Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Nëse simbolin e lirisë ta fshehin…

  
Nëse simbolin e lirisë ta fshehin, mos mendo se e kanë bërë për të mirën tënde.
Me lirinë pasurohesh, e me robërinë varfërohesh!
Një popull i shtypur, është zakon të quhet i nënshtruar.
Njeriu i lirë nuk e njeh nënshtrimin, e lufton atë, duke sakrifikuar edhe jetën. Të nënshtruarit nuk e njohin këtë sakrificë, ndaj punojnë dhe shërbejnë si robër të nënshtrimit.
Njeriu i lirë e njeh kohën kur zbardh e kur ngryset, e i nënshtruari njeh vetëm kohën e jetës në nënshtrim, sheh kur i thonë të shohë, dhe dëgjon kur i thonë të dëgjojë.
Njeriu i lirë vrapon hapësirave të lirisë, e njeriu i nënshtruar ecën vetëm hapësirës që i lejon robëria.
Njeriu zgjedh të quhet i lirë ose i nënshtruar. Zgjedhja është si loja e dominosë që nuk luhet me shumë gurë. Ai që di të hedhë gurin e fitores nuk ka frikë se do humbasë. Fundja, humbja është pjesë e lojës. Por ai që e sheh gurin të hidhet në lojë me ndjenjën e frikës, nuk e ka të sigurt fitoren, e pasiguria është shansi i tij i humbur.
Në jetë na bie të takojmë të humbur e të fituar. Nga të humburit mësojmë shumë, ashtu siç mësojmë edhe nga të fituarit. Por bukuria e mësimit qëndron në faktin, se si i sheh këta dy shembuj, me ndjenjën e spektatorit, apo me atë të të jetuarit i përfshirë në këtë mësimdhënie!
Jeta ofron mësime të çmuara shumë për këdo. Por të jetosh çdo ditë me mësimin e jetës, është shans për të fituar e jo për të humbur. Rezultati? Shënohen pikë për të përvuajturit, e zbriten pikë për burracakë e shtiracakë.
Jeta vazhdon ritmin e saj…
18 Tetor 2022.
Please follow and like us: