Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Si bëhet Kosova më e mirë?

Thjesht, nuk ekziston një formulë magjike, por duhet ide të mira, miq dhe duke u kujdes i shtuar për një mjedis të shëndetshëm mendor, ku mund të zhvillohen ide e ideale të nalta estetike e politike.
Tani për tani idetë e mira i kemi abortuar dhe si rrjedhojë mjedisi ynë është shumë i ndotur dhe kundërmon.
Kjo ka shkaktuar një rrëmujë të madhe shpirtërore, ku janë kurthuar këmbët tona.
Dihet, një ide e keqe kurrë nuk luftohet me një ide të keqe e as me kërbaç- kanë këshilluar të mençurit.
Këtë këshillë e kemi përqafuar përgjatë viteve dramatike të 90- tave dhe kemi fituar.
E këtë rrugë tani e kemi lënë dhe po ndjekim verbërisht rrugë tjera.
Skenën publike e zotërojnë cektësia, popullzimi i gërditshëm dhe idetë e këqija.
Një ide e keqe luftohet me një ide të mirë, duke e mbjellë ‘kopshtin tonë’ siç këshillonte Volteri- pra, duke e bërë kopshtin tonë më të bukur e më të shëndetshëm se të fqinjëve.
Ne nuk po e mbjellim kopshtin tonë dhe po i urrejmë kopshtet tjera.
Lufta kundër të ‘keqes’ nuk është bërë e nuk po bëhet në emër të së mirës e as të përbashkëtës, prandaj përditë e ma shumë shohim ndër ne si lulëzon injoranca, angaria e arroganca.
Lufta kundër të keqes është ushqyer dhe vazhdon të ushqehet nga urrejtja dhe jo dashurie e respekti për njeriun. Si rrjedhojë e kësaj gjuhe të egër, raportet politike e shoqërore në vendin tonë kanë pësuar çarje të mëdha dhe tani po lulëzon hipokrizia, cektësia e popullzimi i gërditshëm.
Tensionet e vazhdueshme, mosbesimi në asgjë dhe në askë, kanë prodhuar një krizë të thellë, dhe për pasojë, kryevend këtu zë kriza e identitare.
Në këtë gjendje të tensionuar globale, edhe sikur të vepronim tok të bashkuar, dhe të kishim harmonizuar dallesat e shumta, vështirë do t’ia dilnim.
Kështu si jemi e si po sillemi, me tendencat në rritje për t’u fragmentuar edhe më tej, me këtë yrysh për të përmbysë çdo gjë, për të mohuar e njollosë gjithsecilin, po krijojmë një gërmadhë të thepisur në të cilën mund të katandisemi keq e prej të cilës zor se mund të dalim.
Mashtrojmë e mashtrohemi kur drejtojmë gishtin kah të tjerët dhe refuzojmë të këqyrim veten në pasqyrë.
Bëhemi të padrejtë e mosmirënjohës kur pështyjmë miqtë e aleatët tanë dhe ndërkohë s’ jemi të zotët as një punë ta bëjmë pa kujdesin e tyre.
Please follow and like us: