Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: In memoriam, Pandi Stillu!  

Regjisori që shkëlqeu me vënien në skenë të veprave shqiptare, kam parasysh “Karnavalet e Korçës” me një ansambël karakteresh që edhe sot të vijnë të gjalla dhe të pa krahasueshme. Nikollaqi i Viktor Gjokës, Olimbia e Violeta Manushit, Prefekti i Gjon Karmës, Afroviti i Vangjeli Pingulit , Aspasia e Marika Kallamata etj. Po ashtu ”Toka jonë” me Loken e Marie Logorecit etj. Mua më kishte bërë përshtypje në rininë e hershme “Shtatë shalianët”, më kujtohet ende Ndrekë Luca. Më vonë “Mbreti Lir” me shkëlqimine Pjetër Gjokës. Po çdo gjë u bë e prekshme kur mjeshtri, fjalë pak më jepte më 1965 ‘Mjeshtri aktori’ i cili me durim dhe edukatë të çuditshme, heshte para drejtimit të pedagoges sonë kryesore udhëheqëses së kursit, profesores sonë të shquar Drita Agolli (gruaja më e emancipuar shqiptare, sipas meje për tërë kohës). Pandi Stillu pranonte në heshtje edhe nervozizmin e çastit të punës me fillestarët që zysha i shfaqte në ndonjë rast. Pandi Stillu e kapërcente me buzëqeshje. Ndër ushtrimet fillestare që i vinte rëndësi të madhe ishin ato me sikur. Të kryeje veprime pa objekte, gjë që kërkonte përqëndrim. Në këto ushtrime sikur për t’i ardhur në ndihmë korçarit Pandi Stillu, u evidentua Llazi Serbo, që në atë kohë ishte i regjistruar me emrin Llazaraq dhe profesori me kënaqësi i thoshte Llazaraq; na nxorri para klasës studentin e tij të preferuar, pikërisht me ushtrimin e një rrobaqepësi, me sa kujtoj kryente futjen e perit në gjilpërë dhe që Llazi me një plastikë ala balerini dhe përqëndrim të mahnitshëm e kreu ushtrimin shumë bukur! Profesori tha: Ja korçari im që do bëhet aktor i mirë! Më pas duke ngjitur shkallët e drunjta te zyrat e Drejtorisë së Teatrit, që kërcisnin takova profesorin dhe i them: Profesor në revistën “Ylli” kishte një shkrim kritik sot nga Mihal Luarasi për shfaqjen tuaj “Mbreti Lir”. Kush është Mihali? Mos profesor Mihallaqi? Më fërkoi kokën dhe nxori gjuhën, do mësoheni me këto gjera kur të bëhesh artist! Vite më vonë, pasi mbaruam shkollën,nuk i eci shëndeti. Jetonte me të shoqen pa fëmijë, diku nga Pazari i Ri në cepin e rrugës që kthehesh nga ATSH, e rastisa, dukej i lodhur. Nuk kishte moshë për të ikur (56 vjeç)!

Please follow and like us: