Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Ç’thotë Partia bën Populli, ç’do Populli bën Partia

Dushan Mogush e Miladin Popoviçi vendosën në krye të Partisë Komuniste Enver Hoxhën. Gjithashtu i dhanë direktivat dhe i mësuan metodat se si duhej sunduar populli shqiptar. Një nga parimet kryesore të këtij sistemi diktatorial, parim që gjendej i shkruar kudo, madje dhe me gërma gjigande në shpatet e maleve ishte: “Ç`thotë Partia bën Populli, ç’do populli bën Partia”. Edhe më qartë forma e sundimit mbi popullin shqiptar, e importuar nga Serbia e Rusia, shprehej në fjalët e këngës: “Kur flet Enveri dhe vendos Partia, çohet përnjëheri o, e gjithë Shqipëria”. Domethënë Partia vendoste pa diskutim gjithçka që fliste e dëshironte Enver Hoxha. Kush i kundërvihej Enverit shpallej “armik i Partisë” dhe “armik i popullit” dhe cilësohej me epitetet që ndryshonin sipas konjukturave: “Anti-Sovjetik” apo “agjent i revizjonistëve sovjetik”, “anti-Jugosllav” apo “agjent i Jugosllavëve”, etj,etj. Më në fund të gjithë përmblidheshin me termin “Anti-Parti”, po asnjëherë nuk bëhej thuhej publikisht akuza e vërtetë :“Anti-Enver”. Edhe pasi zyrtarisht u përmbys diktatura Komuniste, sistemi i sundimit i huazuar nga Sërbia e Rusia, mbeti. Përsëri po ecet sipas parimit: “Ç’thotë Partia bëj o popull” dhe zakonisht gjithçka që thotë kryetari e vendos e dekreton gjithmonë pa dyshim Partia, qoftë kjo Demokratike apo Socialiste. Dhe pastaj anëtarët e partisë duhet të argumentojnë e të bindin të gjithë se fjala e kryetarit, që u dekretua nga partia është gjithmonë diçka e drejtë, e nevojshme dhe e domosdoshme për gjithë popullin shqiptar. Fatkeqësisht, deri sot,shumë nga antarët e partive të maxhorancës vazhdojnë të besojnë se në qoftë se u binden verbërisht partive e sidomos drejtuesve të tyre, me siguri drejtuesit e dashur të partisë do të marrin vendimet e duhura në dobi të popullit e kombit: Askush nuk do të cilësohet si element anti-parti duke dyshuar në fjalët e udhëheqsit të dashur e të ndritur të partisë. Prandaj Demokratët thonë: Për Saliun kam votuar, për Saliun do të votoj! Socialistët u përgjigjen flakë për flakë: Ramën kam në zemër, të gjitha fjalët ia besoj! Kur në Shqipëri filluan trazirat e 1997 një miku im gjerman më tha: “Ju shqiptarët jeni shumë të çuditshëm”, “Përse?” e pyeta. “Ju gjithmonë për gabimet fajësoni kundërshtarët politikë dhe asnjëherë nuk shihni e u kërkoni llogari drejtuesve tuaj politikë”. Në një situatë të tillë duhet të ishin demokratët që të ishin ngritur kundër Sali Berishës dhe t’i thoshin: “Të kemi zgjedhur, të kemi besuar, si na le kështu preh të mashtruesve”!? Nga ana tjetër socialistët duhet t’i ishin drejtuar partisë së tyre dhe tu thoshin: “Saliun ne e njohim se cili është, prandaj dhe nuk e votuam. Ju zgjodhëm ju që të na mbroni të na përfaqësoni, të mos lejoni që të na vjedhin dhe na mashtrojnë. Jeni gjithë këta personalitete të ditur e të shkolluar. Si nuk e kuptuat dot ju që këto “firma piramidale” ishin një mashtrim? Si i lejuat të na vjedhin dhe na mashtronjë? Kështu do të ish vepruar në çdo vend të Evropës, kurse ju bëni të kundërtën”! Është fakt historik që në rastin e “firmave piramidale” që ish një mashtrim i qartë, nuk funksionuan as partitë politike as shtypi i lirë e as institucionet. Kjo i vendos shqiptarët pavarësisht nga përkatësia politike, para të njëjtës detyrë: Të mendonjnë dhe të analizojnë vetë faktet! Sot Shqipëria gjendet në një situatë të ngjashme me kohën e “firmave piramidale”. Atëherë Saliu e la popullin të bëhet preh e mashtruesve. Dolën njerëz krejt inkompetentë, pa asnjë bazë solide e të vërtetë financiare dhe këta premtonin fitime e interesa më të larta se bankat e Evropës. Sot na ka dalë Rama me “Ballkanin e hapur”. Po na thotë se rruga e paqes dhe begatisë për Shqipërinë, Kosovën për gjithë shqiptarët na qënka miqësia dhe hapja ndaj Serbisë. Analistët e klanit të Ramës na thonë: “Përse të mos i hapemi Sërbisë? Edhe Franca u hap ndaj Gjermanisë”! Këtu në fakt harrojnë të përmendin faktin se Franca u hap me Gjermaninë pasi në pushtet aty ishte për shumë vjet Konrad Adenauer, i cili ish kundërshtar i regjimit të Adolf Hitlerit gjatë gjithë jetës së tij. Franca e hapi kufirin me Gjermaninë pasi ishin pranuar krimet e luftës, ishin dënuar kriminelët dhe në Gjermani ish rritur një brez i ri nën një nga propagandë zyrtare shtetërore që dënonte Nazizmin e krimet e tij si askund në botë. Sot Serbia ka si president Aleksander Vuçiçin, Joseph Goebbelsin e Millosheviçit. Jo vetëm antarët e qeverisë, po të gjitha pozitat kyçe shtetërore, institucionale e propagandistike janë në duart e personave që janë idhtarët fanatikë të idesë së Serbisë së madhe. Shumë prej tyre e kanë deklaruar hapur urrejtjen e përbuzjen patologjike serbomadhe që kanë ndaj shqiptarëve. Ata që Gjykata e Hagës i dënon si kriminelë të luftës Aleksandër Vuçiçi i quan heronj të Serbisë, i vendos në pozitat e edukatorëve të brezit të ri. etj, etj. etj. Të vesh paralelizma midis “Ballkanit të hapur” dhe marëdhënieve Belgjikë-Hollandë-Luksemburg, shtete që kurrë nuk kanë patur probleme në marrëdhëniet e tyre, apo marrëdhënieve Francë -Gjermani, etj. është një mashtrim i qëllimshëm, aq i trashë saqë ofendon inteligjencën e çdo personi që ka njohuritë më minimale në historinë evropiane. E megjithatë protestat e kundërshtimet vijnë vetëm nga kundërshtarët politikë. Sot Rama është bërë avokat i Joseph Goebbelsit të Millosheviçit: Mundohet të justifikojë para Evropës armatosjen e Serbisë, ndërhyn që Komuniteti Evropian të mos bëjë presione ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë etj, etj. Të gjitha këto deklarata Edi Rama i bën nga pozita e Kryeminstrit të Shqipërisë, pra si përfaqësuesi i popullit të Shqipërisë, si përfaqësues i Partisë Socialiste. Kush hesht, kushdo që nuk kundërshton hapur e publikisht bëhet pjestar i këtyre deklaratave. Kush bëhet avokati i Edvin Ramës, avokatit të Joseph Goebbelsit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, bëhet edhe ai vetë avokat i Vuçiçit! A nuk ka ardhur koha për gjithë shqiptarët të largohen nga parimi: “Ç`thotë Partia, bën populli?!”

Please follow and like us: