Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Prifti: Absurditeti i politikanëve shqiptarë

Deri kur?!
Ashpër! E ashpër është natyra e vendit tonë, të ashpër dhe shumë të bukur janë shkrepat e maleve, grykat e thella të lumenjve dhe plot bukuri të falura nga Perëndia. Mirë natyra, është ashtu se ashtu e ka krijuar Zoti, po politikanët tanë pse janë kaq të ashpër dhe sherrxhinj?! Të egër deri në absurditet. Vrasin e presin njëri-tjetrin me fjalë e me armë me një lehtësi të çuditshme. Thërresin e ulërijnë si një tufë egërsirash. Të egër me njëri-tjetrin si në një luftë për jetë a vdekje, jo sikur janë qënie njerëzore, por si egërsira të ardhura nga pylli, që nxjerrin gjithnjë kthetrat e tyre të frikshme dhe çjerrin e plagosin egërsisht moralisht e fizikisht njëri-tjetrin dhe njerëzit e thjeshtë. Bubullues të tmerrshëm dhe të mbushur plot urrejtje e mllëf, plot instikte kafshërore, plot çmendurira… Deri kur kështu?! Nga ju vjen kjo mënxyrë ? Çfarë duan të thonë e ku duan të dalin me këtë urrejtje e armiqësi? Pse gjetën parlamentin për të lëshuar kaq vrer për njëri-tjetrin, sikur ka pak mjedise të tjerë për të treguar se sa pa edukatë dhe pa kulturë janë?! Nga e kanë mësuar atë fjalor aq banal e të ndyrë?! Shajnë dhe nxjerrin pështymë si të sëmurë epileptikë… Sa shekuj do të rrojnë këta të mjerë e të varfër nga mendja, që e urrejnë kaq shumë njëri-tjetrin?!
Nuk ka botë tjetër! A do të ketë paqe ndonjëherë midis këtyre njerëzve në këtë vend?! Populli është shumë i lodhur. Është aq shumë i lodhur dhe i drobitur sa i duket se kurrë nuk do të ketë qetësi në këtë vend… Ku e gjejnë këtë fuqi kaq të madhe për të urryer?!
O derëzez, hiqeni një herë nga mendja atë qerrata kolltuk dhe atë ndyrësirë para dhe shkoni të flisni me njerëzit si njeriu me njerinë. U kanë zgjedhur votuesit e gjithë Shqipërisë të hartoni ligje dhe të mbroni të drejtën dhe jo të dëgjojnë ulërimet, sharjet dhe ofendimet tuaja. Jeni barabarë…
A mendoni ndonjëherë sikur kjo fuqi urretjeje të ishte fuqi dashurie?! Sa e bukur do të ishte politika shqiptare, sa e bukur do të ishte bota jonë, sa mirë do të jetonte ky popull… Ne do të ndërtonim parajsën në këtë vend që quhet SHQIPËRI!
Please follow and like us: