Albspirit

Media/News/Publishing

Lumi i Vjosës propozohet si Rezervat Biosferik i UNESCO-s

Qeveria shqiptare ka vendosur të përgatisë dosjen e kandidaturës për të regjistruar lumin e Vjosës, i cili konsiderohet si lumi i fundit ende i egër në Evropë, si Rezervat Biosferik i UNESCO-s, me qëllim mbrojtjen e qëndrueshme të biosferës së këtij thesari të jashtëzakonshëm kombëtar. Njoftimi u bë nga Ministrja Kumbaro gjatë një vizite që zhvilloi në Shqipëri javën e kaluar Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay.
Ujërat blu të lumit Vjosa rrjedhin lirshem dhe pa asnje pengese nga burimi në Greqi e deri sa derdhen në detin Adriatik. Pellgu i lumit Vjosa është habitat per gati 1,100 lloje kafshësh dhe bimësh, përfshi 13 specie shtazore dhe 2 specie bimore të kërcënuara në mbarë globin.
Ç’janë rezervatet biosferike të UNESCO-s?
Në kuadër të programit ndërkombëtar të UNESCO-s «Njeriu dhe Biosfera», rezervatet e biosferës promovojnë zgjidhje të ekuilibruara ku mbrojtja e biodiversitetit ndërthuret me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrale. Pra rezervatet e biosferës jane konceptuar edhe si hapësira eksperimentimi për një zhvillim të qëndrueshëm në kontekste të ndryshme ekologjike, sociale dhe ekonomike, duke prekur jetën e më shumë se 250 milionë njerëzve ne botë. Roli i tyre është i rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e vlerave dhe trashëgimisë natyrore dhe kulturore, por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm dhe ndërtimin e sinergjisë ndërmjet mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.
Aktualisht UNESCO ka 738 Rezervate të Biosferës në 134 vende që i përkasin “Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës”. Rezervatet e reja përcaktohen dhe zgjidhen çdo vit nga Këshilli Koordinues i Programit Ndërkombëtar (International Program Coordinating Council – IPCC), organ i përbërë nga përfaqësues të zgjedhur nga 34 shtete anëtare të UNESCO-s.
Vlen të theksohet se Shqipëria ka regjistruar ndërkaq në 2014 zonën e liqeneve të Ohrit dhe të Prespës si “Rezervat biosferik ndërkufitar” të UNESCO-s, së bashku me Maqedoninë e Veriut. Kjo zonë ka biodiversitet tejet të pasur, me ekosistem unik ku jetojnë specie të rralla dhe të rrezikuara në nivel global.
Jam e lumtur dhe entuziaste për punen e rëndësishme që na pret per te pergatitur dosjen dhe regjistruar pellgun e lumit Vjosa si rezervat biosferik të UNESCO-s! Duke u mbështetur edhe në ekspertizën dhe mbështetjen që do të na ofrojë UNESCO dhe programi MAB në mbrojtjen e ekosistemit të lumit të Vjosës dhe përdorimin e qëndrueshem të burimeve të tij natyrore, menaxhimi i pellgut të Vjosës mund të bëhet një histori suksesi dhe best practice në gjithë Evropën, dhe pse jo, ndoshta në mbarë botën!
Dallimi mes Rezervateve të Biosferës dhe Listës së Trashëgimisë Botërore të Konventës së 1972
Duhet bërë dallimi midis «Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës», menaxhuar nga IPCC në kuadër të programit MAB dhe Listës së Trashëgimisë Botërore ku regjistrohen pasuri kulturore dhe natyrore me Vlerë të Jashtëzakonshme Universale (Outstanding Universal Value ose OUV). Ky kriter specifik i përket vetëm Konventës së 1972. Në kuader të Konventës së 1972 për mbrojtjen e trashëgimise botërore kulturore dhe natyrore, ratifikuar nga Shqipëria ne 1989, Lista e Trashëgimise Botërore miratohet dhe menaxhohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore (përbërë nga 21 vende anëtare të UNESCO-s) dhe organet ekperte këshillimore ICOMOS dhe IUCN (të cilët vendosin se cilat pasuri natyrore dhe kulturore plotësojnë kriteret për t’u regjistruar në listë.
Në këtë listë Shqipëria ka regjistruar deri tani katër pasuri.
Dy pasuri kulturore:
– Butrinti.
– Qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës.
Nje pasuri natyrore:
– Pyjet e lashta të ahut të Karpateve dhe rajoneve të tjera të Europës (pasuri e regjistruar së bashku me 17 vende te tjera).
Një pasuri mikse:
– Trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit (pasuri e përbashkët me Maqedoninë e Veriut)..
Please follow and like us: