Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: SHTËPITË NUK BËJNË ZHURMË

 

 

Në grykë të malit, kanionit ku gremisen ujërat kallkan,

Me gjuhë të egër, këndellje e vjetër që agoninë e josh.

Shtëpitë nuk bëjnë zhurmë, kur plot me njerëz janë,

Rënkojnë, kërcasin, ulërijnë vetëm kur janë bosh.

 

 

N’ato ujëra të panjerëzishme, me tjetër tingull universi,

Shkruaj kujtime të vogla, me thekse e shkëlqime të hijes.

I fus në shishe çartjesh dhe doemos të nesërmen i lëshoj…

Sepse te mirësia fshihet gjithë drita dhe kuptimet e dijes.

 

 

Bota e përqesh njeriun që këndon vetminë në mjerim,

Të jesh i ashpër do të thotë të jesh i brishtë e të gabosh.

Shtëpitë nuk bëjnë zhurmë, kur plot me njerëz janë,

Rënkojnë, kërcasin, ulërërijnë vetëm kur janë bosh…

Please follow and like us: