Albspirit

Media/News/Publishing

Kodra, Musei Vaticani dhe një foto historike e Mjeshtrit Post-Kubist me Papa Palin VI

(Me rastin e 50-Vjetorit të inagurimit të Koleksionit Papal të Artit Modern dhe atij Kontemporan në Musei Vaticani (1973-2023)

Melsen Kafilaj- Studiues, Città del Vaticano

C:\Users\Admin\Desktop\imageedit_32_2981051200.png

   Mjeshtri Ibrahim Kodra duke shtërnguar duart me Papa Palin VI (© Fratelli Spalinger)

                                    [Shfaqet për herë të parë për publikun shqiptar]

Për Mjeshtrin Ibrahim Kodra të gjithë kërkojnë të shkruajnë.Aq i vërtetë është ky fakt saqë mjafton ti hedhësh një sy Internetit për tu bindur mbi morinë e “artikujve” të prodhuar.Mesa duket, Jonathan Swift kishte plotësisht të drejtë kur pohonte që sa më e madhe të jetë mungesa e informacionit mbi një temë a çështje të caktuar, aq më i dëndur është edhe numri i subjekteve që flasin a shkruajnë për të…Por fatmirësisht, kemi ende në mesin tonë një grusht njerëzish të cilët ia dinë vlerën shprehjes: “Heshtja është flori” dhe flasin vetëm atëherë kur kanë diçka të rëndësishme për të thënë.Njerëz të cilët me penën e tyre, siç do të shprehej edhe kolosi i gazetarisë italiane Indro Montanelli na i bëjnë paksa më të përballueshëm në përditshmëri triumfin e Mediokritetit.Kodra për të cilin jemi thelluar në këtë artikull nuk është produkt i të ashtuquajturit “churnalism” (Tony Harcup, Oxford Dictionary of Journalism, 2014, p.53), një term i përdorur për herë të parë prej gazetarit të BBC, Waseem Zakir (2008) apo “fast-food info” i cili na ofrohet përditë me bollëk përmes Medias së Shkruar. Ai është fryt i një kërkimi të palodhshëm e të pandërprerë; kërkim i cili na lidh pazgjidhshmërisht me një prej ngjarjeve më të rëndësishme jo vetëm për Kishën Katolike por me impakt të gjerë në të gjithë botën; Koncilin e Dytë të Vatikanit (1962-1965)

I paralajmëruar si Koncil që në vitin 1959 prej Papës Reformator Papa Gjoni XXIII ky Koncil Ekumenik do të hapej prej këtij të fundit në vitin 1962, duke u çuar përpara dhe mbyllur me sukses prej pasuesit me po të njëjtin shpirt reformues; Papa Palit VI. Eshtë interesante të theksojmë që brënda këtij “Zeitgeist” dhe ere transformimesh të mëdha Papa Pali VI do të mbante më 7 Maj të vitit 1964 në Kapelën Sistine “Meshën e Artistëve”.Në këtë Meshë  domethënëse (për nga brendia dhe mesazhet e përçuara) në të cilën do të merrte pjesë edhe artisti ynë, Kodra (tashmë i konvertuar në Katolik) Papa jo vetëm që do të kërkonte falje ndaj Artistëve për braktisjen dhe distancën sociale në Modernitet midis tyre dhe Kishës por gjithashtu do t’ju zgjaste dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit; “të një Miqësie në Veprim,” siç do ta cilësonte Ai, “e cila duhet rithemeluar dhe bërë edhe më të fortë se më parë”.

C:\Users\Admin\Desktop\paolo-vi-sistina(Artists' Mass 1964).jpg

Papa Pali VI duke mbajtur Meshën e Artistëve në Kapelën Sistine (© L’Osservatore Romano)

Në fakt, sinjale të kësaj marrdhënie të Artistëve Bashkëkohor me Kishën Papa Pali VI i kishte dhënë edhe më herët me dokumentin e parë të formuluar (nga 16 të tillë gjithësej) prej Koncilit të Dytë të Vatikanit, pra në Kushtetutën e Liturgjisë së Shenjtë (Sacrosanctum Concilium) 4 Dhjetor, 1963 dhe specifikisht në Kapitullin 7 të saj e cila pohonte se “Artit të ditëve tona që vjen prej çdo race dhe vendi të botës do t’i jepet gjithashtu hapësirë ​​e lirë në Kishë.”(f.18) Kështu psh, brënda kontekstit të këtij artikulli një mesazh tjetër i vyer, buruar prej tekstit të kësaj Meshe të cilin do të doja ta theksoja jepet më poshtë

“Ne kemi nevojë për Ju.Shërbesa jonë ka nevojë për bashkëpunimin tuaj.Kjo ndodh sepse siç e dini thirrja dhe misioni ynë është që të predikojmë, të bëjmë të aksesueshme, të kuptueshme dhe të lëvizshme Botën e Shpirtit, të së Padukshmes, të së Pagabueshmes, të Zotit. Dhe në këtë veprim, i cili transmeton botën e padukshme përmes formulave të aksesueshme dhe inteligjente ju jeni Mjeshtrit.Eshtë mjeshtëria dhe misioni juaj; arti juaj është pikërisht ai i të kuptuarit të Thesareve të Qiellit të Shpirtit dhe ti vishni këto thesare me anë të fjalëve, ngjyrave dhe formave, duke i bërë të aksesueshme për të gjithë.”(f.2)

Kjo thirrje kuptimplotë dhe vokacioni i treguar prej Papa Palit VI ndaj Artit do të dëshmohej sërish edhe me “Mesazhin e Tij drejtuar Artistëve” më 8 Dhjetor të vitit 1965 gjatë mbylljes së Koncilit të Dytë të Vatikanit. Në këtë tekst, (në vlerësimin tim një diamant i prerë në mënyrë perfekte dhe i mirëlustruar) do të gjejmë një prej mesazheve më të bukura që një Papë mund t’ju ketë përcjellë Artistëve ndonjëherë më parë! I inspiruar prej maksimës së shkrimtarit dhe filosofit ekzistencialist rus, Fyodor Dostoyevsky “E Bukura do të shpëtoj Botën” ky mesazh ngrihet gjithashtu në një nivel sipëran, duke u shndërruar në vetvete në një vepër arti të Retorikës dhe Estetikës Papale. Ja përmbajtja e tij:

“Bota në të cilën jetojmë ka nevojë për Bukurinë për të mos u zhytur në dëshpërim.Eshtë Bukuria, e cila posi E Vërteta (Veritas) sjell gëzim në zemrat e njerëzve, është pikërisht ky frut i çmuar i cili i reziston bjerrjes së Kohës, që bashkon gjeneratat dhe i bënë njerëzit ti bashkëndajnë gjërat me admirim.Dhe e gjithë kjo është falë duarve tuaja.Qofshin këto duar përherë të pastra e bujare.Dhe mos harroni që Ju jeni Gardianët e së Bukurës në Botë!”(f.1)

Papa Pali VI, ky Papë Humanist, i pagëzuar nga Intelektualët edhe si “Papa i Artistëve” jo vetëm që do të insistonte për afrimitetin e Artistëve Bashkëkohor me Kishën por do të ishte gjithashtu edhe një shkëndijë artistike për ta, shpesh duke i frymëzuar me mesazhet e dhëna përgjatë misionit të tij pastoral.Një prej artistëve të frymëzuar prej këtyre mesazheve do të ishte edhe Kodra ynë.

Kështu psh, gjatë vizitës së Papa Palit VI në Indi gjatë datave 2-5 Dhjetor, 1964 (E para vizitë e realizuar prej një Pape në këtë vend) siç informohemi prej Dr. Micol Forti, Drejtuese dhe Kuratore e Artit Modern dhe atij Bashkëkohor në Musei Vaticani, Kodra e përjetëson këtë moment historik me pikturën: “Mesazhi i Paqes” (1964). Kjo pikturë e përfunduar prej Artistit në datën 25 Dhjetor, paraqet edhe një tjetër aspekt interesant pasi në pjesën e pasme të saj Kodra shkruan në mënyrë kaligrafike: “Dokument simbolik i udhëtimit në Indi i Shenjtërisë së Tij, Papa Pali VI/ (Shenjtëria e Tij i foli zemrës së Botës) / Ibrahim Kodra.” Piktura “Mesazhi i Paqes,” të cilën e shfaqim për herë të parë për publikun shqiptar dëshmon jo vetëm për Humanizmin Kodran por ajo është gjithashtu edhe një pasqyrë e perceptimit të Artistit dhe përkthimit me anë të gjuhës dhe mjeteve artistike të mesazheve të përçuara para dhe gjatë Koncilit të Dytë të Vatikanit.Në këtë kuptim, kjo vepër si një produkt i një kohe dhe konteksti të caktuar (Citoj Panofsky-n) jo vetëm që e rafiguron më së miri Frymën e Vatikan II, por ajo gjithashtu kanalizon dhe bën të aksesueshëm për të gjithë ne Zotin e Paqes (Deus Pacis)  në Art!

C:\Users\Admin\Desktop\Kodra, Musei Vaticani.jpg

“Mesazhi i Paqes” (1964), vaj në telajo, 146 x 148 cm (© Musei Vaticani) Piktura e   Kodrës në Koleksionin e Artit Modern dhe atij Bashkëkohor të Musei Vaticani

Papa Pali VI, “Njeriu i Dritës” siç e quajti Kardinal Martini, ishte një lider reformator, një njeri vizionar dhe një koleksionist i apasionuar i veprave të Artit Bashkëkohor.Personi përgjegjës për këtë koleksion do të ishte Monsinjor Pasquale Macchi, Sekretari Personal i Papës.Ky koleksion i nisur që në vitet 50-të, do të pasurohej në vazhdimësi me një sërë veprash moderne dhe artistësh bashkëkohorë si Chagall, Dali, Picasso, Braque, Matisse, De Chirico, Bacon,  Klee, Carra, etj aq sa numri i veprave të tij (më së shumti të dhuruara) do të arrinte në 800 (Micol Forti, I Musei Vaticani e L’Arte Contemporanea, 2003, f.9).

Midis shumë artistëve të tjerë bashkëkohor, kontribues në këtë koleksion do të ishte edhe Mjeshtri Ibrahim Kodra.Vepra “Mesazhi i Paqes”(1964) do ti dhurohej Papës prej vet Autorit dhe ajo mban numrin e inventarit “MV.23254.0.0”(Mario Ferrazza & Patrizia Pignatti, L’Appartamento Borgia e L’Arte Contemporanea in Vaticano, 1974, p.91).Në 20 Qershor të vitit 1973 Papa Pali VI do ta prezantonte këtë koleksion, duke inaguruar kështu edhe themelimin e Galerisë së Artit Modern dhe atij Bashkëkohor në Musei Vaticani. Gjatë “Fjalimit Inagurues,” Papa Pali VI do të kumtonte atë frazë-obelisk e cila na kujton paksa poetin e thellë gjerman Friedrich Hölderlin“Artisti është poeti dhe profeti i kohës tonë!”(f.1) Në fund të këtij inagurimi në të cilin qe prezent edhe Mjeshtri Post-Kubist Kodra do të realizohej edhe fotoja historike me Papa Palin VI të cilën e kemi bashkangjitur në fillim të këtij artikulli.

Më 1 Janar të po këtij viti “Me rastin e Kremtimit të Ditës së Paqes” Papa Pali VI kishte folur për Artizanët e Paqes (burrat e shtetit, diplomatët, shkenctarët, industrialistët, poetët, artistët, etj) dhe pjesëmarrjen e tyre konstruktive për bërjen të mundur të paqes në botë.Pikërisht në momentin e shkrepjes së kësaj fotoje, Papa Pali VI do ti shqiptonte Kodrës këto fjalë: “Ju jeni artizan i paqes dhe mesazher i saj!”

Please follow and like us: