Albspirit

Media/News/Publishing

Pano Hallko: Kredoja e nderit të një ambasadori

Në Fjalorin e Shqipes së Sotme, fq. 552, shpjegohet kuptimi i fjalës kredoja: “Tërësia e ideve dhe e bindjeve të një njeriu në një fushë të veprimtarisë shoqërore; parimet themelore të botëkuptimit të një njeriu, të një organizate etj”.

Të parët tanë, nuk e kanë ditur fjalën “Kredo”, se edhe Fjalorin e kompletuar, e botuam në vitin 1984.

Por ata, të parët, parimet që ktheheshin në qëllime të jetës së dinjitetshme, i quanin me një fjalë tjetër: Kartë.

Dhe thoshin(të parët): “Burri mor djalë, tri karta(kredo), ka në jetë”.

Kartën e pasurisë (pra të parasë), Kartën e dovletit(këtu hyjnë karriera, por edhe femrat për burrat “e zotë”) dhe… Kartën e Nderit.

Duket se kanë qenë shumë të saktë në rreshtimin e tyre, falë përvojës mijëra vjeçare që ata e kishin “shtrydhur” në ndërdijën e tyre. Janë vetë fazat e jetës të tilla, siç i përshkruajnë ata përkatësisht, vartësisht edhe viteve që mban njeriu mbi supe. Madje ata të parët “e pa shkollë” paskan njohur dhe përcaktuar në atë përkufizim, edhe nivelet e testosteronit dhe progesteronit, brenda atij përkufizimi.

Thuhet kjo, sepse ne habitemi, kur shohim zv/ministra të dehur nëpër pab-e që kërcejnë majë tavolinash lakuriq, nën tingujt e “rrock”-ut. Apo kur shohin kryetarë/e gjykatash që vendosin xhel në flokë, apo që kujdesen për simetrinë e të çarave të fustanit, në zyrat e shtetit…

Janë disa ekspertë të fushave të ndryshme të jetës dhe politikës e diplomacisë në këtë vend, të cilët kanë bërë më të mirën e mundshme në shërbim të interesave të shtetit dhe të kombit. Që kanë kontribuuar me kapacitetin e tyre, në të mirë të atyre interesave.
Por mes tyre, e përmbi ta, dallon një personalitet i cili gjatë gjithë jetës së tij, e kudo ku ka shërbyer, shkëlqen jo vetëm për aftësitë e spikatura si ambasador dhe ushtrimin e tyre. Mbi të gjitha ai shkëlqen pikërisht për kartën e nderit, për kredon e nderit.

Të 50 vitet e jetës së tij si ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, e kryesisht 30 vitet e fundit si ambasador i Shqipërisë, evidentojnë emrin…

SHABAN MURATI DHE…

Prej afro njëzetë ditësh, në Shqipëri dhe në të gjithë hapësirën shqiptare, qarkullon libri i ambasadorit tonë të shquar Shaban Murati, me titull “Rusët po vijnë”.
Ambasador Murati është ndër pak ekspertët e aftë që ky vend ka sot, në lëmin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Por e ka sjellë puna, e jo thjesht rasti dhe fati i karrierës së tij të gjatë në marrëdhëniet ndërkombëtare, që ai qysh në fillimet e asaj karriere, të profilizohej në politikën dhe diplomacinë ruse. Pa ia vendosur ai qëllim vetes së tij, por për shkak se politika dhe diplomacia ruse, të paktën qysh nga viti 1913 e këtej, kanë qenë dhe mbeten për fat të keq, pengesa kryesore në avancimin dhe në realizimin e çështjes sonë kombëtare shqiptare. Ata ishin dhe mbetën kundërshtarë historikë të pavarësisë së Shqipërisë, por edhe të pavarësisë së Kosovës, në 20 vitet e fundit.

Autori i librit është njohës i thellë i disa gjuhëve. Doemos i gjuhës ruse, por edhe i letërsisë, historisë dhe kulturës ruse, për të cilat si intelektual shumëplanësh që është, ka vlerësimin dhe admirimin e duhur. Këto njohuri të thella, kultura e gjerë dhe përvoja e gjatë, e kanë ndihmuar autorin, jo thjesht të ndjekë zhvillimet dhe piketat e diplomacisë ruse, por edhe t`i interpretojë ato në kohë reale, duke shikuar larg dhe thellë, se ku kanë qenë dhe janë synimet e saj.

Ai konstaton me keqardhje se në 30 vitet e fundit, mendimi akademik dhe mediatik shqiptar nuk ka qenë në lartësinë e duhur për të kryer analiza të thella dhe kërkime të mirëfillta mbi veprimtarinë korente të diplomacisë dhe politikës së jashtme ruse në Ballkan dhe në Shqipëri.

Diku në libër, ai nënvizon: “Një shtet dhe një komb i ndërgjegjshëm e ka për detyrë që të ndjekë dhe të njihet me pengesat diplomatike dhe me forcat ndërkombëtare, të cilat i janë kundërvënë historikisht dhe u kundërvihen interesave të tij jetike, shtetërore dhe kombëtare”.

Në laboratorin e tij krijues është udhëhequr nga parimi dhe metodologjia e mozaikut, për të ndërtuar me analizat e tipareve kryesore të veprimit shtetëror rus, portretin real të diplomacisë dhe të politikës së jashtme ruse ndaj Ballkanit, ndaj Shqipërisë dhe ndaj Kosovës.
Gjithë këto analiza dhe jo vetëm, por me mijëra analiza të tij, janë botuar në kohën reale të zhvillimit të ngjarjes, të lëvizjeve, të qëndrimeve, të tezave dhe zbatimit të diplomacisë ruse.

Synimi ka qenë dhe mbetet i qartë, si drita e diellit. Që t`u ofronte lexuesve të specializuar, ekspertëve të fushës të cilët kryejnë detyrat e tyre në institucionet shtetërore, pse jo, edhe lexuesve me interesa intelektuale, deshifrimin e kodeve, dinamikës, pasojave të çastit por edhe pasojat e së ardhmes, të veprimtarisë, të projekteve të sjelljes, të akteve, të teorive, të nismave bashkë me objektivat e diplomacisë dhe politikës së jashtme ruse drejt Shqipërisë, Kosovës dhe Ballkanit.

 

…KREDOJA E TIJ E NDERIT

Historia dhe vetë jeta njohin raste në shumë fusha, edhe në diplomaci, kur persona të veçantë a funksionarë të ndryshëm, për 1001 arsye në një fazë të caktuar të karrierës së tyre, ose kanë gabuar, ose kanë shfrytëzuar rastin në kundërshtim me misionin për të cilin janë emëruar të realizojnë.

Dhe përsëri, ndoshta mbas shumë vitesh, janë detyruar apo janë penduar, e i janë rikthyer atij sektori me punën që do duhej të bënin, atëherë kur gabuan. Edhe pse në kësi rastesh qëndron ajo shprehja “Bëj ç`të duash tërë ditën, e në darkë mblidhu në fëmijë”, përsëri mund të interpretohet si… “beteja e mbrame, për një kredo nderi”…

Kurse autori i këtij libri, në çdo hap të jetës që hodhi, kudo ku iu besua të shërbejë apo të përfaqësojë Shqipërinë, në të gjitha analizat që ka shkruar ndër vite, pati dhe ka, vetëm kredon e mësipërme.

Vetëm rastësi nuk mund të jetë fakti që në agresionin e parë rus në Ukrainë me pushtimin e Krimesë në vitin 2014, profesor Shaban Murati botoi librin me titull “Rusia Ballkanike”. Pra, kur po hidhej Krimeja në gardhin e hekurt, ambasadori ynë shikonte orvatjen ruse për të tjerë gjerdhe rusë, në një pikë tjetër të globit, në Ballkan.

E vetëm rastësi nuk mund të jetë fakti, që ky libër i cili ka vetëm disa ditë në dritën e botimit, kur të tjerë gjerdhe rusë po ngrihen, tanimë në Ukrainën lindore.

Pra nuk është libri i parë i ambasadorit tonë të shquar, me këtë tematikë.
Për ata që njohin thellë veprën e tij në kaq vite, në marrëdhëniet ndërkombëtare, është i qartë mendimi se Profesor Muratit, i janë mirënjohës disa shtete në Ballkan.

Thuhet kjo, sepse në analizat e tij, ai kurrë nuk i fryu zjarrit. Sepse në analizat e tij, kurrë nuk ka fyer kombe dhe popuj, por ka stigmatizuar platformat shoviniste të fqinjëve. Prandaj, edhe vetë Serbia duhet t’i jetë mirënjohëse. Sado e pamundur që të tingëllojë kjo, ka të vërtetën e madhe brenda. Një komb që pushton të tjerë kombe, kurrë nuk mund të jetë i lirë për veten e tij.

E një komb, që ka ushtruar genocid dhe shpërngulje të përgjakshme mbi popujt, kurrë nuk mund të ndihet sovran në trojet që nuk i takojnë. Por një shtet, i cili nuk kërkon falje për masakrat dhe shpërnguljet që ka kryer në kurriz të popujve të tjerë, kurrë nuk mund jetë shtet serioz, as me shtetasit e vet, pa lere më, me Europën ku thonë se gjoja duan të shkojnë. Në këtë kuptim, i gjithë Ballkani duhet t’i jetë mirënjohës, e më së pari Serbia dhe Greqia. Madje në disa shtete të Ballkanit janë përkthyer libra të tij.

16 vite më parë, ky personalitet i shquar i marrëdhënieve ndërkombëtare, botoi librin me analiza, me titullin domethënës “Ballkani Faustian”. Ai nënvizon në atë libër:

…“Shtetet, qeveritë, diplomacitë, udhëheqësit e shteteve ballkanike, kanë një rezonancë faustiane në marrëdhëniet dhe në veprimet e tyre. Nuk e krijon dot bindjen, se ata kanë dashur vërtet t`i sjellin të mira gadishullit, qoftë edhe të përkohshme, qoftë edhe virtuale, të Paktit faustian.

Përkundrazi, kanë prirjen të bëhen njësoj si pala apo padroni, me të cilën kanë nënshkruar paktin. Nëse në zhargonin diplomatik ndërkombëtar është përdorur shpesh togfjalëshi “perandori e së keqes”, sot Ballkanit i shkon mbiemërtimi “i keqi i vetes”. Ballkani është peng i historisë së vet, duke qenë vetë ai, edhe Faust, edhe Mefistofel”…

Shkruesi i këtyre radhëve, nuk ka asnjë raport personal me ambasadorin tonë të shquar. Dhe nuk mund të dijë, se çfarë bëhet me personin e tij. Por shkruesi di mirë, se si veprojnë shtete të Europës(ku ne me të drejtë dëshirojmë të shkojmë), kur kanë personalitete të tillë, si Profesor Murati.

Shtetet e Europës(ku ne me të drejtë dëshirojmë të shkojmë), kur e kanë një Shaban Murat, ndërmarrin dy hapa shtetërorë:

Së pari, i marrin këshilltarë për çështjet ku shtetit i “dhemb dhëmballa”.

E së dyti, i mbulojnë me titujt dhe nderet e merituar, për të nderuar shtetin, e jo personin.

Nuk di shkruesi i këtyre radhëve, se sa “qoftexhinj” në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, ende nuk e kanë përfituar titullin “Nderi i Kombit”.

Por di mirë ai, që ambasadori ynë i shquar, ende nuk e ka marrë atë titull.

Autori i këtij libri jo rrallë është linçuar, përveçse nga portale të ndryshme, edhe nga gojët pa zot. Herë si pro rus e proserb dhe kundër të dyve, herë si pro turk, e herë si anti turk, herë si progrek, e herë si anti grek.

Le t’i lemë të gjithë ata në mjerimin mendor të tyre, se ndoshta vjen dita dhe kuptojnë që ambasadori ynë i shquar, është vetëm… Një  intelektual shqiptar i madh, edhe asgjë tjetër.

Ekziston një kohë, kur njerëzit mund të bëhen më të mirë. E kjo është në fuqi edhe për shtetet, kombet, popujt.

Për fatin e mirë të tij por edhe tonin, çdo ditë e jetës së Profesor Shaban Muratit, këtë ka vërtetuar./gazeta dita

Please follow and like us: