Albspirit

Media/News/Publishing

Ermal Mulosmani: Greva ime e urisë dhe momentet e lavdisë…

Kjo ngjarje ka ndodhur 32 vjet më parë në qytetin Studenti. Atëkohë isha student i vitit të 3-të, Fakulteti Ekonomik.

Fillimviti ’91… Meqë kisha provime në Janar nuk u largova nga Tirana për Vit të Ri. Euforia e Dhjetorit, protestave, demonstratave sikur ishte fashitur.  Legjendat  thureshin për heronjtë e rinj po aq sa barcaletat për te vjetrit (nomenklaturën komuniste). Dalja e gazetës së parë, RD, në fillim të Janarit, ishte ngjarje e pabesueshme! Mbërriten më në fund kopjet e para edhe në fakultetin tim.  Kalohej dorë më dorë, i riktheheshim edhe një herë, dy, tre, komentonim shkrimet.  Në dhomat e konviktit  plasnin debatet: Berisha, Hajdari, Pashko, Imami… Të gjithë ishim me PD-në, frymën e re, kundërshtarin e PPSH-së. Edhe bixhozit, të vetmit argëtim vetëshkatërrues të jetës studentore sikur i ra rëndësia për ca kohë. Tani të gjithë merreshim me politikë…

Rendnim tek selia  e PD-së me grupe shokësh nga kurioziteti dhe etja për informacion.

Por, ritmi kishte rënë:(…Nuk ishte më Dhjetori legjendar, mitingjet kur lëshonte gjithë Tirana dhe rrinin me nga 4-5 orë në Qytetin Studenti. Kishte lezet ajo kohë, të gjithë e kishim nga një mendim dhe të gjithë duartrokitnim. Keshtu nuk shtyhej. Aq më tepër të kishe provime kur po shkruhej historia! Hajde mëso. Me kalimin e kohes, gjithçka po kthehej ne normalitet.

Heronjtë e rinj kishin hallet e veta, heronjtë e  vjetër  te tyret… Ne kishim hallet e të dy palëve, nuk u bëmë dot heronj . Paskemi pasë lindur për duartrokitës.

Por, pak zgjati heshtja…

Erdhi  Shkurti i bekuar, filluan lëvizjet… Ne, studentët e dëshpëruar nga humbja e protagonizmit, kaq shpejt, filluam të mblidheshim përsëri në shesh. Kishim hak!

Dhe filloi seria e dytë e mitingjeve. Tashmë vetëm ne, studentët. Më të spikaturit lexonin barçaleta për eksponentë të regjimit, ne të tjerët gajaseshim. Unë isha tek këta të dytët . Numri  ishte ku e ku me i vogël se i dhjetoristëve, por sensi i protagonizmit i njëjtë…

Të gjithë të pasistemuarit tek partia e sapokrijuar flisnin për mosnjollosje të idealeve te dhjetorit. Dmth, rrini me ne, jemi ne etj etj.

Në shkollë shkonim pak. Pas disa ditësh, u vendos për një grevë urie, do futeshin sa më shumë studentë.

Grevë urie e?!

Ne në grevë urie ishim gjithë kohën, paçka se pa vullnetin tonë! Bah… Jo jo, faleminderit,  unë do e haja racionin tim në  mencë, isha i bindur për vendimin!

Por, pak nga pak, Qyteti filloi të braktisej. Shumë studentë të rretheve të afërta bënë gati çantat dhe po largoheshin. Mbeta vetëm unë në dhomë. Shoku i dhomës me dha edhe latën (racionin ushqimor)  e tij te drekës sepse nuk i vlente më, do shkonte në Lezhë, në shtëpi…

U nisa për në mencë me dy lata dhe shumë entuziazëm . Tek dera e mencës 7/1 takoj Shpendin, një shok kursi. Më pa me 3 pjata qe mezi po i çoja në tavolinë dhe mu drejtua:

-Ermal, do shkosh në grevë ti?!

E pashë një herë me dyshim dhe i thashë: “Po Shpend” (ma përligjte pamjen e grevistit të ardhshëm, gjithë ai bollëk ushqimi që kisha marrë). Shpendi vazhdoi “A më huazon rezistencën (furnelën elektrike të ngrohjes) tënde keto ditë që do jesh atje”?

Ahhhh, kjo ishte e paparashikuar! Ku ta dija unë që pyetja e tij rrihte gjetiu… Rezistenca ime me tel  1-sh ishte zilia e gjithë godinës. E ngrohte dhomen valë për 30 min…

U mendova pak dhe i thashë “Ok”, hajde merre pas një ore…

Vari  trapin thashe me vete, po shkoj në  grevë. Do ketë boll njerëz atje, do kaloj mirë.

Shpendi kishte një alamet dashnoreje ato kohë, një copë  ylli!  Kishte menduar mirë qerratai. Godina e meshkujve zbrazej dhe rrihej rehat me dashnoren nja dy ditë të mira. Plus rezistenca ime, qejf o qejf…

Ndërkohë, nga pasditja (kush e mban mend orën) përfundova në Kinoklub. U kujdesa të shkruaja edhe emrin tim në listën e heronjve te ardhshëm (prita me stoicizëm radhën e gjatë) dhe përfundova brenda.

Uuu,  sa njerëz!

Të gjithë flisnim, qeshnim, gjuanim, kënaqeshim.  Nja  3-4 ore kaluan mrekulli. Në grevë ishin edhe pedagogët e mi, Ylli Vejsiu, Perparim Dervishi e Ilir Kaduku. U hutova me ta e shumë të tjerë duke folur për të ardhmen e vendit, aspiratat, ekonominë, politikën. Ishim një grup bukur i madh.  Njerëzit ishin mizë.

Dikur, nga ora 12 e natës e ndjeva veten pak të lodhur. Thashë po gjej një qoshe të ulem, të paktën, se për tu shtrirë nuk bëhej fjalë.

Qosheeeee ku je? Njerëzia ishin kapicë nëpër qoshe, i kishin zënë me kohë. Të zgjuarit kishin edhe batanije… Më të zgjuarit fare kishin edhe krevat, dashnore dhe rezistencë! E unë sorollatesha si kali në lëmë i stërlodhur!

Ahhhh Shpend ç’më bëre…

Si të dal prej ketu? Nga ai moment veç këtë hall kisha… Në kokë më rrinte Shpendi e gjithçka ndodhte me të! Kjo ishte e padrejtë!

Aty nga ora 3 e mëngjesit ishte pothuaj qetësi absolute. Ndjehej veç ndonjë gërhitje. Kishte moment më të mirë se ky për të ikur? Jepi Ermal, thashë me vete, kurajo!

Zbrita me kujdes në kat të parë. Shoh që dera ishte e hapur! Ueeee çfarë mrekullie!

Dola. Eca nja 50 metra me hap te ngadaltë pastaj ia futa vrapit! Ku ndala do thoni ju? Tek dhoma e Shpendit, sigurisht!

Pas një të trokiture të kujdesshme, të shoqëruar me “Shpend, Ermali jam”, hapet dera. Shpendi nxjerr veç kokën “Po Ermal, ca ka ndodhë”? Iu ktheva “Hiç Shpend, veç më jep rezistencën se po vdes së ftohti”. Me pa i brengosur e më tha “Ok Ermal, veç hajde e merre pas nja 30 min se tani eshte valë, ka qysh në orën 5 pasdite e ndezur”. Ç’t’i thoja?  Ok i thashë…

Kaq ishte greva e urisë e imja. Te nesërmen fjeta mirë, pothuaj jam zgjuar me dt. 20. Gati për betejen tjetër.

Ah Shpend, Shpend, ç’më bëre!

Please follow and like us: