Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhosh Gaçe: ISMAIL KADARE – POETI I METAFORËS DHE I SIMBOLIT

 

 

 

 

Për të “zbuluar” poetin Ismail Kadare dhe brezin e tij, të cilët mbushin një hapësirë të rëndësishme motivore dhe mesazhet që i duhen një letërsie, duhet të zbulosh një kohë të gjerësishme letrare, sociale, historike dhe kulturore, e cila u mishërua mirë në poezinë e poetit. Ismail Kadare, shfaqur në letërsinë shqiptare, në vitet ‘50 të shekullit XX, kur në poezinë shqiptare vijonte një zgjatim emocional dhe një jehonë e poezisë së mes-viteve ‹30, a më parë, apo më pas, me emra të njohur si Migjeni e ndonjë tjetër, dhe me atë të viteve të Luftës së Dytë Botërore, e cila nuk përbën një poezi mirëfilli për të përfaqësuar vlerat më të mira të kësaj letërsie.

Ismail Kadare është shfaqur në letërsinë shqiptare më së pari si poet. Libri i parë i tij poetik është botuar kur ai ishte në një moshë fare të re, por që dha shenjat e para të një poeti të shquar, me një talent të spikatur dhe stil të veçantë, me një profilitet të cilin do ta diferenconte çdo herë, sa më shumë të kalonte koha, qoftë dhe në pikën më të lartë të censurës. Në vitin 1954 poeti botoi librin e parë poetik “Frymëzime djaloshare”, ndërsa në vitin 1957, kur ishte student në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë  në Tiranë, botoi librin tjetër poetik “Ëndërrimet”, dy libra, të cilët e vunë poetin në një vëmendje të jashtëzakonshme të lexuesit të letërsisë.

Studiuesit shqiptarë dhe ata të huaj, e quajnë të rëndësishme ardhjen e poetit Ismail Kadare në poezinë shqiptare për arsye fondamentale, që ai i shërbeu kësaj letërsie, që nga qëmtimet tematike, mënyrën e pasqyrimit të rrethanave sociale dhe individuale, të profilitetit të tij poetik, të mjeteve shprehëse dhe veçimin e tij nga kërkesat ideologjike të kohës, që e çonin poezinë drejt një folklorizmi poetik, për shkak të frymës socialiste dhe të ashtuquajturës frymë popullore, që përftoi pjesa më e madhe e poezisë së kohës kur shkruan dhe Kadare.

Ismail Kadare vinte nga një shtresë historikisht qytetare, me një edukim të mirë qytetar, për të cilën kishte nevojë kultura shqiptare në përgjithësi, po ashtu dhe poezia. Ky element i rëndësishëm është i dukshëm në poezinë e autorit, që në një farë mase i kundërvihej një realiteti populist në të cilin po e çonte totalitarizmi poezinë, por Kadare nuk iu anësua aspak formimit të tij, përkundrazi, ai gërshetoi traditën e mirë të poezisë shqiptare me atë të huaj, në struktura komunikimi kadareane, pavarësisht se një pjesë e poezive të tij kishin temën e ndërtimit socialist të vendit dhe ndonjë qasje patriotike, të cilën e kërkonte koha.

Pas mbarimit të studimeve në Institutin “Gorki” të Bashkimit Sovjetik, Kadare duket se pati një formim të konsoliduar mbi letërsinë e realizmit socialist, si një letërsi që zhvillohej nën totalitarizëm dhe në kërkim të letërsisë së vërtetë. Por të shkruarit e tij në këto kushte bëri që ai të ishte me një ndërgjegje artistike-estetike të atillë, që të mos e lejonte veten, që të binte në pellgun e letërsisë së realizmit socialist edhe pse vetë shkruante në këtë mjedis. Historia e shkrimtarëve të njohur të botës, të cilët kanë shkruar nën censurë dhe në kohë totalitare, ka treguar se autorët e talentuar kanë ditur ta kthejnë në favorin e artit të tyre shoqërinë, mjedisin dhe totalitaritetin. Ismail Kadare e dinte mirë këtë. Një poet dhe shkrimtar, i cili nuk e njihte mirë se ç’është censura, ç’është letërsia e vërtetë, ç’është ndërgjegjja krijuese, që nuk njihte dialektikën e zhvillimit shoqëror, ishte i destinuar të binte në batakun dhe pellgun moralist të letërsisë së realizmit socialist.

Që në krye të herës, në një nga poezitë e vëllimit poetik Ëndërrimet, botuar në vitin 1957, (poezia “Vjeshtë tiranase”), Kadare ka një varg emblematik, që përveçse është një metaforë sureale, duket dhe si një mendim i shtrirë në përmasat dhe kushtet e paaftësisë së njeriut për të ndryshuar gjë, në përmasat qiellore, një qiell që i mbulon njerëzit me përmasën dhe pabindshmërinë e tij. Poeti shkruan: “Pa formë është qielli,/ si tru idioti…”, ç’ka më së shumti tregon shqisën poetike të poetit në një realitet njerëzor, të cilin ai e vizaton në një mënyrë krejt sureale. Qielli është një “totalitet” i pashmangshëm dhe i pasundueshëm nga njerëzit e tokës. Ne nuk dimë qartë të themi sot atë që ka dashur të thotë poeti me vargun e kësaj forme, por vargu është një farë strukturë komunikuese e hapur dhe mënyrat e ndryshme të leximit të poezisë na lejojnë të themi dhe gjëra të kësaj natyre. Në fund të fundit kjo shenjë surealiteti, ky lloj “shtegtimi” fantazmagorik është një sinjal për kohën kur u shkrua dhe për tendencën poetike gjeniale të poetit. Në të vërtetë paradigma e vargut “Pa formë është qielli…”, kishte parathënë një të vërtetë të mëvonshme, jo vetëm për poezinë, por dhe vendin ku ishte shkruar dhe do të shkruhej poezia, por nuk përbën thelbin e sjelljes së poetit as me kohën dhe as me tematikën e poezisë së tij, e cila përgjithësisht ishte në kompleksin tematiko-social dhe propagandistik të kohës.

Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, si dhe disa poetë të tjerë pas viteve 1944-’45, por edhe ndonjë poet që kishte filluar të shkruajë para viteve ‘40 të shekullit XX, përbëjnë fondin poetik të poezisë shqipe të kësaj periudhe, ndër më të rëndësishmet, ndër më tematiket dhe ndër më të reflektuarat përballë mendimit kritik të kohës, përfaqësimit kombëtar dhe të botuar mbi kriteret e plota shkencore. Gjatë kësaj periudhe, që nga libri i tij i parë, i botuar në vitin 1954 e në vazhdim, deri në vitin 1990, vit që shënon një etapë dhe epokë tjetër të rëndësishme dhe për poezinë shqipe, Ismail Kadare ka përvijuar një profil të veçantë poetik, një qasje kadareane ndaj poezisë dhe rrethanave në të cilat ai ka shkruar, si nga pikëpamja përmbajtësore, këndvështrimi tematik, origjinaliteti i referimit bashkëkohor, mjetet shprehëse, strukturat e komunikimit poetik, figurës, stilizimit, gjuhës etj.

Ajo që e veçon poezinë e Kadaresë nga poetët e tjerë në gati katër dekadat e totalitarizmit është profiliteti i tij, i cili lidhet me elemente të caktuara të saj. Nëse Dritëro Agolli ishte i hapur në stil dhe komunikim për shkak të origjinës dhe lidhjes së fortë të tij me motivet dhe poezinë popullore, apo Fatos Arapi kërkonte të manifestonte temperamentin dhe karakterin e vlonjatit dhe të poetit me natyrë mesdhetare, Ismail Kadare kishte plotësisht një lloj komunikimi me veten, qoftë në mënyrën se si e ndërtonte marrëdhënien me objektin e tij poetik, me motivet dhe reflektimin e kohës, po ashtu dhe me gjetjen e mjeteve shprehëse, që përbënte dhe momentin më të rëndësishëm të leximit të poezisë së tij.

Duke mos ngjarë aspak me njëri- tjetrin këta poetë të njohur në këndvështrimin kohor shpërfaqet një element referent për të kuptuar dhe interpretuar po ashtu dhe profilin e secilit në veçanti. Dritëro Agolli shpalosi natyrën e një krijuesi që përdori hapur simbolikat konverguese, si një lloj përgjigjeje për kohën në të cilën u shkruan poezitë, duke pasur një prirje estetike të madhështisë dhe të bukurës, duke e vizatuar realitetin jetësor në të cilin u gjend me një lloj patosi aktiv, ndërsa Ismail Kadare përdori kohën, transferimin në kohë dhe në poezi, duke e mistifikuar atë më së shumti, duke mos folur në vetën e parë si Agolli, por në vetën e tretë, dhe me një prirje estetike groteske, në revokimin e kohëve dhe të simbolikave të shkuara, që nga Hamleti, Makbethi, Laokonti, Helena dhe monologët e natyrës medituese, në të cilat ka një prirje të poetit për të shpërfaqur profilin e tij.

Në përmbledhjen e fundit të poezisë së tij titulluar “Vepra poetike në një vëllim” (Kadare), botim i Shtëpisë botuese “Onufri”, ka një shpjegim kontekstual dhe në elemente metaforike, nga studiuesi Sadik Bejko, i cili është në traditën e pasvitit 1990, për të shoqëruar botimet e Kadaresë me qasje studimore dhe kritike. Tendenca për ta interpretuar poezinë e Kadaresë, që në krye të herës, që në vitin 1954 si refuzuese të tematizimit të kohës, apo dhe të një lloj “disidence”, nuk e dimensionon poezinë e Kadaresë brenda realitetit social të kohës. Para viteve ‘90, po edhe më pas, ka pasur një prirje interesante nga studiuesit dhe kritikët e huaj perëndimorë, të cilët kanë pasur një interesim të veçantë për autorë të caktuar të vendit tonë, të cilët shkruan nën metodën e realizmit socialist dhe censurën e kohës.

As Ismail Kadare, as Dritëro Agolli apo ndonjë poet apo shkrimtar tjetër nuk do të kuptohej si i tillë, nëse nuk do të kishin shkruar në këtë kohë dhe nën këtë kompleks rregullash dhe censure. Është mrekullisht një mundësi brilante, që dy-tre talente të rralla të poezisë dhe të letërsisë artistike shkruan në një mjedis të tillë, nën një censurë të natyrës së veçantë, që nuk ishte identike me asnjë vend tjetër, pavarësisht regjimit. Poezia e Kadaresë në këto kushte ka një qasje thelbësore poetike, e ngritur mbi struktura të sofistikuara të komunikimit poetik, por pa iu shmangur dot kohës reale në të cilën ishte poeti vetë.

Gjatë dyzet e ca viteve të sistemit totalitar, Ismail Kadare botoi disa vëllime poetike. Nën titujt simbolik të tillë si: “Frymëzime djaloshare” (1954), ku duket se poeti i ri kërkonte të komunikonte drejt me lexuesin e tij, pastaj “Ëndërrimet” (1957), vëllimet e tjera “Shekulli im” (1961), “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell” (1968), “Koha” (1976) dhe vëllimet me poezi dhe poema të patitulluara “Vjersha dhe poema” (1966), “Poezia shqipe” (1976), “Poezi” (1979) dhe “Vepra letrare” (1981-1989), tregojnë se poeti ka një prodhim të madh poetik në kohën e zhvillimeve social-politike të Shqipërisë, të cilat nxënë dy dhjetëvjeçarët, ‘60 dhe ‘70, ku pati dhe zhvillime politike të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë viteve ’80 të shek. XX Kadare pati botime të shumta në gjininë e prozës, me anë të së cilës ai kërkoi të kishte një kontakt më të madh dhe më të besueshëm, jo vetëm tematikisht, por estetikisht me kritikën perëndimore, për shkak se ai e kishte kaluar murin të sistemit totalitar për t’u botuar kryesisht në Francë. Të kësaj periudhe janë dhe temat delikate të tij, të cilat në njëfarë mase ishin thurur në sipërfaqe të vogla poetike. Ismail Kadare ka një raport të brendshëm, të cilit i rikthehet vazhdimisht, pasi subjekte të rëndësishme më së pari i ka thurur në poezitë e tij, që i ka shkruar në vlugun e angazhimit tematik të letërsisë dhe poezisë së tij njëkohësisht.

Siç është shënuar më lart, Ismail Kadare veçon nga të tjerët poetë të kohës, pasi ai iu shmang populizmit në poezi. Trajtat titullore nuk janë të hapura, ato kanë një simbolikë, e cila përbën të gjithë konvencionalitetin e krijimtarisë së Kadaresë, e reflektuar si paradigmë kohore “shekulli” dhe “koha”, simbolikë “malet”, paradigmë qiellore “dielli”, të cilat i shmangeshin në një lloj mase atij lloj komunikimi që kishte krijuar Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi, të cilët patën krijuar paradigma të hapura komunikimi me kohën dhe lexuesin e tyre.

Kadare pati një dimension tjetër komunikues me lexuesin e tij dhe marrëdhënien që ai krijoi me poezinë shqipe në përgjithësi dhe për shkak të lidhjes së fortë që poezia e tij kishte me prozën. Pas mbarimit të studimeve në Rusi, në një nga qendrat pasuniversitare më të rëndësishme të Europës Perëndimore, Institutin “Gorki”, poeti Ismail Kadare krijoi një qasje më të ftohtë emocionale me subjektet e tij lirike dhe shoqërore. Duke kuptuar klimën izolucioniste të vendit, poeti shfaqi një tendencë të metaforës urbane përtej Shqipërisë, dhe në poezinë e tij bëhen të pranishëm emra të tillë si: Nju-Jork, Paris, Amsterdami, Elsinor, Helsinki, Pekin, Romë, Athinë, Jerusalem, Frankfurt, Prishtinë, por dhe perceptime ndërtekstore si: Troja, tragjedi antike, kali i Trojës, Laokonti, akullnaja, Saharaja, fushat mongole, Hamleti, Makbethi, Ferri, Parajsa, Purgatori, ndërsa në konteksti bashkëkohor: tokë kufitare, qytet industrial, ekzorcizëm. Në trajta titullore ka të tilla si: “Baltiku i ftohtë», «Mbërritja e dekretit perandorak», «Në mesditë Byroja Politike u mblodh», «Statuja pa krahë», «Ikja e Moisi Golemit», «Piramida e Keopsit», «Kënga e ushtarëve të vjetër», «Te kështjella e Hamletit në Danimarkë», «Dalja e vizitorëve nga Luvri», «Alpet në dhjetor», shihet një metaforizëm literal gati universal, të cilën Kadare është përpjekur ta shtrijë në një hapësirë të gjerë kohore.

Në jo pak herë poetit i ka ardhur në frymëzimet e tij stina e vjeshtës dhe e dimrit, të cilat gjenden në mjaft raste edhe në prozën e shkrimtarit, që gjithsesi janë elemente të rëndësishme të mundësisë për ta lexuar Kadarenë. Poeti e ka parë me një lloj distance në pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij realitetin social dhe atë të kontrolluar nga censura, pasi ai është nga ata shkrimtarë që është censuruar hapur, jo për ndonjë herezi ekstreme, por për mos përmbushje në pasqyrimin e realitetit shoqëror të kohës në kontradiktat e tij, apo për mënyrën se si ai e shihte realitetin.

Qysh në vitet ’60 të shek. XX, poezia e I. Kadaresë, me origjinalitetin dhe botën e pasur motivore, përvijoi një personalitet të spikatur poetik, duke shënuar një qëndrim të ri estetik në poezinë shqipe, të përjetuar thellë te qëndresa e shqiptarëve nëpër kohëra. Mbijetesa shqiptare është një nga tiparet e botëpërjetimeve të frymëzimit poetik të I. Kadaresë. Në mjaft poezi atdhedashuria dhe krenaria kombëtare, lashtësia dhe ngjarjet historike krijojnë tablo të thella të jetës shqiptare, duke ringjallur në sytë e lexuesit një pamje madhështore e hyjnore të vetëflijimit për mbrojtjen e truallit shqiptar. Te poezia “Nisja e shqiptarëve për në luftë” apo “Kthimi i shqiptarëve nga lufta”, portretizohen luftëtarët me opinga me xhufka, të përzhitur nga flakët e barotit, të cilët në përgjithësimin e tyre poetik shpalosin shpirtin e tyre liridashës: “Dhe kur binin në prille a në vjeshta,/ nëpër brinja të shtrirë, a në lugje,/ si me zjarre të vegjël të përjetshëm/ Era lozte me xhufkat e kuqe…”

Ndërsa te poezia “Portreti i Skënderbeut”, fytyra e tij historike me përmasa europiane, zbërthehet me dy emrat e tij: Gjergji – Diell dhe Skënderbeu – Hënë, duke nënkuptuar me figurën e tij kozmosin shqiptar të atdhedashurisë. Në heroizmin dhe trimërinë e Motit të Madh të Skënderbeut, shqiptarët, thotë poetikisht I. Kadare, kishin fatin e madh se ditën i ndriçonte dielli, ndërsa natën hëna nëpër udhët e historisë së tyre kombëtare. Edhe te poezia “Balada e zhvarrimit” kushtuar Skënderbeut (pas vdekjes së tij), poeti synon të jap barbarinë e pushtuesve të huaj ndaj kulturës dhe ekzistencës shqiptare, shpirtin e madh kombëtar të shqiptarëve që sfiduan shekujt dhe hordhitë. Në mjaft poezi e poema, poeti ynë i talentuar hyjnizon traditat dhe historinë shqiptare, epokën lavdimadhe të Skënderbeut, gjuhën shqipe, botën e thellë shqiptare dhe qytetërimin e tij bashkëkohor.

Në tërësi bota poetike e Ismail Kadaresë sjell motivet e njeriut të shekullit të ri, të shek. XX, të ndryshimeve të mëdha në shoqërinë njerëzore. Vallet e bukura popullore, veshjet karakteristike, gjuha shqipe, si dhe vetë natyra piktoreske shqiptare, në përfytyrimin poetik të poetit jepen me një shpirt të madh lirik, për të perceptuar madhështinë e tyre, bukuritë e tyre. Në poezi të tilla si: “Alpet”, “Alpet në dhjetor” apo “Bjeshkët e Namuna”, me epikën dhe peizazhin e tyre, të paepur në furtunat e luftërave dhe të kohëve, zbulojnë dalëngadalë edhe portretin dhe fatin e vet shqiptarëve, të cilët nëpërmjet sintetizimit dhe abstraksionit poetik japin një botë të thellë shqiptare. Nëpërmjet simbolizmit të jetës së shqiptarëve, lirika e I. Kadaresë përfton një ngarkesë të veçantë emocionale, shkallëzimet dhe kontrastet krijojnë një sistem të pasur figurash poetike. Malet me kokën në re, Kruja, Gjakova, Fushë-Kosova, ngjarje e data të ndryshme historike, në vargun poetik të poetit, zbërthejmë natyrshëm epizmin trimor të shqiptarëve, por edhe krenarinë e tyre për liri, drejtësi e dinjitet midis popujve të tjerë të Europës.

Shpeshherë poezia e Ismail Kadaresë, me paralelizmat, metaforat dhe botën e saj simbolike përfton përgjithësime universale. Liria e shqiptarëve përballë tiranisë, tradhtitë, vrasja e njeriut dhe e qytetërimit të tij, rrezikimi i identitetit shqiptar përballë asimilimit të popujve të tjerë të Ballkanit, përbëjnë tema të mëdha universale. Në lirikën e Ismail Kadaresë sendërtohet edhe një botë e gjerë mitike e legjendare, një pjesë e të cilave janë simbole të qytetërimeve të mëdha të botës. Në simbole të tilla si: Kali i Trojës, Laokonti, Troja, Piramidat, Hamleti etj., prej poetit përdoren për të thënë të vërteta të mëdha të jetës njerëzore. Te poezia “Laokoonti”, figura e tij e rrethuar nga gjarpërinjtë, jep nënkuptimet e veta, kontekstin se; në sistemin totalitar shoqëria shqiptare ka ringjallur “politikanët gjarpërinj”, të cilët përditë e vrasin botën shpirtërore të njeriut. Me censurën e fjalës së lirë ata mbytin të vërtetën dhe të drejtën njerëzore, që merr kuptimin universal.

Në lirikën e dashurisë, Ismail Kadare sjell një pasuri tjetër në poezinë shqiptare. Ai e përjeton dashurinë si një forcë të brendshme njerëzore, që e fisnikëron atë. Te poezia “Mall” dashuria bëhet ëndërr në përhumbjet e kohës. Në botën shpirtërore të njeriut të dashuruar merr pjesë edhe natyra me shqetësimet dhe bubullimat e saj. Në poezinë “Shoqes që u martua”, shkesi modern e plagos dashurinë e vajzës, fati i saj shkon në krahët e një tjetri.

Poezia “Nuset me duvak” ka një refleksion kohor të dukshëm nga Kadare. Ajo është shkruar në vitin 1968, kur vala kundër besimit fetar dhe aksioni ideologjik kundër zakoneve prapanike ishte në kulmin e vet. Poeti shkruan në tri strofat e poezisë: “Në qafa malesh ditë e natë ikte,/ Karvani i krushqve hipur mbi potkonj e hingëllima./ Rruga ishte e largët,/ Ta bënin me dorë/ Malet me shami resh plot bubullima”. Është strofa në të cilën metaforat “hipur mbi potkonj e hingëllima”, dhe “Ta bënin me dorë/ Malet me shami resh plot bubullima”, në të cilat njoftojnë kohën sociale kur është shkruar poezia, e cila mëton të “godasë” zakonet prapanike, të dasmave në Veri kryesisht, të cilat kishin një rregull të rreptë zakonor, ishin të largëta dhe bëheshin në dimër dhe në vjeshtë.

Në strofën e dytë poeti shkruan: “Ecnin këngët, zakonet, ritet e lashta/ Mbi vetminë e rrugës,/ Nën të ftohtat armë./ Duvaku mbulonte fytyrën e nuses,/ Siç mbulon perdja e teatrit një dramë.”, është një qasje e gjerësuar mbi dasmën e Veriut, në të cilën bie në sy një njoftim mbi preludin e dasmës shqiptare, që nga duvaku, ritet dhe zakonet e rrepta, që konvencionalizohet nga armët e ftohta që krushqit i mbajnë me vete, pasi gjëma mund të ndodhte çast pas çasti, por epiqendra e kumtit që kërkon poeti të sjellë në vëmendjen e lexuesit, është drama e nuses, e mbuluar me duvak, duke e krahasuar atë me perden që mbulon skenën e një teatri ku luhen dramat.

Poezia përmbyllet me një strofë trevargëshe, në këtë strofë shkruhet: “Karvane dasmash,/ Spektakle lëvizëse grykave plot jehona,/ Të vetmet gastrole në malet tona.” Poeti krijon një lloj dyzimi të çuditshëm mes mjedisit natyror, mjedisit tradicional historik dhe momentit të gëzuar që krijojnë dasmat në këtë realitet kompleks. Interesante në tematikën e poezisë së Kadaresë është poezia me një refleksion të brendshëm, që lidhet jo vetëm me kohën e krijimit, por komunikimin përmes të cilit poeti përpiqej të tejkalonte kohën. Në poezinë e autorit ka një reflektim kohor, nga mënyra dhe mjetet me të cilat ai e sheh realitetin, madje deri në qëndrime ndryshe të rregullave të kohës. Dy nga poezitë “Laokoonti” dhe “Në mesditë mblidhet Byroja Politike”, kanë një marrëdhënie interesante me kohën, ndërsa “Bjeshkët e Namuna” kanë një pamje ndryshe të traditës poetike të realizmit socialist për këtë monumentalitet natyror të përjetshëm, ku përzihen bashkë hyjniteti, jeta dhe mbijetesa.

Ismail Kadare është konsideruar si poeti i metaforës dhe i simbolit, me anë të përdorimit mjeshtëror të tyre, ai ka arritur të krijojë një komunikim të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm në kohë. Duke pasur një talent brilant, një kulturë të rëndësishme, poeti ka arritur të pleksë mesazhe të fuqishme në gjetje brilante, të cilat janë mikse të poezisë së metaforës dhe të poezisë së mendimit.

“Laokoonti” është një nga krijimet poetike më të rëndësishme të autorit, e cila është shkruar në kushtet dhe nën kriteret kufizuese të letërsisë, veçmas të krijimtarisë artistike. Poemthi është shkruar në vitin 1975, duke pasur në vetvete dhe marrëdhëniet që letërsia kishte me sistemin politik të kohës, e bën atë një dëshmi interesante për poezinë shqipe në përgjithësi. Poemthi është ngritur mbi elemente simbolike të njohura, hallkat e të cilit i lidh konceptimi i poezive të mendimit, ku jo pak poezi të poetit Ismail Kadare duhet të lexohen mbi këtë kriter. E ndërtuar e gjitha mbi një qasje estetike dhe artistike, krijimi dhe pse është “pjellë” e gjendjes emocionale të realitetit social dhe ideologjik në të cilin jetonte poeti, poemthi duhet lexuar si një metonimi, si një metaforë dhe si një simbol konvergues.

Laokoonti është një nga heronjtë e njohur antikë, i cili është dhe ndër protagonistët e nyjës së kompleksit antik, atë të luftës së grekëve për të pushtuar Trojën, një luftë e gjatë, që lidhej me rrëmbimin e Helenës. Laokoonti është një nga protagonistët e debatit të madh në kampin trojan, i cili mendon se “kali i drunjtë” nuk duhej të pranohej nga trojanët dhe pse grekët ua kishin propozuar si dhuratë. I parë si i tillë, Kadare përdor gjithëkohësinë e kësaj ngjarjeje antike për të zbuluar kohën e tij dhe kohën e njerëzve, në një situatë marrëdhëniesh të njerëzve me sistemet politike, të njerëzve mes njëri-tjetrit dhe të gjykimit të historisë, qoftë ajo njerëzore, qoftë hyjnore apo ndryshe qoftë. Dhe siç dihet, Trojën e pushtuan kundërshtarët e saj (grekët) pikërisht nga dredhia e “kalit të drunjtë”, thuhet një dinakëri e Odiseut, e cila ka në themelin e saj mosmarrëveshjen e trojanëve me njëri-tjetrin, por edhe të mosdëgjimit të zërave ndryshe për ta pranuar ose jo dhuratën e grekëve, njëri prej të cilëve ishte Laokoonti.

Poeti Ismail Kadare arrin ta vendosë në marrëdhënie të shumëfishta jo vetëm simbolin e Laokoontit, si një nga të ndëshkuarit epikë nga perënditë përmes gjarpërinjve helmues, por poeti kërkon ta çmitizojë ngjarjen e ngurtësuar të tij: “Mua s’më mbytën gjarpërinjtë, po trojanët më vranë”. Ajo që bie në sy që në fillim të herës është përdorimi i vetës së parë (unë), kur Laokoonti fillon të flasë, përmes një dyzimi të pranueshëm mes poetit dhe heroit antik, të njohur për dilemën e madhe “të pranohej apo jo?” Kali i Drunjtë në Trojë. Veta e parë në këtë rast duket se i “plazmon” bashkë poetin me heroin antik. Poemthi ka në reflektimin e vetvetes një marrëdhënie universale, të konceptit vertikal (historik-kohor) dhe horizontal (të sistemeve politike të kohëpaskohshme), duke krijuar gjithashtu dhe një metaforë universale të kuptuar lehtë, pavarësisht vështirësisë për t’u shkruar si e tillë. Duke qortuar indiferencën e njerëzve të kohëve moderne: “Kurse ju, të pambrojturit, ju prej mishi dhe kocke/ Vërtiteni mospërfillës nga salla në sallë”, Laokoonti derdh në sallonet më bashkëkohore dhe më moderne të kohës klithmën për të vërtetën, e cila është ngurtësuar brenda palëvizshmërisë së tij, kujdesin për kohët si ajo e tija, pavarësisht petkave që ajo ka, duke krijuar një marrëdhënie të gjerë me artin, me politikën dhe me njerëzit.

Poemthi “Laokoonti” është një nga krijimet poetike më të organizuara të Kadaresë, për shkakun e shfrytëzimit të një figuracioni dhe mjeteve të shumëfishta, për të sjellë në vëmendje jo vetëm heroin antik, i cili mbart në vetvete një emblematikë të fuqishme, që lidhet me çështjet e totalitaritetit, po dhe me qëndrimin kritik të elementeve të tjera që e bëjnë të pamundur këtë të vërtetë. Pavarësisht ideve të shumta, që mund të nxirren nga vetë miti dhe propozimi i tillë nga Kadare, rëndësi merr zbulesa estetike-artistike që e ka mundësuar vetë strukturën komunikuese të poezisë, qëllimin dhe mjetet që poeti ka përdorur për ta bërë të pranueshëm mitin e Laokoontit në kohët moderne.

Së pari, miti i Laokoontit është përdorur si metonimi e kuptueshme, e reflektuar në shpërfaqjen e mitit (kohës dhe figurës antike të Laokoontit) për kohën e sotme. Poezia nuk është posaçërisht për të zbuluar mitin antik, refuzuesin antik të “Kalit të drunjtë” pa një qëllim dhe qëndrim bashkëkohor të kohës së poetit.

Së dyti, poezia “Laokoonti” është ngritur mbi një simbol konvergues, atë të ndëshkimit kompleks, pasi në dialogët e heshtur, d.m.th në monologun epik të heroit antik përmenden një numër i konsiderueshëm elementesh dhe simbole të së keqes, që nga gjarpërinjtë e lashtë, më vonë vijimi i diktatit i sendërtuar në mermerin e ngurtë. Skulptura e tij në muzetë më të njohur të botës e ka ngrirë Laokoontin, ashtu siç ka ngurtësuar apo burgosur përjetë të vërtetën antike, një të vërtetë e cila nuk arrin t’i flasë dhe bashkëkohësisë së poetit. Lufta për ta mbajtur në piedestalin e artit të skulpturës, por të pandrysheushmërisë, e bën dhe më tragjik vetë heroin antik, i cili në gjuhën e Kadaresë thotë: “Një të fshehtë të madhe ndrydh brenda gjoksit/ Para syve tuaj, në Paris, në Madrid./ Ah, do doja gjarpërinjtë dyfish të m’i shtonit,/ Veç sekretin e madh ta shkarkoja një ditë”.

Heroi antik akuzon artin e skulpturës, artistët që nuk e kanë dëgjuar heshtjen e tij gjëmuese, duke u bërë ata pas helmimit të hershëm të perëndive antike, armiqtë e tij, sunduesit e tij, duke e pranguar dhe ngurtësuar përjetësisht. Kadare e reflekton mjeshtërisht këtë nyjë të rëndësishme me vargjet: “Po s’ndërron ai kurrë:/ Arti i skulpturës/ Gënjeshtrën mbi mua ka ngrirë përgjithnjë./ I mbërthyer në dëshminë e saj të rreme,/ Të vërtetën kujtoj dhe qaj për të”. Metonimia e hapur dhe simboli konvergues mbi të cilën është ngritur gjithë poemthi, përplotëson mjaft mirë dhe mjeshtërisht metaforën mbi të cilën është ngritur gjithë krijimi. Është një metaforë, e cila kërkon të bëjë të qartë një komunikim të përhershëm, që ka të bëjë me nevojën e përjetshme të shoqërisë njerëzore, të vetë njeriut, pavarësisht nivelit social apo kulturor, çështja e lirisë dhe e së vërtetës.

Duke marrë si objekt të veçantë “ngurtësimin në një vepër arti, estetikisht të njohur për konceptin e të bukurës dhe madhërishmes”, poemthi merr dimensione reflektuese vertikale, nëpër kohët historike, dhe horizontale, dhe të kohës së poetit. Totalitarizmat kanë arritur të vënë në shërbimin e tyre, në mos-shqiptimin e së vërtetës dhe praktikën dhe dëshminë më hyjnore, artin, një nga burgosjet më tragjike të ndodhura ndonjëherë. Laokoonti nuk mund të ngrejë zërin, ai flet vetëm së brendshmi, një tmerr i vërtetë. Nuk arrin ta copëtojë ngurtësinë e mermerit: “Mijëra herë në mijëra net e ditë,/ të vërtetën e frikshme përsëris pa pushim…”. Rrëfimi i tij është vetëm monolog, atë nuk e dëgjon askush. Por njoftimi dhe paralajmërimi i tij është një nga arsyet e shoqërive njerëzore sado moderne qofshin ato, kur thotë: “Në më pafshi ndonjë ditë të bëhem copëra/ Nga marazi, siç thonë, të plas, t’ia bëj “krak”/. Jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë monstra,/ Po shpërfillja e jua do të bëhet shkak”. Mesazhi është i drejtpërdrejtë, dhe natyrshëm, pjesa më e madhe e komunikimit mes Laokoontit me kohën është organizuar nga vetë goja e tij, me ç’rast, poeti përpiqet të zbardhë monologun e brendshëm të heroit mitik dhe të shkundë heshtjen.

Një poezi e cila ka një lloj raporti me kohën, është poezia e titulluar “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, të cilën Kadareja e ka shkruar gjatë viteve 1974-1975. Ajo përkon me një situatë të ngritur politike në Shqipëri, pas ngjarjeve në kulturë në fillim vitet 1970. Shqipëria gjatë kësaj kohe kishte sistemin politik ndryshe nga gjithë fqinjët ballkanikë, po dhe pjesa më e madhe e shteteve perëndimore, të cilët ndryshe vendit tonë ushtronin sistemin politik kapitalist, të ekonomisë së lirë dhe të lirisë së mendimit. Ndërkohë në vend kishte një frymë ideologjike, për t’iu kundërvënë ideologjisë së huaj dhe formave të ndryshme të shfaqjes së tyre brenda vendit, kështu që mbledhja e Byrosë Politike, si “institucioni” më i lartë në vend, krijonte çdoherë një marrëdhënie të shumëfishtë, një dyzim dhe një shqetësim të tillë. Atëherë, shtrohej pyetja: “Pse u mblodh Byroja?”

Me këtë dilemë, si pjesë e kësaj tabloje kohore fillon dhe poezia: “Mos lëvizën klasat e përmbysura,/ Mos ka katastrofë në prodhim./ Vallë ambasadorët mos kanë nisur/ Radiograme plot me shqetësim.”, apo “Jo. Kufijtë e shtetit janë të qetë,/ Nga ambasadat lajme me alarm nuk ka. / Dhe nën diktaturë të proletariatit,/ Dimërojnë kokulur ish-kastat e mëdha? Pjesa e dytë e poezisë është komunikuese dhe më e hapur. Poeti sjell një shqetësim të brendshëm, që në të vërtetë është shqetësimi i politikës. Metaforat e shumta zbulojnë se ç’ishte e rëndësishme në këtë kohë për politikën, veçmas Byronë Politike. Ai shkruan: “Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë./ Shumë-shumë mund të pikojnë diku./ Nga themelet ata prishen/ Këtij ligji/ Shteti socialist i bindet gjithashtu”/, apo “Telegrame urimi, diell i ndritur/ Në mitingje e vjersha letrarësh të rinj/ Kurse poshtë/ Pikërisht në themelitë/ Rritet dalëngadalë tumori i zi”, çfarë nënkupton se shteti totalitar i kohë i trembej vetvetes.

Në vijim të poezisë së tij, ku siç dhe kuptohet se shteti totalitar më së shumti i trembej vetes së tij është edhe pjesa e tretë, ku poeti kërkon ta nxjerrë nga thellësitë këtë lloj realiteti, që në të vetvete përbënte dhe natyrën e tij gati diversive. Poeti zbulon se pavarësisht një shoqërie unitare dhe solidare, në socializëm rreziku i parë që i vinte sistemit social-politik ishte burokracia. Ai shkruan vargjet: “Midis shkresash, telefonash, letërthithësesh/ Ata skenat mbushin gjithnjë./ Mjaft me këtë qeshje dashamirëse/ Burokratët janë tjetër gjë…”, të cilët kanë depërtuar deri në indin mbi të cilin është ngritur shteti i diktaturës së proletariatit, siç shprehet në vargjet: “I shoh atje thellë të rrëmojnë (burokratët)/ Në themelet e revolucionit pikërisht./ Ç›bëjnë ashtu/ Pse trupat e dëshmorëve/ Kthejnë djathtas, majtas dhe përmbys?”

Pjesa e katërt e poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” është më e drejtpërdrejtë. Poeti ka një raport më të pandërmjetëm me kohën dhe objektin e asaj që kërkon të thotë. Byroja Politike ka shqetësimin e thellë për praninë e “armiqve” të rinj dhe jo ata që ishin dikur (agallarë, bejlerë, dyer të njohura), as nga armiqtë e jashtëm, por nga njerëzit e saj. Kadare shkruan: “Pashallarë të kuq. Bejlerë me tesera partie/ Baron-sekretarë. Bosë të naftës. Varg./ Në kortezh të zymtë, nën himne liturgjie/ Çojnë tabutin e revolucionit për në varr… .” Është e qartë për çfarë bëhet fjalë në të gjithë shqetësimin e Byrosë Politike, e cila është mbledhur në mesditë. Në strofën e sipërcituar bien në sy emra të tillë si “pashallarë të kuq”, “bejlerë”, “Baron-sekretarë”, “Bosë”, “tabutin e revolucionit”, të cilët dëshmojnë rrezikun e madh të kohës, por nga ana tjetër projektojnë dhe “dimensionin” e luftës kundër tyre, si kronikë e kohës kur është shkruar poezia.

Poezia është shkruar me një stil të qartë ironik, vetërrëfyes, që zbulon në vetvete atë që është konceptuar nga figura letrare. Nëse në pamje të parë ajo duket si një shqetësim intelektual dhe shoqëror, në të cilin u përfshinë të gjitha strukturat politike të kohës, për shkakun e depërtimit në thellësi të zbulesës, poeti tregon se ç’kishte ndodhur në të vërtetë. Ai shkruan: “Kështu ishte ditën,/ Kurse natën/ Zbrisnin në themel ata sërish./ Por revolucioni s’ish kala e Rozafatit/ Që duron ditën ngre e ngre e natën prish”, ku siç mund të kuptohet, vetëm fjala “nata” duket se revolucioni dhe realiteti i ditës nuk ishte kaq i vërtetë. Në fund të fundit jepet një dëshmi totale për sistemin.

Një poezi interesante është dhe ajo e titulluar “Bjeshkët e Namuna”, e cila që në njoftimin e parë të zgjon një ndjesi epike. Poezia nuk është poezi e peizazhit, pasi një referimi të tillë nuk mund t’i shmangesh madhështisë që njoftojnë sa herë përmenden Bjeshkët e Namuna, por një poezi që e vendos poetin para vetvetes. Në tri strofa poeti reflekton tri ndjesi interesante. Në strofën e parë ai shkruan: “Bjeshkët e Namuna shtrihen para meje të pafundme./ Të zhveshura dhe askete, përthyhen, ulen, kulmohen,/ Si dallgë të ngurosura, që vërshuan nga makthi bojëhiri./ Më duket sikur midis tyre krisma po dëgjoj përmbi honet., që në të vërtetë është vetë përjetimi i poetit përballë këtij masivi natyror, etnokulturor dhe njerëzor kompleks. Bjeshkët e Namuna të zgjojnë brenda vetes qenësinë sipërore të natyrës dhe njeriut, në pafundësitë kohore dhe shndërrimit të natyrës bashkë me njeriun.

Poeti sheh përtej këtij realiteti ekzistencial. Ai arrin të hyjë në realitetin jetik-jetësor, në mekanizmin etnopsikologjik të njerëzve të këtyre anëve, që përbëjnë zakonet e tyre, të dëshmuara në epin e lashtë të jetës dhe mbijetesës së këtyre anëve. Ai shkruan: “Jo. Në ndërgjegjen time fishkëllejnë maliherë të moçëm./ Plumbat nëpër kubetë e shekujve jehojnë në largësi./ Mbi këtë zhveshje krenare, një mijë herë përmbys kam rënë,/ Dhe një mijë herë nga vdekja jam ngritur përsëri.” Siç dhe kuptohet, poeti flet për mekanizmin e jetës, pavarësisht shekujve që kanë kaluar mbi të. Vargu i fundit duket se përplotëson gjithë metaforën e poezisë.

Në strofën e fundit poeti bëhet real, tokësor dhe komunikues i drejtpërdrejtë me paktin jetësor të njeriut dhe mjedisit jetësor të Bjeshkëve të Namuna. Ai thotë: “Kulla të ngurta,/ Dritare të vogla,/ Frëngji të ngushta,/ Si kanë picërruar sytë nga kjo hapësirë pa mbarim./ Përse, me sy kaq të vegjël e shikoje vallë,/ Botën e madhe, o vendi im?” Duke kapërcyer legjendaritetin dhe monumentalitetin e hapësirës së pafundme dhe të paarritshme të Bjeshkëve të Namuna, atë duket se e mbajnë të tillë gjërat e vogla, krahasimisht me të, dritaret, frëngjitë, sytë picërrakë, që në të vërtetë janë vetë thelbi i tyre. Poezia ka vlera të jashtëzakonshme. Ajo i jep një veshje shoqërore, jetësore dhe historike këtij monumenti natyror, ku vetë qenësia e tyre pleks një hiperbolizëm dhe një sinkretizëm sa njerëzor po aq dhe jashtënjerëzor. E megjithatë atje ka jetë, rregull dhe marrëdhënie njerëzore në të gjitha nivelet e dimensionin e saj.

Me frymëzimin dhe fjalorin e tij poetik, Ismail Kadare e emancipoi poezinë shqipe me vargun e lirë, duke shprehur mundësi e hapësira të mëdha të botës së tij poetike. Poezia e tij për mjaft kohë shërbeu si shkollë poetike, ku mësuan mjaft poetë të tjerë, sidomos për pasurinë e madhe të botës poetike, të cilat sjellin botëpërjetime të thella dhe universale në tërë poezinë shqipe.

 

Please follow and like us: