Albspirit

Media/News/Publishing

Akuzat për gjenocid, Suedia: Burg përjetë për ish-zyrtarin iranian! U dëgjuan edhe dëshmitë e muxhahedinëve në Shqipëri

Prokurorët suedezë kanë kërkuar burgim të përjetshëm për Hamid Nouri, një ish-zyrtar iranian, për gjenocid dhe spastrimet e kryera në burgjet në Iran në vitin 1988 kryesisht ndaj muxhahedinëve dhe mbështetësve të tyre. Nouri u arrestua në vitin 2019 pas mbërritjes në aeroportin e Stokholmit, dhe gjyqi i tij filloi në gusht 2021 ku autoritetet suedeze nisën hetimet për gjenocid dhe krime lufte.

Lidhur me krimet e ish zyrtarit iranian, një grup prokurorësh suedezë erdhën edhe në Shqipëri gjatë nëntorit 2021, ku dëshmuan disa nga muxhahedinët e strehuar në kampin Ashraf 3 në Manzë të Durrësit. Disa nga muxhahedinët në Manzë kanë qenë dëshmitarë të spastrimeve që janë bërë nga Hamid Nouri, ku me urdhër të tij janë vrarë 30 000 të burgosur politik në Iran gjatë vitit 1988.

Në seancën e 89-të të gjyqit të Hamid Nouri, që shënoi dhe seancën e fundit të dëshmive dhe pritet marrja e vendimit për të, prokurorët suedezë kërkuan dënim maksimal të tij me burg përjetë.

Prokuroria suedeze tha se Nouri luajti një rol aktiv në ekzekutimin e mijëra të burgosurve politikë në burgjet iraniane në vitin 1988 dhe akuzohet për “krime lufte, krime kundër njerëzimit, torturë dhe refuzim të kthimit të trupave të të burgosurve të ekzekutuar tek familjarët e tyre”.

Vetë Irani ka reaguar ndaj këtij vendimi duke e cilësuar si të motivuar politikisht dhe se prokurorët suedezë kanë ngritur akuza “të pabaza dhe të sajuara” kundër Hamid Nouri dhe se ai duhet të lirohet menjëherë.

Irani e konsideron MEK një organizatë “terroriste” dhe vendimi i Suedisë ka bërë që të rriten pakënaqësitë e autoriteteve iranian për këtë arsye Ministria e Jashtme e Suedisë këshilloi qytetarët që të mos bënin udhëtime të panevojshme në Iran./ Al Jazeera

https://lajme.rtsh.al/artikull/akuzat-per-gjenocid-suedia-burg-perjete-per-ish-zyrtarin-iranian-u-degjuan-edhe-deshmite-e-muxhahedineve-ne-shqiperi

Please follow and like us: