin.

…Është terapia më e mirë për njeriun ndaj kotësive, njerëzve të kotë, stresit e vetmisë… thotë në një ese dhe vazhdon… Arti i fjalës lidh ura miqësie, por edhe e vë gjithsecilin prej nesh para pasqyrës së ndërgjegjës. Ndaj, ta kultivojmë fjalën e shkruar, këtë shenjtëri që zgjon agime shpresash…R.I.”.

 Se çfarë bën dhe si duket poeti kur shkruan, shembuj të tillë e të dobishëm për lexuesin dhe sidomos krijuesin letrar, kemi te eseja në vazhdim “LIBRI QË RIKRIJON KOHËN”.

“Ke bërë një udhëtim të gjatë, si përgjatë botës, me shpirtin e aventurës, i fshehur brenda anijes dhe ekuipazhit të patrembur të Magelanit! Një udhtar në përjetësinë tredimensionale të poezisë!

Ky është poeti! I heshtur, me daltat e skulptorit, tek godet vetveten pareshtur dhe ravijëzon mundimshëm konturat e shpirtit. E bën atë, çdo çast e çdo ditë, si një pasqyrë që thithë reflekset e diellit për ti shpërndarë mbi errësirën e gjithësisë”.

Këto dhe këshilla e shtresime tjera studimore aq të  logjikishme, sado ende të pakta për të plotësuar vakumin e bibliotekave kombëtare e përsonale, të shkollave dhe universiteteve tona kudo ku flitet e mësohet shqip, janë faqe të ndritura për NE e gjene-ratat që vijnë.

Vlen të theksohet, se gjatësia e secilës ese të kësaj vepre, në plotni ka përmbushur temën.  Ka përmbushur tërësinë e asaj për çka shkruhet, e duhet të shkruhet. Dhe për shkakun, që eseja të jetë e kapshme për t’u lexuar, mendimet e shtjelluara i ngjajnë rrjedhës së një lumi të pastër e të pa trazuar.

Dhe për t‘i lënë hapësirë  e analizë më të hollësishme lexuesit, për njëzet esetë e prozatorit, poetit e autorit të shtatë librave dhe të shumë shkrimeve në shtypin periodik, këtë vështrim e përfundoj me disa nga paragrafet e esesë “ARTI ËSHTË NJERËZOR“:

“Nëse për përkthyesin ndodh si me punën e rrobaqepësit, që i duhet ti heqë mbathjet e kuqe një libri, për ti qepur mbathje jeshile, për krijuesin, është njëlloj sikur të mbledhë bletët që vërshojnë nëpër një fushë të blertë, të pickohet dhe ënjtur prej tyre, gjersa ti detyrojë  ato, edhe kur nuk duan, të zënë vend nëpër hojet e dyllta për të lëshuar mjaltin”.

Krejt në fund, autorit i dëshirojmë shëndet dhe suksese e punë të mbarë në krijimtarinë e tij të bujshme.

 

Please follow and like us: