Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: KËNGA E HESHTJES

 

Duruam flakët që dogjën pemën,

duruam zjarrin që shembi strehën,

duruam cikmën që thau eshtrën,

duruam erën që ngjethi shpresën,

gjymtuam ëndrrat, gjakuam veten,

të ribënim të vërtetën, vetëm me heshtjen…

Kurrë nuk na i dhanë të plotë gëzimin,

as shiun e ylbertë të verës, as dimrin.

As diellin, as muzgun, as vesën e brymën,

të panginjur ëndjet, të pangrohur frymën,

përgjysmë lumturinë, mërzitjen, hidhërimin,

mësuam heshtjen, kushtin e vazhdimit…

Të vetmet që kishim në tepri të plotë,

pengimin, absurdin, kotninë e kotë,

zemërimin ndrydhur, shtrëngatën në gotë,

fajtorë dhe kur s’ishim, gjithnjë ne fajtorë,

fjalët i latuam për gur- heshtjen tonë.

Drobitur në agim, të pagjumë ndaj mesnate,

kurrizit kamzhik, drejtësi plot mëkate…

I besuam Heshtjes, mikeshës së vjetër,

kuptuam, kumbon, mbi çdo gjë tjetër…

Duruam vrasjen e bukurive fatkeqe,

duruam durimin, kapërcyem vetveten…

Please follow and like us: