Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmire Duraku: Mozaik me copëza veçantie (5)

 

 

Fatmire Duraku

 

 

Krijimtaria letrare e Nexhat Halimit shtrihet në dyzet  libra zhanresh të ndryshme. Për pesëdhjetë e ca vjet krijimtari, ky autor botoi poezi, prozë tregimtare dhe prozë të gjatë si dhe drama për fëmijë dhe për të rritur.

Dramën e parë për fëmijë, të blerë dhe të botuar nga Qendra për Kulturë e Kosovës, e shkroi në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, ndërsa romanin e parë  “Deri në kryq” e shkroi në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare dhe  e botoi në vazhdime te “Flaka e vëllazërimit” e Shkupit. Po në këtë kohë shkroi romanin “Pullazet e përhirta”, të dorëzuar për botim dhe të paralajmëruar te Revista Plejada për numrin 7, por kjo revistë u ndalua dhe romani humbi. Prej këtij romani u botua vetëm një tregim të cilin e futi  Hasan Mekuli në antologjinë  “Stabla” të botuar në Vojvodinë në gjuhën serbokroate.

Dy vjet më vonë botoi dhe librin me tingëllima “Parakalimi i etjeve” te revista letrare “Jeta e re”.

Vazhdoi pastaj me një ritëm të caktuar të botojë libra në poezi, tregime dhe drama… kështu, deri te botimi i romanit “Vigma e fajkoit” , pastaj  “E çara në zotin” – kushtuar Ulqinit në çastet dramatike të tërmetit të vitit 1979.

Për këtë roman, si dhe për  “Vigmën e fajkoit” mori lëvdata të shënueshme nga lexuesi dhe nga kritika. Madje, në Shqipëri romani ‘Vigma e fajkoit” do të çmohet nga kritika si një prurje e veçantë në letërsinë shqipe.

Anila Xhekaliu, ndër të tjera thotë “ Nexhat Halimi është lërues i disa zhanreve letrare ku kullon pa pra gjak poeti. Çlirësia e stilit të tij përball magjiken, mistiken të ndërthurur me epiken, dhimbjen historike të shkrirë me hapësirën, kohën, mitin, ndjesinë, njerëzoren. Romani i tij “Vigma e fajkoit”, 2008, mbetet prurje e veçantë në letërsinë shqipe, ku trinia poet-prozator-dramaturg ngjis tekstin letrar të plotë, shenjat të cilat ngërthejnë 100 vjet (lehtë e heq paralelen me “100 vjet vetmi” të Markezit) përshkruar nga dejet e gjenezës iliro-shqiptare ku dilema shekspiriane “to be or not to be” përkon ndryshe, si vrragë kohësh e fatesh, zgjatim i tyre shfaqet në teatrin e një kohe dhe vendi tjetër si “Unë dhe joUnë”.

Është deri e pamundur të përmbledhësh me pak fjalë opusin letrar të Nexhat Halimit, çdo vepër e  tij kërkon vëmendje dhe përqendrim leximi. Është fat që letërsia shqipe ka një përmasë të tillë…” thekson ajo.

 

Poezia ose fyelli i gjallë

Anila Xhekaliu përgati pjesërisht tekstin dhe botoi në “Obelisk” në dy faqe poezi te autorit Nexhat  Halimi

 

Letërsia kosovare kulmon në vitet `60 me  rilindjen, ku mund të themi se kemi të bëjmë me avantgarde në letërsinë shqipe për vetë specifikat e këtij termi letrar. Nexhat Halimi, 1949, është njëri nga zërat e fuqishëm të poezisë moderne në Kosovë, krijimtaria e të cilit ka ngacmuar vetëdijen kritike me veçantinë e saj unike të ligjërimit poetik e cila për Sabri Hamitin është “ligjërim i ashpër dhe i dhembshëm në të njëjtën kohë, i kapur për ashti të fjalës e të ligjërimit, poezi që përmban në vete ethet e kohës”.  Mensur Raifi thekson se vjershat e Gazmend Papës (Nexhat Halimit) janë margaritarë të vërtetë poezie – kurorë e gërshetuar në një formë funksionale në gradacionin e një dhembjeje intime. Sonetet,  me strofa e rima të caktuara, të rregullta,  si dhe krijimet në varg të lirë  – këngë të mundimshme dhe për poetin, të ndarë në pjesë me numra jo të barabartë strofash, në të cilat derdhen nga një – tri e më shumë vargje, shquhen për nga veçantia dhe origjinaliteti i shprehjes poetike të një përjetimi intim.   Ramadan Musliu e sheh si shpalim të fotografisë personale, ku janë lidhur e gërshetuar imazhe të shumta, ide, reminishenca, të gjitha të dhëna me ligjëratën e reduktuar, të kursyer dhe eliptike deri në atë masë sa nga imazhi mbetet koloriti, kurse nga ideja thelbi kuptimor. Studiuesi Ali Aliu vë në pah momentet asociative që nxisin njëra tjetrën, harmonizohen në shumë aspekte duke krijuar një tërësi… Poezinë e këtij autori me talent e kreativitet të gufueshëm, i cili, që me librin e parë premtonte një poet të rrallë te ne,  Beqir Musliu  e apostrofon  –  sintetizim të përvojës krijuese bukur të çuditshme,  të cilën e mban tërësia si element mjaft funksional dhe të harmonizuar. Xhemail Mustafa shkon deri në vetëdijen krijuese të autorit kur thotë se ajo është ndërtuar mbi parimin: “S` dua të ligjëroj për botën, idetë dhe format e ndryshme, por synoj t`i krijoj ato në vetë ligjërimet, të marrin shpirt në fjalë dhe njëkohësisht ta shpirtëzojnë fjalën.” Jusuf Buxhovi gjen tek kjo poezi të sintetizuar me sens krijues tërësinë brenda tërësisë, vështrimin brenda vështrimit dhe hulumtimin brenda hulumtimit, që frytin e vet e ka të individualizuar fund e krye me një gjuhë unike. Për Prend Buzhalën është njëri nga modernët e rilindjes moderne në Kosovë. (Pikërisht në vitet `60 kur poezia shqipe shpalohej me një shprehje të re, ekspresive, imagjinatave dhe tejet figurative, me përfaqësuesit më të denjë: Dedaj, Shkreli, Gunga, Gjerqeku, Mehmeti, Ujkani, Dërvishi, Podrimja, Gajtani, Kërveshi… etj).  Poezia e Nexhat Halimit është fyell i gjallë, thotë  Teki Dërvishi  dhe shton se “Ai në tekstin poetik kultivon shijen e masës, ta bëjë shprehjen sa më koncize, sa më të mprehtë e sa më të përmbledhur në kuptimin e saj qoftë simbolik, qoftë metaforik”.  Ndërsa për Nehas Sopaj, ai është poet hermetik, ithtar i gdhendjes maksimale të vargut, luftëtar për formalizim  të poezisë. Për Abdullah Zenelin, botues i disa veprave të tij, poezia moderne shqiptare nuk mund të kuptohet pa Nexhat Halimin. Tingëllimat e tij pasqyrojnë majat e mjeshtërisë së vargëzimit, rrinë me vargun e bardhë maestral në çdo analizë e rrethanë. Ligjërimi më experimentues që ekspresivitetin e mbart në formë, përmbajtje për të shpaluar universin e tij poetik dhe tematik të ndërthurur me një botë sa individuale shpërfillëse, aq kolektivisht të ndërgjegjshme.

Ka udhëtuar me libra, e ka kaluar kufirin absurd mes dy trojeve shqiptare disa herë vitet e fundit në panairet vjetore të Tiranës, por askush nuk e ka vënë re, asnjë lajmërim në media nuk e gjen për praninë e librave të tij, krejt sikur nuk ekziston një emër i tillë në letërsinë shqipe, krejt sikur ai të mos jetë autor i 16 librave me poezi, 16 etnive, i tre librave me tregimeve, i dy romaneve, i tre librave me poezi për fëmijë, i katër dramave për fëmijë, një mozaik perlash që daton në vitin 1969 me “Parakalimi i etjeve” gjer te libri i fundit i publikuar më 2012 “Dritarja me pamje në lumë”. Si mundet poetin t`ia fshehësh, heshtësh e ndalosh kombit të vet për kaq shumë kohë të gjatë?! Është klithma që më gjëmon ndër vete. Lëvrues i disa zhanreve letrare ku kullon pa pra  gjak poeti. Çlirësia e stilit të tij përball magjiken, mistiken të ndërthurur me epiken, dhimbjen historike të shkrirë me hapësirën, kohën, mitin, ndjesinë, njerëzoren. Romani i tij “Vigma e fajkoit”, 2008, mbetet prurje e veçantë në letërsinë shqipe, ku trinia poet-prozator-dramaturg ngjis tekstin letrar të plotë, shenjat të cilat ngërthejnë100 vjet (lehtë e heq paralelen me “100 vjet vetmi” të Markezit) përshkruar nga dejet e gjenezës iliro-shqiptare ku dilema shekspiriane  “to be or not to be” përkon ndryshe, si vrragë kohësh e fatesh, zgjatim i tyre shfaqet në teatrin e një kohe dhe vendi tjetër si “Unë dhe joUnë”. Është deri e pamundur  të përmbledhësh me pak fjalë opusin letrar të Nexhat Halimit, çdo vepër e tij kërkon vëmendje dhe përqendrim leximi. Është fat që letërsia shqipe ka një përmasë të tillë.

 

*

Romani i radhës, “Jakia e Mujit” është njëra ndër veprat më të suksesshme të Nexhat Halimit në prozë. Me një pietizëm të lehtë, me një dozë të artit popullor, me thellësinë e mendimit dhe urtësinë e veprimit, ai ka ndërtuar personazhet, të cilat i japin kuptim dhe dinamizëm veprës, i lidhin pjesët e mozaikut  dhe rrjedhës së furishme, për ta krijuar tërësinë. Kjo ngjarje, e këputur nga pjesa e atdheut, e – vënë herë-herë në ambient të ëndrrës dhe të gërshetimit të reales me irealen, krijojnë për mrekulli rrëfimin, i cili ndonjë herë të lë pa frymë. Është një shkrim i veçantë, i plotësuar me çaste të ftohta dhe të zjarrta, me dhembje dhe ndonjë buzëqeshje të zbehtë të këputur nga personazhet, të cilat janë ndërtuar me mjeshtri.

Romani është i pasur me inserte, me pamje të mrekullueshme të ambientit, me hënën jo vetëm si objekt të ftohët natyror, por dhe emocional. Njësoj sikurse te romani i parë, edhe te i dyti shfaqet i njëjti person- reporteri i gazetës “Rilindja”, i cili merr për detyrë të raportojë nga viset e bregdetit jugor, të prekura nga termeti.

Romani  pra trajton pikërisht ngjarje tronditse nga ky ambient. Kjo prozë – fund e krye, ka në fokus  këtë ngjarje tragjike – tërmetin  e rëndë të 15 prillit 1979, fatin e njerëzve përgjatë bregdetit jugor, me përqendrim në fshatrat e Anës së Malit, të Krajës, pastaj në Ulqin, në Tivar e deri në Rizonë, seli e mbretëreshës Teuta… Krahas përshkrimit të gjendjes shpirtërore të njerëzve në këtë stihi të rëndë natyrore, autori  fut edhe një linjë të re rrëfimi-momente kyçe të historisë së afërt dhe të largët, duke radhitur në këtë fije të dhembshme Vraninën- Oso Kukën, Tivarin-ngjarjen ndër më tragjiket për shqiptarët, Masakrën e pranverës së `45-ës, Rizonën dhe Teutën, e shumë hallka  të tjera, që i ndërlidhin të gjitha këto, për të rrjedhur një rrëfim i rëndë, një mozaik artistik, aty këtu i mbështetur në fakte historike.

Ta përsërisim edhe një herë; ky autor që ka një bagazh kualitativ të veprave, të cilësuara si të veçanta nga kreativiteti, qofshin ato në prozë apo dhe në poezi, po vazhdon të jetë i pranishëm me botime tash e 50 vjet.

Në këtë shkrim për këtë rast po e  përmend edhe një vlerësimin të njërit ndër kritikët e shquar, Mensur Raifit, i cili, në shkrimin mbi poezinë e Nexhat Halimit, pos të tjerash thotë edhe këtë mendim:  “…Vjershat e Nexhat Halimit janë margaritarë të vërtetë poezie – kurorë e gërshetuar në një formë funksionale në gradacionin e një dhembjeje intime. Sonetet,  me strofa e rima të caktuara, të rregullta,  si dhe krijimet në varg të lirë  – këngë të mundimshme dhe për poetin, të ndarë në pjesë me numra jo të barabartë strofash, në të cilat derdhen nga një – tri e më shumë vargje, shquhen për nga veçantia dhe origjinaliteti i shprehjes poetike të një përjetimi intim.”

Me këtë rast do të duhej të ceket dhe shkrimi i dramës. Fjala është për dramën “Angështia”, në të cilën autori shtjellon një temë nga vorbulla e luftës. Halimi, dramën e vet e ngre mbi motivin e dhunës së egër  e sidomos urrejtjes patologjike kundër femrës, e cila nga armiku cilësohet fajtorja kryesore për përtëritjen e jetës në këtë tokë kaq herë të djegur deri në gur dhe prapë të rikthyer nga gjaku i derdhur…  Drama është shkruar me një stil të rrjedhshëm, të qartë e të afërt, është realizuar me shumë  përkushtim  dhe  e  mban kujtimin gjallë të popullit për katrahurat që përjetoi, duke mos i harruar për asnjë çast masakrat e papara. Lufta këtu e shtrin vetëm hijen e vet të rëndë, ndërsa përplasjet ndodhin  brenda personazheve.

E krejt për fund, po e citoj prapë Anila Xhekaliun, e cila apostrofon se “është deri e pamundur të përmbledhësh me pak fjalë opusin letrar të Nexhat Halimit, çdo vepër e tij kërkon vëmendje dhe përqendrim leximi. Është fat që letërsia shqipe ka një përmasë të tillë…”.

*

Tregime që i përshkon një frymë: një ngashërim prej prozatori, që hëpërhë ka ngashërimin poetik, shkruan shkrimtari i shquar Beqir Musliu.

-Bota preokupative e Nexhat Halimit që nga fillimi ka qenë e orientuar nga sensibiliteti poetik. Kjo edhe e ka karakterizuar këtë autor si poet. Por, pas një fërshëllimi në poezi dhe në strukturat poetike, pas një aktiviteti letrar – në poezi – bukur të dukshëm, përnjëherë u venerua në preokupimin e ri – me prozë, me një përkushtim të lakmueshëm (nëse mund të themi kështu kur e kemi faktin se ai edhe doli me një libër prozash para lexuesit dhe kritikës). Prandaj, „kalimi” i N. Halimit prej poezisë në prozë nuk është i rastit edhe pse ai njihet më tepër si poet, herë pas here ai ka botuar edhe më parë tregime, por këto tregime të tubuara në vëllimin që e kemi në shqyrtim “Vapë” i përshkon një frymë: një ngashërim prej prozatori, që hëpërhë ka ngashërimin poetik, dhe, mu këto karakteristika bëjnë që kjo prozë të jetë jo vetëm interesante për nga mënyra e vet, po aq edhe ‘bravuroze’ për nga natyra e trajtesave.

Proza si kërkesë: Nexhat Halimi u kapërthye me ketë prozë me një afsh e përkushtim të madh. Kjo mund te hetohet, posa ta lexosh tregimin e parë të këtij vëllimi tregimesh: Bota mblidhet ne shuplaken time e deri te tregimi: Ai qëudhëton nëpër mua. Këtë e përshkon një temperaturë, një kodensitet në formën e jashtme dhe një sensibilitet për nga mënyra e trajtesave. Tregimet e Nexhat Halimit shquhen për nga trajtimi bashkëkohor i tregimit, si edhe botëkuptimi ndaj prozës moderne. Edhe pse ky „preokupim”, që me do kusht të jetë modern, e ka penguar këtë proze, në një mënyrë ia ka shfletuar disa karakteristika: botën e ndërdijes, për nga psikika t’i trajtojë vetjet e tij, ku hiq rrezikun eksperimental, jep mjaft shansë qe nga këto moduse të zgjerojë venerimin dhe tematikën e prozës sonë, në njërën anë, si edhe të begatojë shprehjen subtile në prozë, anën tjetër. Për këtë vëllim të N. Halimit, si doment i përgjithshëm në prozën tonë mund të them se është një përpjekje për t’u liruar nga kallëpet e vjetra, por edhe ashtu si përpjekje jep shansë që te diskutohet për një dritare të re të prozës sonë – për këtë emër të ri, që në hapat e më tejshën në prozë duhet të jetë  më i kujdesshëm, t’u shmanget eksperimentimeve të shumta dhe te shkojë me sigurt në trajtimin e temave dhe preokupimeve tona me një shprehje edhe  më ekspresive, më të kulluat. Si tërësi, ky vëllim jep shanse të re që Nexhat Halimi vlen te kthehet kah ky orientim i ri – kah proza, sepse, ky vëllim është bukur një garancë nëse e merr edhe mëtej punën me përkushtim që te japë realizime më të mirandoshta më te pjekura se në poezi. Në të ardhshmen N. Halimi duhet të punojë në formën dhe strukturën e brendshme të tregimit dhe të sintetizojë kërkesat e veta në prozë në përputhshmëri me kriteret e përcaktuara të letërsisë. Përkundër lëshimeve,

shmangieve te mundshme të temperaturës së tregimit, këto tregime japin argumente që flasin mjaft për zhdërvjelltësinë e autorit që të na fusë në botën e vet dhe në atë botë ta bëjmë një skutëliq. Kjo kërkesë, për një shkrimtar të ri, si është N. Halimi, është bukur e mirë dhe lënë shpresa të presim realizime më të pjekura, s’do mend”.

 

*

Unë me Unë është libri i dytë me tregime i autorit Nexhat Halimi, të botuar  pas një varg vëllimesh me poezi. Ky libër, të cilit do t’i përgjigjej ndoshta dhe emërtimi  “Unë dhe Jo-Unë”përbëhet nga katër tregimie siç është “Vera”, “Udhëtimi”, “Unë me Unë” dhe “Kurrë”.

Tregimet e Halimit pasqyrojnë preokupimin e autorit me problemet e qenies,si asaj njerzore, pom ashtu dhe të asaj kombëtare.

Element dominant është rrëfimi i ngjeshur  me një simbolikë dhe metaforikë të kondenzuar , kurse krijimi i situatave i falet narracionit simbolizues dhe motaforizues. Mbi të gjitha kemi të bëjmë me një prozë lirike,  e cila bën  reduktimin e komponenteve  kryesore te tregimit tradicional,  duke pasqyruar kështu  synimin  e autorit për krijimin e tekstit  të prozës, për të cilën  atributi tregim do të ishte jo adekuat.

Po kështu moment interesant  për këtë prozë  është dhe  përdorimi i elementeve  brenda rrëfimit, shkruan Xhemajl Mustafa në vitet e tetëdhjeta në gazetën “Rilindja “.

 

 

*

 

Poeti e prozaisti Nexhat Halimi botoi librin e tretë me tregime për të rritur “Ombrella”. Vetë titulli në një mënyrë  sugjeron  për tregimet e radhitura në këtë botim, lëviz hije enigmatike – Dikush po vjen apo shkon,atje!

Vjen apo shkon?

Tregimet që e përbëjnë këtë përmbledhje janë “Letra”, “Tregimi që vazhdon I” , “Zh apa A”, “Tregimi që vazhdon II”, “Ombrella” dhe “Tregimi që vazhdon III”. Brenda këtyre hapësirave zhvillohet një ngjarje tronditëse përmes të cilave zhvillohet tradita dhe kultura. Mes tyre është një bisedë me poetin, Sabri Hamiti dhe për bardin e letërsisë shqipe në Kosove, Esad Mekuli.

“Sa do të ketë qenë ora, sa?!

…Ç’u bë, ç’është kjo zhurmë, kush është?

Prapë?

Prapë po lëviz… Gjithnjë. Deri në vdekje. E, s’vdes kurrë, s’vdes. Rrënohet  e prapë ndizet, lulëzon hirit, sillet papra, ëndrrës dhe etjes, gurit të gjallë-rrënjës, nga unë ecën, lidhur zjarrit – Promothe.  Ec… A do të arrij, a jo? Ç’ma zë prapë udhën, më ndjek; ballin të ma marrë, zërin… kush është”?!

Një libër tejet i çuditshëm, i cili përpiqet të lëvizë ndërmjet vetëdijes dhe ndërdijes, një krijim  modern  që e lëvizën prozën tonë tregimtare përpare. Sidomos vlen të lexohet me vëmendje tregimi “Letra”

“A e sheh – atje, në bishtin e rrugës, bartin një të vdekur. Nesër do të më bartin edhe mua nëpër atë udhë, pa frymë, dyllë të verdhë-në katër krahë…”

Kush ka vdekur pyesin qytetarët me një ndjenjë të ftohët.

Letrarë ishte, dhe letrarët nuk vdesin.

Të gjithë librin e përcjell rrëfimi i një personazhi i cili është i shtrirë në spital dhe pret të shërohet dhe ta rrëfej tregimin e vet për jetën, dashurinë dhe letërsinë, shkruan gazeta “Rilindja”.

*

 

Derisa shkruan për romanin e Nexhat Halimit “Silueta e vetmisë së gurit”, Çerkin Ibishi, ndër të tjera thekson.

“Erdhi në opinion romani i Nexhat Halimit “Silueta e vetmisë së gurit” me një stil të veçantë që përshkruan jetën me ngjarje të minatorëve, malësorëve të Shalës e ngjarje që kapin një horizont jete të njerëzve të rëndomtë, që me djersën e tyre ngrisin jetë e të bëma, me frymën e tyre të rëndomtë përjetuan e tejkaluan vështirësitë jetësore. Vë në pah çastet e përjetimet, takimet e ndarjet, shkrime për jetën e vdekjen, për rropatjet e secilit për atë gjë, të cilën nuk e ka gjakshkrimi, veç gjithnjë e ëndërron. Shkruan për njeriun që një pjesë të shpirtit të vet e ka në natyrë, e gjen te lulet, të cilat i mbledh dhe zbret në qytet t i shes, për njeriun që në peizazhin e ngrirë të luleve të kristalta, në nëntokën e art me djersë e siguron bukën për vete dhe familjen, për malësorin e varfër që shet gjelin, apo një dëngë drunj për të blerë abetare, laps e fletore, për fëmijën që ka nis jetën në horizontin e dijes, për, për katrahurën e varret që krijojnë kolonët dhe trimërinë e malësorëve që ballafaqohen me ta mbrojt pronën shekullore të tyre, për thellësitë e shpirtit të malësorëve që gjysmëjetën e kalojnë në minierë dhe të tjerëve që nuk janë në punë, por rropaten me dallgët e jetë për të mposht varfërinë dhe për të mbajt krenarinë e tyre prej malësori që jetojnë në ambiente të bukura e peizazhe të mahnitshme që ua ka falë natyra.

Veçmas dallohen për lexuesin dhe kritikën shkrimet për Isa Boletinin, për Kullën e tij dhe luftërat e përhershme për lirinë e popullit shqiptar dhe copëzat e thëna nga goja e tij në sipërfaqet e kujtesës së mbamendjes sonë si dhe insertet nga jeta tragjike e poetit të shquar, Rrahman Dedaj, njërit ndër poetët e pashmangshëm të antologjisë së lirikës shqipe.

Kjo vepër përmban  copëza kujtimesh të gazetarit që shkruante reportazhe e skica për lulet e kristalta, hyrje në gojën e përbindëshit, gjelin në frëngji, për asnjë gjurmë të mos fshihej prej ballit, për zogun që nuk shihet, peizazhin e ngrirë, për një Avdi e një Sadri, për dy varre nën dy pemë, plakun dhe gjelin që e shet për abetare, laps e fletore, thellësitë e shpirtit, minierën nën det, por puthjen në orën 24.

Romani i poetit dhe shkrimtarit të njohur, gazetarit që tërë jetën ua kushtoi shkrimeve në të përditshmen Rilindja është mjaftë tërheqës për lexuesin që ka rastin ta ketë në duar.

*

E çara në zotin

 

Publicisti dhe shkrimtari, Nexhat Halimi ka një opus të gjerë veprash në poezi, prozë dhe dramë, për të rritur dhe për fëmijë.  Ky shkrimtar botoi edhe  një libër të ri, romanin  “E çara në zotin”, i cili  në fokus ka një ngjarje tragjike – tërmetin  e rëndë të 15 prillit 1979, fatin e njerëzve përgjatë bregdetit jugor, me përqendrim në fshatrat e Anës së Malit, të Krajës, pastaj në Ulqin, në Tivar e deri në Rizonë, seli e mbretëreshës Teuta… Krahas përshkrimit të gjendjes shpirtërore të njerëzve në këtë stihi të rëndë natyrore, autori  fut edhe një linjë të re rrëfimi-momente kyçe të historisë së afërt dhe të largët, duke radhitur në këtë fije të dhembshme Vraninën- Oso Kukën, Tivarin-ngjarjen ndër më tragjiket për shqiptarët, Masakrën e pranverës së `45-ës,dorëzimin e Ulqinit më 1880 Malit të Zi, Rizonën dhe Teutën, e shumë hallka  të tjera,  që i ndërlidhin të gjitha këto, për të rrjedhur një rrëfim i rëndë, një mozaik artistik, aty këtu i mbështetur në fakte historike. Në ballinë të librit është vënë një pikturë e Bajrush Behramit, e cila prek po ashtu fije të rënda nga e kaluara dramatike, nëpër të cilën kaloi njeriu ynë.

*

Romanin “Alter Ego” i cili u çmua me çmimin e dytë në konkursin e shtëpisë Botuese “Buzuku” të Prishtinës, redaktori dhe botuesi e cilëson “Një rrëfim ndryshe për një kohë të largët. Autori  në rolin e dyfishtë. Një vetë e dytë për të ndryshuar paragjykimet. Arti duhet të fitoj”. Ajo kohë e largët është çasti i demonstratave të 68-ës, ndërsa vriten , patriotë, aktivist të shquar, student dhe nxënës duke kërkuar lirinë e vetë. Nga kjo turmë  që brohoritë  papra “Republikë, republikë, ja me hatër ja me thikë!”, në mes të turmës është dhe nxënësi nga Dumnica e Llapit, në pyetjen,- Ç’është molla e kuqe a s’më tregon, -rrjedhë fryma mbi demonstrantët, -Molla e kuqe është tiktaku u shpirtit, pa të rrobit i ndodh kjo që po ngjet tash mes nesh.

-Unë jam rob.

-Unë jam rob.

-Unë jam rob.

Dëgjohen gjëmat e demonstratave të plagosur ndërsa  bie heshtje mbi të vdekurit e ëndrrës për lirinë.

*

Demi i tërbuar

Proza e Nexhat Halimit rrjedh në disa shtresa. Sidomos kjo e romanit. Ka inserte të  lidhura, mozaikë ngjyrash dhe dhembjes së përhershme. Në këtë mënyrë autori e nis dhe prozën e fundit, të rrjedh ndërmjet dokumentares së pastër dhe imagjinatës së thellë. Me disa shtresime, në disa rrjedha, shumë natyrshëm, në mënyrë mjeshtërore, autori ia del të bën kalimin përgjatë gjithë tekstit nga e kaluara në të tashmen. Kjo gjë e zgjon te lexuesi lidhjen e kohës, e bën rrëfimin kaq tërheqës dhe të përjetohet vetëm me nuanca.

Një tekst dramatik dhe kaq i shtjelluar bukur.

Kaq ndihet ajo që pritet. Fillimi i vdekjes dhe dhembja për jetën.

Kjo e keqe e kanosë mbarë rejonin.

Libri është ndarë në tri pjesë, të cilat – secila në mënyrën e vet, e flet luftën, jetën dhe vdekjen. Pjesa e parë i kushtohet Asim Vokshit dhe është emëruar “Fuente del Ebro”, pjesa e dytë bën fjalë për jetëshkrimin e Xhemail Kadës dhe është emëruar “Letra e birit të vdekur”, në bazë të një shkrimi të poetit tonë të shquar Esad Mekulit, i cili ndanë kujtime për heroin e Spanjës, me të cilin jetoi te motra e vet në të njëjtën shtëpi me të në Pejë, ku kreu gjimnazin, ndërsa pjesa e tretë “Dashuri e paepur”, është pjesa e cila gërshetohet me rrëfimet e atyre që u përgjakën e mbetën të gjallë të tubuar tash në Kongresin e V të luftëtarëve të Spanjës, si dhe pjesa më e prekshme në shpirtin e lexuesit është rrëfimi – në shtatëmbëdhjetë unaza, ku autori në bashkëveprim me një kolege të gazetës “Miagar Szo” njihet me historinë në të cilën frymojnë, flasin për ullirin tre mijëvjeçar, për Pallatin e Dioklicianit, për mitet e legjendat, të cilat ndrisin shumë detaje nga jeta e ikur dhe e tashmë e mbetur kujtim.

Rrëfimi në këtë mënyrë është i gërshetuar dhe zgjon jetën e vdekjen.

Përshkruhet deri në detaje gjaku i derdhur.

Zgjon etja për jetën.

Në Spanjë shpërthen lufta. Ballafaqohet e zeza kudër të kuqes, kacafyten për vdekje. Në rrugët e Madridit, të Barcelonës, të Andaluzisë,  të Belçitës gjurmë të mëdha të gjakut, kërpudha të flakës tmerrojnë fshatra e qytete. Tronditet  bota paqedashëse, bota revolucionare. Shfaqet solidaritet i paparë në të pesë kontinentet; mbahen demonstrata në mbrojtje të atyre që mbrojnë lirinë, kërkohet të mos ndërhyjë askush nga jashtë, të ndalet kasaphana e re. Mblidhen barëra, ushqime, veshmbathje, sheqer e qumësht për fëmijët, për të moshuarit e nënat, të cilët u bënë mur para fashizmit në Spanjën martire!

Arrijnë nga të pesë kontinentet dhe vullnetarët e parë, të vdesin për ideal!

Shfaqet kështu dashuria e madhe e lirisë së një gjenerate; për bukë e paqe, pa kërkuar asgjë, vetëm një armë dhe një vend në front. Lulëzon zjarr i ri në gjakun e secilit, të përbirojë kokën paepur drita e përgjakur e Spanjës tri vjet me radhë, në fund të digjet, ndër kaq vdekje në fushat e betejës…

Dy pika lot i ndrisin Bijes nën sy.

“… Unë po shkoj, sikur po shkojnë nga të gjitha anët e botës, i bindur se kështu jap kontributin tim, sado të vogël!” E rikujton  ajo ndarjen me Asimin, i cili do të ik  mes atyre që kapërcenin dete e oqeane, male e fusha, për në tokën e  kastanjetas dhe të flamengos; të radhitet në brigadat internacionale dhe deri në frymën e fundit në Spanjë të mbrojë Republikën. Ai nuk do të kthehet më. Do të mbetet mes atyre-në një varr të përbashkët, që me gjak shkruan epopenë e paharruar, do të mbetet në Fuente del Ebro.

Të njëjtën gjë do ta bëj dhe Xhemal Kada.

Për këta të dy dhe për shtatëdhjetë të tjerë, të cilët do të përgjaken në Spanjë, autori do ta shkruaj romanin e vet të pestë.

Romani  “Demi i tërbuar”,  i punuar ndërmjet jetëshkrimit të Xhemal Kadës e Asim Vokshit, ka tendenca të jetësojë tri shtylla e rrjedha të shpirtit të paepur e human të shqiptarit në kohë dhe hapësira të caktuara. Shkrimi i autorit tashmë të njohur, përmes atyre që nuk e kursyen gjakun e vet për lirinë e Spanjës demokratike, shpreh lashtësinë e trungut arbëror, është gjysmë dokumentar, natyrisht i begatuar me imagjinatën dhe mrekullinë e prozës mjaft lirike. Kjo prozë nuk është e zhveshur nga figurat e metaforat, të cilat gjithnjë e begatojnë rrëfimin dhe ashtu të rrjedhshëm e natyrisht të kapshëm. Gjithë kjo e realizuar, përmes gjurmëve të ngurta dhe atyre që ende marrin frymë. Rrëfim i shtrirë ky në disa treva, në disa shtete të Evropës dhe me inserte jete e vepre të personazheve nga mbarë bota, gjithnjë prej nga vijnë ata të luftojnë për lirinë e demokracinë. Romani pikënisje i ka dy figurat e shquara të Kosovës, Xhemalin e Asim, por dhe ngjarjet e një jave në Split, gjatë tubimit të  vullnetarëve nga të pesë kontinentet e botës -luftëtarë të Spanjës. Me sukses, autori ia ka dalë të përqendrohet dhe në elemente, rrënjë e trungje të lashtësisë, të paraqes mbetjet ilire në truallin në të cilin mbahet kongresi i tyre i pestë, pra në Split të Kroacisë, buzë detit të mrekullueshëm, në hotelin “Lav”.

Gjatë rrugës për në Split autori takohet dhe me reporterin e gazetës “Magiar szo” të Vojvodinës, ndërsa vetë  është reporter i Rilindjes për të shënuar rrëfimet e atyre që ia bënë lavdinë për vite Spanjës demokratike. Ata humbën luftën, por lavdia mbeti të jehojë ndër kohë e breza. Në tubimin në Split, ai e ajo, të dytë reporterë, përveç ngjarjeve tronditëse të atyre që luftuan sypatrembur në Spanjë do të kenë kohë dhe natyrisht kureshtje e etje  t`i gjejë gjurmët e lashta, të cilat dëshmojnë për paraardhësit e banorëve të sotëm aty. Ata vendosen në hotelin Split dhe gjatë kohës së angazhimeve të luftëtarëve të Spanjës do të vizitojnë shumë eksponate në muzeun e qytetit, para të cilave  do të shpreh mahnitje dhe habi të papërshkruar reporteria  hungareze. Ajo do të shfaq jo vetëm interesim për lashtësinë, por do të tregojë mahitje me shtrirjen kaq të madhe të Pallatit të Dioklecianit. Miku i saj tashmë, reporteri i Rilindjes, përveç shënimeve në prospekte do ta njoftojë atë me prejardhjen e pronarit të parë të pallatit, për copat e viseve të shkëputura të tokës ilire, për Teutën e figura të tjera madhore, të cilat do të lënë gjurmë në kohë e hapësirë, në histori. Ai, ndonjë herë do të mbyllet në vete, do të meditojë herë heshtur herë me zë për ullinjtë mbi dymijë vjeçar, të cilët dëshmojnë dhe sot lashtësinë e ndonjë herë përmes ndonjë gjurme dhe brezat e ikur, të cilat lanë prapa shumë relikte. Përveç bisedave të gjalla për t`i ndriçuar jetëshkrimet e Vokshit e të Kadës në Gjakovë e në Pejë, ai do t`i përshkruajë me durim kullën rrëzë Çabratit, me anëtarë brezash të ndryshëm të Asimit, siç është halla Bija, vëllai Miftari dhe Flaka, e bija tij, Ali Olloni etj. Reporteri gjatë rrjedhës së romanit do të gjej kohë të rikujtojë dhe ndonjë pjesë të ecjes së vet në jetë, që dëshmon për etjet që i kishin, për demonstratat e fundit të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të ikur, apo për demonstratat e më vonshme, për të qenë të njëjtë me të tjerët që këtë trevë e mbanin prej kohësh të robëruar.

Ngjashëm ndodh dhe me bisedat në familjen e Xhemal Kadës, me sinënën e Xhemalit-Sheqeren, me Mahirin, vëllain e  vogël të dëshmorit, si dhe me kujtimet e shkruara enkas të  poetit të shquar Esad Mekuli, i cili shkollimin e mesëm e mbaroi në Pejë, duke e njohur për së afërmi dhe mjaft mirë Xhemalin. Rrëfimi i Esadit është dhënë me besnikëri dhe ndrit shumë çështje të kohës. Kështu ndërlidhen shumë çështje dramatiket dhe jepet një pasqyrë mjaft e ndritshme rrëfimi për kohën, për njerëzit dhe bëmat e tyre në  hapësirë të caktuar. Një kujtim lidhur me Xhemalin, një kujtim të bartur nga brezi paraprak, e thotë dhe Sh. Grabovci… Veçmas janë interesante insertet e Asimit në Spanjë me autorin e romanit “Hasta la vista” të Petro Markos dhe çastet e fundit të Skënder Laurasit e të Xhemal Kadës në Spital. Laurasi kujton: “E kthyen nga pavijoni i operacionit për vdekje të shtrirë, nën fasha.

E vendosën në shtratin e majtë të dhomës nr. 47, në Spitalin e Barcelonës. Arriti ta lëvizte dorën, ta shprehtë dëshirën e fundit: kërkoi të takohet me ndokënd që flet shqip. Me ndonjë shqiptar.

-Të flas në gjuhën e nënës me të, – bëri përpjekje të thoshte. Infermierja që kujdesej për të, kërkon dhomë më dhomë, mos do të gjej ndonjë shqiptar. Nuk gjen. Ama fatit nuk i dihet. Ajo takon aty profesor Skënder Luarasi, i cili gjendej në Spanjën e ndezur flakë; shërbente përkthyes, sidomos nga gjuha gjermane. Punonte në zyrat e brigadave internacionale.

Ai menjëherë do të shkojë të takohet me Xhemalin, i cili dëshironte ta informonte dikush për gjendjen në front. Ta njoftonte për shokët, me të cilët krah për krah luftoi. Ai do të habitej me atë  çfarë e preokuponte Xhamalin në  çastet e fundit të jetës.

-Më ke thirrur, – i tha Skënderi.

Ai nuk mundi t`i kthejë përgjigje. Vetëm pakëz lëvizi gishtat e dorës”.

Përfundon çdo gjë. Lufta kaherë është mbyllur.

Autori rri vetëm në një gur. E shikon mjeshtrin nga e punon mozaikun para ndërtesës së vet në Split. Veten e sheh nga qëndron me respekt përballë ullinjsh dy mijëvjeçar në ullishtat e Ulqinit dhe Tivarit. Aty fle shpirti im i copëtuar, – thotë. Natyrisht, i lidhur me Teutën në Rizonë, te burimi nga ende buron uji në një shpellë dhe hove-hove nxjerr para të imta në shkulmat e veta dhe prapë i merr.

Rrethi Polka gjithnjë mbetet magjik, shkruan.

Ama, ta harroj këtë punë e të nis të ta shkruaj poezinë e ndarë në  pjesë, përmes së cilës rrjedh kurrizi i vjetërsisë dhe dashurisë së paepur ndër vite. Aty fle shpirti im e qan për nënë tash sa të ketë shpirt ky ujë, ky ajër, kjo tokë e dru ulliri, ky zjarr.

 

Lulja e mermertë

           

Tash është qiell me lule të mermertë

Mbi gjirin e  bardhë jashtë murit

 

Aty të vij zemra e vetmuar e të qajë

Të krenohet ylli me kalanë  e varur mbi bunë

Të pi vogëlushi qumësht

E të rikrijojë besim te zoti

 

Ta thërras e thërras nënën që s`kthehet

E gjithmonë do të jetë aty me cicat jashtë

Vetëm t`i vihet themeli agut

 

Tash është veç lule me aromë

 

Do cekur se autori Nexhat Halimi është dëshmuar vite me radhë publicist, poet, dramaturg dhe romansier. U lind në fshatin Dumnicë të Poshtme të Podujevës, është nga një familje, e cila, para thikës serbe-në verë të vitit 1878, iku nga fshati Tullar i Toplicës.

Vite me radhë qe gazetar, reporter dhe redaktor në të përditshmen “Rilindja”. Për një kohë redaktoi faqet e kulturës e të letërsisë në “Zëri i rinisë”, në gazetën e përditshme “Yliria post” qe redaktor i shtojcës për kulturë, letërsi dhe art,  pastaj redaktor përgjegjës në gazetën “Pavarësia…”, në të cilën redaktoi dhe shtojcën për kulturë dhe letërsi, disa vite redaktoi revistat për fëmijë “Zog mëngjesi” dhe “Mollëkuqja”, ndërsa në revistën letrare “Verbi’ redaktoi poezinë.  Është autor i një varg librash me poezi, proza e drama.

Është përkthyer dhe përfaqësuar me poezi dhe prozë në shumë antologji në gjuhën shqipe dhe në shumë gjuhë të botës.

Librat e tij kanë zgjuar interesim të kritikës dhe të lexuesit.

… Ky shkrim, romani “Demi i tërbuar”,  e dëshmon dhe një herë përvojën dhe talentin e  autorit Nexhat Halimi, potemcon Fatmire Duraku .

*

A thua kjo ishte “një gjeneratë” e humbur, apo mes dy stacionesh?!- thotë Shaip Grabovci dhe shton, –

Me leximin e faqeve të para të romanit Demi i tërbuar të Nexhat Halimit, fillova ta ndieja  veten se gjendem në një mjedis sa të kaluar gati një shekull më parë sa në një mjedis të kapërcyer vetëm ca vite… Autori shkrimin ia ka kushtuar luftëtarëve të Spanjës,  Asim Vokshit e Xhemail Kadës, por edhe shumë të tjerëve emrat e të cilëve i hasim ne faqet e romanit, Ramiz Varvaricës, Petro Markos, Skender Luarasit ,por theksi është vënë, në dy të parët. Arsyeja është specifika e  jetës së tyre, ngase atyre u mungonte edhe e drejta për shkollim në gjuhën amtare; u mungonte e drejta elementare njerëzore! Ndoshta m`u ky fakt e nxitë më shumë kureshtjen e lexuesit. Dhe ja kthehemi në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar, në çastet ndërsa jetonin heronjtë e këtij romani. Në të njëjtën kohë gjendemi edhe në fund të të njëjtit shekull, në orët e nisjes së  autori  në punën hulumtuese për të hedhur dritë në rrethanat në të cilat jetuan dhe u formuan dy të rinjtë,  të cilët jetën, atë më të shtrenjtën, e sakrifikuan për të luftuar fashizmin. Ndërsa është fjala për dekadën e fundit të shekullit të kaluar ajo në vete mbanë peripecitë, të cilave iu është ekspozuar autori për të grumbulluar materialin e duhur, pjesë kjo sikur herë është një reportazh i bukur, por që është bërë pjesë e pandashme e romanit.

Gjatë leximit të Demit të tërbuar ndërsa ndjekim fatin e dy të rinjve, mund të na ik mendja te vepra e madhe e Hemingvejit: Lamtumirë armë, ku dy të rinj: “para kohe” u kanë thënë armëve Lamtumirë! Po ja, këtu kemi të bëjmë me dy të rinj të cilët armëve nuk u kanë thënë: Lamtumirë, por me to në duar kanë rënë në fushën e betejës për ta lagur tokën e Spanjës me gjakun e tyre rinor! E rruga deri në tokën e Spanjës është tregim në vete, në te janë të lidhura nyje: gjendja e vështirë në vend dhe dëshira e madhe për të luftuar atë gjendje jo vetëm në vend, por edhe më gjerë. M`u kjo romanit i jep edhe një dimension të rinj e si të tillë e bën më gjithëpërfshirës nga e cila mund të nxirret përfundimi se e keqja është e keqe, kudo qoftë ajo dhe si e tillë, nuk njeh kufi! Prandaj duhet luftuar.

Ky konstatim hedhë edhe më shumë dritë mbi fytyrat e këtyre djelmoshave, të cilët të keqen vendosën ta luftojnë, kudo që ajo gjendet. Dy të rinjtë, si të rinjtë, kanë edhe shumë ëndrra e mbi të gjitha ka dominuar ëndrra për çlirim, mirëpo… këtu nuk është harruar as Esa e bukur, e cila ka qenë preokupim i Asimit. Kjo gjë sikur ka preokupuar shumë autorin, sa gjatë leximit, sikur Esa është paksa e personazhit të romanit, aq edhe e jetës së vet autorit… E kjo vërehet, kur gjatë përcjelljes së ngjarjes, në Split, shkrihet në gazetaren Polka, e cila ka udhëtuar aty për të ndjekur tubimin e veteranëve të Luftës së Spanjës, në të cilin kanë munguar ata që janë flijuar për lirinë e shenjt, në mesin e të cilëve gjenden edhe Asimi e Xhemaili.

Valët e detit nga Spliti shpien në Spanjë, në peripecitë për t`iu bashkuar shokëve të cilët luftonin për liri e mandej ndihet era e barotit, bombardimet dhe vrasjet…plagosjet… ndër të cilët gjendet edhe Xhemail Kada! Pason një brengë e madhe prindërore… Babai i Xhemailit, Rexhë Kada, udhëton për në Francë për ta takuar birin e plagosur në mjekim… Dhe nga ajo kohë, ndërsa babai kthehet në Pejë e i biri Xhemaili, serish, në vijat e frontit në Spanjë, Rexha pak ose fare ka hapur gojën të flas. Qëndronte guri. Gjatë gjithë kohës shumë pak më  ka biseduar. Ai vazhdimisht ka qenë i brengosur dhe ata që e kanë njohur nga afër thonë se ka qenë i brengosur, për djalin, por edhe për gjendjen në vend… Ai ka përqafuar idetë e të birit. Xhemali, i cili vetëflijohet e nuk jepet. Njëjtë dhe  Asimi e shokët e tyre kanë vazhduar luftën deri në vdekje, e lexuesi i kujdesshëm mund të pyes:

A thua se kjo ishte “një gjeneratë” e humbur?!

Përgjigja është JO!

Ajo ishte një gjeneratë nga e cila mund të mësohet shumë. Ma thotë mendja se mu kjo është porosia e autorit. Romani, si thotë autori, është udhëtim në mes dy stacionesh: jetës dhe vdekjes dhe gjatë kësaj rruge, me rëndësi është se njeriu lenë gjurmë pas vetes. Asimi, Xhemaili dhe të tjerët kanë lënë shumë, kanë lënë mësimin se si duhet luftuar e keqja!

Në fund nuk mund të mos e përmendë edhe Maksin (Maksut Shehun, i cili ishte edhe vet krijues) . Sepse. mu një xixë që ka dalë nga ai, për të shkruar për luftëtarët e Spanjës, te Nexhati është ngjallur ideja për të na paraqitur një kohë të tërë gati të harruar! Eh, sikur Maksi tani të ishte në jetë e të lexonte këtë roman, sigurisht do të mburrej me idenë e tij, por edhe me N. Halimin, i cili me mjeshtri e ka ngritur në roman.

Ky roman zgjon shumë kthesa në kohë dhe vjen e hapet para lexuesit, i cili vetë mund të bëj matje pse njerëzit vdesin për ëndrrën e tyre, pa hamendje!

*

Varrat, ëndrrat dhe shpresa në një roman

Kompozimi i romanit është bërë me përkushtim dhe në mënyrë të ve çantë,  mënyra e shkrimit është po ashtu e zgjedhur dhe e njënjëshme, ndërsa sintaksa e gjuhës së Nexhat Halimit është vetëm sintaksë e ligjërimit të tij dhe asnjë krijuesi tjetër.  Romani “Jakia e Mujit” është kronologji e ngjarjeve tronditëse, kronologji e dhembjes që e përjetoi populli ynë në tokën e vet vite me radhë.Ky roman, nga shumë aspekte e prek brendinë e atyre që lëvizin në kohë e hapësirë, të ndjekur, të varruar dhe gjithnjë në udhë për ta shpëtuar kokën. Pa aspak qetësi shpirtërore dhe pa aspak liri, sado që gjaku u shkon rrëke për të.

Siç thekson dhe redaktori, Rrusem Berisha, romani është hartim modern artistik, me një mozaik specifik shpirtëror, me një frymim shumë të veçantë të disa nga personazhet, të cilat frymojnë mes tragjikes dhe ëndrrës, mes gjakut të varreve të tyre dhe shpresës.

Romani shtrihet në 320 faqe dhe përthekon një kohë prej afro njëqind vjetësh, duke shënuar në shpirtin e qenies shqiptare pësime, lindje dhe varrime… Ecje në kohë dhe hapësirë me të gjitha frymëmarrjet, me të gjitha dridhjet-pikëllimet dhe ngashërimet e pakta.Kjo botë e vogël, por me rrjedha tragjike, kalon pak nga pak në përjetimet e personazhit kryesor, që është një reporter, i cili gjendet atje – në afërsi të Prizrenit, me detyrë nga redaksia e gazetës “Rilindja”, të shkruajë për një fshat që frymon me vetëm një shtëpi.Reporteri ballafaqohet një të vërtetë të hidhur. Ai kupton se fshati  ka ngel vetëm me një shtëpi, ngase ndërtuesi i kullës së vetme në të, Muji, detyrohet të shkrepë armën, për ta mbrojtur gruan e vet shtatzënë… Kjo ia rrënon të gjitha ëndrrat në tokën e lashtë gurore dhe për t`i ikur gjakmarrjes, shtrëngohet të largohet nga kulla dhe bashkë me djalin e vetëm dhjetë vjeç e merr botën në sy. Deri në  çastin e vdekjes në kullë jeton vetëm gruaja e Mujit me të bijën… Gjithnjë në pritje, me sy e mendje te i shoqi, i cili as ia doli ta ndërtoji një fshat të ri, siç ëndërronte, as të kthehet më dhe të shihet me të dashurën e vet; një grua-besnike, një Penelopë! Kështu, ngel fshati vetëm me një shtëpi, por dhe me dy varre: të nënës së Mujit dhe të vetë Mujit, eshtrat e të cilit ia kthen i biri në shtëpi, ngase sado larg të ketë ikur nga vetja, prapë është afër, prapë gjaku i vet e ndjek dhe e vret!

Pamja e fshatit me vetëm një shtëpi është sa e rëndë, nën hije malesh të ashpra, po kaq është dhe e çuditshme, ngase aty jetojnë vetëm hijet e atyre që e ndërtuan dhe kujtimet, të cilat do të zgjohen nga një i ri, nip i zotit të shtëpisë. Befasia e parë ndodh dhe në vetë reporterin, të cilit i përhijohet një i varfër me një mushkë, personazh për të cilin kishte shkruar kohë më parë në gazetë. Befasia e dytë është se ditën e arritjes së tij në fshatin me një shtëpi has në disa njerëz që e hapin një varr në gurore.- Varri është për gruan e njeriut që e ndërtoi shtëpinë dhe ajo i mbeti besnike shtëpisë së vetme, sado që burri mori udhë të largët e të pakthim… – rrëfen nipi i të vdekurës…

Ky libër-mjaft voluminoz, është i shkruar me një përkushtim të veçantë, i përshkruar fund e krye nga një poetikë, që herë-herë e bën mjaft emocional shkrimin, ndërsa herë tjetër në ndonjë masë dhe vështirë të kapshëm. Ngjarja e romanit ndodh dhe shtrihet në 320 faqe siç cekëm,  duke përthekuar ngjarje, data e çaste tronditëse  në afro njëqind vjetet e fundit. Datat, ngjarjet e çastet kapin dhe  fije  rrëfimesh të largëta, ndonjëherë mite dhe gojëdhëna, derdhje mistike dhe prapë të lidhura me unazën e kohës në të cilën ndodh ngjarja, që përfshin baticat dhe zbaticat shpirtërore të fshatarit të rrethinës së Prizrenit, larg pragut të shtëpisë, jo për të shijuar bukën e hidhur të punëtorit të krahut, por për të ikur nga gjaku i vet, nga hija e vet, tërë kohën i djegur për dashurinë që nuk i shuhet për gurin, për drurin, për kullë, që ndrit nën   hënën – këtë fanar qiellor, herë të shfaqur si  shenjë bukurie, herë përmallimi e shprese, herën tjetër. Ky trup qiellor, që “me argjendin e vet ëndrrën ndrit”, ndez fantazinë e Mujit dhe të birit të tij, që  nëpërmjet saj edhe të kridhen në përsiatje e kujtime, të bien në hije e fenomene  që  ngacmojnë, ngase ky trup qiellor sa  dhe kaq herë i shpie në imagjinatë, e cila i ik nga rrjedha e ashpër e kohës, sepse shfaqet si diçka që sa e sheh sa s`e sheh – zhduket, diçka që shfaqet në qiell, të është afër,  pastaj ik ta shohësh prapë të pasqyruar në ujë, një shenjë drite herë në vete, mbi vete, herë në frëngji… më pastaj humb?!  Është njëherësh diçka si ëndërr, një bashkudhëtare në jetë, në gëzime e në hidhërime, në melankoli e shpresa  të kota.

Lexuesi i njëmend përveç kënaqësisë  gjatë  leximit të librit, do të kapërcejë dhe mbi copëza të hidhura të jetës së vështirë, duke përjetuar vdekje nga vrasjet e paqarta, duke i ndier rëndë deri në asht dhe zinxhirët e rëndë të robërisë së armikut të vjetër, i cili nuk heq dorë kurrë për ta zhdukur nga ky guri, nga kjo tokë e kjo kullë, frymën e njeriut, i cili këtu i ka rrënjët dhe yjtë e ëndrrës. Një simbolikë të veçantë për gjithë vitet në largësi e paraqet ëndrra, ajo bashkë me hënën e mban gjallë frymën dhe   dhembjen që personazhet i përjetojnë, për dashurinë e pambarim, si një diçka pa të cilën shpirti as zgjohet as njihet ndonjë herë.

Nexhat Halimi e shkroi romanin e parë ende duke qenë gjimnazist.Ky roman “Deri në kryq” qe botuar te gazeta “Flaka e Vëllazërimit”. Vite më vonë botoi romanin e dytë “Vigma e Fajkoit”, te “Buzuku”, për të cilin Anila Xhekaliu  shprehej…” Çlirësia e stilit të tij përball magjiken, mistiken të ndërthurur me epiken, dhimbjen historike të shkrirë me hapësirën, kohën, mitin, ndjesinë, njerëzoren. Romani i tij “Vigma e fajkoit”, 2008, mbetet prurje e veçantë në letërsinë shqipe, ku trinia poet-prozator-dramaturg ngjis tekstin letrar të plotë, shenjat të cilat ngërthejnë100 vjet (lehtë e heq paralelen me “100 vjet vetmi” të Markezit) përshkruar nga dejet e gjenezës iliro-shqiptare ku dilema shekspiriane “to be or not to be” përkon ndryshe, si vrragë kohësh e fatesh, zgjatim i tyre shfaqet në teatrin e një kohe dhe vendi tjetër si “Unë dhe joUnë”. Është deri e pamundur të përmbledhësh me pak fjalë opusin letrar të Nexhat Halimit, çdo vepër e tij kërkon vëmendje dhe përqendrim leximi. Është fat që letërsia shqipe ka një përmasë të tillë.”

Romani më i ri i tij ngërthen në vete gjithë përvojën krijuese të autorit, që mbërthen aty afër gjashtë dekada shkrim letrar të veçantë. Mendoj se Romani “Jakia e Mujit” meriton të shquhet për vlerën që ka,  thotë Fatmire Duraku.

*

Mozaik i jetës së rëndë në Shalë të Bajgore

Libri, një prozë e gjatë, “Silueta e vetmisë së gurit”, e Nexhat Halimit, është një mozaik mjaft interesant për jetën, punë dhe universin e botës së Shalës së Bajgores. Romani përshkruan detyrën e një ekipi të një gazete të përditshme, të gazetës së vetme në botë në gjuhën shqipe “Rilindja” të Prishtinës. Ekipi i gazetarëve niset të kryej detyrën për në xeheroren e Stan Tërgut. Përveç raportit ditor për gazetën, ata do të përshkruajnë dhe lëvizjet gjatë një jave të jetës dhe frymëmarrjet, të dhembjes e të dashurisë së malësorëve të mbetur gati të shkëputur nga bota. Ecin dhiaret për te një fshat, të marrin pjesë në varrimin e një minatori, i cili humb jetën tragjikisht në minierë. Gjatë rrugës dhe në takimet me malësorë, ata mësojnë për vitet e hershëm në ketë pjesë të botës, për vrasjet, grabitjet dhe komitët e pa mëshirshme e të ashpër, të cilët më shumë dëm i sollën vetës dhe banorëve të Shalës së Bajgores sesa Serbisë, kundër të cilës dolën në mal për të luftuar pushtetin e huaj.

Libri, me gjuhë të pastër e koncize, përshkruan detajet e jetës në këto male, si dhe ikjet e tyre në mjedise më të përshtatshme për jetesë, por gjithnjë me dhembje për gurin e udhët pak të rrahura  të Shalës së Bajgores. Me të vetmen shpresë dhe me mallin që ndiejnë për udhët e vendlindjes së tyre, të bindur të kthehen një ditë nën diellin që këtu i ngroh përjetësisht, ndërsa me pa vullnet lidhin jetë larg, pa e shkruar të përditshmen e dhembjen për të. E tërë rrjedha e librit paraqet një mozaik të rëndë të jetës dhe të shkrimit për ata që e thurin të përditshmen e tyre të rëndë, në këtë hark të jetës. Është tejet interesant shkrimi Gjeli në frëngji”, për kujtimet për Isa Boletinin, për luftërat që bëri për luftërat e tij dhe përpjekjet e tyre për liri nga zgjedha turke e sidomos nga pushtetit serb…

Përkrah ritmit të punës e të jetës në xeheroren e Stan Tërgut, përkrah kujtimit dhe luftërave të përhershme për liri dhe për t’u liruar nga robëria, radhiten ngjarje tronditëse të djegies së tërësishme të familjeve shqiptare në truallin e tyre, të cilat duhet t’ua lirojnë  hapësirat kolonëve serb të sjellë nga viset e ndryshme të shkrepave të pabanueshme të Jugosllavisë… Banorët e këtushëm detyrohen ta shesin gjelin e  fundit për të mbijetuar dhe ndonjë mushkë me drurë të nxjerrin në pazar në Mitrovicë. Zbresin e ngjiten përkrah xeherores së tyre, me kujtim në bijtë e dashur të mërguar jashtë për një kothere buke.

Ja, ta zëmë një insert

Ritmi i ngjitjes së ashensorit e ndali gjëmën. Morëm me xehetarët e ndërrimit të parë të dilnim nga thellësia në sipërfaqen e tokës. Kush merrte frymë thellë, kush qeshte e pështynte, kush e ndiqte ndonjë zog nga ik mbi teleferikun e “Trepçës”. Mendja më përzihej me të kaluarën e hidhët e fijet e trimërisë të ndonjërit nga trimat e luftës së gjatë e të rëndë për t`u bërë të vetvetes. Më lidhej ndonjë çast dhe me horizontin e nëntë, atje në galeritë e plumbta, vetëm për 15 metra pa prekur thellësinë e punishteve me sipërfaqen e detit. Xehetarët nga ndërrimi i parë të horizontit të nëntë tashmë shpërndaheshin e atje në thellësitë e nëntokës derdhte djersët ndërrimi tjetër. `I pëlhurë e tejdukshme më vinte e më shqyhej para sysh, një tis i përhirtë derdhej e më lidhte me ecjen e Isa Boletinit rrugës së Vlorës, të afrohej te Ismail Qemali, ta puthte me buzët shkrumb flamurin e pavarësisë të ngritur në shtëpinë e vogël, me çardak. Aty ta priste plaku i urtë i Pavarësisë me suitën e vet  e ky, trimi kosovar, t`i dëgjonte fjalët që nguleshin thellë në zemër nga zemra e goja e Ismail Qemailit:

“I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për Pavarësinë e Shqipërisë!” 

Piknin lot të dhembjes…Kosova mbetej e robëruar, me njerëz të varur në shtylla të telefonit buzë secilës rrugë, me gratë shtatzëna, të vrara, të prera me kamë për ta parë do të kishte lindur djalë apo vajzë, me fëmijë të uritur, të etur e në lot, e plaka e pleq të pa fuqishëm ,me fytyrat të ngjashme me relievin e Kosovës, mbetur në robëri,  të këputur nga rrjedha e jetës … piknin lot mes ngashërimit e ftohtësisë për pjesën e atdheut të mbetur jashtë gjakshkrimit, mes siluetës së fluturimit, në ëndërr të copëtuar shqipe… piknin lot të mallit e krenarisë, lot rrëke të padukshëm që shprehnin vite të rënda e të acarta, lot kaq të padukshëm e zemra rrihte me hov të pashkëputshëm. Me zemër të thyer ndiqja udhën malore për te Kulla e Isa Boletinit. Çera më fliste diçka e nuk e kuptoja e nuk i jepja përgjigje…

Autori ndërlidh në këtë mozaik dhe familjen e Rrahman DEDAJt, poetit më të shquar në gjithë hapësirën shqiptare,  e cila shpërngulet nga Shala e Bajgores në fshatin Penuh të Llapit, me të vetmin qëllim për të qenë më afër rrugësh dhe jetës më të mirë, por atje ballafaqohet  me shumë telashe, një njësitë i xhandarmerisë serbe, i cili u vë kusht që në shtëpinë e tyre do ta vendos një kolon  serb të ardhur nga malet e Serbisë, këtu vjen deri te përleshja. Dedajt për ta mbrojtur tokën e shtëpinë e tyre e lusin që të heq dorë nga prona e tyre, meqë ai koloni nuk heq dorë dhe fillon t`i mbjellë arat e tyre, morën vendim dhe e vrasin kolonin serb, për çfarë të gjithë burrat e familjes burgosen dhe dënohen me burg të përjetshëm, prej tyre nga burgu arrin të dalë gjallë vetëm babi i poetit Rrahman Dedaj.

Ky është një përshkrim tejet tronditës, ndërsa përshkruhet dhe një sulëm i një tufe komitësh  në shtëpinë e një fshatari të varfër, me të vetmin qellim për t`ia grabitur gruan e cila ka një fëmijë të vogël. Grabitja ndodh, por fshatari përgatit dhe hakmarrjen…

Brenda librit janë radhitur dhe portrete të ndryshme njerëzish të varfër, siç janë dy malësorë, të cilët nga malet me mëngjes njëri për  ta shitur një gjel në  Mitrovicë dhe një tjetër që  merr udhë me një dag drurësh në shpinë të një mushke. Peripecitë e tyre në qytet janë tepër të mëdha, nga që nuk kanë para që asgjë të iu sjellin fëmijëve në shtëpi të cilët i presin me kokë në dritare.

Mozaikun e ngjarjet i bëjnë më interesante dhe bisedat të  botuar në gazetën “Rilindja”  me piktorin dhe poetin e vrarë nga serbët, Kadri Kadriun, pastaj portreti i një ndërtimtari i cili me punë krahu punon në lagjet me të bukura të Kosovës, por nuk ka lekë në xhep që t`i gëzojë fëmijët për festë.

Romani “Silueta e vetmisë së gurit” në 280 faqe sa i ka brenda vetvetes ngërthen shumë ngjarje tronditës me të cilat gjatë ekzistencës së tyre janë ballafaquar banorët në tokën e tyre të lashtë e të robëruar gjatë kohë, që të ndriçojë e sotmja me lirinë e fituar me gjak.

Libri fillon me një prolog shumë të bukur e përfundon me epilog, ndërsa ndërmjet tyre zhvillohet tërë  ngjarja e përpjekjes së ekipit të gazetës “Rilindja” për të shkruar një reportazh, me të cilin bëhet përpjekje të radhiten inserte, pamje, gjendje dhe dhembje të atyre që lëvizin me hallet e tyre në të përditshmen e rëndë të vitit 1979, disa ditë para ndërrimit të motmoteve  si dhe arritjes së vitit të ri 1980.

Romani e prek në shpirt lëvizjen dhe pakënaqësinë e atyre që e ndiejnë në zemër kohën për të cilën flitet me përkushtim, duke tërhequr paralele të ndryshme nga jeta e tyre e rëndë, potencon në fund të shkrimit Kaltërina Meka.

 

Please follow and like us: