Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro Millona: KUJTIME NGA GJIROKASTRA!

Besoj i kujtoni shitëset e pallatit nr. 23, të lagjes “18 shtatori” në shërbim të komunitetit.
…Dikur në lagjen “18 Shtatori” në katin e parë të pallatit nr. 23, ku banoja edhe unë, ishin dyqanet për shërbimet e ndryshme.
Shpesh herë shkonim në këto dyqane për të blerë ose për të marrë shërbimet e ndryshme.
Kuptohet kanë kaluar gjysmë shekulli, por përsëri në kujtesën time ka vend edhe për ato shitëset e pallatit tonë…
-Nga ana e brendshme e pallatitt në katin e parë ishte Zyra Postare. Mbaj mend pak më duket me mbiemër Lesko, emrin mbase e kam të saktë, Flora.
Në Fruta-Zarzavateve mbaj mend shitësen Tulla, ku ishte “solidare” me të shoqin Kolën. Tulla vinte shumë imcake me trup mesatar, kurse Kola i ishte i gjatë me kasketë dhe nga fytyra të gjatë, pak hezmer. Pas Tullës si shitës erdhi më vonë Kosta Basho.
-Në kinkaleri ishte Caco Elmazi, mamaja e të ndjerës Merita Elmazi.
Cacua, vinte një grua e dobët, por binte në sy shquhej për atë qetesinë absolute, përherë në buzagas e shikoje. Nuk dinte të rrinte ulur por në këmbë, pastronte rregullonte. Mbaj mënd aty vinin edhe televizorët, që shpërndaheshin me autorizim.
Kur iku Cacua në Përmet, erdhi si shitëse Irini Nikaj, grua shumë simpatike, me flokët topuz, në mos gabohem edhe një dhëmb floriri. Ishte minoritare. Më vonë erdhi dhe Lefteri Llavdaniti.
-Në metrazhe Marika Pani, një grua e shkutër, me flokë të shkurtra, e qetë si njeri, e peshonte shumë fjalën para se ta thoshte nga goja e saj.
-Në bulmet Vergo Kuçi. Vergoja, gruaja e Jorgo Kuçit, që me një makinë tip “gaz” furnizonte dyqanet me ushqimore. Ajo vinte e shkurtër, e shendoshë, biles për kuriozitet lekët i numëronte greqisht. me atë zërin e saj kumbues. Më pas shitëse erdhi Vasilika Kosta, mamaja e Pashko Kostës, aktorit në Teatrin e Gjirokastrës.
-Në dyqanin e mishit fillimist ishte Aliu, me një trup mesatar, pak i rrumbullaktë, tepër i shkathët në prerjen e mishit sipas rregullave anatomike. Kishte mish viçi edhe sipas kualieteve, por herë pas here vinte edhe peshk nga Saranda. Po ashtu  vinin edhe për “fakaranë”, kokë, paçe, zorrë dhe këmbë të qingjave.
Por figurën më të plotë e kishte Abaz Frengu, me trup të gjatë, me mustaqe të mëdha, me çizme të mëdha prej lëkre, me kasketë në kokë, edhe pak me kurriz. ishte “terjaqi” i rakisë, nuk e hiqte kullaron. Të binin në sy pantallonat e tij si të ushtarakëve me qillota, tip karizmatik. Mbaj mend njëherë që kullaroja i varej dhe nën efektin e rakisë, ngriti latën dhe bashkë me mishin në kucur e ndau në dysh kullaron. Pastaj kasapi i lagjes u bë “Pep” Ajazi, çuni i hyrjes sime, kati i katërt dera majtas. Mbahej si çun i qetë.
-Në ushqimore ishte Nedreti, me trup mesatar, tepër e qetë, punëtore dhe pastërtore. Orari i saj ishte ora 8.00 deri 12,00 para dite dhe
nga ora 15,00 deri 20,00. Poshtë dyqanit ishte dhe tuneli.
-Në buka Kadaife, vinte e shkurtër me flokë mbi supe të kapura me steka metalike, dallohej nga dialekti “lab” dhe Ftikua, gjitonja ime, gruaja e Vangjel Tolit dhe mamaja Pirro Tolit dhe e të ndjerit Mihal Tolit. Ftikua ishte shitësja më e moshuara, ashtu e shkurtër me flokë të bardha, fliste greqisht dhe dallohej në biseda.
-Në rrobaqepsia, me sa më kujtohen ishte Stefo Buzi, Rita e Xhel Basharit, Niqi e Zoto Nakes, Kanua e Haskës dhe Rita e Paskalit.
…Mbase edhe në këtë rast kujtesa ime nuk më ka “tradhëtuar” dhe ato mbresa dhe imazhe të mira për të gjitha këto punonjëse, pas gjysëm shekulli janë po aq të freskëta dhe të sakta…
Please follow and like us: