Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: TË JESH VETVETJA 

Një temë mjaft interesante dhe që prek në thellësi të qenies dhe shpirtit të njeriut. Sot të jesh vetvetja, nuk është e lehtë. Ambienti shoqëror, njerëzit të cilët të rrethojnë, mundësitë e punësimit, mospasja dhe varfëria dhe mjaft kufizime të tjera nuk të lejojnë të jesh plotësisht vetvete. Por përveç kësaj, edhe bota e madhe, me makrojetën me një mijë fije të mistershme, globalizmi, teknologjia, ideologjitë, partitë, pushtetet dhe qeveritë, nuk të lejojnë të jesh vetvetja. Pra, të jesh vetvetja sot është si të jesh duke luftuar në një arenë gladiatorësh me tigra e luanë.
Të jesh vetvetja, është një kusht i domosdoshëm për ruajtjen e identitetit njerëzor dhe për të përcjell vlerat më të mira tek pasardhësit e tu.
Por akoma më e rëndësishme është një përqindje e lartë e vetvetes në të bërit art. Kjo sepse arti është një intimitet i thellë dhe i fshehur që pluskon qiejve të shpirtit tënd dhe pret me padurim të shpërthejë e rilindë nga honet e dijes dhe pavetëdijes për t’u materializuar, për t’u ringjallur në mijëra forma të ndryshme, për t’u kristalizuar si diamant në oqeanin e pafund të kujtesës dhe mendimit.
Kur shkruan, përjeton një lloj ndërlidhjeje hyjnore mes teje dhe forcave të padukshme të mendimit, mes teje dhe engjëjve, mes teje dhe Zotit.
Të shkruarit është një rrjedhje e pandalshme që del nga brenda qenies si llavat vullkanike dhe me hirin e magjepsur djegin shpirtrat e përzhitur të atyre që e adhurojnë dhe e duan me të vërtetë artin.
Të shkruarit të kthen për disa çaste në një rang me Zotin.
Prandaj dhe e meriton dhe e gëzon fjalën krijues.
Të jesh vetvetja është gjëja më e rëndësishme kur shkruan.
Çdo njeri është një pasqyrë më vete që reflekton dritën dhe ndjeshmërinë e tij. Të gjithë njerëzit janë të pangjashëm me njëri- tjetrin. Ndaj eksperienca personale, përjetimi i një dashurie, i një emocioni apo një hidhërimi, janë përjetime të pazakonta, personale, të pangjashme dhe të pakthyeshme në kohë.
Gjatë udhëtimit njerëzor dhe poetik do takojmë rrugës mjaft shpirtra binjakë dhe do bëjmë me ta një copëz rruge. Por në çdo udhëkryq, secili rishtaz do ndërmarrë pelegrinazhin e tij drejt visesh të panjohura për veten dhe të tjerët, me forcën e kërkimit dhe rizbulimit të universit dhe vetvetes.
Ndaj të jesh vetvetja do të thotë të sjellësh risi dhe origjinalitet, të përcjellësh mendimin tënd të pangjashëm me mendimin e të tjerëve, të përcjellësh rrahjet e zemrës tënde dhe ndjesitë turbulluese të shpirtit tënd unik.
Njeri apo krijues qofsh, ji vetvetja!
25. 1. 2022.
Please follow and like us: