Albspirit

Media/News/Publishing

Mihal Gjergji: DISA ÇASTE ME REMZI BANËN

S’kam mundur ta mësoj ditëlindjen e tij, sepse na ndante diferenca e moshës. Koha kishte ndërtuar një mur me pesëdhjetë radhë gurësh mes njeri-tjetrit. As ditën e vdekjes nuk munda ta mësoja. Atëherë isha larguar nga fshati, Ai-jo. Më ndodh shpesh të kthehem në vendlindje, rrallë fizikisht e më shpesh në krahët e mallit a të ëndrrave. Dhe Remziu më troket në kujtesë si një kujtim i largët. Nuk di cili nga ëngjëjt e tij e ndihmonte në përzgjedhjen e njerëzve dhe i shtonte guximin për të folë hapur, sikurse bënte me mua. Më tregonte plagët e shpirtit dhe ato çfarë përjetonte. Le të themi më hapte zemrën dhe kërkonte të njëjtën gjë prej meje, një mirëkuptim që merrte jetë mes vështimeve dhe heshtjes, si heshtja e varrit. Dinte të dhuronte buzëqeshjen e çiltër, të cilën s’ia kishte marrë borxh njeriu. Përherë e shikoja me një pallto supeve, si mburojë për grabiun e acartë që vinte nga Qafa e Kreshës. E kishte të hidhur erën Kurveleshi, e vecanërisht Gusmari. Takoheshim pas muzeut, larg syrit të përgjimtarëve. Nxirrte një “partizan” të hazërt nga paketa dhe ma jepte. Pastaj hapte kutinë e duhanit dhe mbështillte një për vete. Tymi i dendur i vishte fytyrën si një vel pikëllimi dhe ngjitej sipër kacurrelave të tij, gjersa tretej e humbiste në lartësi. Paskëtaj fillonte bisedën. E dëgjoja me kërshëri. Kishte c’të tregonte. Më shikonte në sy si të lexonte mendimet e mia. Vëllain ia kishte ekzekutuar brigada e V sulmuese. I morën në qendër të fshatit tre banorë të pafajshëm, i lidhën dhe pak kilometra më tutje, pikërisht në Shurin e Kucit i pushkatuan. Mes tyre edhe Haki Koka, gusmariot edhe ky. Kishte mbetur i palgosur dhe u foli partizanëve; hajde më vrisni, kam mbetur i gjallë. Ata u kthyen, e qëlluan përsëri. Ishte koha kur shqiptarët vrisnin shqiptarët. Në shpirtin e Remziut, plaga e Selimit kishte formën e varrit. Ishte i detyruar të puthte buzët që i bënin biografinë, të takonte duart me vrasësit e vëllait, u afronte mëshirë dhe i ngrinte me zërin kumbues ata njerëz që kërkonin ta rrëzonin përfund. Por s’mundën ta ndryshonin, ta bënin si vetja e tyre. Remziu mbeti njeri, deri në fund të jetës. Cuditesha ku e gjente forcën për të kënduar. Ishte valltar i mrekullueshëm. I gjatë dhe elegant, brofte në skenën e festivalit. “Jo, mor jo, s’humbet Anteu/ Se e merr fuqinë nga dheu”. Xhufkat e kuqe digjeshin si zjarre. Asnjë fjalë të mirë s’ia thanë. Sigurisht që ai s’priste mirësi prej kasnecëve të djallit. Arsyehumburit ecnin qorrazi dhe lëndonin ata që s’shkonin pas tyre. Duhet të thinjesha për të mbritur te arkivat osmane e për të mësuar të vërteta të panjohura për bashkëfshatarët e mi. Pikërisht fisi i Remziut, bashkë me dy fise të tjera (në të njëjtën mëhallë) ishin me orgjinë hebreje, ardhur në brigjet e Jonit në vitin 1492. Ishte periudha e përndjekjes së tyre nga Afrika, Franca, Italia, Korfuzi dhe vende të tjera. Anijet me të cilat udhëtonin u përplasën në brigjet tona dhe provuan bujarinë shqiptare. Vazhdimisht ndërronin mbiemrat për ti shpëtuar përndjekjes, nje tradite e njohur hebraike. Gadishulli Ilirik u bë streha e sigurt e tyre. Një pjesë e konsiderueshme bujtën në Vlorë. Në fshatin Fterrë të Sarandës u vendos një grupim i madh. Mbiemrin Kofina, te cilin e gjejmë dendur në Tel Aviv, ende e mbajnë banoret e një fisi në Fterrë. Ndërsa në Vllua të Gusmarit u vendosën rreth 25 familje. Gjurmët e dikurshme të atij vendbanimi janë prova të gjalla. Hebrenjte ishin në kërkim të mbretit të tyre, jo të një mbreti shqiptar. Pastaj lëvizën, sepse Perandoria osmane u lejoi praktikimin e riteve fetare, lëvizjen e lirë dhe tregëtinë. Gjithsesi, detajet janë të parëndësishme. Ata ishin njerëz punëtor, të guximshëm dhe zemërbardhë. Ja, kështu më ndodh të flas me Remziun. Më besoni mua, edhe të vdekurit flasin me të gjallët.

Qershor 2022.

Please follow and like us: