Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: Nuk kam foto me Kadarenë…

 

-Shkruar për vete, ne emër të “shumicës anonime”-

 

 

-Dhe nuk dua ta kem, sepse ai nuk është, nuk ka qënë dhe nuk mund të jetë “një foto”. Më vjen keq për ata që nguten të kenë një foto me Të. Mjafton që Blushët cmirëlakuriq kanë me qindra foto… Ç’më duhet “një foto” kur “udhëtimi Kadare” nuk ka fund?…

Nuk kam asnjë foto me Kadarenë dhe për çudi nuk ndiej keqardhje. Me gjithë  respektin që kam për të gjithë ata që “vrapojnë” të bëjnë një foto me Kadarenë, unë ndihem mirë që nuk jam në “klubin” e tyre. Thonë se Blushët kanë qindra foto të arkivuara me Ismail Kadarenë dhe pinjolli i tyre tallet me “moshën” Kadare… Kjo dëshmon se foto, me cilindo, është një “kalë troje” që unë e urrej. Mallkuar qofshin ato foto. Mallkuar… më vjen një zë si magjistricat e Kadaresë.

Fotua me këdo, është thjesht një moment, që dikur i thoshim “shkrepje në celuloid”… E di që të rinjtë as që e kanë idenë se çfarë them. E kuptoj këtë sepse unë, edhe pse nuk kam “foto me Kadarenë”, unë kam qënë me fat të jem “përtej lenteve” kur pozonte Ismail Kadare me “të tjerë”. Ndihesha mirë të shërbeja. Kur shkrepja aparatin e ata pozonin, Kadare duke qeshur nën shikimin e padallueshëm në syzet skeletzeza do thoshte: “Dukeni i thjeshtë, por paskeni një aparat modern…”. Unë kam harruar “foton që shkrepa”, por ato fjalë ende më tingëllojnë  “…aparat modern”. A ishte kjo një “parathënie” brenda meje për thelbin e  shkrimtarit Kadare? Minuta më pas ai do ngjitej në një podium konference për talentet e reja në Durrës  e do të bënte një deklartë  alla-amerikançe:  “…njeriu futet në letërsi për t’u bërë i madh…”. Ishte koha kur Shqipëria kishte vetëm një “të madh” dhe quhej Enver Hoxha…Ishte një nga deklarimet publike më të guximshme të kohës, sepse frymëzonte individualizmin, ambicjen krijuese dhe lavdinë “përtej të parit…”. Natyrisht pas kësaj ai mori “dushin” e radhës, por desh fati  të ishte “vetëm dush”…

Duke mos pasur “Asnjë foto me Kadarenë”, më bën të ndihem i vërtetë, sepse jam me “shumicën pa foto” që janë një infinit lexuesish të heshtur. Në rininë time të hershme, në fshatin tim, pak njerëz e njihnin Kadarenë dhe ai nuk erdhi kurrë në ato vite të hershme në ndonjë “referencë fshati”. Unë nuk harroj kur një bujk i palodhur i fshatit tim, kur më shihte të punoja për të ndërtuar kashtoret e fshatit në pushimet e verës, do thoshte për mua që sapo kisha botuar diçka nëpër gazetat e kohës:  “Ky do bëhet si ai  Devolliu… Shkrimtar…”.

Ende nuk jam bërë siç dëshironte bujku i mirë nga fshati im. Akoma ëndërroj dhe në fantazitë e mia krijuese  një “qiri” ndrit fantazinë time: Ismail Kadare. Unë nuk mund të bëhem si ai, sepse e di që nuk mundem, por ai si fantazmat në librat e vet, bukurpërshkruar, më ofrohet si një model dhe shembull. E kam “imituar” sa e sa herë dhe nuk i kam ngjarë asnjëherë. Më mirë që nuk i ngjaj, sepse kur “ngjason shuhesh”. Unë nuk dua të shuhet asnjë çast Kadareja, sikurse dua “dritën time”. Por nuk është e lehtë… Kadareja fatin më të madh ka “ditëlidjen e vet”. Ai lindi kur bota ishte në krizë. Ai lindi kur njerëzimi tronditej nga Luftrat dhe Shqipëria  shumë shpejt do të pushtohej nga “fqinjët në perëndim”… Kadare ka lindur në “dekadë pushtimi” ndaj na ka “pushtuar” të gjithëve…

Nuk më vjen keq që nuk kam  foto me Kadarenë. Kur isha në Tiranë, nuk kisha asnjë mani  të kërkoja se ku pi kafe Kadare, për një foto me një “shqiptaro-amerikan”. Vite më parë e kisha këtë etje kur vizitoja Parisin, por nuk pata fat. Ai nuk ishte tek “kafeja e preferuar” dhe mania ime u tret, si dramat e nëndheshme të qyteteve europianë. Atë çast mendova se çdo foto me të famshëm, ngjason me një “lavdi e vjedhur”. Nuk ndiej etje për lavdi. Për mua “lavdia” e vërtetë është jeta ime në Amerikë, që Kadareja nuk pati fat ta provonte si unë. Jeta  këtu jo rralla shpaloset si fantazitë e mistershme Kadare, kur të rishfaqen legjendat fjalëgdhendura të shkrimtarit shqiptar, duke e kapërcyer atë shumë e shumë larg… Kur ndjek lajmet dhe dëgjoj se “10 njerëz u vranë” nga një breshëri  arme në koncert apo supermakret, mua më vjen në mendje Gjorgu i Kadaresë dhe dridhem i tëri… “Nuk qënka vetëm Shqipëria… Bota qënka e tillë… E përgjakshme”.  Kadareja në “Prillin e thyer” rrëfen mjeshtërisht një realitet shqiptar që tashmë i përket shoqërisë njerëzore, që nuk e njeh “kodin e vdekjes kanunore”…

Propaganda e djeshme na thoshte “…atje njeriu  për njeriu është ujk…”, ndërsa sot egërsia shqiptare është  si  një “fantazmë ballkanike” e ruana Zot, ekranet e qelqta po e kthejnë si “mënyrë jetese” duke tejkapërcyer tinzarisht fantazinë drithëruese në Letrat Kadare…

Nuk kam  keqardhje që nuk pozova kund me shkrimtarin bashkëkombas Kadare, sepse, “bota e tij” është brenda meje dhe miliona të tjerëve si unë që  pazëshëm, por me dashuri e “përcjellim tutje”, deri në Mars ndoshta… E di se tashmë në këtë moshë, plot lavdi dhe krenari, Ismail Kadare kërkon që “stafeta të përcillet”… Edhe pse deri tash ai shpesh nga “armiqtë e vet” na  është ofruar si  Egoist, Modernist apo “shkrimtar i errët”, ai është  thjesht “Shkrimtar i Tipit të Tij”. Përpjekja për t’i thënë Kadaresë më shumë se  realisht ai meriton, është në vetvete “varrmihje shqiptare”. Ai duhet të mbetet mes nesh si një “profet letrar” që është në fantazinë tonë si lexues së pari e aq më shumë për krijuesit e merituar, por nuk do të thotë të jetë në një “foto të përbashkët”… Unë ndiej dhimbje kur dikush e sheh Kadarenë tonë, si “Santa e Krishtlindjeve”, ku secili mund të bëjë një foto, madje edhe një fëmijë… Jo, ai është Ismail Kadare, ai nuk është “Santa…”. E di që Kadare urren emrin e vet, sepse ka një emër të vështirë për t’u shqiptuar në Perëndim. Si emri im që për dekada në Amerikë, askush nuk ka mundur të shqiptojë drejt dhe saktë. Kjo ka ndodhur edhe me Kadarenë… Vite më parë, në një punë fillestare në telefon kur “mblidhja borxhet amerikane”, dikush do më thoshte “… Kam njohur një shkrimtar të mençur shqiptar. E quanin Ishmail Kadare…” .Unë do e korigjoja  “Ne e quajmë Ismail…”. Ai përsëri do thoshte “Po, pra, Ishmail Kadare, njeriu më i mençur shqiptar që kam takuar…”. Ai ishte profesor në një Universtet në Lindje të Amerikës.

Kadrenë duhen ta shohim si një “gur kilometrik” të mendimit dhe krijimtarisë shqiptare në Shekullin e 20-të ku arriti “Kulmet e Veta”… “Kulti” Kadare nuk duhet parë kurrë si një “kult i paprekshëm”, por si një model krijues, si një shkrimtar që “nuk do të vdesë kurrë”. Fatmirësisht për Veten dhe Kombin, ja Arriti… Kadreja nuk do të vdesë. Ismail Kadare, ka “zbritur” tek unë  dhe mijra lexues të tjerë anonimë, me krijimtarinë e vet, me “errësirën” e rrëfimit të vet, për të më dhënë dritën që më duhet: shpirtin krijues.

E di që nuk do jem kurrë një “Kadare i dytë”, as që e ëndërroj këtë dhe as që më duhet. Fati im është që unë jam një nga “pionerët” e kohës kur shkruante Ismail Kadare edhe “Natën me Hënë” si Kult i Botës Femërore që lexuesi amerikan nuk mund ta kuptojë. Vetëm unë kuptoj Kadarenë në Amerikën e Mesme dhe vozit pambarimisht me Fantazitë e Tij…

Ismail Kadarë ishte një gjirokastrit i zgjuar që “zgjodhi letërsinë” si kalorësi që nuk të “rrëzon përtokë” kurrë… Ai mbetet një “Kala e Gurtë” me kthina të nëndheshme që   në mijëvjeçarët që do vijnë studjuesit do gërmojnë  në “Errësira Mendimi” duke përfunduar në “Vetvrasje” të Kohës që Vjen…

Nuk kam asnjë foto  as me Enverin, as me Kadarenë. Nuk më duhet. Jam unë…

 

Minneapolis, SHBA, 31 Janar 2023.

 

Please follow and like us: