Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: In memoriam, Moikom Zeqo!

“Në Shijakun e lumtë një pemë u çmend
Hëna u farkëtua nga vjeshta
Në bohemat e yjeve pelegrinë të ëndrrave
Unë u ngurosa nga vdekja”.

Po e filloj shkrimin me këtë strofë poezie, apo poezi në vetvete, shkruar nga poeti i madh dhe studiusi erudit Moikom Zeqo, në shtëpinë time në Shijak,në vitin 1993. Jam mëse i sigurtë, që këto vargje nuk ndodhen në asnjërin prej librave të tij, edhe pse s’ kam pasur fatin ti shfletoj me rradhë të gjithe librat e publikimet e tij, për arsye nga me të ndryshmet, dhe mbi të gjitha ,jeta prej emigranti dhe i larguar prej shumë vitesh nga vendi im. Por sa herë kthehem në Shijak, dhe filloj të rrëmoj me mall në arkivin tim, i rikthehem kohëve të shkuara, korrespondencave të letrave me miq poetë e shkrimtarë, sidomos letrat e njerit prej shkrimtarëve më të rëndësishēm bashkëkohorë Arian Lekës, dhe politikanit e studiuesit Arben Çejku, që atëherë ishin të rinj dhe në kërkim të fatit dhe pozicionimit në jetë.Fotove me miq artiste, si me piktorin e madh shijakas Agim Fajën, me Demir Gjergjin qe së fundi shkoi me engjejt,  dhe sigurisht edhe këtyre vargjeve, mbetur kujtim nga dikush që ka lënë gjurmët e tij në letrat shqipe, dhe për pak kohë, apo për disa vite, u njohëm dhe u takuam për të bërë një copë rrugë së bashku.
Përveç kësaj poezie, që ai e shkroi spontanisht për të shtyrë kohën, ndërsa pinim një gotë verë në kuzhinën time, ruaj prej tij dhe disa foto, dhe disa copa të vjetra gazetash ku ai kishte botuar shkrime apo cikle me poezi dhe mi jepte mua për ti lexuar. Ishte njeri i çiltër, i hapur, pa atë madhështinë e atij njeriut që i duket vetja i rëndësishëm dhe mbi të tjerët, edhe pse , në vitet e para të 90′ ai mbahej si nje nga letraret më të shquar në Shqipëri, dhe përveç famës letrare, kishte qenë dhe ministër i kulturês e me mjaft pozicione të tjera publike të rëndësishme. Unë isha i ri, në hapat e parë krijuese, me botimet e para aty- këtu nëpër gazeta dhe mundêsia e njohjes me Moikomin ishte një shans i mirë për të bërë përpara, edhe pse unë, sinqerisht se përdora kurrë këtë mundësi. Ai me deshiren e tij, pa i thënë gjë unê, më botoi një cikël me 3 poezi në gazetën ” Zëri i Popullit”, në dimrin e 92-it, me një prezantim të shkurtër për mua dhe një foto. Kuptohet dhe gëzimi im kur më ra në dorë gazeta,  dhe vlerësimi që ai më kishte bërë. Mbaj mend që më ka botuar në një gazetë edhe një përkthimin tim të një shkrimi të filozofit italian Umberto Eko, e mbase ndonje gjë tjeter, qe për momentin nuk më vjen në mendje.
Por edhe unë kam qenë disa herë në shtëpinë e tij në ato vite, dhe e kam akoma në sy, një apartament i vogël përballë stacionit të trenit në Durrës, që beheshin apo s bëheshin 50 metra katrorë, një kuzhinë apo sallë ndjenjeje,  quajeni si të doni, të mbushur dëng me libra, saqë pengoheshe prej tyre po të lëvizje, dhe përveç tyre, mjaft piktura nëpër mure, disa të piktorëve të ndryshëm, dhe të tjerë të bërë nga vetë ai, sepse i pëlqente shumë edhe të pikturonte. Njërin prej vizatimeve të tij e ruaj ende sot, të cilin ia kish dhuruar Arian Lekës, dhe Ariani ma dhuroi mua, kur bashke me të kaluam një javë së bashku në Tirane, ku sapo qe punêsuar si kryeredaktor në një gazetë kulturore  të sapokrijuar, por per fat të keq ajo gazetë nxorri vetëm dy numrat e parë dhe s’ vazhdoi më tej.
Atje përpara librarisë gjigande të Moikomit , në proporcion me ngushticën ku banonte, i bëra dhe nje foto me kapele republike, të cilën e ruaj me dashuri prej kaq shumë vitesh. Takimet me Moikomin janë të paharruara, edhe për faktin se unë isha një poet i ri , dhe nga një figurë e rëndêsishme e letrave si ai, kishe se çfarë të mësoje, aq më tepër që ai ishte një njohës i thellë jo vetëm i artit letrar, por edhe antikitetit, filozofisë e mjaft gjërave tê tjera. I dëgjoja me vëmendjen më të madhe  fjalët që më thoshte për poezinë, por edhe bisedat e ndryshme që ai zhvillonte me krijues të ndryshëm që takonim rastësisht në Durrês apo kur shkonim në Tiranë. Në keto shëtitje me Moikomin pata fatin të takoj nga afër shumë personalitete të letrave shqipe, si Dhimitër Shyteriqin, Rexhep Qosjen, etj. dhe të pinim kafe së bashku.
Të shkruaj për Moikomin, do të vazhdoja pa fund dhe do të mbusheshin mjaft fletë me kujtimet për të. Sidomos tani që prehet në amëshim, mungesa e tij bëhet më e rëndë. Por edhe këto pak rreshta besoj se mjaftojnë për të nderuar kujtimin e një njeriu dhe eruditi të madh siç ishte ai. Shtysa për të thënë dy fjalë për të, u bënë ato pak vargje, ku ai shpengueshëm, në një natë të largët dimri të vitit 1993, nxorri stilolapsin, mori nje copë letër, i shkruajti shpejt e shpejt, dhe s’u kujtua ta merrte me vete letrën. Pastë prehje të qetë atje ku është. Po e mbyll këtë shkrim të thjeshtë me nje poezi dedikuar Moikomit, kur u largua përgjithmonë prej nesh, duke na lënë pas veprat e tij të ndritura.

LARGIMI I POETIT
Kushtuar poetit Moikom Zeqo

Një poet u ngjit në qiell
bashkë me fluturat e dritës…
Mëngjesi i sotëm ,si jetim u trishtua
dhe u mbështoll me diell…
Me vesë lotësh, poetin e lau,
brenda vargjeve një trendafil i vuri…
Ky  mëngjes i trembur, i sapozgjuar
mbi një barkë me vela u thërmua..
Këngë sirenash e ndollën poetin
dhe me flokët e tyre e mbuluan…
Një sfinks i bronztë buzëqeshi largësive
poetin, befas, ndali në mes të udhës…
Me nga një shkop drite ndër duar,
të dy vizatuan reflekse muzash…
Iku dhe një poet sot ,
mbi yjësi si një vezë drite…
Ëndrrat e tij dhe mendimet
një botë të re e të pafundme zgjuan.
Me skeptrin magjik të fjalëve
mes urrejtjes, dashurive u hapën udhën…

16-6-2020

Please follow and like us: