Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: PIKASO NЁ FOTOT E GJON MILIT

 

50 vjet më parë, më 8 Prill 1973 u nda nga jeta artisti i famshëm botëror Pablo Pikaso. Me këtë rast kujtojmë takimet e tij me fotografin e shquar shqiptar Gjon Mili, i cili pati me piktorin e skulptorin shumëplanësh një miqësi të veçantë të krijuar nga puna e përbashkët krijuese për realizimin e fotografive novatore, të cilësuara si vepra të dyfishta artistike, pra “Pikaso vizaton me dritë”, si dhe botimin e katalogut të Gjon Milit kushtuar Pikasos me titull “Dimensioni i Tretë i Pikasos”

Në fototekën gjigande e të vyer prej mijra e mijra fotosh të Gjon Milit, nga të cilat një pjesë  janë botuar në revistën “LIFE” përgjatë 35 vitesh, madje shpesh edhe në ballinat e tyre, si dhe në katalogë, libra, muze, apo ekspozita të bujshme përfaqësuese të artit fotografik botëror, një vend të posaçëm zenë edhe fotot e artistëve të shquar të asaj kohe, amerikanë, ose jo, të cilat mbeten shembuj të pashlyeshëm  historikë e artistikë botërorë.

Pablo Picaso (Pablo Ruiz Picasso) (1881-1973)piktor, skulptor, qeramist, skenograf, instalacionist, fotograf, poet dhe dramaturg spanjoll, i cili e kaloi pjesën më të shumtë të jetës madhore në Francë,  vlerësohet si një nga artistët më të mëdhenj dhe më influencues të shek. XX, si bashkëthemelues i lëvizjes kubiste, shpikës i skulpturës konstruktive, bashkëshpikës i kolazhit dhe i një varieteje të gjerë stilesh që ai ndihmoin në zhvillim dhe eksplorim. Historia e njohjes, miqësisë dhe bashkëpunimit të tij me Gjon Milin ka filluar më 1949 dhe ka vazhduar pothuajse gjatë gjithë jetës. Është bërë shkas, sigurisht fotografia, ku Gjon Mili mendonte se do të takonte artistin futurist që do të vlerësonte konceptualisht mirë a keq eksperimentimet novatore fotografike të tij me dritën strobe dhe në lëvizje. I dërguar në Francë nga revista  LIFE posaçërisht për t’i bërë  një foto Pikasos, ai e shfrytëzoi këtë mundësi për t’i treguar atij një set fotosh të një patinatoreje, së cilës i kishte montuar nga një llampë në majë të patinave dhe ndërkohë që ato rrëshqisnin duke krijuar figura e pirueta, ai i fotografonte ato në lëvizje me hapje e shpejtësi të llogaritur të diafragmës së aparatit fotografik, veprim i cili rezultonte në foto të një lloji të ri imazherik e të papara deri ne atë kohë.

Pikaso jo vetëm që u befasua nga ky novacion tekniko-artistik, por, pa e lënë fotografin t’i shpjegonte diçka, i eksituar ngriti dorën  dhe “vizatoi” diçka në ajër me gishtin tregues, duke lënë të nënkuptohet se ai ishte mrekulluar nga konvencioni i fotove  të Milit dhe një ide  i kishte shkrepur në mendje: vizatimi me një “laps drite” në errësirë dhe fotografimi i saj. Dhe kështu u inspirua krijimi i setit të famshëm fotografik i njohur botërisht me titullin “Vizatimet e Pikasos me dritë”. Improvizimi i mjedisit të vizatimit ishte në shtëpinë e tij dhe në studion e tij të qeramikës. Në dukje jo si shkarravina, ato ishin shprehje të vizioneve të brendshme të piktorit (njerëz, kafshë, lule, abstraksione të realizuara ne disa sekonda pa shkëputjen e dorës),  ato ndriçonin më mirë se çdo vepër tjetër në argjil, dru, metal apo pikturë lidhjen subkoshiente midis dorës dhe trurit, çka ishte bazike në aktin krijues ekstravagant të Pikasos.

Nga ana tjetër, precizioni, fantazia, mjeshtëria dhe veprimi teknik, shkencor e  po aq artistik i Gjon Milit bënë që fotografimet e vizatimeve në boshllëk të errët të mos harroheshin aq shpejt sa u krijuan, por t’u rezistonin kohrave si vepra unikale e novatore dhe që shënonin fillimin e një epoke të re fotografimi, e cila imitohet e vijon edhe sot, pa çka se me aparatura e teknologji dixhitale të përparuara e  që e bëjnë shumë më të lehtë këtë imazheri lëvizëse.

Bashkëpunimi, miqësia dhe esperienca e Milit me Pikason vazhdoi thuajse gjithë jetën. Në pranverën e vitit 1967 Mili mori një inkursion tjetër, kësaj rradhe shumë më të gjatë, disa javor me aksesin për të fotografuar krjimtarinë e Pikasos në shumë vende, qendra e institucione ku ndodheshin të ekspozuara veprat e tij thuajse në të gjitha zhanret pikturale, skulpurore e  monumentale. Pas kësaj pune të lodhshme por plot mbresa e frymëzime artistike, ai shkroi e botoi në vitin 1970 librin e tij katalog “Picasso’s Third Dimension”(Dimensioni i Tretë i Pikasos), i cili është një nga veprat përfaqësuese mbi këtë artist poliedrik.

 

Please follow and like us: