Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: MBIJETUAR

Mbijetuar jam,
Dallgëve të jetës,
Qymyrit të zi ndër këmbë
Një javë pa ngrënë, ujë me gaz,
pis, zbath, me kërcënimin e thikës në fyt.
Mbijetuar jam harresës sime.
Duke shkruar ia arrita.
Mbijetuar, përbindëshit të zi, të padukshëm,
plot kthetra dhe gjak, ndër kresë.
Djaj krejt të pa manovrueshëm
Që në kokë më buçitnin, oh tmerr.
Oh ato britma aq të forta në kokë. Zëra ferri.
Krejt kobshëm ngjanin qiparisat,
të përzishëm qiejt në nëntor.
Mbijetuar jam, lotëve.
Ah lotëve të nxehtë të dhimbjes pa fund
me brengën në shpirt. Mbijetuar.
Gjithashtu mbijetuar vetmisë prej ujku të uritur.
Dhe përbuzjes së botës.
Kush je? Kush të njeh? Ç’kërkon nga ne?
Më i fortë dola. Feniks çeliku
Në punishten e Efestit farkëtuar.
Mbijetuar netëve të errëta pa të nesërme
kur dritën kërkoja. Dritën.
Edhe vogëlsisë time mbijetuar,
zërit fërgëllues të pasigurisë
dhe tmerrit i fjalës së pathënë.
Oh ç’peshë ka fjala e pathënë?!
Brengë tunxh, a zhivë e ngrirë.
Vërtetë, e pamundura,
është tërheqja më e madhe e mungesës.
Mbijetuar, hirit tim.
Djegur krejt, shkrirë në lot.
Nuk ka arsye,
as ngushëllim,
as ndihmë. Veç luftë.
Më meskine e pashpirt dhe egoiste se vetë bukuria është Ajo.
Fisnikja ndjenjë
Që botën trand e vërvit
Si hiret epshndjellëse erëmirë të femrës.
Ajo, që fatin e një tjetri kërkon,
ja ashtu është ajo. Mbijetuar mjergullave,
Dhe rrebeshit dert. Prapë këtu jam.
Si në pararojë.
Please follow and like us: