Albspirit

Media/News/Publishing

Ymer Çiraku: Libri “Kalorësit e shiut” i Sadik Bejkos

Ka disa kohë, që është botuar libri me poezi të zgjedhura “Kalorësit e shiut”, i poetit të njohur S. Bejko. Janë krijime të zgjedhura nga tetë libra të autorit, duke nisur nga ai i pari me titull “Rrënjët” (1972), gjer tek ai më i fundit (deri tani) “Këngë të Solomonit” (2017). Përmes titujve të këtyre librave, të parit dhe të fundit, metaforikisht sikur ndërtohet “katedralja” estetike e kësaj krijimtarie poetike, që mbart “rrënjët” e dheut e të nëndheut, si dhe “rrënjët” e flatrave qiellore – të atyre himneve biblike të dashurisë pa cak. Edhe dy tituj mbase jo rastësorë poezie, arrijnë ta shprehin këtë gjithëpërfshirje, pra, prirje gjithësie. Konkretisht kujtojmë poezitë: “Jeta ime ka dalë nga toka” dhe “Ylli mbi retë”.
Nuk shënohet në faqen hyrëse se kush e ka bërë përzgjedhjen e poezive nëpër gjithë librat e autorit, të botuara këto poezi në gati 50 vite. Sigurisht, që do të kuptohej puna serioze e bërë prej redaktorit, por projekti vendimtar i kësaj përmbledhjeje, mbetet tek e fundit si vullneti autorial. Duhet thënë se, në raste të tilla, poezia e derdhur nëpër libra e nëpër vite e një autori dhe pastaj libri me krijime të përzgjedhura prej tyre, pra, hartimi i një antologjie, mund që edhe të mos jenë në simetri valencash estetike mes tyre. Një poet, brenda subjektivitetit të kuptueshëm në përzgjedhjen e krijimeve të veta, mund të arrijë deri sa edhe ta “devijojë” apo ta “tradhëtojë” profilin e vet të përcaktuar e të njohur në krijimtarinë e viteve.
Vrehet se S. Bejko, ka një koherencë mes librit me krijime të zgjedhura (që në fakt këto lloj botimesh funksionojnë edhe si libra të rinj të pavarur) dhe krijimtarisë së tij ndër vite. Ndihet edhe në këtë botim, po ai autor, që komunikon me lexuesin e vet me një ligjërim disi të ngadaltë, të shtruar për nga ritmi, për t`i bërë sa më të dëgjuara e të ngulëta mesazhet, përmes toneve të rënda e të thella, si oshëtima të dala prej dheut, ashtu si në muzikën e Bahut. Është poezi me shtresa të mbivendosura përsiatjesh dhe kumtesh, të kompozuara me model profetik, në stilin e librave të shenjtë dhe atyre kanonikë – me gjurmë fort të njohura këta libra në historinë e njerëzimit. Pra, poezi e konceptuar me një regjistër kodesh dukshëm të pranishëm, që prandaj kërkon dhe lexim të ngulët kjo poezi, për ta zbërthyer gjuhën e atyre kodeve dhe për të depërtuar kështu gradualisht e natyrshëm në thelbin e saj. “Jam shpella ime e përvojtur, imzot…/eshtërore, e gurtë…Mjaftohem me pak dritë,/pak ujë, vaj për kandilin, pak bukë./Tullat e librave i ha, i brej si brejtësit./Më mjafton plasa e mekur e diellit në mur…” – poezia “Letër Hamurabit nga murgari i shpellës Aram”.
Temat dhe figurat biblike, motivet prej kohëve faraonike dhe qytetërimeve të lashta të tretura nëpër mijëvjeçarë, imazhet kozmogonike, apostujt shpirtërorë të agut të botës shqiptare, këto e të tjera imazhe dhe dekore historike, përbëjnë sfondin e kësaj krijimtarie, ku pastaj shihet të vizatohen e të shënjohen strukturat e krijimeve të rendeve të ndryshëm tematik e stilistik. Prandaj dhe cilado poezi, vrehet që të jetë e ndërthurrur organikisht me mjaft nënshtresa hapësire dhe kohe (kronotopie), duke u dhënë atyre, shumë më tepër hapësirë kuptimësie se ajo çka duket në vështrim të parë.
Ruaj mendimin për këtë poezi se, krahas temperamentit individual, leximeve, rrethanave dhe impresioneve personale – sigurisht edhe jetës për një kohë të gjatë në një qytet të gurtë (si Gjirokastra), të gjitha këto e të tjera, kanë patur ndikimin e tyre në këtë lloj poezie, e endur si një gravurë, që duket se arrin të përcjellë për lexuesin ndjesinë e një peshe të rëndë emocionale dhe të imazheve poetike me tone pothuaj gri. Ky pikëvështrim estetik, i ka derdhur poezisë një tis e vizion përhershmërie, gjithkohësie, si dhe një pamje disi “skeletike”, në kuptimin e grumbullimit dhe nxjerrjes në pah, sidomos të atyre linjave dhe “eshtrave” themelore, që natyrshëm mbajnë mishin, frymën dhe tërë rropullitë e jetës, në shtrirje të gjerë kohore.
Poeti i njohur francez A. Vigny, në një rast diku e ka vlerësuar poezinë si perlë të mendimit. Në kuptimin se poezia, mbart një ligjërim të hirshëm estetik – të atyre ideve, që ajo vendos t`i përçojë tek lexuesi. Në vijim të këtij krahasimi të merituar për poezinë, gjykoj se poeti S. Bejko, vazhdon të prezantohet prej dekada vitesh si një “peshkatar i perlave” poetike, plot mjeshtëri dhe i palodhur. Ashtu si në realitet, të nxjerra nga thellësitë e detev, edhe “perlat” poetike, kërkojnë mund për t`i kërkuar e pastaj për t`i nxjerrë në dritën e krijimit dhe botimit. Dhe në fund, jo pa njëfarë “mundimi” të këndshëm, hyn puna e lexuesit, për t`i zbuluar e shijuar ato vlera, nëpër shtjellat dhe rebuset e imazheve dhe thurrjeve të pafundme stilistike.
Një libër i hartuar me krijimtari të përzgjedhur letrare, përgatitet me synimin që të jetë dëshmia esenciale e profilit krijues të një autori. Libri “Kalorësit e shiut” i S. Bejkos, mbetet padyshim një i tillë, ku përcillen vlera të një poezie të nivelit të lartë. Sigurisht, i prezantuar edhe me një botim dinjitoz, nga shtëpia e njohur botuese “Onufri”.
Please follow and like us: