Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: SHKRIMTARI

 

Tregim

 

Ulur në karrekllën mitike në krye të bashtinës, babazoti im, më shumë fliste me zotat se sa me njerëzit. Si një shpend i stërmadh, plagosur kushedi në ç’hone a kreshta mali, mezi përqëndrohej në faqet e një libri kapaktrashë. Libri rrinte skiç në një lexhio të vjetër druri dhe mëmëzonja kohë pas kohe i kthente faqet. Kur ajo bënte punët e guzhinës në odëjashtë, më thërriste mua ta zevëndësoja. Babazoti nuk lexonte dot vetë, pasi duart e tij të holla, purteka – blu, lëkundeshin si degët e thata të qershisë kur I frynte era. Dridhej prej parkesonit. Në të vërtetë dridhej më shumë prej fatit. Prej pazotësisë.

Babazoti ishte agër. Nuk donte ti shkonte kot asnjë sekondë.

Atje përballë diellit, nën pullazin e ngrehinës trikatëshe që e shihte luginën në pëllëmbë të dorës, lexonte me mundim historitë e çuditshme të botës, nga disa libra që unë si miturak e kisha të ndaluar ti shikoja e jo më t’I lexoja.

Ke shkruar ndonjë libër ti babazot – e pyeta gjithë zemërim ditën që më mbajti dy orë të mira për ti kthyer faqet e një libri që me sa dukej e kishte fort për zemër.

Unë shkruaja kur isha i nevrikosur – më ktheu një përgjigje që në vend të sqarimit, më shastisi krejt.

Si shkruaka njeriu kur është i nevrikosur belbëzoja me vete. Mos tallet me mua babazoti? Kur njeriu është i nevrikosur shumë – shumë shan me zë të lartë, gjuan me pëllëmbë apo thyen ndonjë pjatë.

Kur isha i nevrikosur të shkruarit më bënte të fluturoja – vijoi babazoti, duke më shastisur edhe më tepër me thagmën e tij. Po ç’e do,  nuk u bëra dot shkrimtar. Isha i prerë vetëm për punë ndërtimi e tregëtie!

Unë do të bëhem shkrimtar? – ia plasa gjithë zemërim hakmarrjen time.

Vërtet do të bëhesh shkrimtar – më cyti qetësisht dhe picërroi sytë e kaltër si dy puse të thellë.

Po. Do të bëhem shkrimtar, – iu krekosa.

Do të bëj vetëm një pyetje – ngriti kokën e bardhë drejt qiellit, si të merrte atje bekimin e zotave. Një pyetje të thjeshtë: A do jesh i gatshëm të shkruash historitë e tua gjithë jetën edhe nëse të refuzojnë dhe nuk do të shpërblejnë?

Si s’do të jem – iu kapardisa duke ngritur supet përpjetë.

Atëherë po. Atëherë ti do të bëhesh një shkrimtar.

Dhe isha vetëm tetë vjeç.