Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: GËRMA E FJALË TË ARTA NGA MËSUESI, KOÇO KONOMI

GËRMA E FJALË TË ARTA NGA MËSUESI KOÇO KONOMI!
Kështu na tha mësuesi që vinte nga Delvina, Pandeli Malo, për ato gërmat e fjalët shqip që i solli në fshatin Piqeras mësuesi i parë i Gjuhës Shqipe KOÇO KONOMI, kur ne të vegjëlit e viteve 40-të të shekullit të kaluar, sa u ulëm në bangat e asaj shkolle të çuditshme, përbri varrezave të të vdekurve. Kur na duhej të venim në shkollë, sa herë që nuk kishte bombardime, nga deti apo nga qielli dhe vraponim drejt shpellave të Katunishtës. “Ju do të mësoni gërmat e para të gjuhës sonë të ëmbël, shtoi ai, prej atij njeriu të guximshëm, që prindët e nisën të bëhej Prift në ‘Zosimea’ të Janinës dhe ai zgjodhi ‘udhën e shkronjave’, atë të dijes, për vete, për ne e për ju të gjithë. Dhe ne atë do të bëjmë fillimisht”! Nxorrëm nga çantat tona prej mushamaje a rrobe dalëboje, dërrasat e zeza e nisëm të shkruajmë në të me lapsa karboni, gërmat e para të të gjallëve, edhe pse mbi rasat e varreve aty pranë nesh, emrat e të vdekurve qenë shkruar në gjuhën greke… Na hypi kështu një dëshirë e zjarrtë për të mësuar sa më parë gjuhën e nënave që na kishin lindur me të keq në ato vite të mbrapshta trazirash e luftërash që vinin rradhë-rradhë, njërapastjetrës…
Shumë vite e dekada më vonë, kur unë do të udhëtoja në tokën greke, në rrethinat e Ohrit dhe do të vizitoja edhe manastirin e Bitoljes, do të mësoja se, deri këtu kishte ardhur për të shërbyer si murg i përkushtuar, edhe bashkëfshatari ynë Nestor Konomi, i biri i Tot Konomit që shërbeu gjithë jetën në manastirin e Kremesovës së Piqerasit si murg i bindur në të “Drejtën e Zotit” dhe, më në fund, aty edhe e varrosën në këmbë, si shënjtorët! Po aty, në një manastir të largët,-sikundër ishte ay i Bitoljes, kishte lindur edhe i biri i Nestorit, Koçua, që i ati donte të ndiqte edhe ai, “udhën fetare”, për t’u ngjitur më pas në hierarkinë e ortodoksisë, kur shenjat e para të etjes së diturisë i shkëlqenin mu në ballë të moshës. Mirëpo, njëherësh, ai do të ndjente falsitetin e kësaj feje dhe nuk e shihte veten nën rason e një prifi, që të predikonte edhe moralin e saj. Kështu që hoqi dorë e kërkoi të qe një mësues i thjesht i ateizmit, në të kundërtën e dëshirave prindërore. Me siguri që, do të ketë ndikuar edhe platforma laike e atij gjimnazi, ku kishin mësuar dhe vëllezërit Frashëri, patriotët tanë të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, të cilët “treteshin si qiriri” për mëmëdhenë, për dijen, kulturën e gjuhën e shqiptarëve, për t’u çuar atyre dritën e përparimin.
I lindur që më 1873-in dhe hedhur shtat mbi kodrinën e atij “liqeri pa kufi”, -sikundër do të shprehej vite më vonë, poeti ynë lirik Lasgush Poradeci, djaloshi nga Piqerasi, do të mësonte që fshati i tij qe edhe më i bukur akoma, pak më tej Janinës, Prevezës dhe të fshatit Filipiadhë, ku e çuan të “pabindurin” si mësues, pas këmbënguljeve të tij prej ateisti! Më pas, edhe kur do të vente buzë Detit Jon, në ishullin e Korfuzit, përkarshi fshatit të tij në Shqipëri, ku do t’u mësonte gjuhën greke fëmijëve të atij vendi e do të “digjej” nga dëshira që paskëtaj të kapërcente detin e të vinte në fshatin e dashur të prindërve, akoma më të bukur, në “Parisin e Vogël”, sikundër do ta quante edhe Dhespoti Grek, kur hyri brenda dhe e pa fshatin tënë, si të ishte një vapor mbi det! As jeta nuk do t’i ecte atje, kur vendosi të martohej me një vajzë greke e, pas lindjes së një fëmije, i vdiq edhe ajo. Kështu që, 28-vjeçari vendosi e u kthye në fshatin e tij të origjinës, i vetmuar dhe pa luajtur nga vendi, deri në frymën e tij të fundit… Bëri një jetë të rregullt familjare, pas martesës me nivicioten Katerina Dhuli, me të cilën pati pesë fëmijë, midis të cilëve shquhej sidomos Neço Konomi, pa i nënvlerësuar të tjerët, njeri prej piqerasjotëve më të “thekur”, për të cilin edhe kemi shkruar në volumin e parë të këtij libri. E quajti këtë djalë, me emrin e ta atit Nestor (Neço), ndofta edhe ngaqë pati shmangie nga “udha e murgut” të manastireve,-e mbyllur, e ftohtë dhe e vetpërmbajtur,-përbri ateizmit të atit, gjithsesi shumë të afërt me idealizmat komuniste të tij, të cilat më pas, i krijuan edhe zhgënjimet e para deluzive, këtij njeriu human që ndihmoi shumë nga të rinjtë piqerasiotë të sistemoheshin në Tiranë, kur aty që vënë me rreptësi të madhe kushti i “pasaportizimit”! Po unë kisha edhe një arësye tjetër, që ta doja me shpirt këtë njeri, të birin e mësuesit Koço Konomi: që më pa rrugëve të Tiranës, tek ecja i vetmuar si një “fantazmë” (për të gjetur strehë e punë krahu), që të shtyja kështu ditënatën dhe jetën time, pas daljes nga burgjet e Diktaturës. E Neçoja, më merr prej krahu e më shpie te një miku i tij, shoku K. Drejtori i Ndërmarrjes Komunale të Tiranës, që më shpie menjëherë në punë e më jep dhe strehë, atje ku do punoja këndej e tutje, në një barangë puntorësh gurëthyesish në Guroren e Linzës!
Mirëpo, ateisti patriot Koço Konomi, do të vente paksa më tej e më lartë, se nga ajo ç’ka ëndërronin njerëzit e tij të martirizuar dhe ata të idealizmës romantike, krejt më ndryshe se sa edhe ajo e predikimeve që bënin ithtarët e besimeve të ndryshme fetare, qoftë dhe ajo e Totit e Xhane në fshatin e tij, ku do të gjente një shkollë greke të imponuar e të inprovizuar, veç për djem e veç për vajza, që nuk i shihte në normalitetin e përditshëm të gjërave, kur në realitet flitej shqip e fëmijëve u mësonin greqishten! Dhe do të entuziazmohej kur në vitin 1908 në Kongresin e Manastirit u vendos alfabeti shqip. Koço Konomi u bë një nga mbështetësit më të flaktë që edhe në Piqeras të hapej Shkolla Shqipe e të vihej në jetë po ky alfabet, për t’u mësuar fëmijëve tanë gjuhën e mëmës. E çfarë nuk bëri e ku nuk shkoi për ta krijuar këtë bindje, kundrejt injorancës anadollake, po edhe asaj të fqinjëve tanë që na impononin alfabetin e tyre. Shqiptarizma e Koço Konomit ishte e vetme dhe e pashembëllt, kur ai vuri për këtë realizim ëndrrash, jo vetëm gjithë energjitë e tij, po edhe pasurinë e katandinë vetiake, me një përkushtim të shenjtëruar. Kjo edhe që mesha në kishën tonë, të bëhej në këtë gjuhë e të ishte e shkruar, po kështu edhe nëpër librat e shenjta. Ky martir i dijes dhe i përparimit, “trokiti” gjithandej, në Shqipëri, në Korfuz e në Stamboll, gjersa arriti që ta hapte këtë shkollë më 1 shtator të vitit 1916. Qe kohë lufte atëhere, po edhe kjo që bënte Koço Konomi, nuk ishte më pak se një luftë… Një përpjekje mbinjerëzore! Nisi kështu për fshatin e Piqeras një tjetër jetë. Hyri këtu fjala e shkruar në shqip, në shkollë, në kishë e në shtëpi. E u dëgjuan këngët e para e vallet e para në shqip. Si edhe u shkruan tabelat e dyqaneve dhe njoftimet nëpër mure në shqip. Edhe në rrasat e varreve emrat e të vdekurve, epitafet e përkushtimet ndaj tyre, këndej e tutje do të ishin që të gjitha në SHQIP. Edhe zërin e kishte të bukur ky njeri, edhe shtatin, po edhe bëmat… E kur në shkollën e tij mbërriti edhe Inspektori Ministror Jani Minga, gjeti këtu një faqe të ndritur dijesh e përkushtimesh të rralla të arsimit. Dhe një SHQIPTARIZM të LARTË. Si i vetmi luftëtar i lirisë së vatanit, që vajti e u rradhit përkrah Selam Musait në 1920-ën, kundër italianëve që zbarkuan në Vlorë si zaptues! Kjo “kokëshkrepje” e tij,-sikundër e quajtën disa tipa mediokrësh e injorantësh, jo nga të gjithë do të mbështetej, në atë kohë pa kohë, kur errësira akoma nuk qe davaritur e kur injoranca shekullore kishte bërë edhe punën e vet denigruese, kundëa njerëzve të tillë, që përçonin veç dritë e dituri…
E ku nuk e çuan këtë mësues të zotë, me tiparet e një HEROI, për ta lodhur e denigruar: në Lukovë, Shën Vasil, Nivicë, Kalasë e në Kardhiq të Gjirokastrës, më së fundi, ku edhe do të ndërronte jetë i raskapitur në kulm, në moshën 65-vjeçare, më 2 dhjetor të vitit 1938. Varrimi i tij u bë në fshatin e tij, me fare pak njerëz, ku unë që kisha lindur po aty, në Piqeras e po në atë vit që ai iku nga kjo jetë e mallëkuar. Mësuesi Pandeli Malo nuk rreshtëte së foluri për këtë mësues, mbi gjithë mësuesit e tjerë, që më vonë do të mbetej adhe ai i harruar nga koha e njerëzia… Edhe pse qe një patriot i shquar, i penës dhe i dyfekut, të cilit vetëm pas 100 vjetësh, do t’i përmendej emri… Po ama vetëm emri. Se, kur të shuhet edhe emri, nuk të përfillet e nuk të shkelet as varri e brezat që vijnë, sidomos fëmijët e sotëm, që në Piqeras nuk kanë më as edhe një klasë për të mësur gërmat e asaj gjuhe që i solli këtu Koço Konomi, po vetëm një ngrehinë bosh, mbetur si gërmadhë e mbi një gërmadhë në dalje të fshatit, kur në sheshin e fshatit, apo në oborrin e shkollës, nuk ka as edhe një bust për ta nderuar, për t’u përulur me tufën e luleve të freskëta në përvjetoret e tij po aq harruar! Ndërkohë që kemi mësuar e ecur në jetë në sajë të atyre gërmave e shkronjave të tij të arta. E kur shkrova librin e parë “Piqersaiotët” do të vija gjer këtu, nga Athina për t’i shkelur varrin, me nderimin më të thellë e t’i merrja fotografinë mbi të, sikundër kisha vepruar edhe për të tjerë figura të rëndësishme, nga “dyer të mbyllura” piqerasiote, siç ishte Kryebashkiaku i Sarandës me origjinë nga Piqerasi,-Apostol Qendrothanasi,- të cilit, nuk ia bëri tërr syri tek e hodhi në det vulën e Bashkisë, për të mos i liruar nga burgjet fashiste vrasësit e kriminelët e asaj kohe… Është fjala për njerëz trima e guximtarë, edhe si Koço Konomi, që ende rrezaton patriotizmin e flaktë, dituri e tejpamësi qiellore, edhe pse i mbuluar me dhe, thuajse i harruar… Ky Njeri i Madh i Kombit tënë, i penës dhe i dyfekut.
Eh, çfarë të them akoma?… Më kanë mbetur në mendje dy vargje poetike të mikut tim Musa Vyshka, qysh kur ishim në Elbasan, në vitet 60 të shekullit që shkoi: “E ku i dihen udhët kësaj jete,/Kush di ku përgjon fundi si kusar”?! Natyrisht këtu, në Piqeras,-them unë në këto çaste të dhimbshme njerëzore… po për NJERËZ TË TILLË si KOÇO KONOMI,-asnjëherë nuk do të ketë një “udhë të fundme”! E as ndonjë “parajsë”, siç e ëndërronin etërit e tij shpirtërorë, murgjër të manastireve…
Please follow and like us: