Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Pezm pellasgësh

Një nga tre fituesit e Nobelit në Fizikë 2022 ishte edhe profesori 75-vjeçar francez, Alain Aspect, lindur në Paris më 1947, që së bashku me dy kolegë të tjerë u vlerësuan për ndihmesën e tyre shkencore. Sipas jurisë së Akademisë Suedeze thuhet se “Çmimi Nobel në Fizikë 2022 iu dha Alain Aspect, John F. Clauser dhe Anton Zeilinger ‘për eksperimente me fotone të ngatërruar, duke vendosur shkeljen e pabarazive të Bell dhe shkencën pioniere të informacionit kuantik. Rezultatet e tyre kanë hapur rrugën për teknologjinë e re të bazuar në informacionin kuantik”.

Pikërisht ky çmim ka ngjallur pakënaqësi mes pellasgologëve shqiptarë të të gjitha viseve që janë mbledhur urgjentisht në hotelin ‘Krena pa idhuj’ dhe janë gati që t’i drejtohen akademisë suedeze për të korigjuar origjinën e tij.

Krahu radikal i shoqatës pellazge ‘Antirrënjët’ tha se mjafton që të shikosh dukjen e tij, nga koka në këmbë, pa hyrë te emri dhe mbiemri, me mustaqe të thella e të dendura dhe kupton fare qartë se ai është më origjinë shqiptare nga rrethinat e Mallakastrës ose nga zonat e Martaneshit, o musliman, o ortodoks, por nuk përjashtohet mundësia të jetë katolik ose protestant.

Krahu i qendrës se shoqatës tjetër pellazgore, që nuk priret shumë nga kapardisja shqiptare vëren një anë tjetër, atë të emërtimit dhe jo natyrisht te emri ‘Alain’, por sidomos te mbiemri ‘Aspect’. Kryepellasgologu Farskund Farfuria (2F), me qëndrim të përkohshëm në një vend perëndimor, tha me bindje se emri “Aspect”, s’është asgjë tjetër veçse një emërtim që gjendet vetëm në shqip ‘A nuk pe këtë’ në toskërisht, ‘A nuk e pe kët’ në dialektin gegërisht, ‘Hiq atë aspekt, vur këtë aspekt’ dhe më në fund zë vend mbiemri i lashtë shqiptar ‘Aspekt’, gjinia mashkullore, numri njëjës.

Jo vetëm kaq, shtoi editori i portalit ‘Pezhishkat e fjalës’, Kurativ Kurativi (2K), në shqip kjo fjalë përdoret edhe në kuptime të tjera: Nxirre pak aspektin, i thotë nëna të birit për atë që fshihet poshtë pantallonave nga pjesa e përparme, ndërsa kur i drejtohet vajzës e pyet: si i ke aspektet, dmth gjinjtë. Ka raste që përdoret edhe për vithet për meshkuj dhe femra, tha 2K-ra.

Studiuesja e njohur planetarisht bashkë me të atin, Dylbere Dylberja (2D) tha se ne nuk duhet ta lëmë me kaq, të bëjmë menjëherë një padi në Stokholm dhe të kërkojmë 5 milionë euro dëmshpërblim sepse akademia ka fyer tejlashtësinë shqiptare. Nuk lejojmë më të na nëpërkëmbin, tha me një ton të ashpër 2D-ra.

Më e indinjuar në kundërshtimin e Nobelit për Fizikë ishte presidentja e fondacionit 2P, tashmë të rënë nga vakti, Mukades Meqemeja, (2M), që tha se sipas meje që jam e njohur botërisht, kjo është një fyerje e rëndë për kombin më të lashtë në kontinent. Akoma më e prerë ishte presidentja e fondacionit ‘Shkarpurinat’, e përkthyer po sipas saj në disa gjuhë të huaja. Asnjë tërheqje, tha ajo, se Akademia e Nobelit na ka nderuar vetëm me shpikësin e ‘Viagrës’, kur mund të gjente një emër më lartësues, më gjithpërfshirës. Duket sikur shqiptarët janë në këtë aspekt të tërhequr pas seksit dhe nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër. Shumë pak shqiptarë e përdorin viagrën, dënden me fasule e kos dhe ia dalin mbanë edhe asaj pune…

Konspiracionisti kolonjar që deri atëhere nuk kishte folur e shpjegoi këtë fjalë me emrat e dy fshatrave shqiptarë, Asi dhe Pekti, që i ndante një përrua, përroi u tha dhe fshatrat u bashkuan në Aspekt.

Farmaceutiku Priftulaq Priftoli (2P) që punonte si dekan i një universiteti jopublik, por edhe djali i motrës i arkitektit Këndrevica, bashkëpunëtor pa shkëputje nga puna te “Shtëpia me gjethe” tha se ky autor francez nuk është katolik, por ortodoks me origjinë nga Leskoviku dhe po arritëm që ta bëjmë tonin, meriton një shtatore ose në Qafë të Thanës, në Qafë të Krrabës apo në të gjitha qafat që ka hapësira jonë shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve.

Një mendim më estetizant mbante poetja avanguardiste, që bënte edhe piktura, por edhe këndonte herë pas here në klube nate pa parti dhe pa angazhim të qënësishëm ndaj një force të caktuar politike. “Mbështes aspektësisht 2F-rat, 2K-rat, 2D-rat, 2M-rat dhe 2P-rat. Unë komunikoj me yjet, me Universin, por nuk e kuptoj këtë skandal të Nobelit. Nga çdo aspekt spektësor ta këndvështrosh profesorin kuantik Aspekt do ta gjesh shqiptar me rrënjë e me degë, ndoshta jo nga Mallakastra e Martaneshi, po nga rrethinat e Krujës”, tha ajo.

Meqënëse mbledhja ishte e hapur, transparente, ku lejoheshin edhe bejdetarë, bardë, rasposdë, lahutarë, konspiracionistë, divorcistë e sazexhinj, një prej tyre nga Myzeqeja, moderator në një televizion të mosvarur, që luante mjeshtërisht në rrethin me lëkurë keci u tha të pranishmëve:

– Mos u nxitoni, të dashur mendimtarë të thellë, të gjerë, horizontalë, vertikalë dhe të panjollë. Në fjalorin frëngjisht–shqip, kjo fjalë është franceze, që do të thotë pamje, vështrim. Këtë origjinë japin edhe fjalorë të tjerë, nga Europa dhe nga vende të tjera.

Ndërhyrja e defistit myzeqar, që u bëftë def e duman dhe të zhduket një orë e më parë, solli përshtjellim te katër shoqata pellasge, tre organizata në mbrojtje të grave, (njëra e propozuar me nja 10 mijë të tjerë për Nobelin e Paqes), te moderatori që e kastron mendimin palidhje, albanologu i pedonales me karrierë të panatyrshme, dy shoqata të certifikatave diplomatike, dy profesorë që titullin akademik e vënë para, në mes dhe prapa dhe një grup informatorësh, që ndodheshin atje për të parë prirjet se nga do votonin të pranishmit në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Çerçiz Loloçi: Klubi i diarresë

 

Please follow and like us: