Albspirit

Media/News/Publishing

Eneida Jaçaj: Festa e Flamurit dhe Dita e Çlirimit, përballë Shqipërisë së sotme

Festa e Flamurit dhe Dita e Çlirimit, 28 dhe 29 Nëntori, janë të ngulitura fort në memorien historike të popullit shqiptar, pasi janë ngjarje shumë të vyera që tregojnë patriotizmin e vërtetë të intelektualëve të asaj kohe, por shënojnë dhe përcaktojnë edhe fatin e vendit në dekadat që do të pasonin. Që nga tempulli i Pavarësisë e deri në Ditën e Çlirimit, janë ato përpjekje e sakrifica atdhedashëse që me këmbëngulje dhe zgjuarsi, edhe pse në kushte jo të mira, triumfuan t’i jepnin Shqipërisë vendin që i takonte, duke mos lejuar copëtimin e saj më gjerë, por kombi të kishte administratën dhe qeverinë e saj, e të udhëhiqej nga shqiptarët e një gjaku e jo nga zgjedha e huaj. Vetëdija kombëtare ishte zgjuar te populli shqiptar, për të mbledhur të gjitha forcat kundër pushtuesit të huaj, sepse një komb pa gjuhë, pa troje, pa liri, do të surgjunosej deri në mosekzistencën e tij. Falë atyre intelektualëve të shquar mendjendritur, sot, Shqipëria e ka një vend në hartë. Ata nuk luftuan e lobuan në qarqe të larta për përfitime, por sakrificuan për lirinë dhe ndërtimin e Shqipërisë; nuk sakrifikuan për të vjedhur pasuritë e vendit, por për gjuhën shqipe dhe të ardhmen e vendit në çdo pikëpamje. Dhe ne sot festojmë për sakrificat e tyre, për Shqipërinë që kishin ideuar, të drejtë dhe të begatë, për Shqipërinë që kishin projektuar në zemër, ku të gjithë të hidhnin një “tullë” në ndërtimin e saj që në zanafillë.

Ne sot nuk festojmë për Shqipërinë që kanë katandisur politikanët e PD, PS, LSI, të cilët të ardhur nga hiçi, abuzuan me pushtetin, u pasuruan në kurriz të saj, e plaçkitën deri në palcë e sërish nuk kanë të ngopur, ku rotacionin e pushtetit të vjedhjes e kanë shndërruar në normalitet. Ne sot festojmë gjakun e derdhur për liri të trimave që ranë dëshmorë, por nuk festojmë shitjen e tokave dhe zbrazjen e Shqipërisë që nga 90’, duke rrezikuar që vendi të zhduket plotësisht nga harta. Në kontrast me Shqipërinë e vitit 1912, politikanët e sotëm po e trajtojnë Shqipërinë si pronën e tyre të trashëguar, ku fatkeqësisht një ditë nuk do të ketë as gjuhë shqipe dhe as Shqipëri. Në këto kushte, ku gjendet Shqipëria sot, do të përmendja gazetarin britanik, Tom Burgis, i cili në librin e tij të titulluar “Kleptopia”, përshkruan se si interesat private përdorin institucionet shtetërore për t’u pasuruar. Pra, pushteti kleptokratik e shndërron shtetin në një instrument të pasurimit privat. Korrupsioni e ka shkatërruar besimin e qytetarëve, është një tjetër ide e fortë që paraqet autorja Sarah Chayes, në librin e saj, “Thieves of State”.

Ne sot festojmë mbrotjen e gjuhës shqipe të Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, De Radës, etj, të patriotit shqiptar, Fan Noli, i cili shkoi në 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, për të mbrojtur interesat e çështjes kombëtare shqiptare; por nuk festojmë projektin jo transparent në ishullin e Sazanit, që lidhet me Jared Kushnerin, dhëndrin e Donald Trumpit, dhe Ivanka Trump. E shumë projekte të tjera jo transparente, ku qeveria përfiton miliarda, si ai i Portit të Durrësit dhe Butrintit. Në kohën e Sali Berishës do të përmendja për ata që mund ta kenë harruar, marrëveshjen e detit me Greqinë, ku Gjykata Kushtetuese e rrëzoi në vitin 2010. Ajo u kritikua ashpër si cenim i interesave territoriale shqiptare. Apo privatizimin e 76% të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë te kompania çeke CEZ, për rreth 102 milionë euro. Pra, këta fytyra të njëjta, që bien e ringrihen në këto 36 vite demokraci, janë katapultuar në politikë për të vjedhur resurset e vendit dhe disa syreshë bëjnë sikur e duan Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, por nuk thonë asnjë fjalë edhe për vjedhjet që po vinë edhe nga jashtë.

Ismail Qemali dhe burrat e tjerë të asaj kohe u mblodhën për të shpëtuar një vend nga copëtimi, për të mos lejuar që Shqipëria të bëhej plaçkë tregu mes fuqive të mëdha. 114 vjet më vonë, duket sikur kemi një problem krejt tjetër: Shqipërinë nuk po na e marrin të huajt, po ua ofrojnë vetë politikanët tanë! Duket sikur Shqipëria ka qenë gjithmonë në një panair shitjesh, ku ndryshojnë vetëm kryeministrat dhe blerësit! Njëri e sheh vendin si pronë për investitorët e miqtë e tij, tjetri si një mundësi për privatizime. Të dyja palët kanë pasur shumë për të thënë për atdheun, por shumë pak për qytetarin që jeton në të. Dhe ndërsa ata negociojnë për ishuj, porte, toka e pasuri, shqiptarët negociojnë çdo ditë me faturat, çmimet, pagat dhe mbijetesën.

Ndoshta duhet t’u kujtojmë politikanëve tanë se Shqipëria nuk është pronë e kryeministrit të radhës, as e një partie, as e një familjeje politike dhe as e ndonjë investitori që ka miq në pushtet. Sepse 28 Nëntori nuk është thjesht një festë me flamuj, koncerte dhe fjalime patriotike. Është dita kur duhet të kujtojmë se Shqipëria u shpall e pavarur që të mos kishte zotër të huaj mbi të. Kjo klasë politike, PD, PS, LSI, duhet të largohet njëherë e përgjithmonë nga arena politike, sepse e kanë humbur besimin te qytetari, dhe nuk kanë asgjë për të ofruar përveç vjedhjes nëpërmjet tenderave dhe privatizimeve. Edhe koha vetë e ka faktuar se dy partive të mëdha u ka ardhur fundi, po shkërmoqen dita-ditës, po luftojnë me njëri-tjetrin për pushtet, dhe kush nuk është afër kryetarit përjashtohet nga partia. Shqipërisë i duhen të rinj me vizion, të arsimuar, të edukuar, me integritet, të ndershëm, që të kthehen në atdhe dhe ta rindërtojnë vendin, sa nuk është vonë. Nëse do të vazhdohet me këtë klasë politike, fatkeqësisht nuk do të kemi një ditë as gjuhë shqipe dhe as Shqipëri!