Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: FATI I LIBRAVE DHE I LETËRSISË

Ese
Fati i pjesës më të madhe i librave është shkruar që të harrohen. Vetëm një pjesë e vogël, shumë e vogël e asaj që shkruhet, i mbijeton kohërave.
-SA LEXOJME, ÇFARË LEXOJME, DHE SA MBETET NGA LEXIMET
Ishin çaste të papërsëritshme magjie, ditët kur në qetësinë e ndonjë lokali intim e të ngrohtë, rrufisje ngadalë kafenë dhe ndërkohë shfletoje me gishta fletët e një libri që kishe marrë me vete. I përqëndruar në faqet e tij, kryeje dy rite në të njejtën kohë, atë të leximit dhe hulumtimit, por i përfshirë edhe nga esenca e të provuarit të një kafeje të mirë. Në kësisoj çastesh kemi zbuluar perden e një bote të madhe e të padukshme, që hapej vetëm me sekretin e çelësit fshehur në thellësitë e zemrës.
Koha nuk mjaftonte kurrë për të përjetuar enigmat e personazheve, për të ndjerë ato që ndjenin ata, për të rikthyer kohën pas dhe për t’u gjendur në një mbyllje qerpikësh në dimensione të ndryshme që vetëm ty të ishte dhënë mundësia të depërtoje. Takimi me Servantesin, duke u bërë bashkudhëtar i Don Kishotit apo pelegrinazhi përmes ferrit dantesk, kryheshin aq normalisht, nën shoqërinë e ngrohtë të një filxhani kafeje, në njërin prej atyre lokaleve fiorentinë apo të Tiranës, Durrësit, gjithkund ku ndodheshe o të shpinte udha, ku kulturat bashkoheshin për t’u njehësuar dhe mpiksur brenda vetëdijes tënde.
Nganjëherë një kafe nuk mjaftonte dhe pa i shkëputur sytë nga libri që po lexoje thërrisje kamarierin të të sillte një tjetër kafe. Me një buzëqeshje dhe sy të perënduar merrje filxhanin e porcelantë, me atë finesën e butë si lëkura e gruas. Syrbje lehtas kafenë, duke hedhur një shikim të rastësishëm nga dritarja, dhe zhyteshe përsëri në botën e leximit. Atje ku më parë kishe kundruar gra të qeta që flinin së bashku me një grup pleqsh të pasur e qejflinj, që autori japonez, Kavabata, përshkruan në romanin e tij “Gratë e fjetura”. Ose gjendesh në rrugë me Henri Milerin dhe vështron me sytë e tu jetën e tij të shthurur. Gjendesh përkrah Heminguejit në një lokal plot dritë dhe kujton plakun që lufton me detin e trazuar.
Nga leximet e dikurshme nëpër lokale, nëpër trena, por dhe në shtëpi është krijuar një bagazh i tillë, që po t’i nxjerrësh nga truri kanë peshë të barazvlefshme me një tren me vagona që transporton minerale. Por vlera e tyre nuk ka matje materiale, por shpirtërore. Për t’i nxjerrë nga mendja do të duhej po aq kohë sa të është dashur për t’i shkarkuar brenda vetes.
Por tërë ato ngjarje dhe heronj që kemi takuar gjatë jetës nuk janë përherë të gatshme në trurin tonë. Shpesh, të mbingarkuar nga jeta e përditshme dhe stresi ata na veniten e mjegullohen, largohen prej nesh dhe nganjëherë s’kthehen më kurrē. Por herë pas here, truri ynë i bie ca këmbanave të vogla që heronjtë e librave të rizgjohen, të vijnë përsëri në kujtesën tonë, të na miklojnë dhe të na falin pak çaste dashurie e përmallimi.
Kohët shkojnë dhe nëpërmes ditëve të zhurmshme, besnikë ndaj ekzistencës sonē, prapë i harrojmë dhe nganjëherē harrojmë dhe vetveten.
Dikur lexonim shumë, tani, në këto kohë, bëjmë sikur lexojmë. Gjithë formimi ynë kulturor dhe estetik i përket së shkuarës. Në atë kohë libri ndodhej gjithnjë mbi komodinën tonë, në çantën e udhëtimit, në lokal apo në çadrën e plazhit, ndërsa tani ia ka zënë vendin celulari.
Më kujtohet, kur e merrja një libër në dorë, sikur doja ta haja gjallë, nuk ngrihesha prej vendit gjersa t’ua nxirrja fundin. Përcjellja emocionale përmes shkronjave kishte një magji dhe ndikim të fuqishëm mbi mua.
Por ato kohëra kanë kaluar.
Tani flasim për libra, por edhe ata janë bërë thjesht ornamente si orët e dorës. Se sot orën e shohim në celular dhe leximet i bëjmë kryesisht nëpër rrjetet sociale.
Por faji nuk është vetëm i celularit, por edhe prirja gjithnjë e më tepër e shumë njerëzve për t’i qëndruar mënjanë gjërave tē thella, lodhjes së trurit, angazhimit social, të zhytur siç janë në kërkim të materiales, artificiales, vanitetit e aparencës.
Sigurisht, libri do të vazhdojë të botohet dhe do të ketë gjithnjë shpurën e ndjekësve, por ata do vijnë gjithnjë e duke u rralluar. Ashtu sikurse mjaft gjëra i ka përfshirë pluhuri i harreses, janë zëvendêsuar nga mjete e teknologji të avancuar, si disqe, kaseta, videokaseta, e tjerë, edhe mjaft libra e shkrimtarë të shquar do lexohen gjithnjë e më pak dhe kjo gjë është e frikshme, po të mendojmë se si do katandiset vullneti shpirtëror, kurioziteti dhe fantazia e miliona njerëzve.
ÇFARË I JAPIM LEXUESIT DHE ÇFARË DUHET TĒ MARRË AI
Në të shumtën e rasteve përcjellim tek lexuesi një letërsi mediokre dhe ai po bëhet gjithnjë e më mosbesues. I pasigurtë për vlerat e një libri, shpesh ndodh t’u kalojë pranë edhe veprave të mira pa i vënë re.
Lexuesi ka nevojë për fjalën e bukur artistike. Por edhe për letërsinë e vërtetë e të sinqertë.
Lexuesi i mirëfilltë është i përkorë. Ai nuk shtyhet nga kopertina apo titulli joshës, por para se të blejë një libër ndjen nevojën ta shfletojë, të hedhë një sy kalimthi sa nga njëri pasazh tek tjetri, t’i hedhë nje sy biografisë së autorit dhe mundësisht edhe ndonjë parathënieje se çfarë thuhet për librin në fjalë. Ai nuk do të blejë një libër e më pas të zhgënjehet se brenda faqeve nuk e përfshiu asgjë, brendia është e varfër dhe nuk i jep shkas të rindezë tek ai magjinë, atë lloj magjie të veçantë që duhet të ndezë një libër. Êshtë sikundër takimi me një grua, prisje aq shumë prej saj, por bukuria e jashtme nuk justifikon kulturën, tē folurit dhe botën e brendshme shpirtërore. Ka libra që ndodh akoma më keq, si në ato njohjet on- line dhe kur vjen çasti i shumëpritur, të vjen në takim një njeri (burrë apo grua), që nuk e prisje, krejt ndryshe nga sa është hequr, jashtë parametrave të kënaqësisë tënde.
Por lexuesi ka edhe preferencat e tij të veçanta. Dikush hidhet me not brenda oqeanit të librit për të kërkuar thesarin e aventurën, për t’u ndjerë pirati me syrin e fashuar apo komandanti i velierës që urdhëron topat për të fundosur anijet kundërshtare.
Një tjetër lexues kërkon lirizmin, lidhjen e pashqitshme të njeriut me natyrën, thirrjet e shpirtit për pranverën dhe lirinë, grahmat e ëmbla dhe trishtuese të dashurisë. Kemi dhe lexuesin e romanit policesk, që hap pas hapi ndjek lëmshin e koklavitur të intrigës, lexuesin e fantashkencës, i etur të imagjinojë dhe përjetojë universin ndryshe dhe me plot hamendësime, lexuesin e trurit njerëzor, ai që depërton brenda karaktereve dhe prej tyre nxjerr mësime e përfundime.
Pra, gjithë kjo mori lexuesish është në pritje ndaj letërsisë së mirë ku të gjejë vetveten dhe atë për çfarë aspiron.
Një lexues i keq dhe i pa orientuar, një lexues që nuk ndalet në lexime të thella e konstante, nuk mund të jenë në sintoni me krijuesit dhe gjithë vizionin që ata ofrojnë përmes mendjeve të tyre pjellore.
Ndaj lexues- krijues duhet të jenë të të njëjtit rang dhe në bashkëveprim shpirtëror midis tyre.
Krijuesit duhet gjithmonë të jenë të zellshëm për të qenë farëhedhës të denjë, ndërsa lexuesit peshkatarë të zhdervjellët thesarësh.
Kjo i jep mundësinë letërsisë të mbijetojë, edhe pse rrojmë në një kohë që përpiqet gjithnjë e më shumë ta mënjanojë e zvetënojë letërsinë.
20. 9. 2022.
Please follow and like us: