Albspirit

Media/News/Publishing

Agim Bajrami: REKUIEM PËR PERIKLI JORGONIN

Gjashtë vite më parë, në vendin e quajtur Ura e Fllakës, në autostradën Tiranë – Durrës, humbi jetën aksidentalisht një nga personalitetet e njohur të letërsisë sonë kombëtare, përkthyesi, studiuesi, poeti dhe redaktori i njohur i poezisë në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, Perikli Jorgoni. Ndonëse kanë kaluar kohë, mua ende mi vret veshët vibrimi i ziles së celularit atë mbrëmje dhe pyetja me gjysmë zëri e një miku poet se: A e ke parë lajmin në TV për vdekjen e Perikliut. U hutova dhe u drodha njëherësh. Ndeza TV-në dhe e verifikova menjëherë, Ishte e vërtetë, edhe pse nuk më bëhej ta pranoja. Nëse për veshët e shikuesve të zakonshëm, ai mund të ishte një lajm i thjeshtë, nga kronika e zezë e vdekjeve të zakonshme dhe të shumta në këtë vend, në rastin e tij ishte krejt ndryshe. Kishte ikur tragjikisht nga kjo jetë, një emër i madh dhe me peshë të rëndë në letrat tona, Perikli Jorgani. Kontributi i tij është i lidhur ngushtë sa me redaktimin dhe promovimin me sukses te shumë emrave te njohur, që i kanë dhënë tempin poezisë sonë nëpër dekada, po aq dhe me sjelljen në shqip me shumë kulturë dhe origjinalitet të disa prej emrave të njohur të letërsisë botërore, si Dan Brawn me “Kodi i Da Vinçit”,Rilke, Kavafis, ,Hajne, Gëte etj. Si poet ai e evidentoi talentin e tij kryesisht në zhanrin e poemës. Mjafton të kujtojmë këtu “Balada e rrembave të gjakut”, “Poemë për Bajram Currin”, “Lasgush Poradecin”, “Prokop Sorrën” etj. I dashuruar me vargun, ai lëviz rregullisht sa në mes poezisë, aq dhe përkthimit, duke ruajtur ekuilibrat e duhur mes tyre. Perikli Jorgoni ishte një krijesë e mirëfilltë letrare në çdo qelizë. Si i tillë portreti i tij mund të kuptohet më mirë vetëm në trajtën e një libri në shfletim.
Skrupulloz në detyrë dhe i drejtpërdrejtë në marrëdhëniet me kolegët, ai do të kujtohet gjatë si për studimet e shumta letrare, për personalitete të njohur të letrave, por edhe për më të rinjtë. Post-diktatura i dha më shume liri dhe energji krijimtarisë së tij. Të kësaj periudhe janë një listë e gjatë poezish me problematika bashkëkohore, përshkuar nga një frymë e ndjerë lirike. Sepse Perikliu ishte një njeri pa moshë. Ëndërronte dhe sillej si një 20 vjeçar. Dimër -verë zhytej në det. I ikte sa me larg bregut, për të folur me valët dhe vetveten. Vitet e fundit ai u transferua në plazhin e Durrësit, përballë kalit të Trojës, fare afër detit. Mund të them se për një kohë të gjatë kafeneja e Llaqit, ku rrinte Perikliu, u bë si një vend pelegrinazhi për shumë krijues dhe krijuese nga gjithë hapësirat shqiptare. Vinin aty të dëgjonin dhe të merrnin ndonjë këshillë, apo sugjerim për krijimtarinë që kishin në duar. Perikli Jorgoni aq sa dukej i thjeshtë dhe bohem në pamje të parë, aq i rreptë dhe antikonformist tregohej në gjykimet dhe vlerësimet e tij për vepra dhe krijues të ndryshëm. Ndryshe nga e folura “me dorashka” e dikujt që i trembej debatit të drejtpërdrejtë. Personalisht unë nuk kam guxuar vite të tëra , ta prezantoja veten si shkrues poezie përballë tij. Ishte si ndrojtja e një nxënësi që, edhe pse është përgatitur mirë, përpara hijes madhështore të mësuesit të tij, sërish mund t’i merrej goja. Perikli Jorgoni zotëronte një oratori të lindur, ai kurrë nuk fliste me letër përpara, nëpër promovime veprash letrare dhe artistike. Ç’i duhej letra Perikliut, kur biblioteka e madhe e kulturës botërore kishte hyrë tërësisht brenda tij. Më kujtohet një diskutim i tij në një ekspozitë pikture të një piktor të njohur durrsak, vite më parë. E folura e tij ishte si një dialog i artistit me veprën. Teksa fliste, vija re që të pranishmit ia kishin ngulur sytë dhe po e dëgjonin gojë hapur. Ishte një analizë e detajuar, e thellë dhe profesionale, ashtu siç dinte ta bënte vetëm ai. Perikli Jorgoni ishte një figurë shumëplanëshe. Mund të themi pa drojë, se tek ai ishin ndërthurur e bërë njësh eruditi, sportisti, poeti dhe atdhetari i përkushtuar. Aktivitetet e tij të shumta sensibilizuese nëpër vendet e shenjta historike si Negovan (Greqi), Dibër e Madhe (Maqedoni e Veriut), Kosovë etj, evidentimi dhe mbrojtja që ai ju bënte ngjarjeve dhe heronjve të harruar te Shqipërisë etnike (kujtojmë dokumentarin historik kushtuar figurës atdhetare të Papa Kristo Negovanit që ngjalli kaq reaksion në shtetin grek) së bashku me bashkëshorten e tij, Liden, e kishin bërë atë, herë pas here objekt të sulmeve të egra, nga qarqe të caktuara antishqiptare, brenda dhe jashtë vendit. Jo më kot qeveria greke e kishte shpallur atë “non grata” së bashku me gazetarin e njohur atdhetar të Top Channel, Marin Mema. Por, ai nuk u mposht dhe s’donte t’ia dinte për ta. Duke qenë biri i doktor Jorgonit, mjek human dhe intelektual i njohur i kohës (biblioteka e tij ishte një nga më të mëdhatë në vend) dhe nipi i atdhetarit të shquar Hil Mosi, atdheu dhe letërsia ishin fetë e tij më të mëdha, të vetmet para te cilave, ai përulej shpesh me kënaqësi.
Please follow and like us: