Albspirit

Media/News/Publishing

Blerina Shalari: Kur teatri zbut flakët e “Ferrit”

 

Është intriguese të shkruash për Ferrin, veçanërisht kur atë ta zbulon një amerikan, sepse ekziston një proverbë e heshtur, sipas së cilës “Ferri e ka harruar Amerikën”, ai ndodhet kudo, veç aty… Jo. Me letërsinë amerikane jam njohur qysh kur zu fill kultura tek unë, kur lexoja Witman ose Bill Collins.

Në fakt e kam lexuar për pak horizont më tepër, por vehten e gjej tek Europa, tek ajo, në të cilën kultura s’ka kaluar kurrë pa u vënë re, madje ajo përjetohet si një fe, që e sprucon ajrin me aromat e zotërve të saj:- Me zotin e teatrit, letërsisë, muzikës, pikturës, skulpturës etj.

Kam njohur trininë e dramaturgëve: Tennessee Williams, Nail Simon dhe Arthur Miller, të cilët i kam vlerësuar për zbutjen e një rutine dramash e tekstesh të klasikut, të antikut, të cilat e mbajnë artin më këmbë, por këtë “ferr-teatror”, kaq të lakmuar prej këtij deti artesh na fton edhe ne ta lakmojmë dhe të hyjmë padashur në një flirt përvëlues me të. Që fëmijë njeriu e mendon të frikshme vdekjen, por pastaj ky mendim zëvendësohet nga ai, sipas të cilit përtej saj: Ka Ferr apo Parajsë?! Të duket se këtë, si të thuash përtej-jetën, njerëzit e kanë krijuar qëllimisht për të zbutur sadopak efektet e ferrit tokësor, në të cilin jemi zhytur dhe fatkeqësisht ngjan se po mësohemi me të.

“Dua të jetoj”, thërret i sapoardhuri në Ferr, ose edhe ai që vazhdon të digjet në të. “N’mes t’errësirës s’shtegtinës së ksaj jete u gjenda n’nji pyll krejt errësi si kisha humbur rrugën e vërtet'”, rrëfen Orfeu përmes fillit dantesk që zgjatet nga mesjeta deri në të sotmen. “…Shpërndarja e lajkës është një talent i rrallë…”, -shkruan Dritan Boriçi ku tenton të zbusë efektet e tekstit kornizë të autorit Williams. Ky shkrimtar ka krijuar një tekst të rrezikshëm, ku në të cilin aktori duhet ta pranojë përballjen me rrezikun, e në fund, të shohë se mos ndoshta del i gjallë nga flakët e ferrit dantesk, pudrosur me pak poezi. Është ky autor i cili të krijon mundësinë shpirtërore që të gjesh, ndoshta një cep, apo një pikë aty diku, në lëmshin e zjarrit ferror ku ndoshta mund ta ndjesh më pak djegien e ngadaltë, e cila është edhe më torturuesja. Dhe rreziku vazhdon, ndërsa guximi i një shkrimtari si Myftar Gjana rreket ta detyrojë të përfshijë ferri i Williamsit kur shkruan se “Ferri është aty, si një kancer, si një sfinks, i cili shpërndahet”, e rreziku rritet kur flaka e ferrit modern i vishet si kostum dhe i ndrin-nxin si kollare politikanit.

“Ferri është fantazmë elektorale” – shkruan Myftar Gjana, pra zjarri i Ferrit, i cili ushqehet nga shpirtrat njerëzorë bëhet befas fytyra e vetë njeriut, i cili në fakt… është vetë Ferri i vetvetes, nga i cili s’ka gjasa të shpëtojë kurrë.

Ja disa pikëpamje personale mbi zbritjen në “ferrin e teatrit kombëtar shqiptar”:-Kjo shfaqje e ka filluar jetën qysh në të gjallë të regjizorit Mihallaq Luarasi, i cili dukej një rrebel për kohën, derisa e mendoi dhe e pruri atë deri në kufijtë e lindjes, por drama fatkeqësisht nuk e hapi perden e skenës. Megjithatë duket se perdja dhe skena mbetën aty, qysh nga koha e regjizorit, dhe skena dhe perdia u hap e plotë, dhe prej saj shpërtheu zjarri i ferrit amerikan të Williamsit.

Ka gjasa ta kemi paragjykuar se teatri shqiptar është statik, se aktorët nuk ndërveprojnë, por deklamojnë dhe kaq, se s’kemi tagër të vëmë në jetë “Orfeun” etj. Në fakt atë 30-të mars 2023, e shënova në ditar për dy arsye: -Sepse u gjenda e ftuar në shfaqje dhe sepse ftesa ia vlejti për ç’ka ngjau. Si fillim mendova se duke qenë një teatër bashkëkohor, mund të ndodhte të më përgjumnin lëvizjet, por fjala, teksti, poezia, muzika, flirti, hardallosja më rrëmbyen.

Një pjesë në tre akte, ose ndoshta, në tre dekada, parashikon dhe imponon truku artistik, i cili bëhet një nga lajtmotivet e pjesës. Forma e anonçimit dhe e përgatitjes së spektatorit për atë ç’ka do të shohë në skenë është një gjetje, që mund të përdoret edhe në shfaqjet pasardhëse. Një teknikë e Jerzy Grotowskit e implementuar nga regjizorja polake Nastazja Domaradzka, vjen natyrshëm për aktorët tanë. Në fakt shkollat e lindjes kanë të përbashkët teknikën e përjetimit, të vërtetësisë dhe kjo ngjau edhe në shfaqjen e dhënë. Muzika e sjellë nga Rona Kastrioti ishte një përzierje mes kompozimit dhe teknikës së njohur të formulimit muzikor. Pavarësisht këtij kombinimi, asnjëra teknikë nuk kapërcente tjetrën. Arti i lëvizjes ishte si asnjëherë më parë një risi në Teatrin Kombëtar. Pavarësisht këtij “vrapi teatror”, i cili jo vetëm shihej, por edhe ndihej, fatmirësisht kjo rendje nuk kapërceu tekstin, domethënien e gjithçka tjetër, edhe pse ishte në kufijtë e lodhjes, që imponon tek aktorët shkolla e Grotowskit.

Teksti, ishte edhe ai një Ferr, por i ngarkuar me temian poetik, ndryshe nga ç’paramendohet, se në dramën bashkëkohore nuk gjen përmbajtje. Përkundrazi: – Kaosi i Ferrit, me mundim prishej nga antikaosi i fjalëve. Citimi i tekstit të dramës nga kritiku, është konfirmimi më i mirë për përkthyesin, i cili në këtë rast, jo e ka përkthyer, por e ka rishkruar atë.

Skenografia gjithashtu të kujton ‘Ferrin’ e Dantes, me rrathët imagjinarë që në teatër duken të vërtetë. Dritaret e jetës, që hapen e mbyllen, në fakt janë portat e Ferrit, i cili “është kudo, edhe pse s’të prek as me gisht”. Dramaturgu ka krijuar me këtë tekst një pjesë, që thyen rregullin e përgjithshëm sipas të cilit vepra shtjellohet, arrin kulmin e konfliktit, e më pas konflikti zgjidhet. Në ‘Ferrin’ e Williamsit konflikti thuhet hapur, kalohet nga njëri konflikt tek tjetri përmes reaksionit zinxhir, që të kujton shpërthimet atomike, madje është konflikti ai që i shndërron personazhet, nga njerëz të jetës së përditshme, në qënie mitike dhe kjo ndodhte edhe brenda dy frazave të pyetje-përgjigjeve në dialog. Williams mundohet që të krijojë përmes tekstit të paktën një kaos të organizuar, por vështirë se ia ka dalë. Këtë me largpamësi e kuptuan dhe e realizuan edhe aktorët. Orfeu i luajtur nga Dritan Boriçi, filloi si një paralajmërim për rrezikun artistik dhe në fund loja mbaron me Orfeun e zbritur tashmë në Ferr, por i përzhitur dhe pa fuqinë e mitit, ai i ngërdheshet vetvetes duke përfunduar në Mefisto. Regjizorja dhe aktori kanë bërë një marrëveshje artistike ku Orfeu të ishte një mit në sfond dhe herë pas here Orfeu bëhej korife. Më pas dukej se korifeu dhe Orfeu fshihnin një personazh real, i cili kishte djegur një vresht, dhe kishte humbur një fëmijë.

Tre ishin kulmet e “Orfeut”,  luajtur plot finesë nga aktori i mirënjohur Dritan Boriçi:

– I pari në tekstin e Ferrit të Dantes, i dyti ishte kur hodhi tej lyrën e Orfeut dhe u bë njeri dhe i treti, kur miti dhe njeriu i thjeshtë ia la vendin “zyrtarit të tryezës eliptike”.

Në konfliktin e dytë miti u bë qenie njerëzore e cila fatkeqësisht nuk mundi të bëhej prind. Tek i pari Ferr, Orfeu i Dritanit kumton herë si mit, here si korife, herë si orakull. Falë kulturës artistike që zotëron aktori, i ka zbërthyer psikologjikisht kumtet e tekstit duke i dhënë ato përmes kreshendos emocionale dhe të zërit.

Tek kulminacioni i dytë, u gjendëm përballë dramës njerëzore, që ngjante me një shi, që ra për ta ftohur sadopak zjarrin e Ferrit. Dialogu i largët në dukje u ngjit pas Ema Andreas dhe pas tij duke u përpjekur ta mjekonin shpirtin e njëri-tjetrit me dashurinë e shkuar. Ngjethëse ishin frazat e interpretuara ndjeshmërisht dhe mjeshtërisht nga të dy:- “…Zemra ime u bë copa copa, rrëfen personazhi i Ema Andreas, e cila kish humbur fëmijën e personazhit njeri.

“…Nuk e kam ditur…”,- ankohet personazhi i Boriçit dhe kulmi emocional rritet bashkë me dëshpërimin e tij për fatkeqësitë që kishte shkaktuar. Fraza “nuk e kam ditur”, duke u përsëritur, u bë një refren i trishtuar, që aktori e përsëriste çdo herë me lotime të reja, të vështira për t’u arrirë.

Orfeu, njeriu, aktori dha përmes këtij ankimi një apoteozë, që na e hodhi edhe ne publikut ta përjetonim përmes “dorëzimit të tij” tek dhimbja e dramës, që sa herë e luan një çast të tillë ky artist, ajo i duket e vërtetë. Kishte edhe një kulm të tretë të Boriçit dhe ky ngjau në momentin kur Orfeu kumtonte si politikan, ose si “fantazmë elektorale”, siç shkruan Myftar Gjana. Aktori Boriçi guxon të marrë përsipër edhe rolin e “liderit të munguar” në Shqipëri.

Këtu sërish nuhatja e aktorit e bën mitin demagog, por edhe pak rrocker. Më së fundi autori kujtohet se duhet të flasë edhe ai vetë me zërin e naratorit, të cilin aktori e shndërron në Mefisto.

Ema Andrea është një “çmendje e bekuar” siç shkruan diku poeti Petrit Ruka. Ajo si artiste “çmendet” pas rolit dhe për rolin. Ajo si italiane ishte dinjitoze në flirte, , edhe pse e mundonte fakti i të përjetuarit të historisë si të ish e saja. Ky është arti dhe artisti i vërtetë, i cili do ta bënte të heshtte për një çast edhe kritikun më të zellshëm. Kuptohet se roli i saj qëndror në dramë bëhet edhe më dinjitoz, kur atë e luan një grua dinjitoze dhe e talentuar. Olta Daku solli një ekzibicioniste pa ekzibicion, sepse kjo shkartisje ishte thjeshtë një dukje, dhe të tilla dukje-zhdukje ajo i ka sjellë vazhdimisht në skenë, edhe pse të gjithë personazhet i kanë rrënjët dhe mbijnë nga tragjedia e Dantes. Po kështu edhe Flaura Kureta e kishte të shpërndarë kulmin e saj tek qesh-ngjeshjet që ishin natyrale dhe jo të interpretuara.

Genti Deçka solli një punëtor këngëtar dhe të tillë” i gjen sheshit” në Amerikë dhe për të cilin mendoj se e kish “kapur me kthetra” psikologjinë e personazhit.

Neritan Liçaj erdhi tek ne si një Orfe i dytë, i cili ndryshe nga i pari, e kish veshur “Velin” e Mefistos qysh në fillim. Më joshin dalldisjet e Liçajt, që e solli personazhin në kufijtë e një “shtrigani” të filmave të animuar.

Lulzim Zeqja u mundua të sillte një oaz në Ferr, megjithëse duket guxim i tepruar, sepse dihet se në Ferr nuk ka një cep të ftohtë, por ai rrezikoi, kështu që rreziku artistik gjithmonë është i bukur.

Besmir Bitraku solli një personazh që ngjante një dekor emocional i veshur me kumte poetike.

Igli Zarka erdhi si një djalosh nga këta të rinjtë e sotëm ku pak çka ju intereson, por Ferri u bë joshës edhe për të.

Najada Saliasi pati një kulm të dhënë përmes haluçinacionit të verbimit, fiksim të cilin e përjetoi edhe personazhi i Ema Andreas dhe që po ta shkruajmë sinqerisht, u arrit si të ngjante realisht. Ky verbim haluçinant të kujtonte Homerin.

Teknologjia u vu në shërbim të shfaqjes, por unë, e mësuar me artin akustik, e kam të vështirë të pranoj që shpirtin e aktorit të ma falë mikrofoni, i cili nuk kam dëshirë të ma kujtojë se jam në teatër.

Le ta proverbizojmë pak esenë dhe të shkruajmë: “…Ku hyn aktori, nuk hyn mikrofoni…”. E gjejmë me vend të themi se e famshmja “Caruso”, që gjithmonë të gënjen më tepër me famën se sa me vërtetësinë e dashurisë së përjetshme, ndoshta nuk duhej të ishte pjesë e ‘Ferrit’ të Williamsit, ku zjarri i Ferrit social nuk të lë ta shijosh qetësinë e “Ti voglio bene assaje”.

A thua Williamsi e kish lexuar tek poeti Ali Asllani “…Se edhe aty ku digjet zjarri, bënet lulja më e mirë?!…”. Atë ditë, shijova “Ferrin” e Teatrit Kombëtar Shqiptar, flaka e të cilit desh më mori me vete!

Please follow and like us: