Albspirit

Media/News/Publishing

MALL DHE DASHURI PËR PIQERASIOTËT NË BOTIMIN E RI TË MIHO GJINIT

LUTFI ALIA, Siena, Itali.
Kur miku im i kahershëm Miho Gjini, më propozoi t’i shkruaj parathënien për librin e tij “Piqerasiotët 2”, u ndjeva i nderuar dhe i emocionuar për ftesën, por dhe u preokupova shumë, sepse ishte përgjegjësi e madhe për t’u shprehur në atë lartësi, që kërkon ky libër i shkruar nga Mjeshtri i Madh, autori i 34 librave, të radhitur në romane, vëllime me tregime, monografi artistësh të mëdhenj, ese, novela,drama, skica letrare, publiçistikë, kronika historike dhe histori të letrarizuara. Në librin pararendës “Piqerasiotët”, botuar në vitin 2013, Miho shkruan: “Vitet që kalojnë mblidhen lëmsh… dhe ringjallin me forcë të jashtëzakonshme atë dashuri sublime e krejt të veçantë që quhet vendlindje… dhe spiranca e jetës ngulitet aty, në gjirin e thellësisë të vendlindjes, nga ku nisi jeta jote, jeta dhe vdekja… e tërë dashuria e qënies, e gjithë bota…”. Kështu e filloi “kuturisjen e parë”, shtegtoi pa anë e pa fund në historinë e vendlindjes së tij, të kurorëzuar me botimin e parë dhe tani në vitin 2022 edhe me vëllimin e dytë. Miho Gjini është ndër shkrimtarët e rrallë shqiptarë, që ka shkruar kaq shumë për vendlindjen dhe për bashkëfshatarët e tij, ka shkruar për çdo njerin prej tyre, por dhe për të gjithë, pothuajse nuk ka harruar asnjë, ashtu si nuk ka lënë mal, kodër, lagje, shtëpi, sokak, pyll, ulli dhe portokall pa e përshkruar. Krahas prindërve, gjyshërve të tij dhe ‘Arrëzës’ fisnike -bashkëshortes dinjitoze, rrëfimet e Miho Gjinit janë të mbushur me aq shumë personazhe realë, sa është e vështirë t’i rendisish e mes tyre një vend të posaçëm u ka kushtuar mësuesve, atyre që dikur ne i nderonim dhe i respektonim me admirim, duke iu drejtuar “zonja mësuese” dhe “zoti mësues”, sepse ata ishin për ne zotat, që na jepnin dituri, kulturë dhe edukatë. Miho e përshkruan jetën e fshatit, tregon për bashkëfshatarët e tij të shumtë, i përshkruan me vërtetësi, me realitet bindës, me individualitetin e secilit prej tyre, larg monotones dhe larg shprehjeve klishe. Në këtë vepër Miho është shkrimtari dhe personazhi, është autori dhe aktori, është rrëfimtari, por dhe guida e vetvetes, është si Publio Papini Stasi ilir, që e shoqëroi Dante Alighierin në Purgator; ashtu e shoqëroi vetveten Miho në këtë rrugëtim të gjatë në vendlindje dhe me bashkëfashatarët e tij. Të shkruash kujtime nuk mund të shmanget të shkruash për vetveten, aspekti më i vështirë për një vepër si kjo e Mihos, sepse rrezikon të biesh në pozita autoidolatrie dhe vetëmburrjeje, përkundrazi Miho shquhet për modestinë dhe qëndrimet dinjitoze, duke rrëfyer gjithçka me vërtetësi, me thjeshtësi dhe me art admirues, duke e trajtuar jetën e tij në raporte dhe të pandarë nga jeta familjare, shoqërore, artistike, krijuese, madje dhe në raporte me politikat e kohës. Kjo mënyrë të rrëfyeri kësisoj, rrallë herë trajtohet e trupzuar në një të vetme, si kjo në të dy veprat e Miho Gjinit, dedikuar Piqerasit dhe piqerasiotëve. Rrëfimet për Piqerasin nuk kanë kufij, nuk mbarojnë kurrë, sepse piqerasiotët nuk janë vetëm ata që banojnë aty buzë detit, por jeta dhe kushtet i kanë detyruar të shpërndahen në të katër anët e Shqipërisë, ashtu si dhe ikanakë në Itali, në Greqi, në Francë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Turqi, në Australi, në Kanada e në shumë vende të tjera europiane, vende ku ata kanë përfaqësuar dhe prezantuar Piqerasin, duke i dhënë përmasa ndërkombëtare këtij fshati të vogël, buzë Detit Jon. Miho ka kujtuar shumë bashkëfshatarë, i ka ndjekur kudo ku ndodhen dhe përsëri i rikthehet kujtimeve dhe shkruan veprën e dytë me plot të dhëna të reja, një libër për të treguar jetën, punën, veprat, të mirat dhe të këqiat, sukseset dhe dështimet, gëzimet dhe vuajtjet e piqerasiotëve. Të shkruash kujtimet nuk është e lehtë, për më tepër të shkruash histori të letrarizuar, por arrihet lehtë nëse e shkruan duke i rradhitur personazhet dhe ngjarjet me realitetin dhe thjeshtësinë e tyre, ashtu si i ke jetuar. Kësisoj i ka përshkruar Miho me vërtetësinë, me bukurinë e tyre mbresëlënëse, thjeshtë e me kulturë dhe art, duke prezantuar një mozaik personazhesh, ngjarjesh, ndjesishë, qëndrimesh, vendimesh, reagimesh, meditimesh, përjetimesh, përsiatjesh, regëtimesh shpirtërore, ashtu si dhe vuajtjet nga persekutimet e absurdit komunist dhe më pas të mohimit dhe braktisjes nga pseudodemokratët. Në një bisedë me mikun tim italian, gazetarin Roberto Rossi, i tregova se po shkruaj një parathënie për librin e dytë që ka shkruar miku im Miho Gjini dhe pasi i tregova veprën e parë dhe një fotografi të Piqerasit, që lartësohet hijshëm buzë detit Jon, ai me habi dhe kuriozitet më pyeti: “Si mund të shkruhen dy libra voluminoze për këtë fshat të vogël? Qesha dhe i thashë: Piqerasi është vendlindja e Mihos, është gëzimi dhe krenaria e origjinës së tij, është pakti solemn i besës, që ka lidhur me atë fole hyjnore, aty ku para 80 vitesh erdhi në jetë dhe i ligjëroi të drejtën të jetë piqerasiot trim, kryelartë dhe kryemëvete, që e bën të mos ndihet i larguar dhe i vetmuar në këtë botë të rrëmujshme. Mua nuk më befasoi fakti pse shkruan kaq shumë për vendlindjen, sepse e di se Miho ikanak e ka marr me vehte Piqerasin, jeton me mallin përvëlimtar dhe me dashurinë për vendlindjen. Jetesa në Greqi nuk ia ka fshirë përkatësinë dhe identitetin shqiptar, përkundrazi e ka forcuar edhe më shumë. Ndonëse larg, Piqerasi gjysmë i shenjtë dhe gjysmë profan, e thërret çdo ditë ta përjetojë së bashku me të gjithë njerëzit e tij, me të gjitha mrekullitë, që gjallojnë në ato troje me bukuri magjepse dhe të përqafuara nga dallgët e detit Jon. Ndofta dikush mund të mos e shohi Piqerasin me këto bukuri sa të marroset pas tij, por Miho vendlindjen e vet nuk e ndërron me asnjë vend të botës, sepse Piqerasi është poemë toke dhe qielli, është simfoni dashurie, është mit, është epikë, është mall përvëlimtar, është magji, është legjendë, është djep trimërie, kulture dhe arti, është mrekulli kaltërsie qielli dhe deti, vendlindja e Mihos, aty ku jeta gjallon me ditën ngjyrë dielli dhe me natën ngjyrë hëne.
Për vendlindjen Horaci thotë: “Ille terrarum mihi prater omnis angulus ridet: është ai kënd i tokës, që më buzëqesh më shumë se të tjerat”, apo si shkruan poetja Alda Merini: “Ёshtë një vend i kësaj bote, ku zemra të rreh fort, ku mbetesh pa frymë nga emocionet që përjeton, ku koha ndalon dhe nuk e ndjen moshën; ky është vendi ku zemra nuk plaket dhe ku vetëm ëndërrohet”, kësisoj është Piqerasi dhe për Mihon, që e ka frymëzuar të shkruaj këtë libër të ri me rrëfime, meditime, përjetime, këngëtime zemre, përsiatje dhe regëtime shpirtërore për vendlindjen, që e dashuron deri në adhurim. Piqerasi është fshat i vogël, i shtrirë në një kodrinë hiroshe buzë detit Jon, madje shpesh nuk shënohet as në harta, por Herman Melville thotë: “Vendet e vërteta nuk janë në harta, por ruhen në mendjet dhe në zemrat e atyre, që kanë lindur aty dhe për ata që jetojnë në këto troje”. Dhe pse ndodhet larg, Miho Gjini vazhdon të jetojë me Piqerasin hyjnor, i cili e pret, e shoqëron dhe e përcjell me mall, me dashuri, zemërbardhë e gojëmjaltë, sa herë shkon dhe ikën, por pa ia kthyer shpinën dhe kur ai nuk do të jetë, në zemrën e madhe dhe mikpritëse të Piqerasit të vogël, do të ketë përherë një vend që i përket.
Please follow and like us: